NDJESHMËRIA TRAGJIKE E VETMISË

0

(Lexime poetike. “Vetmia” e poetes Drita Çomo), XIX

Nga Prend BUZHALA

Drita Çomo (19 mars 1958-19 shkurt 1981), ja edhe një emër që hyn në Bibliotekën tragjike të letërsisë sonë. E internuar me prindërit që në moshën dyvjeçare, për shkak të nënës së saj të burgosur, ajo vdes nga kanceri në moshën 23-vjeçare. Sa ishte e re ka shkruar edhe poezi, por, siç thonë shënimet për të, ajo kishte frikë t’i publikonte ato. Shënimet nga ditari, si dhe poezitë e saj panë dritën e botimit më 1997 me titullin “Dritë që vjen nga humnera”, vetëm pas vdekjes së saj, pasi ndryshuan rrethanat shoqërore. Nga krijimtaria e saj poetike, morëm për lexim poezinë “Vetmia”. Ajo është mike e vetmisë, sepse është e shoqëruar me të bukurën në art, si përmbajtje që e pasuron dhe e shpëton jetën. Ky është kërkimi i saj.

1.

Të përzgjedhësh një poezi nga opusi krijues poetik, ta lexosh poezinë në kontekstin e sotëm, të ri, të leximit; a nuk do të zbulonte dy thelbe tek vetja: nga njëra anë dinamikën e forcës së këngës në përtëritjen e receptimit kritiko-letrar, e nga ana tjetër, rizbulon trishtimet dhe vetmitë, sa intime aq edhe universale?

Te kjo poezi lexojmë dhe përjetojmë në një kompozim së bashku: lirikë, tinguj, imazh… mendime, monolog që përpiqet ta mbulojë trishtimin, … të gjitha ndërthuren e pleksen brenda një komunikimi e ndërkomunkimi artistik … në këtë rast, një lirike funebër, e përzishme, … e kënduar në skenën e përshpirtshme të vuajtjes dhe vetvetes.

Vetmia, që na del si një kryetemë e kryefigurë e tërë opusit krijues lirik; ngërthen në vete shprehjen filozofike dhe metaforike të poetes, një si përballje me sfidat e jetës. E te kjo sfidë ajo e sintetizon rebelimin e saj të heshtur, në mënyrë të veçantë poetike. ajo e shpreh madhështinë e qenies poetike, tek e ngre mesazhin dhe forcën e mendimit, në gërshetim me dhembjen, melankolinë e dashurinë, me ndrydhjet e heshtjet e pashqiptuara. Porse aty ngre kokë edhe thënia e papajtueshmërisë, ashtu si shfaqet e madhërishmja, si kategori estetike, të cilën di ta ketë dhe ngërthejë njeriu në kushte dhe situata të ndryshme, mbase edhe më të rënda. Poezia e saj ngërthen ndjeshmëri të veçantë: bëhet dhe mbetet këngë e përjetuar, këngë e dhembjes, por edhe këngë e papërfunduar. Është folësja lirike ajo, që ligjëron përmes një vete impersonale, e cila do ta njohë vetveten vetëm nëpërmes vetmisë, durimit të saj si sprovë shpirti, jete e ekzistence. Në tri strofat e para ajo e përsërit togfjalëshin poetik-proverbial “Vetmia është…”, për t’i shqiptuar variacionet e saj dhe situatat e saj. te strofa e parë ajo hyn drejtpërdrejt në atmosferën konkrete të kësaj ndjesie e situate:

Vetmia është zilja e telefonit

Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër

Vetmia është e diela e zbrazët

Me biseda boshe dhe pa diell.

Cila është kjo situatë?

Me të përmendur dita e diel, si ditë pushimi, do të na shkonte mendja te ato të diela romantike, si një ditë e veçantë, që ngjall frymëzime, me kalimin e kohës me miqtë, familjen ose veten; me shëtitjet, një vizitë tregut, një libër që lexohet… një kërkesë për të bërë diçka argëtuese. Porse situata e qetë në sipërfaqe, prishet nga një zë i huaj që kërkon “dikë tjetër” (asociacion përgjimesh të diktaturës, varg që e thur psiko-lirikën me s dramatik), një ditë pushimi si e diela, me zbrazëtinë e saj, e diel pa diell e me biseda boshe, që nuk thonë asgjë. Së këndejmi, ajo na sjell një atmosferë tjetër, të zymtë, gjithë boshllëk e ftohtësi. S’ka komunikime, ka vetëm zëra të huaj, të panjohur që thërrasin dikë në telefon. Nëse e diela duhet të sjellë mbushullimin e shpirtit a mirënjohje bekimesh, e vetmja gjë që arrin ta bëjë, janë meditimet poetike. Një boshllëk tragjik. Një shpirt i vetmuar, që vegjeton në zbrazëtinë e ekzistencës.

2.

Së paku, në vetmi ajo është vetvetja, sado që rrethohet kudo me rrethin shoqëror. Vetmia është streha e saj, është vetvetja e fshehur prapa këtij veli, me dëshpërimet e saj, me historitë e rrëfimet e saj tragjike,

Për t’i ikur këtij ballafaqimi me vetveten, ajo shpik një trajtë të veçantë komunikimi, që përafrohet me thënien proverbiale “vetmia është…”. Mungon rrëfimi për vetveten! Rrëfimi shndërrohet në një figurë poetike të elipsës, të mosrrëfimit, të pashprehshmes. Elipsa është karakteristikë e shprehjes proverbiale.

Kësisoj, si qenie që përsiat, mendimi i saj është vazhdimisht në lëvizje, në veprim, i pakapshëm me krejt drithërimat e nuancimet e rrjedhës së ndërdijes. Ajo në situatën e tillë gjykon, vlerëson, peshon vetveten. Gjendja e tillë gjithmonë qëndron në opozicion me pozicionin a gjendjen tjetër, të ëndërruar, ku dëshiron të hyjë, por nuk mundet:

Vetmia është të duash shumë

Dhe të mos kesh çfarë të duash

Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule

Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.

E pra, kodi i thënies eliptike do të an thoshte se ajo gjakon të dashurojë, të dhurojë dy lule, t’i thotë dy fjalë të mira (bota e dëshiruar); por detyrohet të qëndrojë në atë opozicion tragjik, pa pasur mundësi ta gëzojë dashurinë, lulet, takimin dashuror apo bashkëbisedimin me fjalë të mira. Shprehja lirike e thur poetikën antitetike të situatave të tilla përplasëse (“të mos kesh…”).

E çka duhet të bëjë ajo në këso situatash, përpos që të jetë një qenie e menduar dhe e vetmuar? A mund ta ndryshojë këtë rend gjërash, marrëdhëniesh me njerëzit? Ajo është e detyruar të qëndrojë e shkëputur nga realiteti i tillë ku ndërtohen marrëdhëniet mes njerëzve.

E ka në dorë vetëm ëndërrimin (për dashurinë, lulet, fjalët e mira), por ato janë këputur në mes. Nuk arrin të çlirohet nga dhimbja, e cila e përplas për realitetin përballë. Dhe ajo nuk ngurron t’i ikën këtij realiteti, ta emërtojë ashtu si është. Duke jetuar në dy dimensione të vetmisë, në vetminë tragjike dhe në botën e ëndërrimit të fshehur, ajo gjithnjë e kërkon zgjimin, një dimension tjetër, ku do të mund të gjendej e shpëtuar. Por jo! Nuk arrin. Përsëri i faniten hijet e botës që e rrethon, me kujtimet vuajtjet, mungesën e shpresës, me tjetërsimin mizor e të skajshëm të qenies njerëzore:

Të jesh kudo, i tepërt, i huaj

Mik i paftuar në botë, hije

Pa një kujtim që të të bëjë të vuash

Pa një shpresë për atë që do të vijë.

Nëse shpresa është forca magjike e njeriut që e ruan qenien e vet, poetja detyrohet të këndojë mu në mesin e errësirës, në situatën e tjetërsimit tragjik, haresë së humbur, dashurisë së ndaluar, ku ti nuk je qenie e pranuar, por e dëbuar nga rrethet shoqërore, si një hije. Prandaj, edhe Fjalori i mendimeve është një leksik proverbial, një alfabet ndjesish të prekshme, të përshpejtuara nën ritmin e melodisë së dhimbshme të lirikës. Por ajo e ka ëndërruar të bukurën e fjalën e mirë. Ëndrrat janë dëshmi e ekzistencës poetike, po edhe jetësore. Janë edhe dëshmi e shpirtit. Është ëndrra për të bukurën që e gjakon dhe e mbështet ndjesinë e ndrydhur. Është e papranueshme, e paftuar kudo, pa shpresa, e megjithatë ajo bën sikur jeton. Ëndërron sikur jeton. Këto nuk i thotë, përveçse le ta kuptojmë të kundërtën e asaj që e gjakon: të jetë e pranuar në mesin e miqve e njerëzve, të mos ndihet e huaj, të mos vuajë nga kujtimet e hidhura, të ketë shpresa për jetën.

3.

Poezia është akt krijues. Dhe në këtë akt ajo e ndien shpirtin e saj. E ndien si fitore të vetëdijes së saj krijuese. Nuk ka kujt t’i drejtohet tjetër në këtë hapësirë kaosi e çrregullimi, përpos këtij akti krijues në mediumin e vetmisë. Së paku, kënga e shtyn vdekjen edhe për ndonjë ditë. E mban gjallë qenia e ëndërruar a dashuruar, qoftë edhe e munguar (“pa ty”):

Po ankthi i ditëve të mia pa ty

Ankthi im i përhershëm

Për të gjitha ato që i di dhe s’i di

Kjo është diçka tjetër.

Së paku, aty e thadron ëndrrën për përjetësinë dhe dashurinë, mu në zemrën e një realiteti të tillë fatkeq. Çastin e vetmisë së saj, realitetin e hijeve mashtruese, dhimbjes dhe pikëllimit, trishtimit të kësaj kotësie, ajo e shndërron në çast përjetësie krijuese. Janë diktatura dhe sëmundja e kancerit që ia ngjyrosin mendimet me zymtësi, por edhe ato detyrohet t’i përballojë me poezi. Aty qëndrojnë edhe thellësitë e këtij meditim-emocioni. Aty, si një fill i kuq zbukurues i artit, është ndjeshmëria tragjike e vetmisë.

Poezia shndërrohet në ditar shpirti i vuajtjes e vetmisë. “Poezinë e mirë e ka lindur vuajtja dhe revolta”, thuhej në antikë. ky trishtim i vuajtjes, tjetërsimit dhe vetmisë, i jep një ritëm të përjetimit të thellë lirikës, një ritëm të qëndrueshëm dhe të pastër.

Në vetmi edhe përjetimet janë më të intensifikuara se në realitetin e përditshëm, rrethuar me zhurmën e jetës; tensionet emocionale janë më ekspresive. Në këso situate, poetja thellohet, mediton, prandaj edhe i njeh më mirë se ç ‘është fati tragjik dhe jeta e realizuar, boshllëku dhe shpirti i mbushulluar, njeh më mirë edhe karakterin e njerëzve tjerë, i peshon marrëdhëniet e veta me gjërat përreth e me realitetin jetësor. Ajo nuk e dëshiron këtë vetmi, sepse ajo i është bërë gjendje e dhunshme, vetmi e shkaktuar nga dhuna. Ndryshe nga poetët metafizikë që e duan vetminë e tillë, duke e ndjerë veten të çliruar nga prangat shoqërore, aty ku nuk ndien se humb diçka; Drita Çomo e ëndërron të kundërtën.

Minutat që ikin ngadalë-ngadalë

Rënduar nga ajo që quhet pritje

Rënduar nga ai që quhet mall

Dhe që nuk llogaritet….

Ndryshe, po të mos kishte qenë ëndërrimtare, te ky mall i pritjes, ajo nuk do t’i shfaqte këto vuajtje me kaq art. Vetëm një shpirt i mirë e harmonik i një jete tragjike, dhuron bukuri artistike. Lirika vjen si një përsiatje e reflektim drite nga burimet e kësaj errësire të tragjikes. Ajo që i jep përmbajtje edhe poezisë edhe jetës, janë e bukura në art dhe dashuria. Poetët do të thoshin se është streha hyjnore e idealeve njerëzore. Poetja nuk e pranon botën e ftohtë që i ka marrë gjithçka, prandaj aty bëjnë dritë gjakimet e saj… sepse ajo dëgjon me zemër, sheh me shpirt, si një shpirt që ligjëron nga parajsa. Nëse fati është kaq tragjik, nëse gjithçka ka dështuar në jetë, ajo megjithatë vallëzon me ritëm e melodi përmes vargut poetik e vetmisë. Vallëzon me imagjinatën e saj: duke ëndërruar dashurinë, fjalën e mirë e të bukurën: është po kjo imagjinatë që e mbron jetën e saj dhe ëndrrat e pashprehura, e mbron nga pasiguria, fataliteti, nga lufta e përditshme dhe e egër e ekzistencës. Ky edhe është ai shtegu i shpëtimit nga boshllëku e asgjëja, nga zhdukja e fikja e jetës.

_____________________

DRITA ÇOMO

VETMIA

Vetmia është të shikosh pas xhamit

Njerëz që nxitojnë në mbrëmje

Mërzia e gjatë para gjumit

Dhe vapa në netët pa hënë.

Vetmia është të duash shumë

Dhe të mos kesh çfarë të duash

Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule

Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.

Të jesh kudo, i tepërt, i huaj

Mik i paftuar në botë, hije

Pa një kujtim që të të bëjë të vuash

Pa një shpresë për atë që do të vijë.

Po ankthi i ditëve të mia pa ty

Ankthi im i përhershëm

Për të gjitha ato që i di dhe s’i di

Kjo është diçka tjetër.

Minutat që ikin ngadalë-ngadalë

Rënduar nga ajo që quhet pritje

Rënduar nga ai që quhet mall

Dhe që nuk llogaritet….

(Mars 1979)

(Prend N. Buzhala, 19 prill 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok