PO PO, DO IA DALIM!

-Ne do ia dalim!

Do i mbijetojmë këtij virusi dhe dalëngadalë do kthehemi në atë që konsiderojmë realitetin normal-

Nga Dr. Brunilda Zllami, Tirane

Po a ishte normal?

Prej kohësh ia dorëzuam veten teknologjisë. Zbuluam dritaren e fshehtë dhe në dukje të lirë të komunikimit. Takuam njerëz që i kishim harruar dhe njohëm të tjerë që as e dinim që ekzistonin. Bota dikur e madhe u zvogëlua në një ekran telefoni. Dhe këtu filluam të harronim botën e vërtetë. Zbuluam egon e heshtur që vizualizohej në foto të gjithçkaje që bënim. Me dhjetëra shkrepje për foton perfekte që merr “like”, me filtra që heqin shenjat e moshës dhe identitetin, me forma jo normale të shprehive, të qënies. Askush nuk gëzonte një shëtitje pa një foto në rrjetet sociale, askush nuk ndihej i plotë pa marrë “like” që të përkëdhelte sedrën.

Ne sot na mungojnë njerëzit me të cilët takoheshim, natyra, rrezet e diellit, lulet e pranverës. Po sa i kemi shijuar më përpara? A ju kujtohet kur dilnim me miqtë dhe sytë i kishim te telefoni? Jeta jonë ishte e lidhur me tubat e padukshëm ku merrte iluzionin dhe griste kohën.

Tani ndihemi të burgosur se nuk dalim dot, se na mungon ajo rutina e përditshme, kur në të vërtetë kishim humbur kohë më përpara lidhjen me njëri-tjetrin, me natyrën, me ato vlera që dikur na gdhendën si njerëz. Edhe tani shoh njerëz që kërkojnë dëshpërimisht vëmendjen e munguar dhe fasadën që kishin krijuar me aq mund!

A ishim në një realitet normal para se të vinte një virus i padukshëm që na hoqi gjithçka kishim lënë në harresë? Apo kishim krijuar një realitet virtual ku ishim të gjithë të bukur, të përsosur, shumë gjykues për të tjerët dhe tërësisht të dashuruar me imazhin e krijuar për veten?

A na mori ky virus lirinë, apo e kishim humbur me kohë?

Ne do ta kalojmë këtë, do ia dalim! Po a do gjejmë vetveten?

A do dimë të gjejmë vlerat, të duam tjetrin ashtu siç është pa filtra, pa buzët e fryra, vetullat e vizatuara dhe pa botoks? A do iu japim fjalën profesionistëve, apo do vazhdojmë të dëgjojmë gjithologët? A do jemi më të vërtetë, apo do vazhdojmë të krijojmë avatarët tonë virtualë? A do ta shijojmë një kafe me miqtë, një shëtitje në natyrë, zhurmën e valëve të detit, apo do harxhojmë orë për të krijuar imazhin e përsosur për “miqtë” virtualë? A do dimë të vështrojmë yjet e të ëndërrojmë? A do jetojmë sërisht në botën e Kardashianëve, apo në botën ku do lindë një Anjshtajn?

A do përqafojmë prindërit e gjyshërit, a do ju japim kohë nga jeta jonë? A dimë të jemi më të përulur, më të thjeshtë? A do kemi mësuar diçka nga kjo që po na ndodh?

Një ditë do mundemi të dalim dhe të takojmë njëri-tjetrin pa ruajtur distancën, por nuk duhet të harrojmë se distancën e kishim krijuar pak nga pak shumë kohë më parë!

Një ditë do jemi të lirë, po a do jemi ndryshe?

-Ekskluzivisht per revisten Zemrashqiptare ne Londer, nga Tirana 30 Mars 2020-

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube