Një histori suksesi prej vitesh  të   humanistit  dhe veprimtarit të shquar Osman Kallabës

Nga Gjekë Gjonaj

Sipërmarrësi shqiptar,  Osman Kallaba, nga fshati Zhej i Anës së Malit  është një  shembull  i një  biznesmeni të suksesshëm në mërgim.    Nga shkuarja e tij në Nju-Jork-SHBA në vitet 70-të të shekullit të kaluar  ka punuar fortë,  dy dhe tri punë   në ditë,  për të krijuar një  mirëqenie ekonomike për vete,  familjen e tij të ngushtë dhe familjarët e tij në vendlindje, të cilët i kishte lënë në një varfëri të madhe, sikur  ishin shumica e familjeve tjera shqiptare  në  vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar jo vetëm në vendlindjen e tij, por në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi .  Nuk kishte synim vetëm  të jetë ( bëhet)   një  milioner koprrac, sepse një i pasur mund të jetë i palumtur, ashtu si një i varfër që mund të jetë i palumtur. Dëshira e tij ishte që një pjesë të pasurisë së tij  t’ia  dedikojë popullit të tij të varfër pa dallim se në cilat shtete jetojnë,    për të forcuar shpresën  dhe për të rritur besimin  tek ata se nuk janë të vetmuar në përballimin e vështirësive të përditshme të tyre. Këtë ndjenjë fisnikërie e bamirësie e kishte  trashëguar nga  shtëpie e lindjes, nga nëna Sanija dhe  babai  Ramë  Bajrami , të cilët shquheshin për nga shpirti i tyre paqësor  fisnik, mikpritës  e shumë punëtorë të dalluar në Anë të Malit.

Osmani  nuk kënaqej vetëm me mirëqenie personale, pa u ndihmuar edhe njerëzve të tjerë  në nevojë. Është shumë i ndjeshëm ndaj të varfërve, nga se vetë nga mosha e fëmijërisë e kishte përjetuar  varfërinë.  I brumosur dhe i udhëhequr nga  ky akt humanitar e njerëzor nuk ka munguar kurrë kontributi i tij vullnetar. Shpesh në komunikim e dëgjon të thotë: “ Bamirësia nuk të varfëron, përkundrazi ajo të lumturon” Unë ndjehem keq, kur nuk mund t’i ndihmojë të tjerët në nevojë”.  Vullnetarizmi i tij  mund të perceptohet si një detyrim i tij personal  në dobi të komunitetit, dhe si një dëshirë e përkushtuar që buron nga vetë ai dhe nevoja për të qenë i dobishëm për komunitetin. Duke marrë parasysh të gjitha këto virtyte  të tij  njerëzore ai  bashkëpunoi ngushtë me shumë mërgimtarë shqiptaro-amerikanë  për të ndihmuar së pari vendlindjen e pastaj për t’u vënë në shërbim të  zgjidhjesh së çështjes shqiptare.  Për këtë kauzë  kombëtare ai u angazhua me gjithë qenien dhe  mundësinë e tij  për më se  tri dekada.

Sikur shumë shqiptarë në Amerikë, të cilët kanë qenë  gjithnjë të grumbulluar pranë organizatave  dhe shoqatave të ndryshme, politike, institucionale, shoqërore e  e kulturore, klube e fondacione , ka vepruar edhe Osman Kallaba , gjithherë duke dhënë kontributin e tij  për të mirën e vendlindjes dhe të atdheut të tij.     Së bashku me veprimtarët e tjerë atdhetarë shqiptarë  në Amerikë  u organizua për të dhënë kontributin e tyre fillimisht ne sensibilizimin e  zgjidhjes së   çështjes së Kosovës në Kongresin Amerikan. Ky angazhim  është zhvilluar përmes takimeve të veprimtarëve të këtij  komuniteti dhe të  Osman Kallabës, me zyrtarë të lartë të politikëbërjes  amerikane. Po ashtu   edhe përmes demonstratave dhe protestave të organizuara nëpër shtete e qytete të ndryshme të Amerikës, me qëllim që zyrtarët e lartë  të politikës amerikane , deri te presidentët e Amerikës, në fillim të kryetarit Xhorxh W. Bush dhe të Bill Clinton, të cilët njëherësh janë  edhe kontribuues shumë të mëdhenj në realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës dhe të asaj shqiptare.

Kontributi i  komunitetit shqiptar, edhe i Osman Kallabës,  në internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare, tregon  për kontributin edhe zhvillimin angazhimin e komunitetit shqiptar, po ashtu edhe të Osman Kallabës , në internacionalizimin  dhe sensibilizimin e  çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare në përgjithësi. Ky veprimtar i palodhshëm dhe bashkëveprues i idealistëve në shërbim  të çështjes shqiptare  ka marrë pjesë edhe në  fushata të shpeshta për legjislatorët amerikanë, presidentët amerikanë, veprimtari të cilat  i kanë kushtuar atij dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë shpenzime të larta financiare “  Qëllimi ynë kryesor  ka qenë të ngrinim zërin tonë, të ndjehemi edhe ne dikush në këtë vend dhe të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur  kongresistë   e politikanë amerikanë  për vete , duke menduar se kjo është mënyra më e mirë dhe më e suksesshme për ta ndihmuar  zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila rrezikohej  nga forcat  ushtarake  zaptuese serbe të bëhej një Bosnjë e dytë,  dhe të asaj shqiptare në përgjithësi” , shprehet veprimtari Kallaba.

Ishte përkrahës i denjë i konceptit politik, filozofik dhe humanist të dr. Ibrahim Rugovës,  kryetar i LDK-së dhe president  i Republikës së Kosovës. “ Sa herë që ka ardhur  dr. I. Rugova në Amerikë e kemi pritur me dashamirësi të madhe. Nga ai mësonim shumë gjëra , si nga fusha e politike, ashtu edhe të tjera, sepse  ishte një personalitet i madh me shumë kulturë e njohje politike dhe jo vetëm. Një intelektual  me vizion shumëdimensional, largpamës, atdhetar i vendosur, njeri i paqes dhe optimist në proceset politike dhe ekonomike të Kosovës”, thekson Kallaba.

Po ky veprimtar i dalluar u ka dhënë mbështetje të madhe lëvizjeve nacionale që ishin  aktive në Amerikë,  të Fondit “ Vendlindja Thërret” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç kësaj ka ndihmuar edhe shumë aktivitete të tjera  kulturore, përvjetorë e përkujtime, pritje e përcjellje të liderëve të politikës shqiptare gjatë vizitave në Shtete të Bashkuara të Amerikës, pastaj  ka ndërtuar xhaminë  në Nju-Jork dhe ka sponsoruar  shumë aktivitete të tjera politike e kulturore. Ka sjellë  në  Ulqin senatorë e kongresistë të  njohur amerikanë, Thomas  Peter  Lantos,  Eliot Lance Engel, dhe Joseph J. Dioguard, miqtë e mëdhenj të shqiptarëve, për të ndihmuar përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në të gjitha takimet  që ka  marrë pjesë ai , atë nuk e kanë interesuar  se kush i zhvillon këto aktivitete. Për të me rëndësi ka qenë që t’i bënin për vete senatorë e kongresistët për të cilët kishte aq shumë Kosova  dhe gjithë kombi shqiptar. Filozofia e tij për të kontribuar materialisht ka qenë dhe mbetet tejet e thjeshtë, të ndihmojë çështjen kombëtare e jo ata që i organizonin këto tubime, por edhe objektet fetare, për t’u ndihmuar jo prijësve fetarë, por personave që besojnë në Zot. Fjalëpakë, i palodhur dhe i bindur se çdo gjë arrihet me punë, kështu e përshkruajnë biznesmenin e suksesshëm shqiptar , njeriun bamirës dhe  kontribuuesin e çështjes shqiptare personat   që  e njohin , punojnë dhe bashkëveprojnë me të, i cili vitet e pensionit dhe ditët e pleqërisë po i kalon mes Ulqinit dhe Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube