Militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit

0

“Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”.
Frederik Vilhelm
Nga Fran Gjoka, Lezhë
Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive që kanë mbetur në letër, por një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe rrethesh të vendit. Në këtë kuptim, jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, por që kanë vepruar ndryshe, duke i emëruar drejtuesit mbi bazën e kritereve të tjera si ato nepotike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile, e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim është paradoksale dhe i ofrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, kur drejtori, “që ka fituar” të ashtuquajturin konkurs, ka më pak arsim dhe përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë.
“Meritat”e tij ai le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.
Të shqetëson fakti se në mesin e vitit shkollor MAS bën ndryshime, duke ndryshuar strukturën e orëve dhe lëndëve mësimore. Pra tre lëndë të ndryshme në një ditë, nga gjashtë lëndë që bëheshin. Kjo demagogji afatshkurtër e peshës së çantës së lehtë do të zëvendësohet ngadalë me dije të cunguara të nxënësve. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë e përligj me faktin se s’kemi shkollë e kushte minimale të domosdoshme për punë në shumë fshatra e qytete të vendit, prindërit s’kanë pasur ndonjë informacion paraprak për orët e ndryshuara, kuadrin ligjor dhe, mbi të gjitha, s’janë parë kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve shqiptare.
Portali “Mësues për Shqipërinë” i huazuar dhe formal
I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”, është huazuar në formën më të shëmtuar në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë, aplikimi i kësaj formule abstrakte, kur në Itali dhe vende të tjera europiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimorë. Ky është portal që po shërben si fasadë djallëzore e MAS–s, dhe Drejtorive Rajonale e ZA – ve, për të mbuluar korrupsionin në këto drejtori të vendit, që si pasojë sjell një paligjshmëri të vërtetë që po bëhet me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve. Vazhdojmë me metodën “alla shqiptarçe”. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”. E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tonë arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla.
Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative. Në shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej – këtej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjen kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, ndaj ndodhin dhe ngjarje të pakëndshme në shkollat tona.
Drejtues shkollash dhe të ZA-ve që janë kthyer në feudalë
Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor duhet ndryshuar, të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit të tenderëve e bandave” të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit.
Fatkeqësisht, sot kemi drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve, që kanë hyrë në vitin e gjashtë të drejtimit. Kjo zgjatje e pasuksesshme në drejtimin e arsimit ka dhënë mundësinë e pasurimit të tyre përmes emërimeve pa kriter. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vëmë re, MAS nuk e ka pikën e impenjimit për të parë në se është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë. Si në çdo institucion tjetër, edhe administrata rajonale e arsimit ka nevojë urgjente për një reformim total të saj.
Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime të mëdha: aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit. E themi këtë, se ka mbi 20 vjet që qëndrojnë në një vend pune, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik, apo didaktik, në një kohë që kemi breza të rinjsh që janë të shkëlqyer e me një apo dy mastera shkencor e profesionalë, që i mbajmë larg institucionit të arsimit rajonal.
Kjo administrate, do të thosha e fryrë, po mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Nga ana tjetër, nuk ka një sistem të vlerësimit të performancës së punonjësve në nivel DAR dhe ZA-ve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore vartëse, gjë e cila le për të dëshiruar. Në çdo drejtori qarku apo dhe të ZA-ve të arsimit ka specialist, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesin, vështirësitë e punës së tij, nuk merret askush. Fatkeqësisht u hoq kontrolli i inspektoriatit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS-n. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.
Sado të flasim, përsëri është politika që po e shkatërron sistemin arsimor, sepse simpatizantët po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Ka ardhur koha që drejtorët e arsimit duhet të largohen, duke sjellë prurje të reja në drejtimin e arsimit në qarqet dhe rrethet e vendit. Vetëm kështu i bëjmë nder shkollës dhe komunitetit arsimdashës. Vetëm kur të heqim dorë nga preferencat politike dhe servilizmat në punën me kuadrin në arsim dhe të orientohemi vetëm nga ana profesionale, do të garantojmë disi realizimin me sukses të reformës dhe plotësimin e standardeve në arsim.
Vijon formalizmi në përmbajtjen e shkollës
Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës etj. Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare. Të gjitha këto kanë ardhur si pasojë e lirisë së shfrenuar, në emër të liberalizimit të dijes, e cila ashtu si edhe në ekonomi, ka prodhuar fakte të renda në arsim. Me keqardhje janë krijuar në të gjithë vendin “një xhungël” e vërtetë shkollash e universitetesh private, që nga numri i tyre në raport me popullsinë zor se gjen në një vend tjetër të botës si Shqipëria, ku dihet se arsimi është një e mirë publike, e cila nuk mund te ndahet me privatin në këtë mënyrë. Aq më tepër që e ka të pamundur të kontrollojë nivelin e dijeve që merren tek privati. Fatkeqësisht nuk ka ende një standard shtetëror të dijeve që duhet të përvetësojnë fëmijët në çdo hallkë të sistemit arsimor.
Ne zgjedhjet politike të 2013-tës Edi Rama e cilësoj arsimin si “emergjence kombëtare”. Dhe shpresuam se do t`ia ndryshonte faqen për mirë arsimit tonë kombëtar. Por realisht arsimi mbetet për t`u dëshiruar. Kjo ka ardhur edhe nga papërgjegjshmëria në vendosjen e dy mandateve radhazi të Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe kjo e fundit në mungesën e përzgjedhjes së individëve vizionarë për menaxhimin e së ardhmes së gjeneratës së re të vendit.
Nuk janë alternative dhe “frymë e re” as portalet e mësuesve, as tekstet e reja të future “an block” as provimet e mësuesve apo blerje kreditesh, as formularët e maturanteve dhe, ajo që e shqetëson më shumë komunitetin e prindërve, është rritja galopante e çmimeve të teksteve shkollore e shumë veprimtari të tilla. Fatkeqësisht, kemi në institucionet qendrore dhe rajonale me diploma fallco të marra në universitetet private si “Kristali” apo ndonjë tjetër të vendit, ku i shoqëron një brez sharlatanësh me diploma dhe servile të regjimit.
Në çdo takim që kryenin mësuesit, ku përbetoheshin se Rilindja do të rrisë këtë mandate pagën e mësuesit në masën 40%, pra çdo vit nga 10%. Por, korriku dhe gushti ikën me vapën e madhe, ndërsa rritjen e pagës se mësuesve nuk u kujtua askush. Duke qenë mësuesi i nëpërkëmbur, i denigruar dhe i keq paguar, të gjithë të rinjtë po i largohen sektorit të arsimit.
Për të shkuar në rrënjë të problemit, duhet të kthehemi te qëllimi themelor i menaxhimit intelektual të arsimit që, me keqardhje, themi se askush nga drejtuesit e arsimit në qarqe dhe ato të ZA – ve e shkollave se kanë marrë ende seriozisht dhe të kenë një përgjigje se si duhet drejtuar dhe administruar në të ardhmen arsimi ynë kombëtar. Ne na duhet gjithashtu, ta shndërrojmë këtë në mesazh sensibilizimi për shkollën, që arsimi ynë të jetë sakaq i pranishëm dhe frymëzues për të ardhmen e brezit të ri. Ai të mos jetë si riprodhim i një shoqërie të korruptuar dhe konfliktuale, por si institucion që gjeneron inteligjencë e qytetari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok