25/04/2024

MESAZHE FISHTIANE

0

(Fletëza fishtiane), 5

– Në përvjetorët e lindjes së At Gjergj Fishtës –

Nga Prend BUZHALA

At Gjergj Fishta është njëra ndër figurat epiqendrore të gjithë historisë sonë të kulturës, letërsisë dhe mendimit shqiptar. Duke e arritur madhështinë e tij si POET KOMBËTAR, për të gjallë të tij, duke qenë figura më madhështore për një gjysmë shekulli në gjysmën e parë të shekullit XX; ai këtë madhështi e ka ruajtur edhe në të gjitha kohët dhe hapësirat edhe pas vdekjes së tij. I anatemuar nga regjimet pushtuese në Kosovë dhe nga regjimi diktatorial në Shqipëri, edhe vepra e tij ka pasur një fat të veçantë: vepra e tij, për afro një gjysmë shekulli është lexuar fshehurazi, mësohej përmendësh, kurse shumë vargje të tij janë përvetësuar në lahutë apo në tinguj të çiftelisë. Famën e tij e ka shtuar kryevepra “Lahuta e Malcis” dhe përkthimet e saj në disa gjuhë evropiane. Mirëpo, mbi të gjitha, si do të shprehej Eqrem Çabej, emri i Fishtës është i popullarizuar, se është bir i vërtetë i popullit të tij. Dhe paradoksalisht, si do të shpreheshin edhe shumë studiues shqiptarë e ndërkombëtarë: aq sa ishte popullor, ai ishte edhe elitar me frymë enciklopedike të jashtëzakonshme.

Mirëpo, Gjergj Fishta zë t’i rikthehet botës shqiptare pas viteve ’90 e këndej, në arsim, në veprimtarinë botuese, përgjithësisht në kulturën dhe në institucionin shqiptar të jetës, sepse ai vetë ishte një institucion e univers shqiptar më vete. Ai ka ndikuar mbi gjithë zhvillimin e shoqërisë shqiptare të kohës dhe për këtë arsye e kanë quajtur edhe “prijës intelektual”, siç e ka cilësuar Faik Konica, dhe sepse ai “ishte intelektual i kërkesave tona historike” (Engjëll Sedaj). Zef Valentini, një italian që ka shkruar shqip me dhjetëra vepra shkencore, historike, diturore, teologjike etj. për Fishtën shprehet se “është njëri nga më të mëdhenjtë në botë”. At Gjergj Fishta ishte i njohur edhe nga bota akademike evropiane, sepse ai nuk u bë akademik brenda një viti (siç duan ta cilësojnë me denigrim regjimet diktatoriale), por është produkt i një veprimtarie të gjatë të pasur e cilësore. Nëse nga qarqet komuniste ai është cilësuar si anëtar i Akademisë fashiste të Shkencave të Italisë, e vërteta historike është e kundërt, sepse ai e kishte refuzuar dhe e kishte kthyer mbrapa dekoratën e qeverisë fashiste italiane, madje, kur në ato çaste tashmë ai gjendej në shtratin e vdekjes. Koniunkturat politike pro apo kundër Fishtës janë të përkohshme, kurse krijimtaria e tij e shumanshme e shumëdimensionale, mbetet dëshmi e pasur kombëtare.

“Ndigjoni, o vllazën e bi të mi. Unë nuk kam ndërrue, por jam ai pater Gjergji që kam qenë gjithmonë. Kaq gja e kanë kuptua edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue. Ma kanë dhanë për me më internue….njashtu siç po internojnë shumë shqiptarë të tjerë. Unë sot jam i mplakun, sëmundja e zemrës më asht randue. Ato mësimet që ju kam dhanë dikur, kisha dashtë që ju sot t’i shtini në veprim, ndërsa unë nuk jam i zoti me prbalkue as burgun, as internimin, as arratinë” (kujton ish nxënësi i tij, po ashtu gjenial i përmasave fishtiane, At Zef Pllumi).

I quajtur edhe mbret i polemikës shqiptare (Jorgji Meksi), ai gjithmonë ka qenë në vijën e parë të frontit që kritikonte mentalitetet e vjetra dhe debatet e tij ishin të pandërprera për triumfin e së resë. Ai është edhe krijues i shtypit shkencor, “Hyllin e Dritës”, që më 1913, me të cilën vuri në lëvizje, deri në vdekje, mendimin shkencor të kohës. Madje një intelektual i jashtëm, dr. Ervin Stranik, deklaron se revista “Hylli i Dritës” e Fishtës mund të konkurrojë me çdo revistë të përkohshme letrare evropiane.

1.

Atë Gjergj Fishta, i njohur si autor i veprës madhore epike “Lahuta e Malcis”, (i njohur me cilësimin “Homer shqiptar”), i njohur si dramaturg, poet, satirist dhe publicist, si përkthyes dhe teolog, si analist dhe komentues e kronikan ngjarjesh, madje, i njohur edhe si veprimtar i lëvizjeve politike, deputet i parlamentit shqiptar, politikan, poliglot e intelektual me përkushtim të madh, teolog e pedagog, patriot i pashoq dhe kontribuues energjik i çështjes kombëtare, mendimtar dhe humanist ndër më të mëdhenjtë, etj.; ai ka qenë edhe protagonist i shumë ngjarjeve dhe kthesave historike gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, si Kongresi i Manastirit (1908), Kryengritja e Përgjithshme për Pavarësi Kombëtare (1910-1912), Rrethimi i Shkodrës (1912-1913), Lufta e Parë Botërore (1914-1918), Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920), Parlamenti i Parë Shqiptar (1921-1924), Revolucioni Demokratik Borgjez (1924) etj. Gjergj Fishta e kishte një cilësi tepër të rrallë për kohën, siç ishin krijimi i lidhjeve të shumta bashkëpunimi me albanologë të njohur evropianë, duke organizuar debate, tryeza e forma të ndryshme bashkëpunimi për tema të ndryshme mbi Shqipërinë, mbi gjuhën shqipe, mbi visaret e kombit, mbi traditën shqiptare, mbi letërsinë shqipe dhe, ndër të tjera, edhe për krishterimin e hershëm shqiptar.

“Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes”.

Kështu shprehej albanologu i njohur e dijetari i “Austrisë së Vjetër”, Maximilian Lambertz (Vjenë 1882 – Lajpcig 1963), i cili kishte botuar më 1949 studimin monografik “Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís”. Dhe jo vetëm në këtë fushë. Këso konsideratash për të shprehen edhe në lëmin e arsimit, sepse ai kishte një përgatitje të shkallëve të larta. Fishta ishte edhe edukator i rinisë, autor i shumë teksteve shkollore të kohës, me shpirt novatori, me futjen e risive të reja në mësim, me ndërthurjen e dijeve shkencore me ndjesitë e thella kombëtare etj. Ishte drejtues shkollash qe në vitet e para të pavarësisë së Shqipërisë, betejë që e fitoi me shumë armiq e  kundërshtarë. Ndërsa poezitë e Fishtës janë to që janë mësuar me entuziazëm nëpër shkolla për një shekull rresht.

2.

Ashtu sikundër dihet, Gjergj Fishta, në bashkëpunim me imzot Prend Doçin, në janar të vitit 1899 ka themeluar Shoqninë Letrare dhe Kulturore “Bashkimi”. Kjo shoqëri kishte alfabetin e saj. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, ku e futi menjëherë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi dhe e cila shkollë deri në ato çaste drejtohej nga klerikë të huaj. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Do theksuar edhe botimin e revistës “Hylli i Dritës”, gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Ishin këto kohë kur Fishta po formohej si personalitet i plotë, si poet, si intelektual, si politikan e atdhetar. Ai hapi Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisën të dalin rregullisht periodikë të shtypit dhe vepra letrare, publicistike, teologjike etj., e ndër to do përmendur faktin që u botuan 32 vepra shkencore, albanologjike, arsimore etj. Por ndër veprat më të mira në fushën e gjuhës shqipe mbetet fjalori i titulluar: “Fjaluer i ri i shqypes përbaam prei Shoqniiet t’Bashkimit”, që së bashku me shtesat përmbledh 13798 fjalë dhe botohej vetëm nëntë vjet pas krijimit të shoqërisë “Bashkimi”, më 1908. Vepra mund të konsiderohet vepër e përbashkët, mbasi aty kanë dhënë kontribut disa studiues e njerëz të letrave. Studiuesit konstatojnë se edhe Fishta duhet të ketë kontribuar në këtë fjalor, mbasi një burim i mirë për autorët e fjalorit ka qenë edhe vepra e poetit të “Lahutë”, me botimet që kishte realizuar më 1905 dhe 1907, me “Anzat e Parnasit”, si dhe në shkrimet e botuara në shtypin e kohës.

Sado që ai ka qenë klerik katolik, te vepra e tij islamizmi e krishterimi shikohen me thellësinë e konstruktorit të shpirtit shqiptar. Kështu, te “Lahuta e Malcis”, pranë personazhit të Marash Ucit, “një katolik që mishëron mençurinë shqiptare të përpunuar nga pasuria e çmueshme e përvojës shumë të hershme të racës, ai krijon figurën e myslimanit Oso Kuka, një hero nga natyra, i cili ka dashuri të veçantë për atdheun dhe ndjenjën e vëllazërimit, të ndriçuar nga koncepti i nderit individual dhe kolektiv”. (Ndriçim Kulla). Ndërkaq, personazhi i Gjonit, prift shqiptar, që i nxiti kelmendasit e krishterë për t’iu shkuar në ndihmë vëllezërve mysliamnë, që po luftonin kundër Malit të Zi, paraqitet tek fjalët e personazhit Mark Milani:

Veç se i gja deshta me t’pvetë,

N’kjoftë se hatri s’ka me t’mbetë:

Si kjo punë mundet me kenë,

Me kryq në dorë e me kryq në ballë,

Turkut n’ndihmë ti me i dalë?

Por aty Fishta jep përgjigjen e bukur te goja e personazhit Patër Gjoni:

Unë, zotni, n’ushtri kam dalë,

Jo me turq, por me shqiptarë,

turq a t’kshtenë që janë gjithë t’mbarë

pse si t’kshtenë si mua’medanë

Shqipninë s’bashkut gjith e kanë

E prandej t’gjithë do t’qëndrojmë

do do t’qëndrojmë  e do t’luftojmë

Do të bahemi kortarë-kortarë.

Edhe skenat e kuvendeve e të mbledhjeve për shkak të rreziqeve pushtuese të fqinjëve, jepen me shqiptarë krahinash e besimesh të ndryshme:

T’rrahim benë si t’na api feja

Kush e theftë atë e vraftë beja…

Në të gjitha shkrimet e tij ai lartëson mitin shqiptar të bashkësisë së gjakut dhe të gjuhës amtare ndërmjet shqiptare, ashtu sikundër ai i jep fuqi kudo shpirtit të gjerë e tolerant të popullit shqiptar. Dhe, kur e kërkonte nevoja që të tregohej i guximshëm, mu në çastet delikate historike, ai e merr penën e tij dhe me zemërim i demaskonte edhe qarqet ndërkombëtare, sikundër janë dhjetëra artikuj, si ky “Nji komedi e pandershme e shekullit XX”:

“Gjaku i shqiptarit derdhet rrëkajë, gja a e shqiptarit humb ndër thoj të ma të fortit, e Mëkëmbësit e Evropës, kur të mos ken]ë me zhgatërrue ndonji pshtjellim policash e faturash së veta, pa farë kujdesi rrinë, a tue rrshitë me rraketa, nëpër lame çimentejet a tue luejtë dojkë  e topash.”…

Ai për më shumë se një gjysmëshekulli, u mor me publicistikë aktive për një Shqipëri të re, të njohur politikisht e të pranuar kulturalisht, të një Shqipërie evropiane e të bazuar natyrshëm mbi themelet e qytetërimit perëndimor. Në shkrimet e tij ai fuksoi apologjinë shqiptare përballë botës, në dhjetëra e qindra analiza, komente, kronika e artikuj, me stuhi polemizuese: “dëshmon që Europa nuk ka nder e burrni; dishmon që shoqnija njerëzore n’Europë asht teper e rame dhe e poshtnueme e se diplomacia evropiane asht vetë faqja e zezë e marrja e turpi i t’gjithë njerëzimit.” (te shkrimet në prag të Luftës së Parë Botërore). Ai përdor citate të njerëzve të mëdhenj si Mayer, Skiroi, Ovisi, Virgjili, Shën Augustini, Platoni, Ciceroni, Seneka, Kolombo, Alkeksandri i MadhDemosteni, papa Klementi XI Albani, Ariosto e të qindra të tjerëve, me prova të një erudicioni të rrallë, të një intelekti të thellë, të një sistemi e metodologjie të përpunuar. Por kur është puna tek shqiptarët përballë vetvetes, ai merret me qëndrimin e tij të njohur kritik dhe me vizionin e tij të qartë shoqëror e historik:

“Edhe, sod po ka Shqipni. Mirë po, kishte me u dashtë me dijtë, a ka shqiptarë që me e mbajtë Shqinin në kambë si shtet? ‘Shteti asht gja e kombit. Por, kombi nuk asht çdo çetë njerëzish mbledhu sido, por çetë populli, shoqnue me tagre, detyrë e interse të përbashkëta.” (Ciceron). Prej ktyne fjalve, merret vesh, se për me kenë Shqipnija shtet përnjimend i pamvarshëm e me u mbajtë në kambë si shtet e me përparue, nuk asht mjaft që shqiptari të jetë shqiptar vetëm me fis – me trup, por duhet që të jetë shqiptar me shpirt: asi shqiptari, që të përbajë kombin e jo vetëm popullin. Me u shoqnue mund të shoqnohen edhe hajnat, por nuk përbajnë as “komb” as “shtet”. Po deshëm, pra, që kjo Shqipni e jona të mbahet shtet në kambë e të përparojë, duhet, domosdo, që të dihet këta shqiptarë të Shqipnis a janë shqiptarë, edhe me shpirt, a por vetëm me trup – me gjak e me gjuhë. Çashtja ka nji randësi kryesore për ne, prandej do zhvuillue der n’palcë e – pa dorca. Asht kot që të rrejmë vedin, herë me fjalë të mëdha dykiptimçe, herë me gjysa fjalësh të pa farë kuptimi. (…) A jemi pra, sod më sod, na shqiptarët, mji element i shëndoshë e nji faktor mjaft i fortë, për të mbajtë Shqipninë n’kambë e p për t’i dhanë përparim e lulzim për me mujtë me i vjeftë shtetit – Atdheut, ma parë me dalë duhet me dijtë se çka asht Atdheu e mandej këtë Atdhe me e dashtë mne gjithë zemër?”

(…)

Kshtu janë elementat e ndryshëm n’Shqipni.. Të damë me lagje e sokaqe, me katunde e me barajqe, nuk janë bashkë në kumbari, në ortaki, në fjalën, në doket, në punën, në tregun e rrinë larg njani-tjetrit, porsi t’ishin kombesh të ndryshme. Me pasë për t’ardhë nji muhamedan prej qendrës s’ Afrikës, muhamedani shqiptar ma parë zen bisedë me te e kuptohet ma shpejt me te se me me nji kristjan shqiptar. Kshtu, me pasë për t’ardhë në Shqipni nji protestant edhe prej Skandinavjet – s’po tham ortodoks as katolik – katoliku a ortodoksi shqiptar ma parë rri  me te e kuptohet me te, se me nji muhamedan shqiptar. E kaq i kthellët e i theksuem asht ky inkompaltibilitet i elementave të ndryshëm ketu ndër ne, saqë edhe për ato parime morale e shoqnore që mund t’i kenë së bashku, mendojnë, se nuk e detyrojnë nierin ndaj gjithkendit, veç se ndaj ata që janë nji elementi me të.”

(Ât Gjergj Fishta – Proza Vëllimi i dytë 1923- 1940, 2,- Përgatitur nga Persida Asllani, Botime françeskane, Shkodër, 2006, ; marrë nga shkrimi “”Tash, që asht ba Shqipnja, duhen përba shqiptarët” fq. 232-239; shkruar më 1930 te “Hylli i Dritës” nr. 4)

Prishja e varrit të tij, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte manifestimi më i rëndë që iu bë Fishtës, së bashku me hedhjen e eshtrave në Dri, ani pse tradita shqiptare nuk lejon dhunimin e varrit apo të kufomës. Por “varri i tij u bë faltore e vërtetë për shqiptarët”, do të deklarojë një tjetër intelektual i shquar nga jugu i Shqipërisë, Kostaq Cipo.

(27 tetor 2011, Klinë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok