PRISHTINA DHE SHKUPI NDEROJNË SHËN NËNË TEREZËN NË DITËLINDJEN E SAJ DHE NË 5-VJETORIN E SHËNJTËRIMIT

Nga Frank Shkreli

Dioqeza Prizren-Prishtinë e Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë organizoi të ënjtën me 26 Gusht, 2021 një akademi solemne kushtuar Bijës së Kombit shqiptar Shën Nënë Terezës me rastin e 111-vjetorit të lindjes dhe 5-vjetorit të shënjtërimit të saj nga Papa Françesku në Shtator, 2016.  Akademia u mbajt në “Qendrën BogdaniPolis” të Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë, ku mori pjesë edhe Presidentja e vendit, Dr. Vjosa Osmani.

Në praninë e Ipeshkvit të Kosovës, Shkëlqesisë së tij, imzot Dodë Gjergjit, biografit të shquar të Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, studiuesve dhe pjesëmarrësve të tjerë – përveç folësve fetarë dhe njohësve të tjerë të jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës – me këtë rast foli edhe numri një i Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani duke e cilësuar Nënë Terezen si një prej “personaliteteve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”.  Ja fjala e plotë e Presidentes së Kosovës në Akademinë solemne kushtuar Nenën Terezës:

“Është nder i madh për mua që sot, në ditëlindjen e 111-të të nënës sonë, Shën Terezës, të ndaj me ju kujtimin për jetën e saj, si dhe dashurinë për personalitetin e saj. Nënë Tereza, Anjeza jonë e dashur, e pagëzuar Gonxhe, është simbol i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj njerëzimit (sidomos ndaj atyre që kishin më së shumti nevojë), por edhe ndaj Zotit. Ajo e lidhi përkushtimin ndaj njeriut me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën ia dhuroi njerëzimit.

“Për ne, si bashkëkombës të saj, Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, ngase në kohën e izolimit të madh e të mosnjohjes së madhe të vlerave e të traditave shqiptare, për shkak të vetizolimit komunist në Shqipëri, ose represionit etnik në Kosovë, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Duke e theksuar përkatësinë e saj etnike, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, si dhe duke e nënvizuar atdheun e saj, sikur e quante ajo, “të vogël, të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës në Ballkanin e përhumbur.”

Pra, Nënë Tereza paraqet njërin ndër personalitet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të cilin populli ynë ia fali njerëzimit. Ajo i shpalosi vlerat më të mira të popullit të saj: dashurinë për njerëzit, përvujtëninë dhe përkushtimin ndaj vlerave njerëzore. Ne, bashkëkombësit e saj, jemi krenarë që kjo bijë jona ia shpalosi botës vlerat e kombit tonë dhe i shndërroi ato në vlera të njerëzimit.

Prandaj, në ditët sikur kjo, por edhe në secilën ditë të jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Si institucione dhe si njerëz të politikës por edhe si bashkëkombas të saj ne duhet ta përbrendësojmë dashurinë e Nënë Terezës për njerëzit dhe t’i theksojmë pa pra porositë e saj peqedashëse e humane, sikur bënte presidenti ynë historik, dr. Rugova, në vitet ’90, duke e humanizuar të bërit politikë, sipas modelit human të Nënë Terezës.

Si grua ndërkaq, jam krenare që edhe vajzat në Kosovë do të mund ta shohin shembullin e gruas shqiptare të quajtur Anjeza Bojaxhiu – Nënë Tereza, e qetë por e vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifirkojë për të tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me fjalë të ëmbla por edhe me vepra konkrete, sikur thoshte ajo, “të vogla, por me dashuri të madhe”.

Prandaj, ne mund dhe duhet të mësojmë çdo ditë nga dashuria e saj për njerëzit. T’u gjendemi pranë të vuajturve. T’u gjendemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë. Nuk mund t’ua mbyllim derën të varfërve, sikur nënë Dranja nuk ua mbyllte asnjëherë atë, teksa i ofronte në sofrën e familjes së saj, sikur të ish e tyrja. Dhe ne nuk do ta mbyllim asnjëherë derën për të gjithë miqtë tanë – sipas traditës – ajo është gjithnjë e hapur. Sepse, siç thoshte Presidenti ynë historik, Shtëpia jonë është edhe e mikut.  Zoti e bekoftë Shën Terezën! Zoti e bekoftë Kosovën!” — përfundoi Dr. Vjosa Osmani përshëndetjen e saj me këtë rast.

Ndërkaq, me rastin e 111-vjetorit të lindjes dhe në vigjilje të 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti mbajti fjalim dhe vendosi lule te shtatorja e saj në Prishtinë, në sheshin që mban edhe emrin e saj, në një ceremoni të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH-së), nën drejtimin e Prof. Dr. Skënder Asani.

Para të pranishmëve, Kryeministri Kurti tha se, “Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”.  Ai shtoi se sot përkulemi pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila “me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”.

Çdo vit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup që drejtohet nga Drejtori i këtij instituti Z. Skënder Asani, organizon aktivitete të ndryshme me rastin e ditëlindjes dhe shenjtërimit të Nënës Terezë.  Njoftohet se sivjet, ndryshe nga e kaluara — nga 26 gushti deri 5 shtator — në Shkup dhe në Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturor, “Drita e Gonxhës”, gjatë të cilit do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Pasi përshëndeti personalitetet e larta, përfshir ministra të qeverisë dhe të pranishmit e ftuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti tha ndër të tjera:

“Nënë Tereza, ky është emri botëror i Gonxhe Bojaxhiut. Po t’i rikthehemi historisë sonë, të hapërdarë nëpër fakte të historisë zyrtare të kombeve të tjerë, ne do të shquajmë emra shqiptarësh, papë e vezirë, perandorë e strategë, shkencëtarë e guvernatorë, poetë e kompozitorë. Duket pra sikur shqiptarët individualisht kërkojnë kauza përtej territorit të caktuar nga lindja për territore të caktuar nga ndonjë e vërtetë më e lartë.

Jam këtu para mbartësve të kësaj nisme, dhe organizata juaj e ka në emrin e vet edhe shpirtëroren edhe kulturoren, pra edhe mistiken edhe konkreten. Sot ky institut (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup) si çdo vit, po nderon Nënë Terezën. Nënë Tereza, ja një emër që zbulon në treva të largëta mjerimin që mund të gjendet në trevat tona, ende sot. Me sytë e kthjellët të mëshirës, kjo grua, kjo zonjë dalloi të njëjtën vulë të trishtimit mbi shtrirjet e globit. Aq sa e shtriu mëshirën, për aq e meritoi çmimin botëror (Nobel) të paqës.

Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkoi në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto, që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve. Pikërisht këto vlera të tjera, të tjerët i dalluan, si vlera që ata nuk i kishin, e që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.

Ajo ishte një nga nënat shqiptare, e cila me mirësi dhe bujari, duke sakrifikuar edhe veten, u ndihmoi atyre që kishin nevojë: fëmijëve që vuanin nga uria, të kërbulëve që u duhej përkujdesja, duke u shëruar plagët e tyre në kushte të pamundura.  Ajo frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz dhe ua ktheu dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar.

Shpesh herë kam menduar se sa nëna shqiptare nuk e kishin atë fat, siç e kishte ajo kur kapërceu pragun e derës së atdheut, për të shpaluar vlerat e veta dhe sa fatbardhë jemi ne si shqiptarë, pjesëtarë të edukatës nënëtereziane që shkojmë rrugës së saj. Ajo me lutje na përcjellë edhe sot, në rrugëtimin tonë si komb, aspak të lehtë, por një udhërrëfim ky, që jep shpresë dhe dritë.  Duket sikur ne i kemi në gjirin tonë të gjitha format e besimit më të thellë dhe sikur presim t’i shpallim universalisht prej trupave tanë individualë. Gonxhja lindi shqiptare.

Gonxhe Bojaxhiu lindi këtu, në këto treva, mes njerëzve dhe kohëve tona. Me atë trup të thjeshtë e të brishtë, por me atë thellësi shpirtërore ku ka vend aq shumë, sa njerëzorja të gjejë shprehjen e saj më të thekshme të besimit. Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza. Kur shpirtërorja e kthen një trup njeriu në bartësin e mirësisë pa kufij, atëherë e quajnë të shenjtë. Ata që janë të autorizuar të shpërndajnë tituj të tillë, e emërtuan e shenjta Nënë Terezë.  Përmes kësaj zonje, përmes kësaj Nëne, dëshmia na vjen për lartësinë e shpirtit që në mundësitë tona e kemi të gjithë. Ajo është një shembull, ajo është e shenjta e mirësisë që njeriu, cilado qoftë treva e thjeshtë e origjinës së tij, mund ta shpërndajë nëpër rruzull. Diku para dhjetë vitesh, ndoshta pianisti më i madh në botë, Çikolini, tek e ndjente se do ta linte këtë jetë, u shfaq në qytetin e lashtë shqiptar të Shkodrës, në teatrin e famshëm të këtij qyteti shqiptar dhe dha një koncert. Para se të hapte koncertin, çuditërisht pa kërkuar asnjë pagesë, iu drejtua publikut më të vogël të jetës së tij: “Nuk mund të ndahesha nga kjo botë pa luajtur në piano për një prej vatrave të Nënë Terezës”.  Ai e ndjente se po luante për njerëzit e saj. Në kohët që vijnë, le ta ndjejmë se ne do të shpërndajmë mirësi mes nesh, se do të ndajmë besim mes nesh, se do të vendosim besim mes nesh. Vetëm kështu, kohët që do të vijnë do të jenë të shenjtëruara.

Sot, po përkulem pranë shënjtores sonë Nënë Terezës, e cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte por kur ai e meritonte”, përfundoi Kryeministri i Kosovës fjalën e tij në ceremoninë e organizuar në Sheshin nenë Tereza në Prishtinë nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Per ata ëndërrtarë si unë, që shpesh ëndërrojmë për një bashkpunim më të madh kombëtar në sipërfaqen e trekëndëshit Prishtinë-Shkup-Tiranë, ndonëse kënaqemi me këtë rast dhe raste të tjera si ky për bashkpunimin kulturor midis Shkupit të vjetër shqiptar dhe Prishtinës, sidomos në nivelin politik, kulturor dhe fetar që pamë kësaj radhe në Prishtinë dhe në Shkup – për fat të keq, baza trekëndëshe nuk ishte e plotë as e fortë për të nderuar Nënë Terezën — si zakonisht, as këtë herë — pasi mungonte një kulm i këtij trekëndëshi – ai i Tiranës zyrtare e kulturore – ku siç duket përvjetori i lindjes dhe 5-vjetori i shenjëtërimit të Bijës së Kombit Shqiptar, Nënë Terezës nuk kishte të njëjtën rëndësi ashtu siç ka në dy kulmet e tjera të trekëndëshit shqiptar — Prishtinë e Shkup!  Duket se, për hir të interesave të tjera jo-kombëtare, prioritare sot për sot në Tiranë, edhe Shën Nënë Tereza po bie viktimë e politikës aktuale konfliktuale ndër-shqiptare!

Presidentja e Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani duke folur të ënjtën që kaloi në Akademinë solemne, kushtuar Nenë Terezës, në Qendrën “BogdaniPolis”, pranë Katedralës në Prishtinë.

Nga pjesëmarrja në Akademinë kushtuar Nënë Terezës në Katedralën me të njëjtin emër, në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z, Albin Kurti duke folur para Statujës së Nenë Terezës në Sheshin me të njëjtin emër në Prishtinë, në ceremoninë e organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, (ITSHKSH-së,) Z. Skender Asani me Kryeministrin e Republikës së Kosovës në manifestimin e zhvilluar në Prishtinë, në nder të Nenë Terezës me rastin e ditëlindjes dhe të 5-vjetorit të Shënjtërimit të saj nga Papa Françesku

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, bashkë me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Z. Armend Mehaj, vendosën lule të freskëta mbi pllakën përkujtimore të Nënës Tereze në Sheshin e Shkupit, më 25 Gusht.  “Falënderoj ministrin Mehaj për respektin dhe nderimin që po i bën Shenjtores sonë me rastin e 111-vjetorit lindjes së të saj, duke ndarë bashkë me ne si institucion këtë ceremoni nderimi, që është jo vetëm privilegj, por edhe obligim që të jemi krah njëri tjetrit në punë e ide të mira”, ka shkruar Z. Asani në profilin e tij në fejsbuk.

 

Edhe Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka admiruar Nënë Terezën, ndërsa ka deklaruar për Radio Vatikanin se figurën botërore të solidaritetit, Nënë Terezën e ka pasur frymëzim e shembull për t’u ndjekur edhe në punët e shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube