Miqësia me Amerikën është e pazëvendësueshme

Nga Gani Mehmetaj

Gjuha e politikaneve, gazetarëve dhe disa nga portalet tona ndaj Amerikës nuk dallon nga gjuha e serbëve të kohës së Milosheviqit. E njëjta egërsi, arrogancë, përbuzje, e njëjta përpjekje për denigrim, i njëjti nënçmim. “Kush je ti Amerikë të na përzihesh e të na diktosh, ne nuk të përfillim”, thoshin serbet, dikur. Të njëjtat i thonë edhe jo pak shqiptarë të hallakatur duke nis nga Albin Kurti deri të analisti i fundit i lagjes së “Muqivrercës” . Ku po pinë ujë kjo lukuni revolucionaresh dhe për ke punojnë? A e dine ata qe u shkojnë prapa se, pas kujt shkojnë? Nëse nuk u pëlqejnë Hashimi e Isa, nuk duhet t’ia përplasin me rrapëllimë derën Trampit, sepse fundja Trampi ishte mbështetës dhe nënshkrues i kësaj marrëveshje. Trampi është njeriu më i fuqishëm në botë. Prej tij varët fati ynë.

Nuk e pengon vetëm Grenelli a Trampi, Albin Kurtin. Ai nuk e ka pëlqyer asnjë projekt amerikan. Klintonin që na çliroi nuk e deshi, pavarësinë e Bushit e refuzoi me demonstrata të përgjakshme , nuk pranon asnjë lloj ndërmjetësimi amerikan, mu si mentori i tij i ndjerë Adem Demaçi, qe refuzoi Amerikën, Rambujenë, kur vendosej fati ynë për jetë a vdekje, ndërsa ta kishin dëgjuar Demaçin ne ende do të laheshim në gjakun tonë. Mentori i Albinit deklaronte se shqiptarët vet i zgjidhin problemet në marrëveshje me Serbinë, pa ndërmjetësim amerikan.

Të mjerët ne ku kemi rënë. Është një retorikë çmendurake, është vetëvrasje kolektive.

Ndërkaq, mos shkuarja e delegacionit të Dardanisë në Uashington do të ishte fatkeqësi kombëtare, që s’do të na e falte historia. Prandaj, ishte ngjarje e shënuar takimi në Shtëpinë e Bardhë. Ishte ngjarje historike pranimi i ndërsjellë Dardani-Izrael dhe ambasada jonë në Jerusalem, që prapë ishte vepër e Amerikës.

Por paralajmërimet ogurzeza për prishjen e marrëveshjes mund të shndërrohet në tragjedi kombëtare. Kosovën do ta mbërthente kaosi. Edhe fitorja e atyre forcave që kërcënojnë prishjen e marrëveshjes me SHBA-të, do të ishte fatkeqësi kombëtare, këtë duhet ta themi troç. Nuk e besoj se shqiptarët e Dardanisë do ta lejonin një marrëzi të tillë, sepse historikisht janë treguar të pjekur pavarësisht që pas luftës u ranë një varg fatkeqësish, përjetuan shumë zhgënjime etj. Është fatkeqësi nëse politikën kombëtare të na e përcaktojnë votat e të frustruarve, të mashtruarve dhe forcave rrënimtare.

E dini ju cilin aleat na e propozojnë disa budallenj e mercenarë, në vend të aleatit tonë historik Amerikës? Turqinë që kurrë nuk e kishim aleatë. Ndërkaq, ata që na e gjetën zëvendësimin nuk e dinë apo nuk duan ta dinë se Turqia, shtetet islamike, Rusia me Bjellorusinë e Kinën nuk e zëvendësojnë Amerikën me forcën politike e ushtarake, me demokracinë dhe mbështetjen që na e kanë bërë. Turqia që një grusht budallenjsh e mbështesin, asnjë ndihmë nuk na e dha para dhe gjatë luftës. Pas luftës asnjë cent nuk e investoi në Dardani, pos disa qindra xhamish. Por e zhvati gjysmën e pasurisë sonë kombëtare në emër të privatizimit.

Turqinë me shtetet islamike, Rusinë e Kinën, kurrë nuk i patëm aleatë. Enver Hoxha i pati aleatë, por të mirën shqiptarët nuk ua panë.

Pse duhet të mbështetemi në këmbë të qelqta dhe të shmangim aleatin më të fuqishëm në botë dhe më të përkushtuar ndaj çështjes sonë?

Që ti shërojmë komplekset e të frustruarve? Qe të shesim përralla trimëria si Enver Hoxha që e sulmonte Amerikën, ndërsa flirtonte herë me Jugosllavinë, herë me Rusinë dhe herë me Kinën.

Këndelluni dhe shihni vetën në pasqyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube