Një reality show policoro-mediatik që degjeneron

(Varianti hipotetik i një buje)

Nga Albert Vataj

Kam qenë dhe mbetem përjashtues i lajmeve të kronikës, me predispozitën qëllimmirë për ti ofruar një kualitet më cilësor, jetës së qytetarëve. Duke e çliruar përditshmërinë e nevojës për informim, nga horrori i lajmeve. Megjithatë masmedia, jo vetëm e jona, por gjithandej ku ushqehet dita e njeriut paqësor me krisma, vraje dhe gjak, nuk ekziston për t’u kujdesur për balancat shpirtërore dhe emocionale, ajo është, sipas Indro Montanelli, në kërkim të scoop-it, në një nevojë të ngutshme për protagonizëm. Asaj i duhet të vrasë përmes lajmit, sepse vetëm kështu e ka të garantuar audiencën dhe të justifikuar mjetet që e shpien atë tek qëllimet.

Gjithsesi, qesh fatlum që e ndoqa dhe stërndoqa “përplasjen” mes policisë dhe medies, atë që mori dhe vijon edhe sot të rrëmbejë një vëmendje kërcënuese. Buja ishte e përmasave “apokaliptike”, si gjithmonë, mundësia për ta tepruar është një shans që ne nuk e humbim.

Udhëhequr nga parimi filozofik i Dekartit, sipas të cilit “Mendoj, pra, jam”, guxova të mendoj, të shoh përtej dukshmërisë së ndërkryer, që nuk la cep të realitetit shqiptar pa kërkuar kreun e vendit.

Duke lexuar mes thirrjesh dhe frazash, mes asaj që mu servir dhe asaj që mund të imagjinoja, asaj që dija dhe asaj që mu tha, mendova, duke bërë fajtor Dekartin për keqtrajtimin e mendimeve të mia. Pavarësisht se kronika është jashtë profilit tim, i huajta profesionit dhe thash, nami u bëftë, po përpiqem edhe unë të bëj atë Sherlok Holmsin mediokër mediatik, atë tipin që i di të gjitha dhe guxon të thotë gjëra jashtë tagrit, duke na magjepsur në orët dhe pranishmëritë e pambarimta në TV.

Ajo që arrita të kuptoj nga gjithë ajo që ndodhi në ato pak momente që gllabëruan në mënyrë të përbindshme jetën e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, dhe që me lejen tuaj po e quaj, “varianti hipotetik i një buje”, është se kemi të bëjmë më një reality show policoro – mediatik, që ka degjeneruar.

Si ka mundësi që në një aksion super të fshehtë të forcave speciale të policisë së antidrogës, të ndodhet një grup xhirimi dhe gazetarë eksponent profesional?!

Kjo është një pyetje që ka përgjigje, por dukshëm askujt nuk i volit. Sepse ne e kemi të vështirë të dyshojmë, se dikush po tenton të na mashtrojë, apo ne jemi ata të përzgjedhur që meritojmë të shpërblehemi me ndëshkueshmëri të së keqes dhe korrektësi të informimit. Nuk jemi naiv, por priremi të duam çfarë na duhet.

U dekonspirua aksioni i policisë?!

Sipas Kantit, te njohja kemi elemente që vijnë edhe prej përvojës edhe prej mendjes, rrjedhimisht kësaj pyetje nuk mund ti kthej përgjigje definitive, sepse është jashtë caqeve kushtetutshmërisht të lejuara si qytetar. Por duke e njohur rëndësinë që pushteti i jep propagandës, shfaqjes, spektaklit, fasadës, farsës, dukshmërisë për të hedhur hi syve dhe për të mpirë me çdo mënyrë vetëdijen e opinionit publik nëpërmjet një mekanizmi sugjestionues manipulimi, e kam të pamundur të mos dyshoj, se kemi të bëjmë me një shndërrim të një aksioni të fshehtë, në një reality-show, policoro-mediatik. Aktorët, duket se jo të gjithë, kanë qenë në dijeni të skenarit, e aq më pak, të një varianti B të zhvendosjes së mundshme të skenës. Ndryshe nuk ka se si të kuptohet një precipitim i tille zhvillimi të ngjarjeve.

Spektakli u bë interesant pikërisht në pikën ku ai degjeneroi, momentin kur personi i dyshuar, refuzonte të hapte derën e makinës ku ndodhej, me gjithë insistimin e vazhdueshëm nën kërcënimin e armëve të policisë. Kulmon kjo shfaqje kur i dyshuari, jo vetëm që nuk i bindet policisë, por duke rrezikuar jetën e tyre, i jep të katrat mjetit duke u larguar.

Policia dështon në këtë aksion, por shfaqja nuk përfundon këtu. Ata vërsulen si të tërbuar, në një shfrim inati, duke ju vërsulur grupit të xhirimit dhe duke neutralizuar gazetarin, Ergys Gjençaj, mik dhe kolegu im i kahershëm, thua se kishim të bënim me një keqbërës dhe jo me një gazetar profesionist.

Pavarësisht se si konkludoi dhe në çfarë faze arritën të hynin zhvillimet, aksioni la diçka në përfundim të atyre pak minuta spektakli frike, aksioni dhe humbje të kontrollit.

Opozita pati me se të merrej. Sekush u vërsul të kap i pari pishtarët e protagonizmit në këtë tubim deklaratash dhe qëndrimesh, mbrojtjeje të gazetarëve dhe sulmeve ndaj policisë dhe shtetit. Ky zell për të deligjitimuar veprimet e policëve dhe glorifikuar integritetin e shpërdoruar në mënyrë kriminale të gazetarit nga eksponent ligjzbatues, që janë rrogtarë dhe paguhen me paranë publike, mbetet një fars e politikës dhe një folklorizëm bajat i shqetësimit publik.

Gazetarët bënë me korrektësi detyrën e tyre, por policia duke tejkaluar kompetencat, dhe duke i dhënë nota më alarmante ububushmërisë së dështimit të aksionit, arriti të jepte spektakël, siç mund të jetë parashikuar, por një reality show për një publik tjetër.

Ta mbyll këtë arsyetim hipotetik, me një sikur.

Sikur aksioni i policisë të përfundonte me sukses, personi i dyshuar të arrestohej, etj., etj., roli i gazetarëve do të ishte korrektësisht dhe denjësisht i vlerësuar?! Besoj se po. Regjisorët, ata që janë të kujdesshëm të kalkulojnë çdo llogaritje dhe parashikojnë çdo paparashikueshmëri, do të shtonin në karrierën e tyre edhe një tjetër spektakël dhe policia do të merrte një notë maksimale vlerësimi?! Patjetër.

Sakaq, shfaqja do të përcillej e pudrosur me lajkat dhe butaforinë e shtetit dhe opinioni publik do të nxitonte të përcillte lojën virtuoze me ovacione dhe duartrokitje frenetike.

Por në një reality show gjithçka është e mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube