‘Qeveria Kurti 2’ para sfidave të mëdha!

Shkruan: Florim Zeqa

Qeveria e posaformuar me legjitimitetin më të lartë qytetarë dhe me përgjegjësitë më të mëdha historike historike në këto 22 vjetët e fundit, para vetës ka sfida të mëdha dhe të panumërta, si; pandemia, recesioni ekonomik, sistemi i drejtësisë, arsimi, shëndetësia, e deri tek politika e jashtme, përkatësisht vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, i pa alternativë

Finalizimi i procesit të negociatave Kosovë–Serbi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jenë sfidat e para me të cilat do të përballet kryeministri i ri Albin Kurti, pa anashkaluar pandeminë dhe premtimin elektoral për luftimin e krimit të organizuar dhe i korrupsionit, nepotizmit dhe haraçit legal dhe ilegal në institucionet e larta shtetërore.

Padyshim reformat në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë do të jenë të vështira dhe të mundimshme për kryeministrin e ri. Por, përballja e dialogut Kosovë–Serbi do të jetë sfida më urgjente dhe e pashmangshme para së cilës do të ndodhet ‘Qeveria Kurti’.

Edhe pse Albin Kurti nuk e pëlqen, dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdoj aty ku ka mbetur, pikërisht nga takimi i 4 shtatorit të vitit të kaluar në Washington, me ç’rast u nënshkruan një mori marrëveshjesh me palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e ish presidentit amerikan Donald Trump.

Duket qartë se çasja e Albin Kurtit ndaj dialogut me Serbinë dhe raporteve me bashkësinë ndërkombëtare kanë ndryshuar që në ditën e parë të qeverisjes.

Përderisa gjatë fushatës, Albin Kurti dialogun me Serbinë e konsideronte si prioritet të katërt apo të gjashtë, pas marrjes së detyrës e ka prioritetin e parë dhe të pashmangshëm.

Albin Kurti nuk i ka më as qëndrimet e ngurta dhe kushtëzimet që kishte më parë ndaj Serbisë dhe as gjuhën përjashtuese ndaj përfaqësive diplomatike të akredituara në Kosovë.

Do ta ketë të vështirë Albin Kurti t’u bëjë ballë obligimeve ndërkombëtare me të cilat e kanë ngarkuar Kosovën pararëndësit e tij dhe ta mbajë në binarë procesin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe arritjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Përafrimi i Albin Kurtit me SHBA dhe BE, e vetmja rrugë e duhur

Pas pranimit të detyrës, kryeministri i ri vendit Albin Kurti me legjitimitetin më të lartë qytetarë në këto dy dekadat e fundit nuk guxon të sillet me inidiferencë ndaj nismave dhe zhvillimeve politike rreth vendit tonë.

Përafrimi i shpejtë dhe sa më parë i kryeministrit Albin Kurti me administratën e re amerikane dhe institucionet e BE-së për përmbylljen e dialogut me Serbinë do të shkon në funksion të parandalimit të nismave serbo-ruse ndaj Kosovës.

Çdo vonesë e Albin Kurtit në atë drejtim, do t’i linte rrugën hapur projektuesve të skenarëve të tjerë ogurzi ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Përfundimisht duhet të ndërroj çasja e Albin Kurtit si opozitarë ndaj dialogut me Serbinë, tani e tutje ai duhet të sillet me një përgjegjësi më të lartë prej lideri shtetërorë në raport me bashkësinë ndërkombëtare, e në veçanti ndaj SHBA-ve, sposorizuesit kryesor të lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Në asnjë rrethanë Albin Kurti nuk guxon t’i përserisë gabimet nga qeverisja e kaluar, por duhet të jetë kooperativ dhe bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare, për të mirën e shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kthimi i gjërave në krahun pozitiv

Na mbetet të shpresojmë në përmbylljen e suksesshme të krijimit të institucioneve me zgjedhjen e presidentit në Kuvend, për të vazhduar ‘Qeveria Kurti 2’ punën normale në përmbushjen e të gjitha obligimeve kushtetuese dhe premtimeve elektorale, në të kundërtën, mos-zgjedhja e presidentit kosensual mund ta çojë përseri vendin në zgjedhje dhe do ta kthente situatën në pikën zero, gjë të cilën nuk e dëshirojnë qytetarët e vendit dhe as miqtë tonë ndërkombëtar.

Na mbetët të shpresojmë se forcat e reja politike të ardhura në pushtet do të kenë krejt qasje tjetër politike karrshi shtetndërtimit dhe mirëqenjës së qytetarëve.

Mbetët të shihet se a kanë kapacitetin dhe forcën e duhur drejtuesit e rinjë shtetërorë që ta kthejnë në rrugë të mbarë politikën e jashtme, gjegjësisht rikthimin e njohjeve dhe integrimin e Kosovës në BE dhe OKB.

Mbetët të shihet kapaciteti dhe energjia e pushtetarëve të rinjë për kthimin e gjërave në kahun pozitiv e jo të hakmarrjes politike dhe rikapjes së shtetit.

Vizitat e shpeshta dhe të rreshtura të Albin Kurtit tek varrezat e dëshmorëve dhe personaliteteve markante, për më tepër si ndjesi dhe përkujdesje ndaj tyre, duket si retorikë e trashëguar nga pushtetet e kaluara.

Aq shumë punë ka para vetës Albin Kurti dhe qeveria e re, saqë nuk kanë kohë të merren me engjujt në parajsen e tyre, por duhet të merren me urgjencë me shpëtimin e jetës së të gjallëve nga pandemia vrastare dhe zgjidhjen e mijëra problemeve të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube