Meditime rreth kujtimeve të Prof. Dr. Albert Sotirit

MEDITIME RRETH KUJTIMEVE TË Prof. Dr. ALBERT SOTIRI NË LIBRIN:

“NJË JETË PËR THEMELIMIN DHE ZHVILLIMIN E BRONKOLOGJISË NË SHQIPËRI”

Nga Lutfi ALIA

Kur miku im Prof. Dr. Albert Sotiri më propozoi të shkruaj parathënien për librin e tij “Një jetë për themelimin dhe zhvillimin e bronkologjisë në Shqipëri”, jo vetëm u ndjeva i nderuar për ftesën, por dhe u preokupova, sepse ishte një përgjegjësi e madhe për t’u shprehur në atë lartësi, që kërkon ky libër i shkruar nga një personalitet i mjekësisë shqiptare, me veprimtari profesionale, shkencore dhe shoqërore 55 vjeçare.

Të shkruash kujtime nuk është kusht të jesh shkrimtar, mjafton t’i radhisish ngjarjet me realitetin dhe thjeshtësinë e tyre, ashtu si i ke jetuar. Kësisoj i ka përshkruar Alberti me vërtetësinë, me bukurinë e tyre mbresëlënëse, thjeshtë dhe me kulturë, duke prezantuar një mozaik ngjarjesh, ndjesishë, qëndrimesh, vendimesh, reagimesh, meditimesh, përjetimesh, përsiatjesh, regëtimesh shpirtërore, ashtu si dhe vuajtjet nga persekutimet e absurdit komunist dhe më pas të pseudodemokrateve.

Alberti e përshkruan jetën e tij me një realitet bindës, me guxim, larg monotones dhe të shprehjeve klishe. Por nga ana tjetër, të shkruash për vehten nuk është e lehtë, pasi mund të rrezikohet të biesh në pozita autoidolatrie dhe vetëmburrje, por Alberti nuk është i tillë, përkundrazi shquhet për modestinë dhe qëndrimet me personalitet dinjitoz, andaj është treguar i kujdsshëm dhe realist, duke e rrëfyer aktivitetin e tij shumëvjeçar me vërtetësi dhe thjeshtësi admiruese, të pandarë nga bashkpuntorët dhe kolegët e tij të spitalit dhe të pandara me jetën familjare, shoqërore, profesionale, shkencoredhe politike nëato55 vite, që ka trajtuar në këtë libër. Kjo mënyrë të rrëfyeri, rrallë herë rastiset kësisoj e trupëzuar në një të vetme, si në monografinë autobiografike të Albert Sotirit.

Gjatë leximit të këtij vëllimi të shkruar me art dhe kulturë më erdhi në mendje një këshillë e albanologut Nikolae Jorga “Shkruaje sipas shpirtit tënd dhe lexoje sipas shpirtrave të tjerëve” dhe unë u ndjeva i përfshirë në udhëtimin 55 vjeçar të Albert Sotirit, duke i përjetuar me emocione ngjarjet e shumta si mjek, bashkëshort, prind, shkencëtarë dhe person publik.

Kujtimet e prezantuara në këtë autobiografi, fillojnë me vitin e diplomimit mjek dhe vazhdojnë deri në ditët e sotme, me rrëfime profesionale, shkencore, familjare dhe shoqërore, të rradhitura me kujdes e në mënyrë elegante, në vazhdimësi llogjike, si një simfoni e pambaruar, sepse Alberti dhe pse pensionist, vazhdon të kontribuoi si mjek dhe shkenctarë në specialitetin e bronkologjisë.

Mjekësia është profesion, është shkencë, është art, është mision humanitar, është përkushtim me guxim, me sakrifica, me ndjenja përgjegjësie tej sensit të detyrës, është shërbim fisnik me devotshmëri shëmbullore për të shëruar jetën e lënduar nga sëmundjet. Të diagnostikosh dhe të luftosh një sëmundje, sa është detyrë dhe sodisfaksion i mjekut, po aq është gëzim dhe mirënjohje nga individat që vuanin nga sëmundja, ashtu si është

gëzim e mirënjohje dhe nga familjarët. Jeta e mjekut është tepër e pasur, por tepër modeste, larg vetëlëvdatave

dhe pikërisht këto aspekte i gjejmë të mishëruara në figurën e mjekut Albert Sotiri.

Në vitin 1966, Alberti filloi ushtrimin e profesionit në bronkologji, një nënspecialitet tërësisht i ri, i pa lëvruar më parë, pa eksperiencë pararendëse, pa baza materiale, pa specializim, gjithçka e filloi nga e para, me përkushtim, me këmbëngulje, me pasion, me studime sistematike të literaturës së huaj të kësaj fushe dhe me përpjekje insistuese për aplikimin e të rejave shkencore në praktikën e punës së përditëshme. Kësisoj Albert Sotiri themeloi, organizoi dhe perfeksionoi shërbimin e bronkologjisë shqiptare, një fushë e re diagnostikimi dhe studimesh të sëmundjeve bronkopulmonare në Institutin e Luftës kundër Tuberkulozit -Tiranë.

Zanafilla, fazat e njëpasnjëshme të ecurisë, të zhvillimit në nivele dhe me kritere shkencore bashkohore të bronkologjisë, janë kontribute të pasionit dhe të punës vetmohuese të Albert Sotirit.

Nuk është rastësi që në këto kujtime, Alberti shpreh mirënjohje, nderim dhe respekt për drejtorin vizionar Dr. Stavri Leka, cili kishte kërkuar hapjen e këtij shërbimi dhe që i foli për herë të parë për bronkologjinë, për rëndësinë e saj në shëndetësi, në veçanti për diagnstikimin e sëmundjeve bronkopulmonare në sanatorium dhe më gjërë, që i foli dhe për të ardhmen e Albertit në këtë specialitet.

Çdo lexues do ta ndjeki me emocione, por dhe me respekte ecurinë e Albertit në përpjekjet e vazhdueshme për themelimin, konsolidimin dhe modernizimin e shërbimit të bronkologjisë. E filloi punën me bronkoskopin rigid të Rozenheim, e vazhdoi me bronkoskopin Friedel, i kreu proçedurat me korrektesë dhe saktësi teknike. Ndonëse bronkoskopët rigid përdoreshin dhe nga renimatorët, ndonjë pneumolog dhe nga otorinolaringologët, merita e Alberit është se i pari e aplikoi në bronkologji, kështu e filloi, e themeloi dhe e zhvilloi shërbimin bronkologjik në Shqipëri. Tej praktikës tradicionale të përdorimit të bronkospit rigid, Alberti i perfeksionoi proçedurat, duke përdorur kontraste cilësore, përdori anestetikët si ato të klinikave të vendeve perëndimore, për herë të parë aplikoi aerosoloterapinë, mjekimet me instilacione direkt në trake etj, etj.

Ndonëse për kohë të gjatë iu mohua e drejta e një specializzimi jasht shtetit, Alberti nuk u demoralizua, por vazhdoi me insistim të perfeksionoi shërbimin duke studiuar literaturën e huaj dhe duke u përpjekur me vullnet dhe me profesionalizëm, të aplikoi arritjet më të reja shkencore dhe në shërbimin e bronkologjisë në Spitalin e Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë.

Me konsolidimin e shërbimit të bronkologjisë, kërkoi me inisitim modernizimin e proçedurave diagnostike bronkoskopike, kështu në vitin 1970 përdori bronkoskopin Jaeckson dhe në vitin 1981 bronkoskopin e parë fleksibël Olympus, duke e ngritur onkologjinë shqiptare në nivel bashkëkohore, me teknika diagnostikimi moderne si furçimi i mukozës bronkiale, lavazhi bronkial, citologjinë dhe biopsinë bronkiale etj.

Në këtë veprimtari intensive progresi profesionalo-shkencor të shërbimit të bronkologjisë, Alberti kishte mbështetjen e ish pedagogeve të tij si të Prof. Besim Zyma, Prof. Pellumb Bitri, Prof. Petrit Selenica, Prof. Shefqet Ndroqi, Prof. Hektor Ҫoçoli dhe të kolegëve Dr Agim Safa, Dr. Pandi Pipivani etj.

Bazuar në këto arritje, Alberti shtroi si kërkesë dhe u aprovua nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë krijimi i nënspecialitetit të bronkologjisë. Me kontributin profesional, didaktik dhe shkencor, Albert Sotiri drejtoi specializimet në bronkologji të mjekëve nga Tirana, Durrësi, Shkodra, Prishtina dhe Tetova, kësisoj ndihmoi në hapjen dhe krijimin e rrjetit të shërbimeve të reja të bronkologjisë.

Arritjet profesionale dhe shkencore Alberti i pasqyroi me botimin e shumë studimeve në revistat shkencore kombëtare, punime me nivel të lartë shkencor, të mirëpritura dhe të vlerësuara nga opinioni mjekësor. Këto arritje profesionale dhe shkencore Alberti i prezantoi në kongrese dhe konferenca shkencore kombëtare dhe sidomosnë ato ndërkombëtare në Itali, Zvicër, Francë, Kosovë etj.

Veprimtarinë e gjërë dhe intensive profesionale dhe shkencore në bronkologji, Alberti e konkretizoi me mbrojtjen e disertacionit dhe fitimin e titullit “Kandidat i shkencave mjekësore”. Gjatë prezantimit të referatit në këshillin shkencor të fakultetit, ndërsa fliste me kompetenca dhe pasion për rezultatet, më erdhi ndërmend një varg i poetes Sylvia Path “ Kur respiroj, dëgjoj të rrahurat e zemrës dhe jetoj”.

Për meritat në veprimtarinë shkencore, iu akordua titulli akademik Profesor i Associuar.

Formimin profesional dhe shkencor të Prof. Albert Sotiri e vlersonin dhe në klinikat e Italisë, të Francës dhe të Zvicrës.Në një spital universitar në Milano kur drejtori i shërbimit bronkologjik njohu formimin profesional dhe shkencor të Prof Albertit, me të drejtë tha: “Me këta formim, pse ke ardhur këtu te ne?”

Nuk është rastësi që Dr. Di Bernardo në spitalin Forlanini në Romë dhe Dr. Giuseppe Marcianò në Spitalin

Universitar në Siena, i besuan Albertit të kryente ekzaminime bronkoskopike, në të sëmurët e shtruar në

klinikat e tyre, çka dëshmon se ata i njohën dhe i vlerësuan kompetencat profesionale dhe shkencore të Prof Albert Sotirit.

Natyrisht jeta e Albertit nuk ishte fushë me lule, pati dhe pengesa, mosvlerësime nga drejtues mediokër të shquar për paftësi drejtuese dhe menaxheriale, madje u sulmua dhe nga ndonjë koleg cmirëzi, të cilët tentuan ta ndalin vrullin dhe aktivitetin në realizimin e objektivave në profesion dhe në veprimtarinë shkencore.

Nuk munguan vuajtjet nga persekutime dhe padrejtësitë e regjimit absurd komunist, por dhe hakmarrja nga militantët fanatikë të demokratikes. Persekutimet filluan me bashkëshorten Natashën, e cila asi kohe punonte në Institutin e Gjuhësisë, ishte studiuese, shkenctare e gjuhës shqipe dhe sipas partisë, ishte “fajtore” sepse motra e saj ishte martuar me Robert Papavramin. O tempora o mores: filloi ndëshkimi partiak. Natashën e hoqën nga puna dhe e qarkulluan, me saktë për ta kuptuar rinia e sotme e internuan në fshatin Brrar të Tiranës. Alberti ishte nën survejim të sigurimit komunist dhe i sulmuar nga “shokët” e partisë të sanatoriumit, me presione e kërcënime, deri në marrëzi, me kërkesa të ndante Natashën.

Vite të vështira me presione psikologjike, por Alberti, si intelektual i ndershëm dhe dinjitoz i përballoi me guxim sulmet dhe akuzat monstruoze, duke mbrojtur jetën bashkëshortore me Natashën, kështu e ngriti me lart autoritetin, personalitetin dhe respektin shoqëror.

Edhe në vitet e demokracisë nuk munguan sulmet kundër Albertit. Me urdhër nga lart (ashtu si dikur) e nxorrën në pension parakohe dhe në kulmin e prodhushmërisë profesionale dhe shkencore.

Ishin vite të ngopura me tensione politike dhe sociale. Demokracia ende e brishtë, në përpjekjet per t’u konsoliduar dhe për të kompensuar kohën e humbur, po kalonte një periudhë nervozizmi. Konfrontimi me konservatorizmin kokëfortë dhe inatçor, prodhonte probleme social-politike të ndërlikuara, që e vështiresonin rrjedhën e tranzicionit. Brezat ende nuk po çliroheshin nga dilemat, nga kontradiktat dhe nga pasionet. Brezi i vjetër i luftës antifashiste, që kish jetuar gjysëm shekulli me lavdinë e fitores, befas u gjend në pozitë absurde, u friksua se po i humbnin meritat. Brezi i mesëm, e dinte se ç’vlera kishte, por ishte ende pa pushtet dhe pa përkrahje politike, madje qëllimisht, shumë intelektualë me prirje demokratikeu lanë në hije. Brezi i ri, masa e madhe e të rinjëve të lëvizjes demokratike, dinte se çfarë kërkonte, por nuk vlerësonte forcën dhe vlerat që kishte për demokracinë, andaj shpesh kaloi në konfuzion. Zgjidhja më e mirë do të ishte “Consensus sapientum”, si këshillonte Sokrati i lashtë, por disa nga ata, që morën karriket në pushtet, filluan të shfryjnë mllefet dhe të prirë nga instinkti tragjik i ndëshkimit të kundërshtarit, përdorën hakmarrjen si mjet për konsolidimin e vehtes, por jo të demokracisë, që shpesh e lënduan dhe e vonuan të rritej e shëndetëshme.

Këto situata të ndërlikuara, sidomos ngjarjet e vitit 1997, Alberti i përballoi me qëndrime dinjitoze, me personalitetin intelektual të demokratit liberal dhe patriot, duke vazhduar të punojë dhe të kontribuojë me profesionalitet në zgjidhjen e problemeve shëndetësore dhe në ndihmë të personave, që kishin nevojë për shërbim shendetësor.

Këto qëndrime konseguente dhe dinjitoze të intelektualit patriot, të mjekut me aktivitet intensiv 55 vjeçar profesional dhe shkencor në shërbim të popullit, e prezantojnë Prof. Dr. Albert Sotirin figurë të shquar të mjekësisë shqiptare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube