Mali që bashkon legjendën dhe historinë

Nga Blerim Latifi

Emrin e ka trashëgim nga legjenda e lashtë e qyqes, prandaj e quajnë Qyqavicë. Legjenda thotë: kur mësoi se në shtëpinë e shkretuar nga vdekja e kishte kthyer vëllau i vdekur, i ngritur nga varri për të mbajtur besën që i kishte dhënë nanës, motra u lutet hyjnive ta shndërrojnë në qyqe, që t’i vajtojë përjetësisht vëllezërit e vdekur në luftë. Dhe ato ia plotësuan dëshirën. E kthyen në qyqe dhe ajo fluturoi në malin që mori emrin e saj: Qyqavica. Dhe për çudi Mali i Qyqës, gjatë historisë, në kush e di sa raste, do të kthehej vërtet në një mal të dhimbjes, vuajtjeve dhe lotëve. Por edhe të rezistencës ndaj të keqës. Dhe kjo histori do të përsëritej edhe me 22 e 23 shtator të vitit 1998. Në ato ditë mbi 25 mijë ushtarë e policë serbë e rrethuan Qyqavicën  dhe nisën sulmin përgjatë të gjithave rrugëve, të cilat bashkoheshin në një pikë të vetme, në majën e saj, një lëndinë e zhveshur, prej nga shihet pothuajse e gjithë Kosova. Mijëra e mijëra civilë, nën breshërinë e artilerisë së rëndë, braktisën shtëpitë e tyre, për të gjetur strehim në thellësitë e Malit të Vajtimit. Shumë prej tyre u sakatuan nga predhat që vinin nga të gjitha anët dhe binin gjithkah. Regjimi i Milosheviqit po kërkonte t’i jepte goditjen përfundimtare UÇK-së dhe ku, pikërisht aty ku me 1924 kishte marrë fund Lëvizja Kaçake e Azem Bejtës, aty ku në shkurtin e vitit 1945 Shaban Polluzha u kishte dhënë lajmin e hidhur bashkëluftëtarëve të tij se kryengritja e tyre kishte marrë fund, aty ku udhëtari, nga që të kalojë, ndeshet në varret e luftëtarëve të panjohur, të vrarë në kohë e shekuj të ndryshëm.

Njësitë e UÇK-së, të pajisura me armë të lehta dhe në numër shumëfish më të vogël se ushtria serbe, nuk mund të ndalonin dot divizionet sulmuese të saj. Krejt çfarë mund të bënin ishin të vononin depërtimin e saj dhe të ndihmonin në evakuimin e popullatës civile, bashkë me të plagosurit e shumtë. Në këtë përpjekje titanike do të bënin disa nga luftëtarët më të dalluar të UÇK-së : Fehmi e Xhevë Lladrovci do të binin në hyrje të fshatit të tyre, i cili shtrihet buzë Qyqavicës. Në Prekaz do të binin Naim Haxhiu, Kadri Mehmeti, Shemsedin Haxhiu, e Murat Haliti. Në Ashlan, Agim Ramadani, në Galicë, Muharrem Misimi e Driton Ibrahimi, e në Gradicë, mjeku i luftës, Lec Gradica. Ata nuk ishin të vetmit. Dhjetra të tjera ranë me armë në dorë gjatë atyre dy ditëve, në të katër anët e Qyqavicës, ndërsa civilët e vrarë ishin mbi 170.Kështu, legjenda e lashtë për motrën e shndërruar në qyqe nga dhimbja, kishte kapërcyer kufijtë e imagjinarës për t’u bërë njësh me realitetin.

____________

Muaj më parë më ra në dorë një libër shumë interesant mbi Romën e Lashtë. Libri ka për autore historianën Mary Beard, e cila gjithë jetën akademike ia ka kushtuar civilizimit romak. Mes shumë e shumë gjërave interesane, aty më ra në sy një detaj që të lë pa fjalë kur e lexon. Ky detaj ka të bëjë me vrasjen e Jul Cezarit në Senatin Romak, nga një grup senatorësh, në marsin e vitit 44 para Erës së Re. Cezari u vra për shkak se synonte ta kthente Romën nga republikë në diktaturë absolutiste të tij. Ata që e vranë thanë se këtë e bënë për të mbrojtur liritë e popullit të Romës. Beard tregon se në momentin pas vrasjes atentatorët vendosën plisat e bardhë mbi kokat e tyre. Plisi i  bardhë, të cilin romakët e quanin pileus, pra me një emër shumë të ngjashëm me emrin shqip, ishte simbol i Libertas, perëndisë romake të lirisë. Fëmijët kur maturoheshin, fitonin të drejtën për të mbajtur plisin në kokë. Skllevërve, kur u jepej liria, në momentin e çlirimit u vendosnin plisin në kokë. Në një vjetorin e vrasjes së Cezarit, atentatorët prodhuan një monedhë në të cilën gdhendën dy thika dhe midis tyre plisin e bardhë, simbolin e libertas. Forma e tij është krejtësisht identike me formën që ka plisi i bardhë i shqiptarëve, i cili ende përdoret në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, ndonëse në masë tepër të vogël. Me këtë nuk dua të them se ata që vranë Cezarin ishin ilirë, as se ilirët e morrën plisin nga romakët. Dua të them se ilirët dhe romakët, meqë jetonin në fqinjësi, ndanin shumë vlera të përbashkëta, mite, perëndi, simbole, rregulla sociale dhe mentalitete, ndërsa plisi i bardhë është dëshmi e fuqishme e vazhdimësisë kulturore iliro-shqiptare. Mos u lodhni duke kërkuar gjurmët e kësaj vazhdimësie në gërmadha të groposura, në varre të humbura e dorëshkrime të fshira nga koha. E keni para syve, në kokat e pleqëve të Kosovës e të Shqipërisë së Veriut.

___________

Njerëzit e paharruar të kombit

Mitrush Kuteli është emër i nderuar në kulturën shqiptare, jo vetëm për kontributin letrar, por edhe për integritetin moral dhe patriotik që demonstroi në rrethana të vështira, në të cilat rëndom njerëzit thyhen moralisht e shpirtërisht. Sigurisht këtë qëndrim Kuteli do ta paguante shtrenjtë. Në vitet 1945- 47, kur Beogradi dhe Tirana po negocionin krijimin e valutës së përbashkët dhe bashkimin doganor midis dy vendeve, Kuteli, si përfaqësues i Shqipërisë në këto negociata, doli kundër në mënyrë të hapur. Me t’u kthyer në Tiranë e arrestuan dhe e dënuan me 15 vjet burg. Edhe pas lirimit, persekutimi ndaj tij vazhdoi në mënyra të ndryshme, deri në vdekje. Kuteli besonte se midis Jugosllavisë e Shqipërisë nuk mund të kishte miqësi, derisa qëndronte e pazgjidhur çështja e Kosovës, e cila padrejtësisht i ishte ribashkuar Serbisë në vitin 1945. Kuteli e kishte përjetuar rëndë gjëndjen arsimore të Kosovës, gjatë vizitës që kishte bërë menjëherë pas pushtimit italian.Nuk pashë askund asnjë fjalë shqipe të shkruar, me përjashtim të disa emrave në një varrezë katolike afër Prizrenit- shkruante Kuteli në kujtimet e tij nga ajo vizitë. I revoltuar nga mjerimi ekonomik e kulturor në të cilin e kishin katandisur Kosovën pushtuesit e mëparshëm, Kuteli do ta derdh gjithë mllefin e tij në vargjet e Poemit Kosovar, mbase poezia ma e bukur për vuajtjet e Kosovës që ka dalë nga pena e një poeti. Ja një pjesë e tij:

Jam kosovar

pra jam shqiptar:

Zot e krenar,

– Zot e bujar

mbi këtë Dhe

q’e e kam si fe;

E kam Vatan!

e kam Atdhe!

Që gjysh stërgjysh,

që brez pas brezi,

që gjithëmon!

Ti shkja thërret,

ti shkja bërtet,-

gjer lart në retë;

se jam barbar.

Jo, s’jam!

si bërtet ti,

si buçet ti,

ti Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,

lirinë e dua,-

e s’dua

zot

mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,

kur s’kish kufi

as fqinjëri,

as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi

ish Iliri;

Kur nga një det në tjatrin det

Isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti

kur vetë Zoti

e bëri fushën fushë

e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem

-dem baba dem-

sa mali të bëhet hi

e hiri mal përsëri!

___________

Rojet e natës dhe fashizmi serb

Rastësisht e pashë që një shok i imi në facebook e paska përkujtuar ngjarjen e Pollatës të shtatorit 1990. Sot qenka bërë 30 vjet nga ajo ngjarje tragjike.Ishte një kohë kur shqiptarët zgjoheshin e ngryseshin me terrorin e policisë serbe.Të dehur nga fashizmi i Milosheviqit policët serbë endeshin nëpër fshatrat shqiptare, duke i kthyer netët tona në netë të xhamave të thyera, sipas modelit të terrorit që nazistët ushtronin mbi hebrenjtë para Holokaustit. Një natë shtatori kishin sulmuar fshatin Pollatë të Podujevës, duke ushtruar terror mbi njerëzit e pafajshëm që ishin në gjumë.Në disa familje kishin hasur në rezistencë dhe për pasojë dy burra të këtyre familjeve ishin vrarë. Paniku ishte përhapur gjithandej Kosovës. Nuk e di e kujt ishte idea, por më kujtohet se nga ajo ditë kishte filluar organizimi i rojeve të natës nëpër fshatra.Çdo lagje kishte grupin e saj të rojeve.Puna e tyre ishte që tërë natën të vëzhgonin se mos po hynte policia në fshat dhe nëse kjo ndodhte t’i lajmëronin njerëzit që të mos i zinin në gjumë. Unë isha fëmi në atë kohë të largët, por ende i kam të gjalla pamjet e atyre netëve të frikshme.Rojet zakonisht ishin duarthatë; aty këtu ndonjëri kishte ndonjë pushkë të vjetër, ndonjë pushkë gjuetie ose revole.Mbase origjina e vërtetë e UÇK-së qëndron pikërisht tek këta njerëz, të cilët, ndonëse duarthatë, kishin vendosur të mbronin të vetmen gjë që ende e ndjenin të tyre: pragun e shtëpisë!

___________

Veç intervenimi i NATO-s në Kosovë thuhet të ketë kushtuar rreth 40 miliardë dollarë, aq sa është buxheti i Kosovës për 20 vjet. Shumicën e këtyre shpenzimeve e kanë mbuluar SHBA-të. Shtoni këtyre miliona të tjerë, të dhëna në mbështetje të pavarësisë dhe procesit të shtetndërtimit të Kosovës, pastaj llogaritni burimet ekonomike të Kosovës dhe, siç thotë ajo fraza, qitjani lapsin për me pa se për çfarë interesash ekonomike na paska ndërhy SHBA në Kosovë. Ne ende e rrejmë veten se vendi ynë ka aq pasuri, për të cilën fërkojnë duart fuqitë e mëdha botërore.

___________

Kalendari filozofik

Me 17 Shtator 1994 ka vdekur Karl Popper, njëri ndër mendimtarët më të lexuar e të diskutuar në filozofinë e shekullit XX. Ai e shihte anën e ndritshme të filozofisë tek forca e mendimit kritik, ndërsa rreziqet e saj tek prirja për t’i shndërruar gjysmë të vërtetat në dogma intelektuale dhe ideologji absolutiste. Ai e pa me sy se si këto ideologji (nazizmi, fashizmi, stalinizmi) e shfrytëzuan tolerancën liberale dhe instrumentet demokratike për të ardhur në pushtet dhe pastaj i shkatërruan përnjëherë liberalizmin e demokracinë dhe botën e shndërruan në kasaphanë. Këtë përvojë të hidhur të njerëzimit, Popper e përmblodhi në argumentin e njohur si paradoksi i tolerancës: toleranca e pakufizuar, tolerimi i intolerancës shpie në shkatërrimin e tolerancës!

Ne shndërrohemi në tolerues të intolerancës kur si intelektualë ulim kokën përballë fundamentalistëve primitivë; kur filozofia, nga avokate e principeve të shoqërive të lira, reduktohet në kënaqësi intelektuale me erudicionin e thatë;  kur si politikanë na intereson veç pushteti me çdo kusht; kur si gazetarë mendojmë se gazetaria është veç biznes; kur si shkrimtarë mjaftohemi duke shkruar për kënaqësinë personale dhe heshtim përballë shijes së keqe dhe vulgaritetit që ka pushtuar shoqërinë; kur si qytetarë lejojmë që votat tona të blihen ose shiten në një sistem politik të korruptuar; kur nuk arrijmë të dallojmë demokracinë e vërtetë nga farsa demokratike.

Popper argumentonte se derisa armiqtë e demokracisë i përdorin vlerat e saj për ta shkatërruar demokracinë, edhe demokracia duhet të mos hezitoj në përdorimin e masave jodemokratike kundër tyre. Po së bëri këtë, ditët e fundit të saj do të arrijnë shpejt.

Popper e jetoi momentin e triumfit të filozofisë së tij, por sot, 26 vjet pas vdekjes së tij, rreziqet e paradoksit të tolerancës janë rishfaqur përsëri për të kërcënuar sërish demokracinë dhe liberalizmin. Gjithandej, në Lindje e Perëndim, shohim e dëgjojmë demagogë, populistë e fundamentalistë të shumtë që e përdorin retorikën demokratike dhe vlerat e instrumentet e demokracisë, për t’i çuar përpara ambiciet e tyre antidemokratike. Prandaj, sot, është përsëri koha që jo vetëm t’i kujtojmë mendimtarët e tillë si Popper, por edhe t’i rikthehemi leximit të tyre, për të ndikuar, kudo që mundemi, që katastrofat e të kaluarës të mos na përsëriten.

____________

Kur gjykatat japin vendime patriarkale në rastet kur viktima janë gratë, politikanët nguten të mbushin portalet me gjoja indinjatën e tyre ndaj këtyre vendimeve, ndërsa në realitet nuk bëjnë asgjë që gjykatat të jenë më të mira dhe të çliruara nga paragjykimet gjinore. Kur ndodhë që ndonjë grua vritet apo torturohet nga bashkëshorti i saj, prapë vrapojnë të shprehin indinjatën dhe ta dënojnë verbalisht agresorin, por, ndërkaq, për ca vota të ndyra, nuk pushojnë duke u servilosur pas klerikëve vahabistë, të cilët, nga mëngjesi në darkë, predikojnë se qysh pabarazia midis burrave e grave është urdhër nga Zoti, përfshirë edhe të drejtën e burrit për dhunë në familje. Hipokritë dhe mashtrues!

____________

Ismail Qemali, i cili kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912, nuk po ia dilte dot të ushtronte autoritetin e qeverisë së tij. Shqipëria ishte në kaos dhe secili që kishte një trupë njerëzish të armatosur, bënte ligjin në krahinën e tij. Që t’i jepnin fund anarkisë fuqitë europiane caktuan një princ gjerman, i cili do të ndërtonte një qeveri të unitetit kombëtar, me qëllim stabilizimin e shtetit shqiptar të sapo krijuar. Ismail Qemajli, i nervozuar, bëri gabimin e tij fatal: u përfshi në komplotin e një oficeri turk, i cili përmes një puçi ushtarak do të merrte pushtetin, do ta pengonte qeverinë e Princ Vidit dhe do ta kthente Shqipërinë nën sovranitetin turk.Komploti dështoi dhe bashkë më të morri fund përgjithmonë edhe karriera politike e Ismail Qemajlit.

____________

Lukunitë e qenve e kanë pushtuar Prishtinën. Natën vonë dhe në mëngjeset e hershme njeriu duhet të ketë shumë kujdes, sepse fare lehtë mund të bjerë viktimë e tyre. Sidomos fëmijët të cilët tani kanë rifilluar shkollën.Këto lukuni enden të lira nga njëri skaj i qytetit në tjetrin dhe askush nuk ka kohë të merret me to. Madje shpesh mund t’i shohësh duke dremitur edhe në oborrin e qeverisë. Komuna dhe qeveria ia hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës për këtë problem.Thuhet se qeveria ka ndarë një shumë të madhe të parave, mbi 1 milion euro, por kush e di se ku kanë përfunduar ato para. Mbase në xhepin e ndonjë qeni që ecë me dy këmbë.Lukunitë e qenve janë njëri nga treguesit më të shëmtuar të një vendi të qeverisur keq!

____________

Për miqtë e filozofisë

Në kalendarin filozofik 21 shtatori shënon vdekjen e Artur Shopenhauerit, njërit prej mendimtarëve më të mëdhenj në historinë e filozofisë perëndimore. Ai ishte pararendës i Niçes dhe kundërshtar i madh i dogmatikës hegeliane. Esetë e tij kanë lënë gjurmë të mëdha në debatin filozofik dhe kulturor të botës perëndimore.

Për adhuruesit e aforizmave po sjell këtu tri aforizma nga thesari i madh i mendimit të Shopenhauerit:

1.Besimi fetar është si dashuria: nuk mund të imponohet. Si çdo përpjekje për ta imponuar dashurinë që prodhon veç urrejtje, ashtu çdo përpjekje për ta imponuar besimin fetar prodhon veç urrejtje dhe mosbesim.

  1. Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e madhe e ka të sigurtë!
  2. Një e vërtetë gjithmonë kalon nëpër tri faza : në fillim e përqeshin, pastaj e kundërshtojnë me forcë, në fund e pranojnë si të vetëkuptueshme.

____________

Dy miqtë e mi, Halil Matoshi dhe Nexh Spahiu, qenkan nervozu pse sot në një event në Vushtrri flamuri kuq e zi qenka nderu më shume se flamuri i kaltër me hartë të verdhë. Dy tregimtarët e përrallës për kombin kosovar kanë marrë përsipër të fshijnë memorien historike të Kosovës, në emër të një projekti të shpifur multietnik, në cilin as vetë Europa më nuk beson.

Për kënaqësinë time, tuajën dhe për t’i bërë edhe pak nervozë dy miqtë e mi, po ua sjell  hymnin e flamurit të shkruar nga Noli:

O Flamur gjak, o flamur shkabë,

O vënd e vatër o nënë e babë,

Lagur me lot, djegur me flakë,

Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,

S’të trëmb Romani, as Venecjani,

As Sërb Dushani, as Turk Sulltani,

Flamur i madh për Vegjëli

Flamur që lindi Shën Kostandinin,

Pajton Islamin e Krishtërimin,

Çpall midis feve vllazërimin,

Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove

Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,

Me Malon prapë lart vrapove,

Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive

Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,

Po çdo mizor me shpat’ e grive,

O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë prije Shqipërinë,

Përlindja shpirtin dhe fuqinë,

Diell për vllanë, yrnek për fqinë

Për botën ëndr’ e qjell i ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube