18/04/2024

MBËSHTETJE E FORTË NGA KONGRESI AMERIKAN PËR ALEANCËN E NATO-s

0

Nga Frank Shkreli
Në vigjiljen e 70-vjetorit të themelimit të Aleancës së NATO-s, në Washington u njoftua një mbështetje e fortë për këtë aleancë të njohur ushtarake. Pardje, të martën, Dhoma e Përfaqsuesëve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi me vota dërmuese masa të reja mbështetjeje, të cilat sigurojnë që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO. Kjo masë erdhi në përgjigje të lajmeve në disa media amerikane se Presidenti Donald Trump mund të ketë biseduar me këshilltarët e tij mbi mundësinë e largimit të Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja. Kjo votë në Dhomën e Përfaqsuesve dhe vota që pritet për një projekt-legjislacion të ngjashëm edhe në Senatin amerikan, do ta bënte të pamundur largimin e Shteteve të Bashkuara nga Aleanca perëndimore, pa marrë parasyshë se ç’mendon Presidenti Trump për këtë çështje.
Kongresisti Xhimi Panetta, demokrat nga Kalifornia, i bëri thirrje Senatit që ashtu siç bëri edhe Dhoma e Përfaqsuesve, e Kongresit, të miratojë këtë projekt-ligj, duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin dhe të mbrojnë vendosmërisht aleatët tanë, anë e mbanë botës. “Sot, Dhoma e Përfaqsuesve rithekësoi përsëri angazhimin dhe mbështetjen e plotë ndaj Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), si dhe përgjegjësinë tonë për të investuar në këtë shtyllë të paqës, të stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare”, është shprehur Kongresisti Pannetta në njoftimin për media, autori kryesor i këtij legjislacioni dhe djali i ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ish-Drejtorit të CIA-s dhe ish Shefit të Perosnelit në Shtëpinë Bardhë, Z. Leon Panetta. “Të jesh anëtar i NATO-s nuk është sikur të jesh anëtar i një klubi pasanikësh. Ne i vlerësojmë aleatët tanë në NATO. NATO është organizata që na dallon ne nga Rusia. Ne kemi aleatë që qëndrojnë pranë nesh dhe me ne, Rusia nuk i ka”, ka thënë me këte rast kongresisti demokrat i Kalifornisë për gazetën e forcave ushtarake amerikane, “Stars and Stripes”.
Vota në Dhomën e Përfaqsuesve ishte dërmuese: 357 në favor të legjislacionit dhe 22 kundër. Sponsorizuesi kryesor i këtij legjislacioni, në mbështetje të NATO-s që u përkrah nga dy partitë kryesore në Kongres — demokratët dhe republikanët — ishte Kongresisti demokrat nga Kalifornia, Xhimi Panetta, por u sponsorizua gjithashtu nga disa anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqsuesve, republikanë dhe demokratë. Njëri prej bashk-sponsorizuesve ishte edhe miku i shqiptarëve, Kongresisti Elliot Engel, njëherazi edhe Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Punët e Jashtme të kongresit amerikan. Z. Engel është shprehur me këtë rast se, “NATO-ja luan një rol kritik në sigurimin e paqës, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare. Nëqoftse ne largohemi nga aleatët tanë evropianë, siç duket se ka sugjeruar Presidenti Trump, ne jemi duke minuar vet interesat tona kombëtare. Ky projektligj demonstron se Kongresi do të kundërshtojë përpjekjet e cilësdo qoftë Administratë që mund të zhdukë rolin që luan Aleanca NATO”.
Kjo votë e Kongresit është një provë e gjallë se si duhet të funksionojë e ashtuquajtura, “Checks and Balances” në sistemin kushtetutor amerikan, kur njëra prej tri degëve të qeverisë, kontrollon tjetrën, kur secila prej tri degëve të qeverisë mund të kufizojë pushtetin e dy të tjerave. Qëllimi i baballarëve të këtij kombi ka qenë që asnjëra prej këtyre tri degëve të qeverisë të mos bëhet tepër e fuqishme, por të balancojnë pushtetin e njëra tjetrës
Nimsëtari i këtij projektligji, Kongresisti Panetta e cilësoi Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, si aleancën ushtarake më të vjetër dhe më të suksesëshme në botë. Legjislacioni i Kongresit i quajtur, “Akti Mbështetës për NATO-n”, hedh poshtë çdo përpjekje të Presidentit Trump për t’u tërhequr nga NATO-ja”, thuhet në njoftimin për media të Kongresistit Panetta, ndërkohë që projektligji mbështet përpjekjet e vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë të pakën 2% të ardhurave të përgjithëshme kombëtare për mbrojtjen e përbashkët, ndërkohë që promovon gjithashtu edhe fondet për Nismën Evropiane (European Deterrence Initiative) kundër agresionit rus.
Ndërsa njëri prej bashkautorve të këtij legjislacioni, Kongresisti i Partisë Republikane, Don Baker i shtetit Nebraska, sipas njoftimit të Kongresit për media me këtë rast, është shprehur se, “Aleancat e Amerikës janë një burim fuqie dhe sigurimi për vendin tonë. Si një student i historisë, mund të them se aleancat tona ushtarake kanë ruajtur paqën dhe kanë promovuar begatinë ekonomike ç’prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe si officer ushtarak i karjerës dhe si ish-komandant i një baze ushtarake në Evropë, jam i bindur se aleancat mbeten edhe sot tepër kritike për operacionet ushtarake amerikane. Në krahasim me traktate të tjera ushtarake, Traktati i Organizatës së Atlantikut Verior qendron si e vetme dhe më e suksesëshmja aleancë ushtarake në histori.” Kongresisti Baker, shtoi se, “Në 70-vjetorin e themelimit të këtij traktati ushtarak historik, është e domosdoshme që Kongresi të shpreh mbështetjen e tij për Aleancën e NATO-s dhe t’ua bëjë të qartë, si aleatëve ashtu edhe kundërshtarëve tanë, se populli amerikan është absolutisht i vendosur të qëndrojë në NATO.”
Largimi nga aleanca do të ishte një “gabim tragjik” ka thënë kongresistja Chrissy Houlahan nga shteti Pensilvania, duke shtuar se nga një gjë e tillë vetëm “do të përfitonin Kina dhe Rusia, të cilat dëshirojnë të shohin një erozion të rolit të Shteteve të Bashksuara në botë.”
Ndërsa kongresisti demokrat nga shteti Nju Xhersi, Tom Malinowski, u shpreh se ishin, “Shtetet e Bashkuara ato që themeluan NATO-n. Madje edhe nëqoftse se është vetëm një sugjerim që Shtetet e Bashkuara të largohen nga NATO-ja, kjo në vetvete, do të ishte një dhuratë e pa përgjegjëshme që u jepet armiqëve tanë. Me miratimin e këtij legjislacioni, Kongresi u thotë aleatëve tanë se, në emër të një shumice dërmuese të amerikanëve – një gjë e tillë nuk do të ndodhë.”
Një tjetër bashkautor i këtij legjislacioni, kongresisti republikan nga shteti Illionois, Adam Kinzinger tha se, “Mbrojta e demokracive të NATO-s, ashtu si edhe mbrojtja e sistemit tonë elektoral, është tepër me rëndësi për sigurimin tonë kombëtar si dhe për interesat tona globale. Legjislacioni, Akti për Mbështetjen e NATO-s”, nënvijon edhe njëherë misionin dhe angazhimin tonë ndaj këtij partneriteti të çmueshëm, ndërkohë që njokohësisht na ndihmon ne dhe aleatët tanë që të marrim masa kundër agresionit dhe provokimeve të Rusisë”, është shprehur republikani Kinzinger.
Ky është zëri i vendosur dhe i patjetërsueshëm i përfaqsuesve të dy partive politike — demokratë dhe republikanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara — ky është zëri i pa mposhtur i popullit amerikan. Gazeta e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, Stars and Stripes shkruan se Aleanca e NATO-s gëzon një mbështetje të fortë në radhët e amerikanëve, ku 62% e tyre kanë një qëndrim të favorshëm ndaj aleancës perëndimore, megjithse ç’prej shëmbjes së komunizmit, shpesh janë dëgjuar zëra këtu në Shtetet e Bashkuara që kanë venë në pikëpyetje nevojën për ekzistencën e NATO-s. Por, fatbardhësisht, duket se këta zëra janë shuar, kryesisht, falë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014 dhe përpjekjeve ruse për të futur hundët në sistemet elektorale në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të kontinetit evropian.
Megjithëkëtë, planet janë në zhvillim e sipër për një takim të nivelit të lartë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Washington — për të shënuar 70-vjetorin e saj aty ku edhe u themelua kjo aleancë më 4 prill, 1949, ndërkohë që parashikohet edhe një mbledhje e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s, nga fundi i këtij viti, për të shënuar këtë përvjetor të themelimit të organizatës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok