NË PRAG TË FESTIMEVE TË 110-VJETORIT TË THEMELIMIT TË GAZETËS DIELLI, ORGAN I FEDERATËS PAN-SHQIPTARE VATRA

0


NË PRAG TË FESTIMEVE TË 110-VJETORIT TË THEMELIMIT TË GAZETËS DIELLI, ORGAN I FEDERATËS PAN-SHQIPTARE VATRA

Nga Frank Shkreli

Organi i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Dielli është në prag të festimeve të organizuara me rastin e 110-vjetorit të themelimit të tij. Historia e Vatrës dhe organit të saj Dielli, është aq e gjatë dhe e larmishme sa edhe vet historia e shtetit modern shqiptar.  Dielli kishte filluar të botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 15 Shkurt, 1909”, duke shënuar, këtë vit, 110-vjetorin e daljes në dritë të “Diellit” të Vatrës, përfaqsueses historike të komunitetit shqiptaro-amerikan, për më shumë se një shekull tani.  Duhet shënuar fakti, se gazeta Dielli lindi 3 vjetë para VATRËS dhe se Dielli para se të bëhej Organ i Federatës VATRA, ishte pronë e Shoqërisë Besa-Besën.

Emrat e Fan Nolit, Faik Konicës, Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe organit të saj, “Dielli”, identifikohen me periudhën më të lumnueshme të historisë së tyre – një histori kjo që, sipas historianëve – përgjithmonë, do të mbetet si periudha që e bëri Shqipërinë.  Kjo histori, në një mënyrë ose një tjetër – varësisht rrethanave dhe nevojave historike të periudhave të ndryshme — është përsëritur dhe vazhdon edhe aktualisht.

Disa historianë i kanë konsideruar veprat dhe rolin e Vatrës dhe të Diellit si të një një qeverie shqiptare në mërgim, kur vihej në diskutim ekzistenca e shtetit shqiptar.   Ky përvjetor i themelimit të Diellit shërben gjithashtu si një manifetsim që brezat e ri të shqiptaro-amerikanëve të vlerësojnë rolin historik të Vatrës dhe të Diellit në misionin e tyre fisnik për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë, të Kosovsës dhe të shqiptarëve kudo me qëllimin e qartë për të mbështetur shqiptarët dhe të drejtat e tyre anë e mbanë trojeve shqiptare.

110 vjet më parë, ekzaktësisht, më 15 Shkurt, 1909, në Boston të Shteteve të Bashkuara doli numri i parë i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra — gazeta më e vjetër që botohet në vazhdimësi.  Në ‘të botohen artikujt dhe komente që pasqyrojnë pikëpamje të ndryshme   dhe shërben si një thesar i veprimtarive më të dalluara të organizatës “Vatra” dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.  Dielli pasqyron rregullisht edhe ngjarjet aktuale anë e mbanë trojeve shqiptare dhe boton opinione dhe analiza nga komentues të njohur nga trohet shqiptare si dhe nga diaspora shqiptaro-ameirkane.  Është shkruar shumë dhe, jam i sigurt, se në këtë përvjetor, historianë, analistë dhe gazetarë, do të theksojnë rolin vendimtar që ka luajtur dhe vazhdon të luajë “Vatra” dhe organi i saj “Dielli” në historinë e shekullit të kaluar dhe të sotme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo, përfshirë kontributin e Diellit në fushën gazetaresko-publistike shqiptare.

Gazeta “Dielli” ka shënuar edhe më heret përvjetorë të themelimit të saj, si zëdhënëse dhe burim lajmesh e “Vatrës” dhe e komunitetit shqiptaro-amerikan.  Ndër më të njohurit përvjetorë, janë 50-vjetori dhe 60-vjetori i themelimit të “Diellit”, shënuar nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe më gjerë.

Në këtë traditë, edhe sivjet me rastin e 110-vjetorit të themelimit të kësaj gazete në zë dhe me traditë shekullore për shqiptarët, Federata Vatra dhe vatranët, me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan, kanë në plan të festojnë këtë përvjetor të shënuar të fillimit të Diellit shqiptar, më shumë se një shekull më parë – me datën 6 Prill, 2019 në Manhattan të Nju Jorkut.

Sipas burimeve të gazetës Dielli, në këtë ditë do të ketë dy veprimtari me rëndësi kushtuar 110-vjetorit të organit të Vatrës:  Duke filluar nga ora 11:00 e mengjesit në hotelin e njohur 3 West Club në Manhattan do të mbahet Konferenca shkencore për këtë 110-vjetor, nën drejtimin e gazetarit Frank Shkreli, ish-Drejtor i Divisionit Evropian në Zërin e Amerikës dhe gazetares, Rafaela Prifti.   Seminarin do e përshëndet edhe Kryetari i Federatës Vatra, Z. Dritan Mishto. Ndërkaq, janë ftuar një numër ligjëruesish të dalluar të komunitetit dhe të tjerë për të marrë pjesë, me kumtesat e tyre: Prof Nikolla Pano, Dr. Elez Biberaj, Mr Grant Harris nga Libraria e Kongresit, Dr. Muharrem Dezhgiu, Amb. Mal Berisha, Anton Çefa, Dr. Arjeta Ferlushkaj, Idriz Lamaj, Loreta Loli, Agron Alibali, Rafaela Prifti dhe Dalip Greca. Njoftohet gjithashtu se, për të parën herë, Ilir Ikonomi do të sjellë intervisten me vlera historike të Faik Konicës në periudhën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, dhënë rrjetit të televizionit amerikan, NBC.

Sipas programit paraparak Prof. Nikolla Pano do të paraqesë kumtesën e tij mbi “Rolin e Diellit në Ringjalljen Kombëtare dhe në Bashkësinë shqiptaro-amerikane gjatë viteve 1909-1924.  Grant Harris do të flasë mbi gazetën Dielli në kuadër dhe nga perspektiva e shtypit evropiano-lindor në Amerikë nga vitet 1890 deri në vitin 1914.  Dr. Elez Biberaj, Shef i Drejtorisë për Euro-Azinë në Zërin e Amerikës do të kujtojë një ish-redkator të Diellit me temën:  “Për bashkëpunimin me Diellin gjatë kohës kur redaktor i gazetës ishte Xhevat Kallajxhiu dhe disa komente për sfidat e shoqërisë shqiptare sot në Shqipëri dhe Kosovë”.   Siç thamë më lartë, Ilir Ikonomi do të sjellë intervistën e Faik Konicës me gazetarin e radios NBC, Hilmar Baukhage, transmetuar me 8 prill, 1939.   Mal Berisha do të paraqesë temën: “Vatra –Qeveri në mërgim – Kontributi në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 dhe në atë të OKB-së në San Francisko, 1945. Prof. Muharrem Dezhgiu do flasë “Mbi Diellin në shekullin e dytë të tij”, ndërsa Anton Çefa paraqet referatin mbi ish-editorin e Diellit për shumë vite: “Nacionalisti dhe demokrati i përkushtuar, Xhevat Kallajxhi.”  Studiuesi Idriz Lamaj ka zgjedhur temën: “Publicistika antikomuniste shqiptare në mërgim dhe gazeta Dielli, duke përmendur gazetat Flamuri, L’Albanie Libre, Shqipëria, Bashkimi i Kombit dhe dhjetëra gazeta të tjera të Mërgatës, në polemika me Diellin.   Dr. Arjeta Ferlushkaj do të sjellë për të pranishmit temën: “Në Brendësi të Diellit – Strukturimi i brendshëm i gazetës ndër vite”.   Ndërsa, Agron Alibali dhe Loreta Loli do të eksplorojnë temën: “Faik Konica: Pak i njohur – Shkrime dhe studime nëpër faqet e Diellit – 1939 – 1942”.   Gazetarja Rafaela Prifti do të sjellë kumtesën për një ish-redaktor të Diellit dhe ish sekretar i Vatrës, Profesor Peter Prifti.   Ndërsa, Dalip Greca, Kryeredaktori aktual i gazetës Dielli përmbledh kumtesat, në këtë rast, me temën: Gazeta e Rilindjes Kombëtare – 110-vite histori, sfidat e mbijetesës, editorët, menaxherët, vlerat e risitë.”

Veprimtaria tjetër e ditës –me rastin e shënimit të 110-vjetorit të gazetës Dielli, organit të Federatës Pan-Shqiptare Vatra — do të kulminojë me darkën solemne, me një pjesëmarrje të madhe, që sipas organizatorëve do të jetë një “darkë plot të papritura, tipike amerikane”, për të gjithë pjesëmarrësit.  Darka solemne do të drejtohet nga gazetarja Marjana Bulku, me argëtimin nga Frederik Ndoci, Gëzim Nika dhe artistë të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok