Ngjyrat zbukurojnë pikturën, si ylberi hapësirën e kaltër qiellore

0

Autoportret Florie Lule Bajraktari

Nga Emine S. Hoti, Norvegji
Kur pashë lajmërimin për çeljen e ekspozitës figurative të bashkëkombëses sonë shqiptare, piktores së njohur dhe të talentuar Florie Lule Bajraktari, sapo gjeta rastin shkova në ekspozitën e saj. Të them të drejtën u befasova dhe ndjeva respekt dhe emocion të pakufishëm për këtë grua të rrallë, e cila që kur ka ardhur në Suedi nuk e ka lëshuar asnjëherë nga dora e saj e artë penelin, duke sjellë vazhdimisht për shikuesit suedezë e shqiptarë, dhjetëra vizatime, piktura, skica, peizazhe dhe ilustrime, të cilat, në tërësinë e tyre, kanë prezantuar përpara shikuesve personalitetin e saj krijues.
Kësaj here, unë zgjodha të shkruaj një artikull për autoportretin e saj, që për mendimin tim është një realizim piktorik magjeps, plot jetë, dritë e gjallëri, që të fton të afrohesh dhe të kundrosh linjat piktorike, vizatimin, ekspresivitetin e portretit, e veçanërisht ngjyrat që ka përdorur piktorja në tërësi në krijimin e saj të mrekullueshëm
Është një pikturë – autoportret me natyrë shprehëse, që përfaqëson femrën shqiptare plotë hire, hijeshi e bukuri, e, që, krahas bukurisë së magjishme femërore, në pikturë shfaqen edhe tiparet e një malësoreje, që ekspozon me krenari kostumin e saj tradicional shqiptar e ku ngjyrat zbukurojnë pikturën, si ylberi hapësirën e kaltër qiellore.
Piktorja e talentuar Bajraktari nuk harron edhe disa elementë shoqërues të autoportretit: gjerdanin në qafë e në dorë, vathët, zinxhiri i hollë në gjoks, ku varen ornamente zbukuruese; qëndizma të shamisë së kokës, të shallit të kuq e të bardhë, që krijojnë kontrast, ëmbëlsi, por edhe harmoni me të gjithë pikturën. Në sfond, shkrihet grija e majave të maleve dhe jeshilja, por ndihet edhe sesi piktorja “luan” me penelin e saj me qiellin blu dhe me retë e bardha, që pluskojnë lirshëm në hapësirë.
Krahas vizatimit dhe larmisë së ngjyrave, në pikturën-autoportret shfaqen lirshëm edhe simbole të lashta iliro-arbërore: dielli – që adhurohej nga ilirët e lashtë; e bardha – që përfaqëson pastërtinë e shpirtit të femrës shqiptare; jeshilja e pranverës jetëdhënëse; e verdha e luleve të verës; por dhe disa figura gjeometrike, rrathë, rombe, trekëndësh etj., që ishin në natyrën dhe stilin e mjeshtrave piktorë shqiptarë të mesjetës, apo të atyre që punonin e zbukuronin mozaikët e lashtë të Vlorës, të Linit, të Durrësit (Bukuroshja e Durrësit), apo dhe mozaikët e lashtë të Dresnikut të Dardanisë etj.
Autoportreti i mjeshtres Bajraktari na shkakton ndjenja gëzimi e krenarie, kurse mua si stiliste më ndihmon me larminë dhe harmoninë e ngjyrave që ajo përdor në veshjen dhe kostumet popullore, e që unë i përgatisë parreshtur me stilin tim e ia dhurojë mërgatës shqiptare të shpërndarë nëpër botë si zogjtë shtegtarë…
Urime me gjithë zemër piktores Florie Lule Bajraktari!
Suksese të tjera në artin e dashur të pikturës, ku ndihmesa e saj artistike dhe atdhetare është e admirueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok