PSE MANDATI I TRETË PËR RAMËN NGJAN I PAMUNDUR

0

NGA NDUE DEDAJ

Mundësia e marrjes së një mandati të tretë nga mazhoranca e sotme qeverisëse nisi të artikulohej si diçka e natyrshme nga lidershipi i PS-së dhe mbështetës të saj në media etj., pa kurrëfarë analize paraprake. A thua se qeveria Rama është në drejtim prej tetë mujsh dhe jo prej tetë vitesh. Duhet shoshitur bindshëm qeverisja dymandatshe e “Rilindjes”, që të mund të besohet në suksesin e saj pas 25 prillit 2021. Pa u ndaluar te militantët, të cilët arritjet nuk ia blatojnë Partisë Socialiste, por shefit të qeverisë. “Rroftë e qoftë Edi Rama, që ka bërë këto e ato vepra”, shprehën ata në rrjetet sociale. Një personalizim të tillë të unit të udhëheqësit edhe propaganda moniste mundohej ta shmangte.

Por nuk është i rastit ky soj ligjërimi. Ka dy mandate që në pushtet nuk është PS tradicionale, por qeveris Kryministri Rama me një dorë të vetësh. Këtu fillon dhe numërimi mbrapësht për këtë mazhorancë. Socialistët, që kanë bërë betejat e të majtës në vite, sado që duan t’i qeverisë një forcë me shenjat e saj, nuk mund të jenë të motivuar për një mandat të tretë për “Rilindjen” me mveshje të majtë, kur realisht nuk janë ata në qeverisje. Nuk e dimë se ku i pikon çatia mazhorancës, por lexuesi ka mbamendje dhe e kujton se si kreu i socialistëve, kur po shpallte fushatën elektorale, pak muaj më parë, shprehu hapur pakënaqësinë për të vetët, çka pastaj u fashit, duke e drejtuar sërish gishtin nga opozita, me një lehtësi të çuditshme, si të jetë ajo që ka në duar lokomotivën e pushtetit.

Po pse mandati i tretë për këtë mazhorancë nuk duket i mundur? Nëse do t’i shënonim shkaqet me: së pari, së dyti, së treti, me siguri që nuk do të ndalonim pa shkuar te numri dhjetë. Futja e vendit në Europë ka qenë kryefjala e fushatës elektorale të PS-së për ardhjen në pushtet në vitin 2013. Kemi kaluar kaq etapa të djegura pa ndodhur hapja e negociatave për në Bashkimin Europian. Zonja Merkel deklaroi se Shqipëria nuk ishte gati as këtë dimër për të nisur rrugëtimin drejt BE-së. Po ashtu dhe eurodeputetët. A ka qeveria një shpjegim për këtë? Po Presidenti i Republikës, që, në vend që të bëjë shtetarin, bën opozitarin? Si mund të të pranojë Europa pa Gjykatën Kushtetuese? Kaq të vështira qenkan procedurat (labirinthet!) për ta ribërë atë? Ambasadorja amerikane e ka vënë cakun, brenda 31 dhjetorit.

Ndryshimi bëhet i domosdoshëm dhe për faktin se në Shqipëri, për shkak të rrethanave që u krijuan, pas daljes të opozitës nga Kuvendi dhe nxitimit të shumicës për ta sajuar tashmë Kuvendin e braktisur, të përgjysmuar, është “instaluar” një pushtet i gjithi monist, nga kryeplaku i fshatit te Kryeministri. Aq më tepër që qeveria ka dështuar në reformën territoriale. Në vend që të reformohej administrata, të shkurtohej dhe të bëhej e zhdërvjelltë, ajo është gati dyfishuar krahasuar me vitin 2013, ku, nga 90 mijë punonjës që ishte atëherë, numri ka shkuar në 170 mijë. Kujt i duhet kjo armatë nëpunësish hapërdarë zyrave, përpos pasja e një “ushtrie” nën komandë për qëllime elektorale. Pra, është sakrifikuar shteti për pushtetin.

Ajo që është më e rënda, nuk ka asnjë raport ndërkombëtarësh për vendin tonë që nuk na rendit ndër vendet më problematike të rajonit sa i përket krimit gjithfarësh dhe korrupsionit kancerogjen, ku janë përfshirë zyrtarë të të gjitha niveleve, ministra, gjykatës të lartë dhe kushtetues, kryebashkiakë e deri tek polici i thjeshtë, që jo vetëm të fut dorën në xhep, por e njeh veten për zot në raport me qytetarin, duke arritur deri aty sa të qëllojë për vdekje mbi të. Protestat e fundit në Tiranë dhe rrethe, me shkas vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një punonjës policie, treguan ndjeshmërinë e lartë njerëzore dhe reagimin e fortë qytetar për gjendjen e rendit publik, si pakënaqësi e hapur ndaj qeverisë.

Ndërkohë, kemi një Shqipëri që nuk prodhon, por vetëm konsumon, betonon, ngre pallate pafund në qytete, por jo ferma prodhuese bujqësore e blegtorale në fshatra. Tek ne nuk sheh ara të punuara e të mbjella si në Kosovë etj.  Bashkitë e mbytura ne borxhe shpenzojnë për të “mbjellë” pemë derokrative në prag të festave të fundvitit, por jo për pyllëzimin dhe pemëtarinë. Qeverisja e vendit nuk është transparente lidhur me pasuritë publike, të cilat vetëm emrin kanë të tillë, pasi në të vërtetë ato janë thesare të pushtetarëve të vjetër dhe të rinj dhe të oligarkëve. Shqiptarët nuk e dinë se sa fitim kanë ata si individë nga kromi dhe bakri i nëntokës dhe çdo mineral tjetër, kur, si rregull, duhet të dinë dhe se cili do të jetë përfitimi i nipërve të tyre nesër. Jo vetëm kjo që nuk ndodh, por atyre po iu grabitet sy në sy ujët e burimeve, përrenjëve dhe lumenjëve për të ndërtuar hidrocentrale. Aq hermetike është veprimtaria e kompanive minerare dhe atyre hidrocentral-ndërtuese, sa nuk depërton dot asnjë gazetar apo grup xhirimi brenda telave të tyre rrethues.

Shqiptarët vijojnë të ikin, të rinjtë nuk e shohin të ardhmen këtu. Kjo është kambana më e madh e alarmit, sado “përligjies” që mundohet t’i bëjë qeveria kësaj dukurie, se njerëzit ikin atje si dhe ballkanasit e tjerë për një jetë më të mirë etj. Statistikat e përafërta flasin për 300 mijë të rinj të ikur nga Shqipëria apo në udhën e ikjes, aq sa ka qenë shifra e premtimit të punësimit të PS-së kur ka ardhur në pushtet në vitin 2013. Nuk ka njeri normal që para kësaj gjendje të mos thotë, të ikë qeveria nga pushteti dhe jo qytetarët nga vendi. Se qeveritë venë e vijnë, kurse emigrantët si të ngulën me mundim atje ku venë, nuk kthehen më.

Dhe çudia është se vetëm tek ne përgjegjësitë i mosrealizimeve i mvishen opozitës. Ajo ka problematikat e saj si e tillë, por jo të gjendet nën sulmet e pozitës. Të bërit e zhurmuesit nga kushdo qoftë, kinse opozita po na bën dëm me qendrimet e saj, është thjeshtë një taktikë për të larguar vëmendjen nga keqqeverisja në disa sektorë, kryesisht ata ekonomikë. Publiku nuk e beson më diskursin e vjetëruar, që opozita po na i nxin sukseset. Është aktivizuar ligjërimi i 45-ës, me të fituar e të humbur. PD don të marrë pushtetin që e ka humbur (!?) artikulohet pa pikë sensi nga qeveritarët, zyrtarët e lartë, propagandistët e vijës së parë etj., a thua se ka ndodhur një luftë në 2013-n dhe e djathta e ka humbur pushtetin njëherë e përgjithmonë dhe përpjekja e saj për rikthimin në pushtet është si dikur ajo e Ballit Kombëtar e Legalitetit nga emigracioni politik. I fituar apo i humbur në demokraci është qytetari. Ai, para se të shkojë te kutia e votimit, i bie “shkurt”, ore kam fituar apo kam humbur ekonomikisht unë gjatë këtyre dy mandateve qeverisëse të Ramës? Shumë mirë që qytetet janë bërë më të jetueshëm, por nuk ka fabrika dhe punishte ku të punojmë e prodhojmë. Nuk rrohet duke soditur fasadat e hijeshuara e duke shëtitur parqeve të gjelbra me stola, duhet detyrimisht punësim, prodhim, burime jetese, të mira materiale. Populli nuk merret me të mirë, që të dojë patjetër. Qeverisja që nuk është e prekshme për komunitetin dhe individin, është demagogji. Kemi dëgjuar për tridhjetë vite tranzicion udhëheqës të majtë e të djathtë që kurrë nuk kanë folur për kufizim të pushtetit të tyre ekzekutiv me Kushtetutë, si në botën perëndimore, ndaj është për t’u përshëndetur deklarata e kreut të opozitës, Lulzim Basha, për kufizimin e mandateve të Kryeministrit në dy.

Epilog. Në titrat e mëngjesit lexohet se një fallxhore në Tiranë ka mashtruar një qytetare, të cilës i ka marrë një shumë të madhe parash. Kjo puna e zgjedhjeve të ardhshme nuk është si puna e “fallxhores”, m’i jepni mua votat, pa do të shihni se si do të nusëroj, në rastin e kësaj mazhorance, për herë të tretë!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok