“NJË SHTËPI E NDARË DHE E PËRÇARË KUNDËR VETES, NUK MUND TË QËNDROJË.”

Nga Frank Shkreli

Kjo thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara, 1861-1865 dhe të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25). Kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndroj, ashtu si nuk mund të qëndrojë e të mbijetojë as edhe një familje kur antarët e saj nuk merren vesh me njëri tjetrin. Shikoni këto dy fotografi më poshtë dhe do të kuptoni menjëherë se për ke due për çka e kam fjalën. Në Bled të Sllovenisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me Kryeministrin Zoran Zaev të Maqedonisë së Veriut (propozues të Lidhjes “Ballkani i Hapur” dhe në foton tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Kryeminstrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilët, sipas medias, biseduan për antarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, antarësim për të cilin Kroacia u angazhua plotësisht për të ndihmuar Kosovën në këtë rrugë.

Foto nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”   Foto nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Dielli”

I shikoj këto foto dhe nuk u besoj syve mi, jo se këto fotografi tregojnë ndonjë gjë të re në politikën ballkanase të dy dekadave të fundit, pasi këto foto pasqyrojnë realitetin fatkeq, sidomos, të marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare për disa vite tani, por për zhgënjimin tim personal dhe besoj edhe të shumë shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, për marrëdhëniet në familjen e përbashkët shqiptare.  Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – nëqoftse ekzistojnë – dhe nëse ekziston besimi i ndërsjelltë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.

I shikoj këto foto dhe i them vetes, mos u zhgënje se kjo është një periudhë e përkohëshme, populli shqiptar do të dijë të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis dy familjeve shqiptare – Shqipëri-Kosovë – se shqiptarët e thjeshtë, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm i detyrave dhe objektivave të pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit, me

“Armiqësi kunder askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se

lufta për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë dhe në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia — megjithë të metat e saj — është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anë e mbane botës, përfshir popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë — të cilët për interesa jo kombëtare në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme politike në kurriz të interesave kombëtare — po luajnë me fatin e tyre duke rrezikuar dhe përçarë, kështu, shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube