PSE GJETJET E MËDHA ARTISTIKE JANË DIAMANTET E RRALLA TË KURORËS TË LETËRSISË BOTËRORE?

0

(Ligjëratë për Kadarenë)

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

Në këtë ligjëratë të lirë do të trajtojmë një temë që na duket me mjaft interes: –Pse gjetjet e mëdha artistike janë diamantet e rralla të kurorës së letërsisë botërore dhe cili është vendi i Kadaresë në to?

Ideja e këtij shkrimi lindi nga pyetja që më bëri një poet dhe shkrimtar kroat në pranverë të vitit 2003. Pse Ismail Kadareja është shkrimtari më i rendësishëm i letërsisë shqipe? Përgjigja ime në thelb ishte se tek Kadareja gjejmë të mishëruara artistikisht disa nga gjetjet më të rendësishme të letërsisë artistike botërore. Më pas shpjegova se cilat janë këto gjetje të mëdha artistike për mendimin tim dhe ç’pjesë prej tyre gjendet në veprën e Ismail Kadaresë. Sinqerisht sigurova një dëgjim të vëmendshëm prej të pranishmëve dhe një ftesë pjesëmarrje në një konferencë për letërsinë që u realizua më pas.

Duhet pohuar me plot gojën se Gjetjet e mëdha artistike janë diamantet e kurorës së letërsisë botërore, por gjetjet e mëdha artistike janë në të vërtetë tepër të rralla. Në letërsinë botërore ato numërohen me gishtat e duarve. Të tilla mund të quhen:

udhëtimi i të gjallëve në botën e të vdekurve; por dhe e kundërta:

nga bota e të vdekurve në atë të të gjallëve;

vendosja e teatrit të ngjarjeve në kampin kundërshtar;

çmitizimi dhe deheroizimi i heronjve;

procesi i tjetërsimit apo metamorfoza e njeriut në një qenie tjetër;

popullimi i miteve me qenie hibride;

sendërtimi i fantazisë letrare në vepra shkencore;

gërmime “arkeologjike”, që zbulojnë misteret e ardhmërisë; P. Keopsit

ngrehina fantazmogorike që sendërtojnë vdekjen; Tabir saraj

tubimi i imazheve, simbolizmin tingëllor, imitimi i tingujve dhe ngjyrave të natyrës;

kalimi nga instikti tek intelekti artistik etj.

Në letërsinë botërore është shumë i njohur udhëtimi i të gjallëve në botën e të vdekurve, dhe udhëtimi i të vdekurve në botën e të gjallëve: kujto “Epin e Gilgameshit”, kur Gilgameshi i tmerruar nga vdekja e shokut të tij të ngushtë Enkidjuit shkon në botën e përtejme për të gjetur barin e pavdekësisë. Tek “Iliada” e Homerit kur Ulisi udhëton për të takuar Akilin në Had. Tek “Bretkocat”e Aristofanit udhëtimi imagjinar kryhet për të peshuar veprën e Eskilit dhe Euripidit për t’i sjellë ata sërish në skenën teatrore. Tek “Komedia Hyjnore” Dante Aligeri përmes një udhëtimi alegorik në Ferr, Purgator e Parajsë, i shoqëruar në fillim nga Virgjili dhe më pas Beatriçja takon mëkatarët e rangjave të ndryshme. Një gjetje e kësaj natyre është përdorur në thelb nga Kadareja tek romani i tij “Përbindëshi”, por edhe tek “Vdekja e Lul Mazrekut”

Edhe udhëtimi në sens të kundërt: nga bota e të vdekurve në atë të të gjallëve është po kaq i vërtetë për psikologjinë artistike të miteve, përrallave dhe legjendave popullore. Kujto alegorinë e jetës së gjarpërit që struket dhe flë gjatë dimrit dhe gjallon e harbon në verë. Kujto jetën e dyfishtë të Persefonit, gjashtë muaj tek grabitësi dhe i shoqi i saj Hadi e gjashtë muaj tek nëna e saj në tokë, Demetra. Janë simbole të bimësisë dhe harmonisë së kafshve dhe njerëzve me natyrën. Po kaq i njohur është kthimi i Sizifit në botën e të gjallëve,  kthimi i shpirtrave të trazuar pranë banesave të veta, në shtëpi e hotele. Këto qenie të quajtur engjej, djaj, xhinde apo xhini, fanitje dhe fantazma, popullojnë librat e fesë dhe parapsikologjisë, përrallat dhe gojdhënat popullore, hotelet e Kalifornisë apo bordelet e Athinës. Do të veçoja legjendën “Kostandini e Doruntina” të njohur edhe në letërsinë ballkanike dhe atë evropiane me emrat: Kënga e Halil Garrisë, Kostandini e Dhoqina, Kënga e Leonorës etj. në të përshkruhet me një dramaciete e tragjizëm të thekshëm udhëtimi i vëllait të vdekur Kostandinit për të mbajtur fjalën e dhënë, për të sjellë motrën tek nëna. Kështu Kadareja sjell tek ne jo vetëm Kostandinin, por edhe Laokontin, heroin Trojan që nga statuja na jep mesazhin e rrezikimit jo nga helmi i gjarpërinjve, por nga helmi i kundërsharëve politikë në gotën e verës.

Vendosja e teatrit të ngjarjeve në kampin kundërshtar është një gjetje tjetër e madhe. Kështu janë shkruar disa prej perlave të letërsisë artistike, nga të cilat do të veçoja “Persët” e Eskilit dhe “Kështjellën” e Ismail Kadaresë. Nuk do të zgjatem pasi janë vepra që njihen mire, pasi më thatë se “Kështjellën” dhe “Gjeneralin” i keni lexuar.

Padyshim një gjetje impresionuese mbetet çmitizimi dhe deheroizimi i heronjve. Një gjetje e tillë është realizuar tek“Ulisi” i Xhejms Xhojsit, te“Ditari i Penelopës” dhe “Apologjia e vërtetë e Sokratit” të Kosta Varnalisit, etj. Këtë gjetje Kadareja e ka përdorur për çmitizimin e figurës heroike të Skënderbeut dhe të figurës problematike të Ali Pashë Tepelenës në poezi dhe të figurës së Nikita Hrushovit apo Enver Hoxhës, Lin Biaos apo Mao Ce Dunit në romanet:“Dimri i madh” dhe “Koncert në fund të dimrit”.

Thelbi i një gjetje tjetër të madhe letrare është procesi i tjetërsimit apo metamorfoza e njeriut në një qenie tjetër. Në mitologji, kthimi i Zeusit në mjelmë dhe erenive në eumenide, në folklor, kthimi i kreshnikëve prej zanave në gur si dhe i vëllait në gjon e i motrës në qyqe, tek Homeri në veprën “Odiseja” kthimi prej Çirçes i shokëve të Odisesë në derra, tek“Metamorfoza” e Kafkës kthimi i Gregor Zamzës në kandër dhe tek Jonesko i njeriut në rinoceront, në veprën me të njejtin titull, në thelb gjetja artistike është një.

Një gjetje tjetër e madhe që buron në të vërtetë nga metamorfizimi i qenies është edhe popullimi i miteve me qenie hibride, i ujrave me nimfa e floçka, gjysmë peshq e gjysmë vasha, me Centaurë-gjysmë kuaj, gjysmë njerëz; Ciklopë e përbindësha gjigandeskë me një sy në ballë, Minotaurë-gjysmë dema, gjysmë njerëz e gjithfarë dragonjsh që nxjerrin flakë nga goja  apo kuçedrash me shtatë kokë, Hidra dhe Erenie-gra me flokët gjarpërinj etj. në mjaft prej personazheve letrare të Kadaresë, veçanërisht në kampin e negativizmit, gjejmë përthyerje të tilla që shkojnë deri në fytyrëzime të përçudnuara si qeniet hibride.

Sendërtimi i fantazisë letrare në vepra shkencore. Kjo është padyshim një arritje e madhe. Përrallat me pasqyra që shikojnë botën, me përgjime të veshit në tokë për të dëgjuar se ç’thuhej matanë 7 malesh, me qilima fluturues për të përshkruar hapsirat, romanet me anije të nëndetshme, apo me vizitorë nga kozmosi etj. ishin produkte të një fantazie të tillë artistike, që u modeluan si fantashkencë dhe dhanë ndër vite produkte të tilla, si: televizioni e kompjuteri, radioja dhe telefoni celular,  avioni e anija kozmike, nëndetsja e mjetet amfibe.   Kështu thelbi i fantazisë letrare u përsos  duke ia përshtatur mitin, folklorin dhe letërsinë për fëmijë  një realiteti të ri, atij të veprave shkencore.  Tek Kadareja kjo gjetje është konvertuar tek përgjuesi i polit të veriut në romanin “Koncert në fund të dimrit”, tek trajtimi shkencor dhe artistik i Kanunit të Lekë Dukagjinitk tek romani “Prilli i Thyer”etj.

Shpikjet në fushën e shkencës i dhanë një fytyrë të re letërsisëajo e kërkoi dhe e gjeti vetveten. Lindja e aparatit fotografik dhe e kinemasë modeluan pikturën, skulpturën dhe arkitekturën, lindja e psikoanalizës dhe intuitivizmit modeluan letërsinë dhe muzikën, artet figuarative dhe ato të aplikuara. Pas Klloçkës së Pikasosë kemi realitetin ashtu siç është në pamjen reale, pas Gjelit kemi   krekosjen e karikaturizuar, simbolin e megallomanisë dhe të mburrjes boshe, gjë që s’mund të na e jepte as fotografia bardhë e zi apo me ngjyra, as vizatimi realist i  shpendit të quajtur Gjel siç na e dha dashurinë dhe ndjenjën e amësisë e të përkujdesjes vizatimi Klloçka. Tek Kadareja  nuk kemi imitim të letërsisë naimjane e më pak të asaj të fillimeve të socrealizmit, ai me veprën e vet hodhi themelet e një letërsie të re dhe novatore, që merrte impulset e nevojshme nga revolucioni tekniko-shkencor, pra krijoi vepra të lexueshme për lexues të formatit evropian. Vepra e tij nuk është një vepër natyraliste apo thjesht realiste, por një vepër surealiste dhe simboliste. Mjetet e saj stilistike janë të tilla që ofrojnë këtë kahje vështrimi. Simboli, alegoria dhe metafora janë kryesore në veprat e Kadaresë.

Gërmime “arkeologjike”, që zbulojnë misteret e ardhmërisë-kjo është në thelb vepra e Homerit dhe Eskilit, tek “Iliada”dhe “Odiseja”, te “Orestia” dhe “Prometeu i mbërthyer”. Të tilla gërmime e hulumtime bën Kadarejatek “Piramida e Keopsit” dhe tek “Qorrfermani”. Me kazmën e arkeologut në dorë Kadareja gërmon historinë e lindjes së Piramidave dhe mumosjes së faraonëve për të treguar terrorin fizik e psiqik që mbretëronte gjatë ngritjes së Piramidës së Enverit në fundin e viteve ’80-të jo në Egjyptin matanë Mesdheut, por në zemrën e Tiranës.

Zbulimin e maskës së dënimeve të mistershme në agjitacion e propogandë, në art dhe kulturë, denoncimin e viktimizimin e revolucioneve kulturore në Shqipëri si në Kinë ka parsaysh autori “Qorrfermanin” e tij të famshëm.

Ngrehina fantazmogorike që sendërtojnë vdekjen-Ky është thelbi i veprës “Tabir saraj”(Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave), veprës së kuptuar dhe keqkuptuar të Kadaresë. Tek Kadareja pallati i ëndrrave qe një trill i fantazisë, pasi as kishte ekzistuar ndonjë pallat ëndrrash në Turqi. Në Shqipëri po, ekzistonte një Komitet Qëndror i PPSh-së dhe Një Sigurim i Shtetit Shqiptar, që gjurmonte dhe persekutonte njerëzit që guxonin të shihnin ëndrra të gabuara. I tillë është rasti i Remzi Matos, mësuesit që u dënua për agjitacion e propogandë pasi kishte parë në ëndërr sikur po fluturonte mbi Korfuz(?!) (Sipas dëshmitarëve të kohës dhe romanit biografik “Demaskimi i Engjëjve” të të birit, Vullnet Matos)

Tubimi i imazheve, simbolizmi tingëllor, imitimi i tingujve dhe ngjyrave të natyrës bëri të lindë një art i ri. Prej imitimit të tingujve të natyrës, të fëshfërimës së gjetheve e cicërimave dhe këngës së zogjve, të gurgullimit të ujrave e zhurmës së makinave, e zhurmës së ujvarave dhe korrit të gjinkallave, prej llamburitjes së vezullimeve të  perëndimit të diellit dhe të hënës ndër ujra u krijuan meloditë muzikore. Këtu e kanë bazën edhe muzika realiste, ajo klasike apo moderniste.  Dhe më tej nga akti i ngjizjes seksuale, i rrahjes së zemrës në kraharor, nga ritmi i tik-takut të ores apo goditja e dallgës në brigje, nga goditja e çekanit në kudhër dhe rrotullimi i tokës rreth vetvetes u krijuan ritmet muzikore, poetike e koreografike. Ritmi vjen nga jeta në art. Ritmi është themeli i jetës ndaj është edhe themeli i letërsisë dhe i arteve. Tek Kadareja kemi imitim të shkëlqyer të ritmeve të natyrës në poezi dhe prozë. Po iu jap dy shembuj se si e realizon ai artistikisht tubimin e imazheve pamore dhe dëgjimore, në rang simbolizmi vizual e tingëllor:

“Treni po kthehej bosh nga Durrësi. Ishte treni i parë që po kthehej bosh nga Durrësi. Një tren që kthehet bosh nga Durrësi. (mendoi makinisti mes zhurmës së rrotave) Një tren që kthehet bosh. Një tren që kthehet. Një tren bosh. Tren i vdekur. Tren bosh. Tren i vdekur.”

(“Dimri i madh” fq…   )

Dhe shembulli i dytë vjen nga poezia:

“Tokën kur e grryejnë rrebeshet i dalin rrënjët rrëpirave,

Ashtu e grryen trupin tend shekujt.

Deri sa të dolën dejet dhe brinjët.

Deje dhe brinjë.

Pak tokë,

Oh sa pak tokë shekujt të lanë,

Shekujt si  qen kafshuan,

U sullen të të hanë.

Mes tyre tek shkoje, ata të suleshin,

Por ti s’jepeshe, por ti s’përkuleshe!”

(“Përse mendohen këto male” fq…)

Në shembullin e parë ne na duket sikur e shohim trenin, na duket sikur dëgjojmë zhurmën e tij mbi shina. Ndërsa në rastin e dytë pamjet dhe klithmat e rrebesheve dhe erozioneve na dalin para si të gjalla: i shohim, idëgjojmë, i ndjejmë, i prekim.

Kalimi nga instikti tek intelekti bëri të lindin dhe kodet e reja gjuhësore dhe letrare, pikturale dhe muzikore. Instikti i klithjes së natyrshme të bishave apo shpezëve të egra, gjuha muzikore e zogjve e bëzama e gjallesave, cicërima e dallëndysheve e cërcëritja e trumcakut, gugatja e kumrive e gu-guja e pëllumbave, kukatja e qyqeve, krakëllima e sorrave dhe e korbave, çuçuritja e trumcakut dhe e trishtilit, pingërima e boracaku dhe e zogut të verës, janë  ndër kodet e lashta të komunikimit, ndaj i përqasen dhe kaq shumë gjuhës njerëzore. Kjo gjuhë zogjsh ishte faza e parë e marrveshjes së femrave me meshukujt qysh në periudhën e poligamisë së hershme. Në fazën e dytë, kur filluan të zbuten kafshët e egra u egërsuan femrat dhe lindi monogamia. Tani gjuha njerëzore e kapërceu kodin e gjesteve dhe të imitimit të kafshve të egra duke sanksionuar traditën njerëzore të komunikimit. Në fazën e tretë, kur njerëzit kultivuan kafshët shtëpiake dhe mbollën grurin, kur poqën mishin dhe farkëtuan e kalitën armët, kur krijuan mitet, fenë, folklorin dhe artin,  lindën pikturat e shpellave e më pas u modeluan alfabetet, u kodifikua gjuha e shkruar dhe u thurrën himnet, lutjet, mitet dhe epet e para. Atëherë në jetën e mashkullit kemi kalimin nga faza e gjuetisë së epshit në fazën e dashurisë dhe konsolidimin e familjes, që iu dha letërsisë dhe arteve një shije të re. Shumëçka prej saj kemi në krijimtarinë e Ismal Kadaresë. Kjo është dhe arsyeja pse tek ai gjejmë shumë neologjizma, fjalë të reja që vijnë nga imitimi i tingujve të natyrës, nga rivlerësimi i thesareve të fshehura dialektore apo fjalë të krijuara rishtas me brumin e shqipes. Kjo është një dukuri e veçantë e veprës së tij poetike, novelistike dhe romaneske, e pangjashme me asnjë shkrimtar tjetër të sotëm.

Dubrovnik, pranverë të vitit 2003

Përpunuar për botim: Sarandë, mars 2008

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok