19/04/2024

MIGJENI I VETMISË

0

(Lexime poetike. Poezia “Vetmija” e Migjenit)

Nga Prend BUZHALA

Migjeni i vetmisë! Në poezinë “Vetmija” (i përfshirë te “Vargjet e lira” në ciklin “Kangët e fundit”), i lexojmë kohët e djeshme e kohët e sotme që po i përjetojmë. Secila kohë e ka Migjenin e vet. Po ky Migjen zbret edhe në kohën tonë.

Sa zë profetik na del sot ai te tema e tillë e vetmisë së madhe planetare!

1.

Për cilën vetmi e ka fjalën poeti?

Te poezia “Vetmija”, Migjeni shfaqet i drejtpërdrejtë: e urren këtë tip vetmie që i sjell mërzi, përbuzje, urrejtje…

Më plakë mërzitja

që vetmija më sjell,

perbuzja, urrejtja

papritmas, në vargun e katërt, ai jep situatën më të rëndë të kësaj gjendjeje:

të gjith sendet m’ i mbështjell

dhe kam shum anmiqë

të ligë

në këto sende pa shpirt.

Të gjendesh mu në zemrën e një bote të pashpirt, në situatën më të shurdhër?

E çka mund të dëgjojë në një botë të tillë vetmie kaq sfilitëse? Heshtja është e plotë, qetësia është vrastare. I rrethuar me përbuzjen, urrejtjen, mërzinë, ajo vret më së shumti, është shurdhësia. E dimë si ndjehet një njeri që nuk dëgjon, për së paku për të, janë krijuar jo pak kanale të tjera komunikimi. Por, nëse një botë e tërë është e shurdhër (që nu merr vesh a që nuk dëshiron të marrë vesh), a thua, cila shqisë i mungon asaj?

Së këndejmi, poeti e do thyerjen e një situate të tillë. Nuk është kjo, ajo vetmia e dëshiruar për ngritje shpirtërore, as ajo e dëshurar për vetënjohje, as ajo e kërkuara për paqe e qetësi të brendshme. Jo. Është një vetmi e imponuar, e dhunshme. E, vetmia e tillë sjell vetëm vuajtje e dhimbje. Mërzi, përbuzje, urrejtje. Është përvojë e hidhur:

aty janë

vetëm të më plasin

zemren t’ eme që po vuen

dhe në merzi vetveten truen.

Kështu klith në fund të kësaj poezie. I mbetet vetëm të grindet me vetveten. Në një monolog sfilitës. Madje, skajshëm: edhe ta mallkojë (ta truejë) vetveten.

Gjërat përreth, a thua, kaq të pashpirta qenkan në atë vetmi?

Armiqtë janë aty.

E nuk flasin.

Janë të mekur. Të mbetur eng! Këtij folësi lirik (që mund të jetë vetë poeti), gjithçka i shndërrohet në prani armiqësore.

dhe kam shum anmiqë

të ligë

në këto sende pa shpirt.

E, gjendja më e rëndë armiqësore, qenka, kur armiku as nuk të vëren, as nuk flet, as nuk të shan! Thjesht,, aty, në vetmi, gjërat përreth nuk kanë si të dialogojnë. Kjo botë e pashpirt e gjësendeve, është asociacion figurativ i një bote jashtë…

2.

Migjeni e kishte pikasur tipin e tillë të vetmisë, që mbyll kanalet e marrëdhëniet e komunikimit. Është ai tipi i vetmisë që e tëhuajëson, që e tjetërson individin në shoqërinë moderne. E moderniteti tashmë kishte trokitur në shoqërinë shqiptare të viteve ’30. Është ajo situatë, kur përfshirja e individit në strukturat shoqërore është tejet e vështirë. Idividi, ky i ri i shkolluar, vetmohet, izolohet, jo me dëshirën e tij, por për shkak se shoqëria nuk i ofron asnjë shans për realizim të qenies së tij, të punës, dijes e prirjeve të tij. Individi pothuajse traumatizohet, për shkak të papajtueshmërisë së tillë me këtë gjendje dhe për shkak të shumë kontradiktave që lindin në familje e në shoqëri. E, as familja, as shoqëria, as që kanë shans të ndryshohen!

Mbi tisin e mosmarrëveshjeve, konflikteve apo dallimeve ideologjike, krizave social-ekonomike, papunësisë, krizave mendore e emocionale, dëshpërimit; shfaqen pasiguria, vetëmbyllja, veçimi. Migjeni i njihte mirë këto dallime e këtë spektër ideologjik të kohës. Ishin rryma mendimi që qenë dhënë në kërkim të ndërtimit të shoqërisë shqiptare. Në kërkim të rrugëdaljeve. (Shpejt e shpejt mund ta kujtojmë neoshqiptarizmën e Branko Merxhanit, “Botën e re” të Korçës me prirje revolucionare, françeskanët në veri…). Sado që regjimi i kohës e mbyste zërin pluralist (qenë hequr me ligj nga shoqëria partitë plurale politike, me dekret mbretëror), Migjeni e aspironte pikërisht këtë zë! Këtë zë plural. Së paku, edhe për ta sharë, siç e thotë vetë Migjeni. Por ky pluralizëm vdiq. S’ka më mendim, s’ka më lëvizje, gjithçka shndërrohet në izolim, në vetmi, në gjendje të pashpirt.

Sa profetik ky zë i Migjenit për kohët që erdhën. Vetmia komuniste, burgjet. Vetmia tjetërsuese e shoqërisë së sotme post-modertne!

Prandaj, personazhi lirik i kësaj peozie nuk ka se si të mos e përjetojë këtë përvojë të dhimbshme.

3.

Vetmia e tillë është tragjike dhe merr përmasa serioze, jo vetëm individuale, por edhe shoqërore. Edhe ata që janë “të papajtueshëm njëri me tjetrin” në pikëpamje ideologjike, nuk duan të flasin! Nuk lëvizin! Nuk (duan të) shohin!

Nuk flasin.

As sy s’ kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetem që të më plasin

zemrën.

Ky realitet i boshllëkut shpirtëror e mendor, social e emocional, prodhon vetëm humbje të rënda e të pazëvendësueshme nga stisjet e vetmisë së tillë totalitare! S’ka më ideale, s’ka më synime për qëllime të larta, as për interesa të bukura për jetën. Zbrazëtia shpirtërore është gjithëkapluese. Pothuajse, një shoqëri e tërë është futur në çmendurinë e një vetmie të madhe!

A është i aftë njeriu të mendojë në këso situatash që e rrëgjojnë edhe mendjen?!

A është e aftë shoqëria që përzgjedh stilin e tillë të jetës?

Gjithçka është tkurrur në përkeqësim të gjithçkaje. Janë verbuar (nuk shohin), as nuk dëgjojnë! Njerëzit më nuk mund ta japin ndihmën e kërkuar. Janë të kufizuar në vetminë e tyre. Në botën e shurdhër s’ka as informacion, as lëvizje.

4.

Por poeti gjakon diçka të madhe, ëndërron lëvizjen, botën e gjallë në lëvizje, në përplasje, në pluralitet mendimi, qoftë edhe mendimi armiqësor që të vë në lëvizje, ndryshe (pra, jo mendim monist, apo uniform, pa zë, pa shpirt); sepse ai, poeti, nuk është qenie e dobët, sepse ai është profil i një personaliteti të qëndrueshëm, me ekuilibër ndjesish, mendimesh e qëndrimesh. Ai, me vizionin e tij poetik, e mposht këtë gjendje, sepse pikësynon pikarritjen e kulturës shpirtërore e shoqërore: ndryshimin e gjendjes!

Së .paku të më shajnë:

– I mallkuem !

Së paku të më tallin :

– I uruem!

Së paku të më këndojnë :

– I yni Zot!

Ose të më thonë :

– Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në ket vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

  • e tyne, autobiografinë ;

ndosht’ aty do gjej gjasim .

me jeten t’ eme pa tingllim

Vëllezërit e tij të vetnmisë gjenden gjithandej, me ejtët e tyre “pa tingëllim”, pa jehonë, domethnë, pa shfaqje qëndrimesh a mendimesh.

E, këtë thirrje e bën ndërgjegjshëm, në disa plane: në radhë të parë, për ta pohuar të vërtetën ekzistenciale të kohës së tij; në radhë të dytë, për ta kërkuar rrugën e vërtetë (komunikimin, si tip marrëveshjeje a mosmarrëveshjeje, nuk ka rëndësi… por thelbësorja është që një shoqëri ta ketë të ndërtuar komunikimin); në radhë të tretë, duke medituar kësisoj, në vetmi, ai e shndërron vetminë e tij të përvojës tragjike, në vetmi krijuese! Vetmia e shndërron qenien (subjektin lirik, këtu) në yll kërkimi e malli… Një shtresë më vete përbën artikulimi poetik mbi komunikimin, pra, mbi marrëdhëniet që ndërton të folurit e munguar!

Shfaqet malli për komunikim! Ka ndodhur diçka e trishtë deri në ato çaste, diçka jeseniniane, diçka si melankolia simboliste-parnasiste e mallkuar e Artur Rembosë. Aty ku lind burimi i jetës, qoftë edhe me zënka… E, po qe se nuk ndodh kjo, atëherë dyshimi e kaplon qenien e folësit lirik:

që në vetmi po e kaloj –

dhe s’ po dii a rroj a s’ rroj.

E pra, nuk është kjo një vetmi e mistikëve, e asketëve a murgjve, a kërkim i situatave të vagullta mistike! Është drama që prodhon vetmia: a rroj a s’ rroj!

E, megjithatë të duket se aty ai aq mjeshtërisht i gërsheton këto përvoja mistike me artin, pikërisht pse e dekompozon realitetin (shoqërinë), e quan “send pa shpirt”; për ta afruar më afër nesh të vërtetën e thellë! Në këso gjendjesh shpirtërore e vetmitare, SHKRIMTARI do ta shquajë krejtësisht ndryshe të vërtetën artistike karshi realitetit; ndryshe se ç ‘shikohet ajo në gjendje të tjera. Pra, e pafuqishme për t’u shqiptuar me anë të ligjërimit normal! Duke qenë dhe njohës i mirë i filozofëve të kohës, ai sikur e përfill atë thënien e Niçes për vetminë: “Në vetmi lëshion shtat ajo që dikush e mbjell brenda asaj situate, qoftë ajo edhe egërsi e ngulur në shpirt. Kjo është arsyeja pse aq shumë i druhemi vetmisë.”

Së këndejmi, në poezi ndodh rijetimi, aty ku poeti arrin ta thurë me kaq madhështi monumentale këndimi!

5.

Tashmë në fund, ripërsëritet situata e fillimit:

” Sendet heshtin. – Sa të pa mëshirë !

Më bajnë dhe ‘mue të hesht me pa hirë,

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më plasin

zemren t’ eme që po vuen

dhe në merzi vetveten truen.

Nëse në letërsi figura e antropomorfizimit a e personfikimit mishëron gjërat dhe realitetin përreth (kur gjërat e pashpirt marrin tiparet e njerëzve, të botës së gjallë), në këtë poezi ndodh e kundërta! Bota kthehet përmbys. Asociacioni i gjërave të pashpirt, është personifikim i botës shqiptare të amullt! Personifikimi shndërrohet në figurë të reifikimit, depersonalizimit (kur bota e gjallë merr tipare të gjërave të pashpirt)!

Më ti nuk je vetvetja!

(Më bajnë dhe ‘mue të hesht me pa hirë…)

Shoqëria më nuk është vetvetja!

(pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë).

Nuk mund të quhet as shoqëri!

Kaq në skajshmëri ka shkuar gjendja!

Heshtja është tejet tjetërsuese, më shumë se krim kundër vetvetes! (Sendet heshtin. – Sa të pa mëshirë).

E, këtë klithmë, për ta shpërthye këtë mur krimi të moskomunikimit, për kohën kur jetonte, mund ta bënte vetëm Migjeni, kaq i ri në moshë, por me kulturë të përgatitur letrare, filozofike e kulturologjike. Mbi të gjitha, me botë të pasur emocionale që i përjeton me tension dramatik situatat shoqërore e njerëzore të kohës.

Vetminë e tillë ai e fisnikëron, e shndërron në revoltë pëlcitëse, të stilit ekspresionist (ekspresionizmi ishte një formacion stilistik i kohës në Evropë e në letërsitë ballkanike). E shndërron në përvojë të dëshiruar krijuese, të shoqëruar me kërkimin e brendshëm: liria e tij e brendshme, përvoja e tij krijuese, nuk i dorëzohen së keqes, ndjesisë negative. Te poeti kjo vetmi sjell besim e vetëbesim, pikërisht kur shurdhimet/zhurmat e jashtme të turmës së pazëshme, të histerive sociale apo të realitetit të rëndë do ta gjunjëzojnë…

Folësi lirik ndien nevojë ta dëshmojë vetveten, qenien vetjake, të dëshmojë se është gjallë… se ekziston… përballë një masivi të tillë shurdhues planetar (e njerëzor).

Poezia t’i dhuron dy kënaqësi estetike: përjetimin e tekstit të thurur mjeshtërisht dhe imazhet figurative… ndërkëmbimin botë e gjallë-botë e vdekur. E pra, njeriu ka nevojë të ballafaqohet me vetveten, në vetmi, sepse pikërisht në këtë hapësirë/medium, ai është vetvetja, është i çliruar nga frika a tjetërsimet e ndryshme. I vetmuari është diçka tjetër (njeriu pa askënd të vetin, që jeton në trishtimin e vetmisë).

T’i bësh shpirtit pyetje në kohë depersonalizimi, reifikimi, bote të vdekur e të pashpirt, krejt në vetmi, a në errësirën e pëlleshme të frytnimit frymëzues e ndërgjegjësues – a nuk përbën, situata e tillë, një frymëzim për meditime të thella lirike?

———-

MIGJENI:

VETMIJA

Më plakë mërzitja

që vetmija më sjell,

perbuzja, urrejtja

të gjith sendet m’ i mbështjell

dhe kam shum anmiqë

të ligë

në këto sende pa shpirt.

Nuk flasin.

As sy s’ kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetem që të më plasin

zemrën.

Së .paku të më shajnë:

– I mallkuem !

Së paku të më tallin :

– I uruem!

Së paku të më këndojnë :

– I yni Zot!

Ose të më thonë :

– Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në ket vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

  • e tyne, autobiografinë ;

ndosht’ aty do gjej gjasim .

me jeten t’ eme pa tingllim

që në vetmi po e kaloj –

dhe s’ po dii a rroj a s’ rroj.

” Sendet heshtin. – Sa të pa mëshirë !

Më bajnë dhe ‘mue të hesht me pa hirë,

pse gojë s’kanë

  • dhe nuk flasin,
  • aty janë

vetëm të më plasin

.zëmren t’ eme që po vuen

-dhe në merzi vetveten truen.

(Prend N. Buzhala, 6 mars 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok