Magelan në Roskovec

Nga Edison Ypi

Pasi je dehur me bukuritë e Beratit, ke rastin të shkosh të shijosh një mijë e një mahnitje të tjera: Skraparin, Tomorrin, 2 Lapardhatë, Gramshin, del në Kolonjë nga Guri i Miçanit, vete në Përmet te Teqeja e Alipostivanit etj. etj.

Por nuk je në ëndërr ku gjithçka është e mundur.

Je në realitet ku në dy apo më tepër vende njëkohësisht nuk mund të shkosh.

Më i forti tundim të cilin nuk e përballon dot, është të ndjekësh Diellin. Të arratisesh në Perëndim. T’i biesh rretheqark Botës. Si Magelan.

Deri tutje në rrëzë të Shpiragut, Oqean me kodra dhe katunde që luhaten mes dallgëve.

Aty rrotull është dhe Trekëndëshi i Bermudeve. Sot s’ja kam ngenë. Ja Jetën ja vdekjen. Ja Diellin ja Trekëndëshin. Të dyja s’ka Magelan që i ndjek.

Shpiragu nga larg duket si Amerika. Por edhe si Sofër ku është shtruar një gosti me të gjitha të mirat. Gjeldet i pjekur i stërmadh shtrirë në mes të sofrës.

Në një katund, si në Venezuelë, kërkohet naftë.

Në tjetrin katund, si Kolumbi, nuk bëhen bananet, por s’është çudi kultivohet hashash.

A shkohet nga Sinja në Roskovec ?

Jo jo jo, thonë të gjithë duke rrudhur turinjtë.

Kanë të drejtë. Nuk e dinë që Toka është e rrumbullakët. Presin Magelanin ta dëshmojë.

Duke i ardhur rrotull Shpiragut, në skajin jugor, aty ku janë këmbët e gjeldetit të pjekur shtruar mbi Sofër, plantacionet e qershive të kuqe flakë ndezin pamjen. Është Toka e Zjarrtë ku Magelani po kalon.

Në anën perëndimore të Sofrës, katundet rrëzë Shpiragut duken si qytetet e Kilit.

I pari është Sinja.

Në Sinjë jabanxhiut Magelan i afrohet një dyqanxhi i dehur. Jep e merr me sy e me vetull, me këmbë e me duar dyqanxhiu i dehur, ta bindi Magelanin se rruga për në Roskovec është aq e keqe sa, edhe mund të nisesh, por atje ku Suzuku do ngeci, nuk e nxjerr dot as helikopteri i NATO-s.

Avitet një djalosh. Mban në duar dy litra vaj ulliri. Sapo i ka blerë te dyqani i të dehurit. Në Sinjë vaji i ullirit nuk tregëtohet në rrugë por në dyqan. Djaloshi i vajit ka motoçikletë. Pasi ka dëgjuar ç’ka llafosur Magelani me dyqanxhiun e dehur, ndërhyn me takt. Thotë se rruga është e keqe. Por shqiptarin, aq më tepër mallakastriotin, që nuk e mposhtin rrufetë e Shpiragut, nuk mund ta trembin vështirësitë e rrugës. Ka gjithmonë një zgjidhje nëpër dallgët e jetës. Edhe unë vete në Roskovec. Eja pas meje Magelan.

Kallauzi me motocikletë para, Magelani me Suzuki pas.

Në perëndim, sa të ha syri, katunde si nëpër ëndërra. Duken që larg shtëpitë e reja, kopështet e ujdisura, arat e mbjella.

Të ishte ky vend, për shembull në Angli, do konsiderohej tmerr e ferr.

O sedentar ta shifsha kurvën. Nuk bëhet ky krahasim. Bereqaves edhe kaq. Këtu nuk është Angli, as Francë, as Itali. Këtu i thonë Mallakastër.

Te një krua Kallauzi ndal.

Thotë kallauzi: Prit te kroi. Do vete deri në shtëpi. E kam këtu afër. Sa të marr diçka. Vi shpejt.

Erdhi me një çantë të madhe. Ça kishte çanta brenda, Zoti e di.

Vazhdon Kallauzi: Ta fusim çantën me vegla te bagazhi i Suzukut. Unë dhe vëllai im merremi me punime gipsi. E kemi mësuar zanatin në Greqi ku vemë e vimë prej 12 vjetësh. Veglat do ja çoj vlllait në Roskovec. Nesër në mëngjez do niset për një punë në Prrenjas.

Ethja e veprimtariste gipsiste, heleniste, kapitaliste të kallauzit, e mahnit Magelanin.

Fute Kallauz çantën në bagazh. Edhe bombën atomike të ketë brenda. Ti dhe vëllai yt nuk jeni bythpambukë. Jeni heronj. Vullneti juaj do ta ndreqi Shqipërinë.

Ndërkohë rruga është shndrruar në një hukubet me gropa dhe gunga.

Kallauzi e ka bërë një hile të vogël, të pazararshme. Ta ngasi motoçikletën nëpër këto gurë e shkëmbinj, duke mbajtur në dorë çantën e rëndë me vegla, është e pamundur, prandaj e futi te Suzuku…etj.

Magelani nuk i futet aspak zhbirilimit të hiles së pazararshme. Ku ma gjen gjen të mbushet Shqipëria tejembanë me të tilla manovrime mbijetese.

Aty-këtu rreziqet e rrugës shtohen.

Rrëzat e Mallakastrës duken si Afganistan pa talebanë.

Kallauzi ndal motoçikletën. Drejton Magelanin nëpër gropat si shpella.

Pas pak kilometrash të frikëshme dhe të këndëshme shoqëruar me adrenalinën përkatëse, Magelani dhe Kallauzi i tij kanë dalë në Oqeanin e Qetë, në Mallakastrën e butë.

Fshatra me shtëpi të ndrequra, kopështe me pemë frutore, aty-këtu ndonjë kalimtar i vetmuar me një kaçile misterioze në dorë ku s’dihet çfarë ka futur, në duar shishe me raki, ose me ujë, ose bosh.

Duke j’u avitur Ngjeqarit, Gostia me gjeldeti, Kili, Peruja, Ekuadori, bashkë me Argjentinën dhe Brazilin në thellësi të kontinentit, kanë mbetur pas  janë zhdukur pas mjegullave dhe reve të Shpiragut.

Llokma panoramike sa vjen e bëhet më e shijshme.

Në një breg prejnga duket Ngjeqari, Hasani me të shoqen po mbledhin fasule. Këtu kanë pleqtë. Vetë janë në emigracion me gjithë kalamaj.

Dy çuna me uniformë që kanë ardhur në katund me një kamionçinë thonë se po instalojnë nëpër shtëpi, a e di çfarë ? Hiç më pak se Internet me kabllo optike në skërkat e Mallakastrës !

Në katundin tjetër, ka ndalur anës rrugës një traktor lidhur me një rimorkio ngarkuar me kashtë misri për bagëtinë. Rimorkios i është çpuar goma.

Traktori është i njërit.

Rimorkio e tjetrit.

Kashta e një të treti.

I katërti që pritet të vijë është gomisti që do ndreqi gomën e çpuar.

Salla ngrihet më këmbë dhe duartroket me gjith’ shpirt.

Kolaboracioni kapitalistik i mallakastriotëve të lë pa ment.

Pas pak Dielli myzeqar do rrëzohet i vdekur mbi det mbytur në gjak.

Gjithandej fusha të mbjella, liqere, kodra me harqe femrash.

Tani që kemi rënë në asfalt, Kallauzi me vajin e ullirit mbi Papaq “ikën si veriu, me dy-tri foshnja në duar, si Abas Aliu”.

Në katundin prrallor ku duhet me lën çantën me veglat e vëllait të Kallauzit, një i moçëm me shkop ngre supet:

Nuk e mban ment sa vjeç është.

Nuk e di sa kalamaj ka sjellë në jetë.

Ka harruar çfarë punërash ka bërë.

Një Zonjë që kaloi andejpari tha se zotëria në fjalë pas 1 viti mbush 100.

Kallauzi kthehet në fshatin e vet rrëzë Shpiragut nëpër muzg përmes hukubetit me gropa dhe gunga.

Ja dhe Hirësia e Tij Roskoveci shekspirian me Porcia dhe Shajlok, ku:

Të gjithë punojnë.

Të gjithë blejnë.

Të gjithë shesin.

Të gjithë udhëtojnë.

Të gjithë paguajnë taksat.

Të gjithë ngenë në Qiell Kryetaren fantastike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube