19/04/2024

Në tre Vjetorin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. New York

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Ndonëse për një shoqatë shqiptare në Amerikë mund të mos jenë shumë si vite, por për nga larmishmëria e aktiviteteve të saj shumë të rëndësishme që ka organizuar duket sikur të jetë prej 10 vjetësh.   Këtë e them me konfidencë dhe krenari ngase kam marre pjesë dhe e kam parë nga afër punën që ka bërë kjo shoqatë qysh në fillimet e saj.  Ajo ka rrugëtimin e suksesit çka e çmoj dhe e vlerësoj për punën e dobishme në komunitet dhe më gjerë.

Në pikun e Luftës pandemike me të cilën po përballet bota, Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” me kryetarin e saj z.Mark Qehaja, n/kryetar z.Imer Lacaj, sekretare znj.Alketa Ktona Veshi dhe anëtarët e kryesisë si: Arta Xhaferri, Faton Zogiani, Nikollë Nilaj dhe Glen Nutaj kanë qenë në ballë të punëve për ta ngritur dhe më lart emrin e kësaj shoqate.

Në këto 3 vjet kam ndjerë se sa me përgjegjësi punon kryetari, n/kryetari, sekretarja dhe kryesia për ta mbajtur lart emrin e madh të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit Kombëtar, emër që kanë pagëzuar shoqatën e tyre.

Programin e aktivitetit në Online e drejtoi sekretarja e shoqatës znj.Alketa Veshi për të cilën më duhet të them se ka qenë shume aktive dhe me kontribut serioz për këto tri vjet të krijimit të shoqatës.  Ajo tha se tri vite para, ekzaktësisht ne të njëjtën datë si sot, u bëmë bashkë një grup miqsh me dëshirën për të qenë krah njeri tjetrit, për t’u gjendur pranë ne raste gëzimesh dhe nevoje.  Ne jemi krenarë për çfarë kemi arritur në keto tri vite jete të shoqatës “Skënderbej” Inc.  Sot nuk jemi më një grup i vogël miqsh, por nje shoqatë e konsoliduar, sot ne parashikojmë të ardhmen si nje zë i fuqishëm i Diasporës!  Jeta prej mergimtari që secili prej nesh ka zgjedhur,  këtu në shtetin më modern, në kryeqëndren e botës, larg Mëmëdheut tonë të dashur, ta bën më të ndjeshme domosdoshmërinë e të pasurit afër të miqve të vërtetë, të miqve që festojnë nën të njejtin Flamur.

Nën tingujt e Himnit të Flamurit në ekran u shfaq kolazhi me foto nga aktivitetet e shoqatës ndër vite.

Nga fjala e kryetarit të shoqatës z.Mark Qehaja

U bënë tre vjet që nga krijimi i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”, kjo ka qenë kohë e mjaftueshme për  të shpalosur gjithë veprimtarinë tonë, për të konsoliduar më tej strukturën organizuese e drejtuese, nxjerrjen në pah të vlerave, përpunimin e objektivave  për një zhvillim normal të aktivitetit tonë në përputhje të plotë me statusin e miratuar.

Mirënjohja jonë sot shkon për ata që e bënë të mundur themelimin e kësaj shoqate e në veçanti për z Bashkim Shehu, z.Qemal Zylo, Imer Laçaj, Anton Deda, Clirim Musta, Kujtim Nutaj dhe Mark Qehaja, avokatin e njohur z.James Mandel që përgatiti dokumentacionin e gjithashtu Departamentin e Shtetit të New York-ut që e njohu ligjërisht.

Po t’i hedhim një vështrim në harkun kohor të tri viteve kemi shumë arsye për të qenë entuziastë. Festimi i 550-të vjetorit të lindjes së Heroit tonë kombëtar ka qenë një aktivitet i mire organizuar, historik për shoqatën tonë. Krenare që shoqata jonë mban emrin Skënderbej dhe për vlerat kombëtare që promovon këtu në Amerikën e demokracisë e të zhvillimit botëror.

Festimi i Pavaresise së Amerikës, Atdheut tonë të dytë, pjesëmarrja dhe organizimi i aktiviteteve për këtë këtë rast, janë dhe mbeten obligimi yne i vazhdushëm i vlerave të qytetarisë dhe respektit për shtetin e madh amerikan ku jetojmë e kontribojmë.

Shoqata jonë është perfaqësuar denjësisht e ftuar në një nga seancat e Kongresin Amerikan për krimet në Kosovë.  Zëri ynë është dëgjuar në çdo tubim që është mbajtur për çështjen e Kosovës, për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë.

Me shumë interes është pritur simpoziumi shkencore i organizuar për gjeniun e Kombit tone At Gjergj Fishta. Organizimi i këti aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, Qendrën kulturore “NënëTereza” me komunitetin Shqiptaro Amerikan dhe përfaqësues të medieve.  Kishte një pjesëmarrje të gjerë të studiuesve të At Gjergj Fishtës,  shkencëtarë e personaliteteve elitare nga Shqipëria  dhe atyre nga Amerika e Diaspora, të shoqatave e organizatave shoqërore.

Sot dua të falënderoj të gjithë anëtarët e shoqatës për këtë organizim të jashtëzakonshëm. Mirënjohje për kryetarin e nderit z.Bashkim Shehu, i cili në cilësinë e kryetarit të Shoqatës organizoi këtë veprimtari të madhe e të veçantë, pjesëmarrësit nga Shqipëria, poetin Agim Doci “Mjeshtër i Madh”, Dr.Rovena Vata, Z.Paulin Zefi, studiues dhe drejtor i Muzeut të Lezhës pinjollët e Familjes Fishta si Simon Ndoka e Besnik Paci.

Mirënjohje për Dom Pjetër Popaj, Kryetarin e Këshillit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, z.Nikollë Grishaj, z.Marjan Cubi drejtues i qendrës kulturore “Nënë Tereza”, z.Fran Shala e

z.Gjergj Domgjoni, pasardhës i familjes Fishta, z.Frank Shkreli ish drejtor i divizionit për Europën e Azinë në Zërin e Amerikës, Z.Mhill Velaj  kryetar i shoqatës së shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, z.Nosh Camaj, z, Nikollë Nilaj studiues, Lekë Celaj  z.Blerim Gjocaj, ish luftëtar i UCK-së, zotin Imer Lacaj dhe zotin Lek Preci.

Nderuan  aktivitetin  Z,Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e New Jork-ut, z. David Tubiolo ligjvënës në Westchester County, Z. Marko  Kepi, President i organizatës “Rrënjët” i cli i dorëzoi mirënjohje z.Perparim Likollari aktivist i njohur i shoqatës  shoqatës sonë, Dr. Pashko Camaj nga Federata “Pan Shqiptare Vatra”,shoqata “Devolli” me kryetar z. Odise Salillari, z.Haki Collaku dhe z.Agim Kola, përfaqësues nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia dhe z,Ibrahim Kolari ish Kryetare i Shoqatës “Dibra” etj, të cilëve u përcjellim falënderim të veçantë.

Artistët e mirënjohur Tomë Gjergji, Shaban Lajçi  dhe Xhevat Kukaj për interpretimin e vargjeve të Fishtës, lahutari Martin Smajlaj.  Pjesëmarrja e artistit Gëzim Nika Mjeshtër i Madh, Valbona Peraj, Zamira Laçaj, grupi i valleve “Rozafati” Mjeshtër i madh dhe këngëtarëve të tjerë i dhanë hijeshinë e bukurinë aktivitetit.

Dua të veçoj punën e jashtëzakonshme dhe kontributin e veçantë të z.Kozeta Zylo moderatore e simpoziumit, shkrimtare, poete, bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe shkollave Shqipe në New York, Ambasador i Kombit, të z.Qemal Zylo themelues i TV dhe shkollave shqipe si dhe procudent, Anëtar Nderi i Shoqates sonë, z.Dalip Greca editori i Gazetës “Dielli” etj.

Shqiperia ka qenë dhe mbetet malli dhe dashuria jonë e përhereshme.

Solidariteti njerëzor e human u pa qartë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019.  Kontributi ynë modest në ndihmë të popullsisë së dëmtuar rëndë në zonën e Thumanës, në fshatin Bubq dhe prezenca jonë në mbështetje të banorëve të dëmtuar është shprehje e qartë e vlerave njerëzore e humane që karakterizon shoqatën tonë.

Organizimi për kremtimin e ngjarjeve dhe datave historike, njerëzve të shquar që kanë kontribuar për Kombin, Festimi i Shpalljes së Pavarësisë, ditës së Flamurit etj kanë qenë dhe mbeten në të ardhmen angazhimi ynë konstant.  Ne e kemi shtrirë aktivitetin tonë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Vizita dhe vlerësimi i lartë i autoriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosoves ka qenë nder dhe inkurajim për Shoqaten tonë. Ndjekja e aktivitetit dhe prezenca e Drejtorit të Kabinetit të Ministrit te Mrbojtjes, z.Jashar Ramadani të këshilltarit për sigurinë kolonel Feriz Trezhnjev, të veteranëve të Luftës së UCK-së, z.Nikë Marashi etj janë tregus i qartë i këtij vlerësimi.

E pa harrueshme do mbetet vizita në Prekaz, në shtëpinë e Jasharajve dhe biseda me djalin e heroit legjendar Adem Jashari z.Lulzim Jashari.

Në varrezat ku prehen pjestarët e familjes Jashari shoqata jonë nderoi kujtimin e heroit legjendar Adem Jashari e të familjes së tij që flijuan jetën për Liri.

Shoqata jonë vazhdimisht ka qenë në mbështetje të luftes së Kosovës kunder pushtuesve serb.  Thirrja nga gjykata e Hagës të drejtuesve të UÇK-së ishte djallëzore e i pa drejtë dhe se nuk e zbehin aspak rolin dhe luftën çlirimtare të Kosovës, ndërkohë që në bankën e të akuzuarve duhej të ishin drejtuesit e organizatarët e genocidit serb.

Ne aktivitetet tona të përditshme me përparësi kemi parë bashkëpunimin me Federatën Pan Shqiptare “Vatra” duke e cilësuar këtë si Vatra e madhe e shqiptarëve dhe e drejtuesve mendje ndritur ndër vite. Takimi dhe pritja e bërë pjesëtareve të shoqatës nga anëtarët e Vatrës dhe drejtuesi i saj z.Elmi Berisha është në traditën e mirënjohur të saj dhe në respektin që ushqejnë për shoqatën tonë.

Këto ishin shkurtimisht disa nga veprimtaritë kryesore të shoqatës sonë në këtë tre vjetor më hollësisht e në mënyrë të detajuar i kemi analizuar herë pas here në takimet tona periodike. Grupi i punës do hartojë drejtimet kryesore për vitin 2021 mbi bazën edhe të diskutimeve që do bëhen rreth keti materiali.

Ju uroj të gjithë anëtarëve miqve bashkëpunëorevë gëzuar festat e fund vitit,s hëndet e lumturi në familjet tuaja. Ndoshta kjo situatë nuk do na lejojë të organizohemi së bashku, por me shpresën së shpejti do u kthehemi gëzimeve tona të përbashkëta familjare dhe shoqërore.

Përshëndetje nga të ftuarit dhe pjesëmarrësit

Znj.Alketa Ktona Veshi ftoi pranë ekranit z.David Tubiolo anëtar i Bordit të ligjvënësve  të County Westchester.  Z.David Tubiolo nuk e ka për herë të parë që merr pjesë në këto organizime jo vetëm të shoqatës “Skenderbej”, por është i mirëpritur dhe në shumë organizime të tjera të komunitetit.  Z.Tubiolo ka qenë një nga suportuesit kryesor të shoqatës.  Ai përshëndeti dhe falënderoi anëtarët e shoqatës si qytetarë amerikanë dhe shqiptarë.  Me shumë respekt foli për lidhjet e tij me shqiptarët dhe shpreson që një ditë Shqipërinë dhe Kosovën ta shikojë të bashkuar.

Pas Z.Tubiolo fjalën e mori z.Imer Lacaj n/kryetar i shoqatës dhe financier i saj.  Ai me profesionalizëm dhe kulturë mbajti raportin mbi gjendjen financiare të shoqatës, punë që e ka kryer me përkushtim maksimal dhe atdhetar.

Zonja Alketa Ktona Veshi mbajti kumtesën me evidentime të sakta si: “Anëtaresimet e reja, evidentimi i të dhënave të tyre, dhe mendime për të ardhmen”. Znj.Ktona midis te tjerash tha se: “pavarësisht se ky ka qëne nje vit me aktivitete tepër të limituara për shkak të pandemisë  COVId 19, anëtarët e shoqatës kanë bërë punë sensibilizuese me bashkatdhetarët.  Gjatë vitit 2020 shoqatës i janë bashkur 13 anëtare, me nje potencial të dukshëm intelektual dhe plot prej tyre të rinj me perspektivë.

Programin e punës për vitin 2021 e paraqiti Z. Mark Qehaja.

Interesante ishte se në këtë takim përshëndetën me fjalë miradie nga Tirana z.Nikolle Qehaja i cili i uroi shoqatës punë të mbarë dhe tha se më ngazëllehet shpirti për sukseset tuaja.  Ju duhet të vazhdoni të punoni për ta mbajtur gjallë shqiptarizmën dhe në Amerikë. Humanisti dhe Aktivisti i Diasporës në Londër z.Skënder Perpepa tha se shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” është një bërthamë fantastike.

Përshëndetën dhe shumë anëtarë të shoqatës të cilët ndanë mendime dhe opinione të ndryshme duke respektuar njeri-tjetrin në diskutime.  Ata ishin z.Bashkim Shehu kryetar nderi i shoqatës i cili vlerësoi lart punën e kryetarit si dhe të gjithë anëtareve të shoqates për një përkushtim plot me vlera të aktiviteteve të tyre.  Diskutuan znj.Adelina Laçaj, zotërinjtë Blerim Gjocaj luftëtar i UÇK-së, z.Qamil Osmani, Mirlind Bedeni etj, të cilët përshëndetën punimet dhe uruan për vazhdimësi të mëtejshme të shoqatës.

Në këtë kohë pandemike jo pa prekur kanë qenë dhe anëtarët e shoqatës si Nikolle Nilaj dhe Biank Sadikaj të cilët sollën përvojën e tyre.  Ata folën për kujdesin rigoroz që duhet të ketë gjithësecili duke vahzduar rregullat që ka caktuar mjekësia, ndërkohë inkurajuan që të mos frikësohemi se padyshim që do ta mundim këtë armik të padukshëm.  Z.Agim Hasanaj një mësues me përvojë të gjatë në Atdhe shprehu dëshirën për të bashkëpunuar me Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe dëshiron të jap kontributin e tij.

Pjesëmarrësit I kanë mbështetur dy artistë të mirënjohur të komunitetit dhe të Kombit të cilët gjithmonë marrin pjesë dhe intepretojnë duke sjellë me pathos patriotik figura të ndritura të Kombit.  Z.Tom Gjergji solli poemën krijuar prej tij kushtuar Burrit të ndritur të Kombit At Gjergj Fishtës.  Ai tha se as 1.000.000 fjalë nuk mjaftojnë për ta përshkruar këtë burrë të rrallë.  Në Mirditë me Gjyshi Pacin bënë histori.  Kombi e ka në krye të tij.  Artisti Shaban Lajci intepretoi poezinë me ndjesinë dhe dhimbjen e emigrantit që nuk shkon dot atje se u mplak, ndërkohë dha mesazhin po shko ti i riu atje dhe më sill një grusht dhe nga toka që digjem mall.  Amanet bre burra kur të vdes më çoni në Atdhe të prehem i qetë.

Në pikun e pandemisë me shumë vlerë ishte diskutimi i Dr.Merita Shehut

Dr.Merita Shehu tha se ka qenë mjeke kardiologe në Shqipëri dhe për disa kohë punoi dhe pranë spitalit ushtarak Tiranë.  Ajo pohoi se në fillim të përhapjes së Covid 19-të ajo ndjente frikë dhe rrahje të forta zemre kur shkonte pranë të sëmurëve të infektuar, por kur mendoja misionin tim si mjeke i harroja dhe fokusohesha si t’i shpëtoja nga kjo epidemi dhe të dilnin sa më parë nga kthetrat e sëmundjes.  Ne duhet të jemi sa më shumë të izoluar larg kontakteve për të mos u infektuar nga ata që e mbartin, të ndjekim rregullat e higjienës, pastërtinë dhe të marrim ushqime të shëndetshme dhe ajer të pastër.  Ajo foli me profesionalizem dhe dituri per vaksinimin e popullsisë dhe pohoi se vaksinimi do ta ndihmojë popullsinë.  Në këtë temë ajo solli dhe rezervat e një pakice të FDA-s si dhe dy anëtarë të shërbimit mjekësor në Angli që nuk jua pranoi trupi vaksinimin, por ata ndodhen jashtë rrezikut në saje të monitorimit të mjekëve.  Ne nuk duhet t’i humbim shpresat dhe për njerëzit që janë në intubim pasi në Amerike 30-50 % e tyre shpëtojnë nga infektimi.  Dr.Shehu këshilloi të gjithë pjesëmarrësit se vaksinimi është rruga më e mirë dhe unë bashkë me burrin tim do ta marrim patjetër.  Këshillat e Dr.Shehut u mirëpritën si një specialiste e mirëfilltë jo vetëm në Shqipëri, por dhe si mjeke në vijë të pare në frontin e luftës kundër Coronavirusit në Westchester ne Amerikë.

Shumë gjeneroze ishte dhurata e bërë nga Steve Laçaj, nje ndër nxënësit e parë dhe të shkëlqyer të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe që ëshë integruar plot kulturë në botën amerikane.  Ai dhuroi nga 500 dollar për Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe Shoqatën shqiptaro Amerikane “Skënderbej”.

Aktiviteti u filmua direkt nga gazetari Valon Gërbeshi dhe Bujar Sadikaj në zyrën e shoqatës dhe do të transmetohet nga TV “Alba Life” dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Ishte një aktivitet për të festuar tre vjetorin e shoqatës “Skënderbej” dhe që sfidon Covidin në këtë kohë të pandemisë botërore.

13 Dhjetor, 2020

New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok