PSE SHQIPTARËT PO E VRASIN VETËVETËN

0

Nga Dedë Preqi

Pse po shqetësohet sot populli shqiptar, sigurisht se ngjarjet tragjike të pasluftës, sidomos vrasjet ndaj njëri-tjetrit po ia japin mesazhin më të keq dhe më të vrazhdë këtij populli dhe vendi, kur  liria dhe demokracia të përqafuara nga shqiptarët po vritet nga pushkët e veta, ndërsa bota e qytetëruar flet, shkruan dhe na tërheqë vërejtjen për çdo ditë, sikur po dëshmojmë se akoma shqiptarët e këtij vendi nuk janë në gjendje të qeverisin me demokracinë dhe vetëvetën.

Udhëheqja e shumicës shqiptare në Kosovë, liria dhe paqa, janë si dy faqet e një monedhe të argjendt në këtë vend, dhe duhet ta pranojmë se nuk do të kemi kurrë paqë dhe as stabilitet, apo këtë ta presim si dhuratë nga qielli, nëse atë nuk e pranojmë dhe krijojmë  vetë këtë realitet në mesin tonë dhe ndaj njëri-tjetrit.

Nëse duhet ta fajësojmë Evropën, se akoma nuk e ka bashkuar zërin e vet të vërtetë për Kosovën, dhe qytetarët e saj po e paguajnë çmimin e lartë të kësaj neglizhence që të barazohet dhe rënditet me kombet dhe vendet tjera të rajonit dhe botës, ndoshta së pari për të gjitha këto politika dhe të padrejta duhet në rend të parë t’i bëjmë kritika vetëvetës, sepse pyetja e parë vjen, se ç’farë po bëjmë ne për vetëvetën, pastaj ti akuzojmë të tjerët për prapambetjet tona.

Nuk është vështirë ta kuptojmë cila është përshtypja e popullit të këtij vendi dhe përshtypja edhe e tjerëve e botës së qytetëruar, kur me ngjarjet tona të pa matura dhe tragjike e vrasim vetë ardhmërinë e këtij vendi, vrasim nxënësit, studentët, fëmijët, gruan dhe njerëzit e gjakut të këtij  populli, duke e lënduar shpirtin e tij deri në palcë, i cili i ka të hapura dhe të pa shëruara akoma plagët e luftës së fundit në trup dhe shpirt nga armiku shekullor, ndërsa kjo që po ia shkakëtojmë vetëvetës, kujna duhet ti kërkojmë hak, apo kënd duhet ta akuzojmë.

Pse shqiptarët në një mënyrë po e vrasin vetëvetën, pse ky popull po rrezikon me të ardhmën e vet dhe po bëhët armik i vetëvetës, siq thoshte me një fjalë edhe i madhi Faik Konica, armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët.

Çfarë mesazhe po u përçojmë fëmijëve tanë, të u flasim për minierat e mrekullueshme të tokës tonë,  dhe në ato vlera që duhet të rriten e të përshtaten moshës së tyre, por jo, ndoshta edhe duke i çmendur me ngjarje të tilla tragjike dhe të turpshme, shprehje që e nënçmojnë dhe e përqeshin këtë shoqëri, duke e frikësuar dhe abuzuar të ardhmën dhe shpresën e kësaj rinie.

Vetëm në kohën e pas luftës në Kosovë, kemi me qindra vrasje ndërshqiptare me motive të ndryshme si edhe me motive politike, ku sëcili prej nesh e ka përgjegjësinë që të përmbush një zbrazëti sa do të vogël, por me domethënje të madhe, duke i mohuar dhe refuzuar veprat dhe njerëzit e tillë, pa marrë parasysh përkatësinë, gjininë dhe ideologjinë politike, duke e ditur se jemi vetëm të një përkatësie kombëtare dhe të një lidhje gjaku.

Në të njëjtën shkallë të krimeve dhe vrasjeve padyshim gjendet edhe Shqipëria, mos ndoshta na e ka kaluar marrëzinë dhe turpin me vrasje të përditshme, ku në një masë të madhe tragjeditë e tilla ua përcaktojnë fatin me qindra viktimave të pafajshme, ndër ta edhe shumë fëmijëve, sikur ishte edhe rasti i fundit, vrasja e 8 vjeqarit nga Fieri, sikur askush nuk ka mundur t’ua gjejë fundin të zezave të tmershme njerëzore, por që këto po i plotësojnë dhe realizojnë vetëm shqiptarët ndaj njëri-tjetrit.

Në kohën e fundit patëm edhe rastin më tragjik, ku vrahen tre përsona nga komuna e Deqanit, drejtuesi i autobusit dhe dy nxënës shkollor, të cilët ktheheshin prej shkolle në shtëpitë e tyre, e kujna ishte ajo dorë e zezë dhe e kobshme, që gjuajti mbi trupin e tyre të njomë, ndoshta dyshimet shkojnë në shumë drejtime, por sikur ta kishim një ndërgjegje të pastër, të ndershme e kombëtare, së paku nuk do e kishim ngritë dorën ndaj këtyre të rinjëve në lulen e rinisë, apo ndaj ardhmërisë së këtij vendi, edhe pse nuk është zbuluar se autori, apo autorët janë apo nuk janë shqiptarë, por edhe më keq nëse ua plotësojmë armiqëve urdhërat dhe planet e tyre përmes këtyre akteve kriminale.

Sikur ne shqiptarët, nuk po ia lejojmë vetëvetës të dimë dhe të kuptojmë se ç’është jeta, ç’është demokracia dhe shteti ligjor, dhe ta shijojmë jetën si njerëz normal, atëherë pse duhet të vuajmë kështu pa nevojë dhe pastaj të kërkojmë ilaçe për shërim, kur vetë e shkakëtojmë virusin e shkatërrimit dhe sëmundjen e kësaj shoqërie, e humbasim mendjen dhe kontrollen mbi vetëvetën, sikur kemi frikë të jetojmë të lirë dhe pa shqetësime, dhe nuk e pyesim vetën se ç’po bëjmë, duke e akuzuar vetëm të kaluarën, sikur ndjehemi të pafuqishëm përpara së tashmës dhe të ardhmës tonë, duke dyshuar te të tjerët, por mbi të gjitha të dyshojmë njëherë te vetëvetja, sepse kjo që vjen mbrenda nesh, është duke na lënë mbrapa, apo është dëm për një shoqëri njerëzore që ekzistojmë vallë vetëm sa për të përmbushur një vend në këtë hapësirë të botës.

Athua pse shqiptarët po e vrasin vetën, ndoshta se jemi njerëz të padurueshëm me vetëvetën,  ndërsa me armikun jemi më të butë, apo jemi të vetmet krijesa që dimë të respektojmë të tjerët dhe gjakun tonë e mohojmë, duke qenë sëcili për njëri-tjetrin sikur një atom i vogël dhe sa herë farkohemi në mes vete, sikur dëshirojmë të zbrazëmi pa e llogaritur se kemi nevojë për njëri-tjetrin në çdo kohë dhe moment, sepse kështu mund të mbetëmi gjithëherë të përçarë dhe në harresë si njerëz të një gjaku dhe të një gjëneze, përndryshe kjo është si një lloj vdekje për së gjalli, kundër sëcilës jemi të detyruar të luftojmë me gjitha forcat dhe kapacitetet tona kombëtare dhe njerëzore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok