Malësia pa trashëgimi  nuk ka ardhmëri

Nga Gjekë Gjonaj

Malësia është e pasur për nga trashëgimia kulturore e natyrore dhe ka se çka t’u ofrojë vizitorëve , por janë institucionet që   duhet të punojnë për ruajtjen dhe kultivimin e saj.  Institucionet  vendore e qendrore  që merren me  studimin e  këtij thesari të Malësisë  , shumë pak ose aspak  flasin  për   monumentet  e trashëgimisë kulturore e natyrore   të Malësisë , edhe pse ato janë  të pranishme gati në çdo pjesë të   sajë. Duhet të jemi të sinqertë e ta pranojmë se  trajtimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore  dhe mbrojtja e saj  në këtë trevë ka mbetur  shumë prapa sepse ka pasur shumë prioritete tjera.

Në Malësi  trashëgimia  kulturore dhe natyrore ka mbetur  pothuaj e njëjtë, që nga periudhat e hershme  e deri në periudhën e kohës së re.  Kjo trashëgimi kulturore dhe natyrore e secilës prej këtyre  periudhave  kohore nuk  është hulumtuar, identifikuar, regjistruar, studiuar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi  shumë lokalitete, objekte, vlera e pasuri  të trashëgimisë kulturore dhe natyrore   të dëmtuara, të  shkatërruara, të prishura,  të paruajtura,  të papërkujdesura,  të pambrojtura  nga  të dy nivelet  shtetërore. Ato me vite  janë lënë  pas dore, në mëshirën e natyrës , por edhe prishjes nga dora e njeriut. Gjendja dhe pozita e tyre  është  mjaft e vështirë me tendencë të shkatërrimit të plotë.  E gjithë kjo  mendojmë se ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit politik,  mungesës së fondeve në fushën e kulturës,  mungesës së projekteve  për mbrojtjen e trashëgimisë   kulturore dhe natyrore , e cila është  dëshmia më e argumentuar  se malësorët janë popullsi autoktone ( vendase) në këtë krahinë shqiptare në Mal të Zi.  Vështirë mund të kuptohet, e aq më pak të arsyetohet   neglizhenca e  institucioneve përkatëse  në trajtimin e së kaluarës historike të pasurive kulturore dhe natyrore,  që janë të shumta në  këtë  trevë.

Një intervenim i shpejtë , në aspektin e  ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore   në Malësi,  është më se i domosdoshëm, nëse duam  ta njohim dhe ta ruajmë  këtë thesar të malësorëve.  Siç mësuam jozyrtarisht  Sekretariati  për Kulturë i Komunës së Tuzit  është duke u marrë me hartimin  e Hartës  arkeologjike e cila do të mundësojë   evidentimin e   kësaj trashëgimie kulturore.   Mirëpo, nuk mjafton vetëm identifikimi i saj , por duhet me i  mbrojtur dhe kultivuar atë, mbase trashëgimia dëshmon  vlerat  dhe traditat  të cilat  pasqyrojnë dhe i japin formë  kulturës dhe identitetit kombëtar. Komuna e Tuzit , përmes njerëzve  përgjegjës , do të  ishte mirë  që,  brenda kompetencave ligjore,   të  ushtrojë  ndikim  pozitiv në institucionet  qendrore  dhe  të ndajë edhe mjete  nga buxheti i saj  për ruajtjen, mirëmbajtjen  dhe zbardhjen e kësaj trashëgimie, sidomos tash kur  e ka nëpër duar  hartimin dhe aprovimin e Buxhetit për vitin 2022.

Ekspertët shqiptarë të kësaj  fushë janë të një mendimi  se deri më sot  janë bërë shumë pak përpjekje për ta  lidhur trashëgiminë  kulturore e natyrore me zhvillimin ekonomik në Malësi.  Sipas tyre  në vend që  trashëgimia kulturore dhe natyrore të përdoret si  mundësi   për të krijuar vende të qëndrueshme të punës, si : shoferë autobusi, ciceronë, arkitektë, arkeologë,  punonjës në hotelieri e  në biznese të vogla , më shpesh trajtohet  si “ kosto” për kuletën publike dhe barrë fiskale për  disa  nga qytetarët e Malit të Zi.  Malësorët nuk duhet lejuar që  këto vlera  të tyre të papërsëritshme  kulturore dhe natyrore  të degradohen dhe të shkatërrohen, por të mbrohen dhe vlerësohen. Sepse  një popull pa trashëgimi vështirë se mund të gjejë  vend  në mes të popujve të civilizuar të botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube