24/04/2024

Paradigmat e rezultateve të mbledhjes së parë të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës të 11 janarit 2014!

0

Nga Enver Bytyçi

Sot gjashtë vite më parë u zhvillua mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Më 11 janar 2014 të dy kryeministrat, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, u premtuan shqiptarëve “mrekullinë” e bashkimit të shqiptarëve në një territor pa kufij, pa dogana, pa barriera, me qarkullim të lirë e pa kontrolle të qytetarëve si dhe të mallrave në të dy vendet. Madje dy kryeministrat nënshkruan gjithashtu një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin strategjik midis dy qeverive.

Entuziazëm i madh u proklamua në atë mbledhje. Fotografi, batuta, fjalime patriotike, premtime të pafund, aq sa u mrekulluan edhe shqiptarët e Australisë, jo më ata të Kosovës e të Shqipërisë. Simbolika ishte zgjedhur me mjeshtri – mbledhja zhvillohej në kryeqytetin e shqiptarëve të Lidhjes së Prizrenit. Me një regji rozë u gërshetua miti me realitetin, ëndrra me mundësinë, e pamundura me të mundurën.

Më pas u zhvilluan dhe katër a pesë mbledhje të përbashkëta deri sa në Korçë kryeministri i Kosovës u detyrua t’ia lejë sofrën shtruar kryeministrit të Shqipërisë. Ndërsa në nëntor 2018 në Pejë u shfaq drama e përçarjes publike midis Kosovës dhe Shqipërisë, kur kryeministri Rama para kamerave i cilësoi “gomerë” kundërshtarët e idesë serbe të shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës, ide të cilën e mbrojti ai së bashku me dy miqtë e tij të përhershëm, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi.

Gjatë vite kanë kaluar dhe pas gjithë këtyre viteve qeveria e Shqipërisë si dhe ajo e Kosovës duhej ta kujtonin si datë historike 11 janarin e vitit 2014, së paku duhej të bënin një bilanc të marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe të atyre që janë zbatuar. Por kjo datë nuk i qëndroi historisë. Bilanci është katastrofik: – Dhjetëra nënshkrime në gjashtë mbledhje të përbashkëta dhe asnjë marrëveshje e zbatuar. Të gjitha moszbatimet për shkak të pengesave të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit shqiptar.

Përkundrazi, shqiptarët sot janë para disa paradigmave:

1. Sot, pas gjashtë viteve, janë shqiptarët më homogjenë, apo më të përçarë? Pa i hyrë ndonjë analize të thellë, përgjigja është e qartë: Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të përçarë sesa në këtë periudhë të qeverisjes së Rilindjes në Shqipëri! Nuk kanë qenë gjithashtu kurrë më të lidhur ngushtë se sa sot me Serbinë!

2. Sot pas gjashtë viteve, Kosova është më e konsoliduar si shtet për shkak të kontributeve të Shqipërisë ndaj saj, apo roli i saj në aspektin ndërkombëtar është dobësuar krahasimisht me kohën kur u mbajt mbledhja e parë e dy qeverive?! Përgjigja shkon në favor të dobësimit të rolit të Kosovës, sepse ajo dështoi në shumë iniciativa për t’u konstituar si shtet në organizatat ndërkombëtare. Dhe kjo që ndodhi pas shout të mbledhjeve të qeverive maskoi lidhjet e ngushta të kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë. Kjo ndodhi, sepse ndonëse Edi Rama realizoi regjinë e mbledhjeve të përbashkëta me diskurse e poza patriotike, bashkëpunoi dhe komplotoi bashkë dhe në llogari të Serbisë kundër Kosovës në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

3. Paradigma e tretë lidhet me dilemën nëse është forcuar apo dobësuar bashkëpunimi midis dy qeverive?! Përgjigjen e njeh çdo shqiptar. Për herë të parë në historinë e kombit tonë, dy kryeministrat e të dy vendeve nuk komunikojnë dhe nuk flasin me njëri-tjetrin, sepse ky kryeministri karagjoz i Shqipërisë i kërkon atij të Kosovës të zbatojë skemat antishqiptare të Beogradit, si për ndarjen e Kosovës, për taksën ndaj Serbisë si dhe në aspekte të tjera. Deklarata e bashkëpunimit strategjik me Kosovën mbeti në sirtarët e kryeministrit të Shqipërisë për t’u zevendësuar me bashkëpunimin e tij strategjik me Beogradin!

4. Paradigma tjetër lidhet me atë nëse marrëdhëniet ekonomike e tregtare si dhe lëvizja e qytetarëve është lehtësuar apo vështirësuar?! E vërteta është se asnjë lehtësi, përveç vështirësive në këto aspekte nuk ka dhe nuk do të ketë sa kohë që në krye të ekzekutivit shqiptar do të kemi një marionetë të Serbisë. Dhe, si mos të mjaftonin vështirësitë e tjera, Edi Rama vendosi një kufi të dytë për shqiptarët në Kalimash të Kukësit.

Paradigmat dhe dilemat nuk kanë fund, por në asnjë rast nuk do të gjendej ndonjë rezultat pozitiv në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës! Atëherë lind pyetja pse duhej të shpërdoroheshin gjithë ato para të taksapaguesve shqiptarë, thjesht për shoun e kryeministrit sharlatan të Shqipërisë, i mbështetur nga Hashim Thaçi në Kosovë?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok