Nga Mehmetali Rexhepi

Të dashur nxënës, të çmuar edukatorë!

Një shtatori i sotëm duhej t`i printe kumbimit të klasave me zëra rinorë e fëmijërorë dy shtatorit të nesërm magjik:hapja e portave dhe dyerve në klasa të shkollave nëntë vjeçare, të mesmeve të larta, profesionale dhe të gjimnazeve… Mirëpo, kjo pandemi e mallkuar e virusit delta e shthuri rendin mësimor-shkollor?… Tërheqja nga rendi i organizimit mësimor është i pafalshëm!… Është e dhimbshme kur zërat fëmijërorë e rinorë, që gjallërojnë dhe zbukurojnë fshatrat dhe qytetet të heshtin të çorganizuar?!…

Megjithatë, në këtë përballje dëshmohet gjallëria jonë shtet-ndërtuese… Andaj, uroj për mbarëvajtjen e mësimit në të gjitha nivelet! Në qoftë se arsimimi dhe edukimi njerëzor e kombëtar, dituria dhe shkenca janë themeli i fortë dhe i paluajtshëm i çdo kombi, pse mos të jetë edhe për ne, shqiptarët e shumëvuajtur, të robëruar, të shtypur e të copëtuar, të paragjykuar e të mallkuar, të ndarë e të përçarë?!… Le të jenë arsimi, dituria caqet tona parësore për zënie ritmesh, sikurse të përparuarit, për rritje të vullnetit për dijen, për shkencën, për kritere të cilësisë, për profesionalizëm, për motivimin e leximit, për të mësuarit kritik… Vetëm mbi këto pikë-qëllime do të jemi krahas popujve dhe organizimeve shtetërore të qëndrueshme. Ndryshe, jashtë këtyre mësymjesh do të na rikthehet robëria, vartësia dhe humbja e identitetit e të shtet-ndërtimit të brishtë…

Nuk do të na falet mundësia e dhënë pas dy shekujsh për shtet-bërje! Tashmë ngecjet në nivelin tonë arsimor janë të padurueshme dhe të pafalshme! Politikat qeveritare në Kosovë përkitazi arsimit, pothuajse, kanë dështuar! Nuk mund të pohojmë se nuk është bërë asgjë, për sa u përket objekteve shkollore… Janë ndërtuar shkolla të reja, por pa pajisje të mjaftueshme për zbatimin e mësimit praktik, shndërrimit të teorisë në funksion të zbatueshëm për prodhimin dhe riciklimin e prodhimit, për forcimin e kuadrit profesionist, konkurrues për ekonominë e teknologjinë e tregut. Kthesa për motivimin e shkollës e të shkollimit te ne, është domosdoja jonë e sotme dhe e nesërme e të gjitha strukturave arsimore, politike, qeveritare dhe mbarë kombëtare. Nesër mund të bëhet vonë!

Si ish kuadër arsimor, shtatori më sjell frymëzime dhe motivime për rikthimin te veprimtaria e magjishme e profesionit tim jetësor! Natyrisht mosha sjell doza të mallëngjimit…

Nxënës, prindër, mësimdhënës e drejtues shkollash: qofshi të bekuar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok