LUKJA që më la me “provim në vjeshtë”

(tregim)

Nga Përparim Hysi

E quanin Flamur, por i thërrisnin “LUKE” dhe kështu vazhdojnë edhe sot. Qe komshi  me shtëpinë time dhe, ndërsa unë jetoja në katin e dytë të një pallati, ky, LUKJA,  në një shtëpi përdhese. Jetonim aq afër, sa, po të provoja e të zgjasja krahët, mund ta kapja prej qafe aty ku ishte dhe ta ngjisja aty ku jetoja. Qe nxënësi im dhe, kur zënë fill ngjarjet në këtë tregim, LUKJA ishte në klasën e tetë.

Zakonisht, në shkollën ku jepja mësim, unë  i  merja nxënësit në klasën e tetë, kur qenë të detyruar të jepnin Provimet e LIRIMIT. Në 8-vjeçare, unë jepja lëndën e gjuhës shqipe dhe atë të Leximit Letrar. Në shkollë kishte tri paralele të klasës së tetë dhe, ngaqë bëhej ballafaqimi i parë me nxënësit,  unë, paraprakisht, bëja një lloj”testimi” për përvetësimin e programës për lëndën përkatëse dhe, ndërsa për gjuhën bëja provim me shkrim,  në leximin letrar, provoja sa ishin të aftë për të lexuar një poezi a një tekst në prozë. Natyrisht, me kalimin e kohës, ndiqja përparimin e çdo nxënësi dhe, sa kisha vënë re, me LUKEN, këtë gjitonin tim, nuk qenë mirë punët. LUKJA, epo nuk ishte i vetmi,  ishte nga ata nxënësit që për arsye subjektive kish arritur në klasën e tetë. Dijenitë sa për klasën e pestë. Kur them nuk ishte i vetmi, siç vëreja nga testimet që bëja, kur LUKJA qe në klasën e tetë, në të tri paralelet, kishte nga “Tri-katër LUKE”. Kam qenë shumë këmbëngulës në kërkesat, sipas programës, dhe më shkaktonin dhimbje koke”firot” e dijeve të tyre. Kisha gati 30-vjet që jepja lëndët dhe, për”t’i zbutur” sado pak firot dhe për të mos i kaluar kot, kisha “shpikur” një metodën time vetjake.

Tek tri paralelet, i mora këta me”firo” dhe, para klasës (ndodhte që ishin të gjithë djem) komunikoja kështu. Për të kaluar në lëndën e gjuhës,  duhet të kopjonin çdo ditë nga një tekst, ku vlerësimi ishte për bukurshkrimin dhe për gabimet. Një gabim i ndëshkonte, sikur s’kishin bërë asgjë. Kush kopjonte pa asnjë gabim dhe  shkruante bukur, vlerësohej pozitivisht. Përvoja tregonte se asnjë  nxënës i mirë, për të njëjtin tekst të kopjuar, për çudi,  nuk shpëtonte pa bërë gabime. Kurse këta të”firove” e ngulnin bririn mirë. Për Leximin letrar,  u jepja copëra nga poezitë e vështira ku 15-vargje t’i  thoshin përmendësh. Piketa kalon a nuk kalon, gjithmonë qe”Poema e Mjerimit” të MIGJENIT.Dhe kjo”Poema e mjerimit” qe”kafshata” që i mbeti në fyt LUKES. E lashë me”provim në vjeshtë”.

*       *       *

E lashë në vjeshtë dhe kjo nuk i prishi fare punë LUKES që mos rritej si moshatarët e tjerë.Jo vetëm të rritej, por të krijonte familje dhe t’ia çonte më mirë se dhe unë që isha mësues i tij. Qemë komshinj e vija re dhe më vinte mirë që ky, ish-vjeshtuku im,  ishte goxha familjar. Kish ardhur demokracia dhe LUKJA kish pronën e tij:tokë, ullinj dhe tri lopë.

Vërtet s’e mësoi “Poemën e mjerimit” përmendësh,  por qe fermer i mirë. Qe viti i mbrapshtë 1997. Unë punoja inspektor në Drejtorinë Arsimore në FIER dhe, sa vija nga puna,  dilja aty, mbi xhade, se nën hijen e ullinjëve jo vetëm çlodheshim, por bënim dhe nga”një bark me muhabet”. Kishin filluar ato”demonstrimet anti firmave piramidale me thirrjen”Duam paratë tona”. Demonstruesit mbrrinin deri në fshatin tonë, 4-km nga qyteti i Fierit dhe, tek i shihja, sikur kruaja kokën. Isha dhe unë njëri nga ata. Thonë që PERËNDIA të merrë mendjen, në fillim, dhe, pastaj, jetën.Kështu ndodhi dhe me mua. Ndërsa imbir, emigrant në GREQI, (mezi i fitoi ato miliona dhrami:qenë dy milionë që ia mbylla në arkë  të kursimit).më mori në telefon”që mos gënjehesha dhe t’i çoja në ndnjë firmë, se më thotë bosi grek, se janë firma mashtruese”, unë e bëra si ai nxënësi i klasës së parë  që i tha prindit:”Nuk di ti sa mësuesja ime”. I thashë djalit:-Ka thënë BERISHA që janë paratë më të pastra në botë dhe nuk di bossi yt sa BERISHA!!!! I hoqa nga arka e kursimit dhe drejt e në  VLORË tek “Gjallica”. Dhe prisja që t’i merrja në shkurt 1997. “Gjallica” ra dhe paratë e timbiri shkuan për dhjamëqeni. Ndjeva dhimbje, por nuk dola në demonstrata se BERISHA nuk më kapi nga veshët që o çoj atje, ose të vrava. Fajin ma pati koka dhe kafshova gjuhën. Si lajm kishte marrë dhenë dhe një burrë plak kish thënë:-Pse edhe PAPI (kështu më thërresin në fshat e kudo) i humbi paratë? Po ne e dinim PAPIN të mençmin e fshatit,  ai qenka budallai i kazasë! Pra, le gomari më ngordhi, por nuk të lënë as mizat rehat.

*      *      *

Po bëja muhabet, kur u rrëfye LUKJA. Tri lopët i la për kullotë dhe, sa më pa aty mes njerëzve,  e zbrazi”koburen” që e mbante të mbushur që nga koha që ish nxënësi im.

-Eh, profesor, – tha LUKJA, – më le mua mahere me provim në vjeshtë. E shikon LUKEN? Lopë po,  prona po dhe ca”çikalekë” i ka LUKJA mu në arkëz të kursimit. Po ti,  o profesor, i more lekët e SUADIT (emri i timbiri) dhe i vërvite mu tek”Gjanica” *! Profesor, – shpotiti duke qeshur LUKJA, – të kam lënë me provim në vjeshtë! U ngrita dhe e përqafova LUKEN miqësisht.

*Gjanica-lumthi që kalon përmes Fierit

Tiranë, 23 nëntor 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube