PSE IKE FATMIR BAJRAKTARI, TI FRENK SINATRA I PEJËS

0

Mall, ose në vend të përkujtimit për këngëtarin e shquar pejanë, Fatmir Bajraktarin

Nga Sejdi BERISHA

Nganjëherë mendoj por edhe hidhërohem, se jeta m’i ngjanë deteve të trazuara, dhe kur është kështu, ajo shndërrohet në dhembje të pashuar, që njeriun e bënë të vuaj edhe kur është i lumtur, të qaj edhe kur këndon, dhe pastaj, para vetes të dalin shumë gjëra që rëndojnë e rëndojnë aq shumë, sa që edhe nuk di t’i shprehesh të gjitha ato kujtime që ikin shpejt si lumë i rrëmbyeshëm. E pastaj, prapa lë vetëm dhembje dhe, shikimin e pritjes dhe të kthimit e rëndon me të gjitha ato ecje nëpër jetë, që me të vërtetë janë jehonë që as në gjumë nuk të lënë të qetë; diçka kërkon ta prekesh, ta përqafosh, por kurrë nuk të plotësohet një dëshirë e tillë.

__________________

O miku im, pse më detyrove që në këtë formë kaq të rëndë e të tmerrshme nga malli, të bisedoj me ty për shumëçka…!

Për këtë arsye edhe është vështirë të shkruash për mikun, për shokun, për njeriun, me të cilin kemi rrugëtuar bashkë për një ideal, për ta lumturuar kombin e atdheun duke e quar përpara kulturën edhe vlerat e saj. E, në këtë rrugë madhështore por të rëndë e të dhembshme e “kalëruam” jetën, ose, ajo nga ngarkoi mendjen dhe shpirtin, që në asnjë moment të mos jemi të qetë. Pra, Fatmir Bajraktari, as sot dhe as kurrë nuk e pranoj se ke ikur nga kjo botë, sepse, tash, në këtë kohë nuk e meritoje! Dëshiroja që edhe pak të japim diçka për kulturën e për muzikën, që Ti aq shumë e kishe për shpirt, mbase edhe pjesë të jetës dhe frymëmarrjes. Bile, më ka “ngelur” hatri, sepse disi ike tinëzisht për të na lënë përgjithmonë të etur për atë fjalën tënde të ëmbël, për atë zërin karakteristik dhe atë shkrumbin që e kishe për t’i dhënë nam muzikës, jo vetëm në Pejë.

Fatmir, sot më ke detyruar që edhe në këtë formë kaq të rëndë e të tmerrshme nga malli, të bisedoj me ty për shumëçka, që vërtetë na ngelën të parealizuara, na ngelen si flutura që shkojnë nga lulja në lule për ta madhështuar natyrën, por që, sot vetëm letra mund t’i durojë si kujtim, e ndoshta edhe si qortim për shoqërinë.

Dhe, do t’i hy radhazi disa nga kujtimet që më përcëllojnë, dhe se kur i fus në rrethin e vargut tim poetik, djersitëm, ndërsa shpirtin e maltretoj duke i thënë, se Fatmiri, kurrë nuk është e vërtetë se ka ikur! Që në rini, e “ngatërrove” shpirtin me këngën për ta bërë të lumtur njeriun, për t’i forcuar themelet vlerave muzikore dhe kulturore, të cilat i kemi ruajtur dhe i kemi quar përpara si thesarin më të çmuar të njeriut dhe të shpirtit e mendjes së tij. Dhe, në këtë drejtim, Fatmir, do t’i përmend vetëm disa gjëra më karakteristike, të cilat i kishim ëndërr për t’i realizuar dhe për t’ia dhuruar qytetit tonë të bukur, Pejës.

Zëri yt, që në rini nuk të la rehat derisa e ndërtove madhështinë e të kënduarit të veçantë, me të cilin ua pushtove zemrat dhe shpirtin qytetarëve, i madhështove muret e shtëpive dhe lagjet e qendrën e qytetin me tingujt aq madhështor dhe engjëllor e të rrallë prej këngëtarit. Kjo ishte diçka e madhe, që duhej ta çmonte qyteti e ta mbështeste shoqëria, që zëri e kënga jote të depërtonte edhe jashtë Pejës, edhe jashtë Kosovës, edhe jashtë trojeve shqiptare, sepse, këtë e meritoje, por shoqëria jonë është ashtu siç është…! Por, Fatmir, nuk e kam besuar se do vjen koha që të drejtohem në këtë mënyrë; se kënga jote i jepte kuptim dhe shpirt koncerteve të shumta muzikore, siç ishin “Netët e Dukagjinit”, “Zambaku i Prizrenit” dhe shumë të tjerë. Koncertet e shumta, por edhe skena pa ty ishte e mangët, sepse, zemra dhe shpirti yt ishte i përkushtuar për t’i dhënë kultin dhe piedestalin profesional muzikës dhe këngës, për çfarë, puna jote u dekorua me shumë mirënjohje dhe shpërblime të tjera.

Por, Fatmir, e di se këto nuk të bënin shumë përshtypje, ngase, ishim thjeshtë shumë të etur për vlerat e kulturës, bile, edhe atëherë kur ishte shumë vështirë edhe brenda vetvetes të mendosh e të veprosh për diçka të mirë…!

Më kujtohet e që në të njëjtën kohë më dhemb, kur u angazhuam me mish e shpirt për themelimin e Kori të Vajzave, për çfarë kishte ngulur këmbë edhe mikja dhe punëtorja e devotshme e muzikës, Syzana Jakupi. Dhe, ia dolëm, duke ushtruar pothuaj nëpër vende të ndryshme në mungesë të lokalit. Sa të rritej shpirti e zemra na behej mal, kur ky kor me punën e vetë ecte mbarë, e aq më tepër kur e dinim se ishte kori i parë i vajzave në Kosovë, atje diku në kohërat e rënda e plot ankth të viteve 1990. Fatmir, në atë kohë ishim të pezmatuar e të mllefosur por edhe të mërzitur, sepse, nga regjimi e kishim të ndaluar të organizonim koncerte në lokale publike. Mirëpo, koncertet e Korit të Vajzave në ambientet e Kishës Katolike në Pejë, ishin edhe historik, edhe madhështorë, por edhe momente historike që për gjeneratat e ardhme provokojnë për t’i vlerësuar ato suksese në ato rrethana.

Ike, kur edhe stina e vjeshtës ngadalë filloi t’i sjellë motivet e mallit dhe të dhembjes!

Pse or Fatmir, me mungesën tënde më detyrove të rrëfehem kaq habitshëm, kaq me shpirt të lënduar për rrugëtimin tënd, i cili rrugëtim, sa herë që jemi takuar, përherë më ke pas “lodhur” me bisedat për këngën e kulturën. Por, të kuptoja, sepse, e dija se ti e ke shpirtin, zemrën dhe mendjen këngë e urti. Realizove shumë këngë, të cilat ta dhanë epitetin “Frenk Sinatra” i Pejës, dhe zëri yt kërkohej dhe pëlqehej në çdo mjedis. Andaj, nuk pate të drejtë Fatmir që kështu të ikësh dhe nga le më zemër plotë dhembje e hidhërim…!

A të kujtohet, kur në ato rrethanat e shtypjes dhe të robërimit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit kaluar, me shumë sakrifica e themeluam Lidhjen e Veprimtarëve të Kulturës Pejane. Edhe, themeluam! Dhe, Ty të caktuam me zemër e shpirt në krye të këtij asociacioni. Filluam mbarë dhe mirë, arritëm edhe shumë suksese në atë kohë të “zezë”! Por, ky sukses, për habi, shumëkënd e pengoi dhe nga smira tentuan të na rrënojnë, por nuk munden, sepse, ishim të pastër dhe me zemër e shpirt për të mirën e kombit dhe të atdheut. Por, për këtë, tash nuk do flas…! Sepse ne ecnim tutje mirë e pa u frikësuar nga askush.

Fatmir, nuk pushove, u kyçe edhe në Oktetin e Burrave, edhe në Korin e qytetit, të cilin atëherë edhe tash, edhe pse i ri me moshë, e udhëheq njeriu i madh i vlerave muzikore, Memli Kelmendi. Edhe aty ishe oksigjen për punën e mirë dhe profesionale. Prandaj, pse ike ore burrë dhe na le me duar të hapura nuk di se kah, ndoshta kah qielli, për të parë Ty atje si engjëll, që edhe bota krenohet me ty.

Ti, Fatmir Bajraktari, ike nga kjo botë me 03 shtator 2020, ishte ditë e shtune, në muajin kur çdo gjë ringjallet, por edhe kur stina e vjeshtës ngadalë i sjellë motivet e mallit dhe të dhembjes, kurse fillimi rënies së gjetheve shton mërzinë se diçka po ikën e që nuk kthehet kurrë më. Por, trupi yt u përcoll për të pushuar në tokën e Kosovës, me këngë, ashtu siç e meritoje ti, edhe pse ligatina e Coronavirusit na plasi zemrat edhe më shumë që nuk mund të të përcillnim edhe më mirë, e me atë dufin e shpirtit dhe të zemrës…!

Ja, Fatmir Bajraktari, Ti, Frank Sinatra i Pejës,  unë kësaj radhe kaq munda, kaq u shkrumbova por edhe u krenova me ty. Pusho i qetë në tokën e Pejës, në tokën e Kosovës, ashtu i qetë dhe i buzëqeshur siç ke qenë gjithmonë…!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok