MARTESA DHE PROBLEMET E SAJ NË OPTIKËN E SOCIOLOGUT GËZIM TUSHI

NGA FRAN GJOKA

Libri i sociologut të njohur, Gëzim Tushi (Mjeshtër i Madh), i kushtohet një trinomi të bashkëngjitur, sikurse janë: martesa, familja dhe seksualiteti, të cilat edhe pse pranohen se janë institucione fondamentale të jetës sociale, të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për jetën njerëzore normale, përsëri kujdesi i shoqërisë për përmirësimin e “shëndetit” të tyre, sikurse duket qartë kohët e fundit, është i pakët. Autori, në një libër prej 500 faqesh, analizon me shumë kujdes pasojat që po i vijnë shoqërisë nga “dobësimi” i familjes dhe deformimi i tipologjisë së martesës. Ato, sipas mendimit të tij, aktualisht janë tejet shqetësuese. Madje, ai mendon se në disa drejtime, ato janë shfaqur në përmasa gati shkatërruese. Ato janë tregues të dobësimit të lidhjes martesore, që në të vërtetë nuk janë krejt të reja dhe të panjohura më parë në jetën dhe historinë e qytetërimit modern. Historia teorike dhe empirike e martesës është e lashtë dhe e komplikuar, sepse martesa ka qenë dhe mbetet, me sa duket, institucion kompleks që vazhdimisht është vlerësuar dhe anatemuar, është goditur dhe mbivlerësuar, është konsoliduar, por dhe është deformuar, pikërisht për shkak të problemeve endemike dhe komplikimeve pa mbarim që ka dimensioni i kësaj lidhjeje intime, ky institucion specifik i botës dhe qytetërimit modern. Por debati në shoqërinë shqiptare për “difektet” dhe dobësitë e lidhjes martesore, u bë më intensiv dhe më gjithpërshirës pikërisht në kohën e zhvillimit të jetës moderne. Autori mendon se tashmë në shoqërinë tonë ka një sasi të konsiderueshme faktesh që tregojnë se martesa është bërë një “institucion i lëkundur, i paqëndrueshëm, problematik”. Tradhëtia, mungesa e besnikërisë bashkëshortore, shkelja e kurorës brenda martesës tani nuk janë më raste të vecanta, lajthitje personale apo mungesë ekulibri moral individual. Ato në shoqërinë shqiptare janë bërë dukuri e gjërë sociale, që ndeshet gjithnjë e më shpesh.

Sociologu Gëzim Tushi mendon se relacioni dhe institucioni më  tradicional dhe më i vjetër, ka aq shumë probleme ekzistenciale, sa që e ka vënë shoqërinë shqiptare në dilemë dhe njëherësh edhe mendimin sociologjik në pozitën më liberale të imagjinuar, për të pranuar të “dy alternativat” e përmirësimit të situatës dhe shëndetit të martesës, i cili po ndikon negativisht në prishjen e “shëndetit të shoqërisë”. Kjo ka bërë që në jetën e përditshme, të ndodhur para epidemisë së sëmundjes sociale të martesës, sociologët, por më së pari vetë shoqëria shqiptare, është e detyruar të mendojë ndryshe, larg paradigmave determinuese historike, biologjike dhe sociale të tipologjisë së martesës klasike. Kjo po detyron sociologjinë e martesës dhe shoqërinë, që është vërtetë shumë e shqetësuar për degradimin moral të saj, që të merren gjerësisht gjetjen e shkaqeve të sëmundjeve të martesës, për të përcaktuar më qartë se çfarë duhet bërë për ta mbrojtur atë nga tendencat e thella të destruktimit institucional.

Këtu, mendon me të drejtë autori, përplasen për “vdekje” mendimi moral, që mbështet konceptin dhe tipologjinë tradicionale të martesës, që  mendon se martesa në kohën tonë po “prishet”, nga që ajo ka dalë nga “shinat e monogamisë” dhe është duke u larguar nga tabani mbështetës i relacionit të çiftit seksualisht të mbyllur. Në sipërfaqen e shoqërisë tonë po zgjerohen dhe gradualisht po pranohen argumentet që kanë fundament të paqëndrueshëm dhe që ushqejnë idenë liberale, sipas së cilës martesa e ka sëmundjen endemike në dimensionin e tepëruar social, në thelbin e vet, në mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit, në strukturën morale dhe parimet ekzistenciale, të cilat sipas tyre duhen ndryshuar.

Ne, thotë autori, jetojmë në kohën kur mendimi liberal për martesën në këtë shekull përgjithësisht ka filluar të ketë “erën në favor”, sepse vetë shoqëria dhe veçanërisht të rinjtë që sjellin ndryshime tipologjike, kanë filluar të mos e pëlqejnë martesën me dimension të vjetër të seksualitetit. Kjo ka bërë, thotë sociologu Tushi, që momentalisht në shoqërinë shqiptare të ketë një kaos konceptual dhe tipologjik për martesën, që shfaqet në përplasjen e ideve të një pjese të njerëzve që parapëlqejnë modelin tradicional të “martesës së shenjtë”, jetëgjatë, seksualisht e mbyllur  dhe të të tjerëve, që lidhen me parapëlqimet e partizanëve të liberalizmit, që mendojnë se martesa për shkak të labilitetit të seksualitetit që zhvillohet brenda saj, do të jetë një relacion problematik, në se ajo do të mbesë e pandryshuar.

Sipas shumë të rinjve, është koha që duhen marrë në konsideratë dhe duhen pranuar realiteti se shoqëria në këtë shekull nuk mund të qëndrojë mbi “parimet e vjetra”, që konsiderojnë martesën një relacion social-biologjik me dimension seksualisht të mbyllur. Në të vërtetë, sipas mendimit të sociologut Gëzim Tushi, në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare është duke u shtuar presioni, janë në zgjerim tentativat këmbëngulëse për të ndryshuar disa tabu ekzistenciale dhe themelore të martesës. Në pamje të parë, presioni për ndryshimin e dimensioneve konstante të trashëguara nga martesa klasike tradicionale të duket se ka të bëjë me gjetjen e moduleve të reja stabilizuese të saj, të cilat me sa mund të kuptohet, synojnë për ta bërë relacionin e martesës më të “hapur”, më pak të “kontrolluar”, me më shumë alternativa të mbijetesës si bashkëjetesë në kompromis e çiftit martesor. Por ndërkaq, autori i librit “Familja, martesa, seksualiteti”, është i mendimit se për të qenë realist, duket se tek përhapja e nxituar e këtij “mentaliteti modern” të importuar për modë dhe të transplatuar disi mekanikisht në shoqërinë tonë, ka bërë që martesa në shoqërinë shqiptare të çoroditet ontologjikisht nga alambikimet konceptuale të tautologjisë ambiguide që zhvillohet dhe që po e rrethojnë atë. Kjo ka bërë që divorcet të shtohen në përmasa alarmante, që çiftet që bashkëjetojnë me të gjitha modalitetet bio-seksuale të martesës, por pa “kurorë”, po shtohen dhe njerëzit që i shmangen “martesës klasike”, për shkak të problemeve dhe shqetësimeve të shumta që ajo ka brenda vetes, gjithashtu po rriten numerikisht. Në këto kushte, kur kaosi ontologjik dhe ekzistencial i martesës është evident, kur parimet tradicionale të saj po sfidohen nga koha dhe dëshirat subjektive të njeriut, ka shumë fakte dhe shkaqe që po ndikojnë fuqishëm që martesa në shoqërinë shqiptare të jetë duke dalë nga parametrat e standarteve historikë, duke shfaqur kështu patologji të reja, të shumta, madje në forma të larmishme, që tregojnë mungesën e stabilitetit të saj, shkruan sociologu në librin e tij. Megjithë ndryshimet që kanë ndodhur, ende në shoqërinë tonë ka martesa, të cilat, të para në optikën sociologjike të shoqërisë moderne, duket që ende kanë një thelb të fshehur të prostitucionit, sepse ende ka martesa në të cilat bashkëshortët i “shiten njëri-tjetrit” me ndërhyrje, mblesëri apo me format e sofistikuara të ndërmjetësimit shoqëror. Këto shpesh e detyrojnë burrin dhe gruan të jenë pjesë e një “martese pa fat”. Por nuk janë këto martesa që kanë bërë që divorci të shfaqet si një tendencë sociale e qëndrueshme, si alternativë që sfidon martesën. Ka shumë shkaqe, thotë sociologu Tushi,  që e kanë bërë divorcin tendencë të qëndrueshme deri në përmasa kritike. Në se në të kaluarën ai ka qenë një akt social,  i vështirë për t’u realizuar pa shkaqe të vërteta, esenciale, sot divorci ka marrë formën e “lojës së çiftit”, që realizohet me shumë kollajllëk, me fare pak përgjegjësi personale, madje pa vlerësim serioz për pasojat sociale që sjell, jo vetëm për çiftin, por dhe për shoqërinë tonë. Divorci është burimi kryesor, shkaku themelor për zgjerimin e plagëve sociale të martesave të destruktuara, siç janë shtimi fëmijëve jetimë, braktisja e shkollës, neglizhimi i kujdesit për të moshuarit, zvetënimi i vlerës morale të familjes, etj. Këto dhe ide të tjera për martesën familjen dhe seksualitetin janë trajtuar gjerësisht në librin voluminoz të sociologut Gëzim Tushi, i cili është i shkruar me kulturë dhe lehtësisht i asimilushëm për të gjithë lexuesit që janë të interesuar për shqetësimet e sotme të këtij “trekëndëshi” social dhe individual…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube