Misioni i Rilindjes: Asgjësimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve

Nga Enver Bytyçi

Kur Rilindja erdhi në pushtet, nëse ju kujtohet, ndodhi ajo që nuk pritej. Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave prej vitesh kishte punuar që Eposi i Kreshnikëve të përfshihej si trashëgimi e kulturës botërore (UNESCO). Por rilindësit e ndanë këtë me shtetin serb. Serbia, e cila pretendonte pronësinë e kësaj trashëgimie, ia arriti që me Rilindjen ta realizojë epërsinë e saj dhe t’u grabit shqiptarëve këtë lloj trashëgimie. Ministria e Arsimit e Mirela Kombaros firmosi dhe ia dha Beogradit me plot dëshirë kulturën tonë të Eposit.

Ndërsa në krye të Bibliotekës Kombëtare Rilindja asokohe solli një drejtoreshë, e cila në CV e saj kishte dy vite studimi në Beograd. Drejtoresha e diktuar nga Beogradi realizoi dy skenarë të padëgjuar më parë për të dëmtuar trashëgiminë shqiptare të kësaj biblioteke. Në rastin e parë e dogji atë, në rastin e dytë e përmbyti. Askush nuk mbajti shënim çfarë u zhduk nga fondi i kësaj biblioteke. Por ka dëshmi se objekt i shkatërrimit dhe asgjësimit ishin libra dhe materiale, të cilat Serbia kërkoi të zhduken. Kur është pyetur kjo drejtoreshë për dëmtimet, përgjigja e saj ka qenë në të dy rastet “Asgjë me rëndësi”!

Në Parkun arkeologjik të Apollonisë është kryer dje një akt vandalizmi mbi objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare. Eshtë qyteti,i cili dëshmon zhvillimin e kulturës sonë në periudhënantike. Dhe kjo ngjarje na vjen pak ditë pasi një moderator TV-je italian mik i kryeministrit ishte në Bylis, nga ku deklaroi se ky qytet 2500 vjeçar i përkiste kulturës greke. Ndonëse ai qytet mbart elementë të kulturës helene, por jo greke.

Shtëpia muze e At Patër Gjergj Fishtës po shembet përtokë dhe po shkon drejt zhdukjes si trashëgimi historike dhe kulturore. Diktatura me urdhër të Aleksandër Rankoviç ia zhduku varrin Gjergj Fishtës. Edi Rama me urdhër të një Aleksandri tjetër (Vuçiq) ka vendosur ta zhdukë e asgjësojë edhe shtëpinë muze të tij.

Teatri Kombëtar, ndër të paktat trashëgimi me arkitekturë perendimore, u shemb me dhunë. Dhe jo vetëm kaq. Ajo godinë e kujtesës historike të shqiptarëve në 80 vitet e fundit u etiketua si “vend kuplaraje” nga kuplaristët modernë të Rilindjes ndonëse Europa e klasifikoi si pjesë e trashëgimisë kulturore të saj. Më tej, me dhjetëra objekte të trashëgimisë kulturore po shkojnë drejt asgjësimit të plotë. Një ndër to është godina ku u krijua më 1918 Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në Shkodër.

Nuk them se qeveritë para Rilindjes kanë bërë ndonjë gjë të madhe në këtë fushë. Por jam i bindur se indiferenca i kishte rrënjët te pamundësia financiare e dhënia e përparësisë në fusha tjera. Rilindja e ka mision shkatërrimin dhe asgjësimin e kulturës kombëtare shqiptare dhe trashëgimisë së saj. Ajo punon me skenarë të parapërgatitur në Beograd e në Athinë për këtë qëllim. Ajo mbahet në pushtet me ndihmën e Beogradit dhe për këtë arsye është e detyruar t’u shërbejë interesave serbe në Shqipëri, Kosovë dhe trojet shqiptare në Ballkan!

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube