Qeveria, pro shtyrjes së afatit për pronat

Kryeministri Berisha ka pranuar që data e dorëzimit të dokumentave nga pronarët të shtyhet, pasi afati i fundit i dorëzimit të dosjeve ka qenë dita e djeshme, 1 tetori. Ky reagim i kryeministrit erdhi pas kërkesës së kreut të Grupit republikan, Arian Madhi, bërë Kuvendit për shtyrje të afatit të dorëzimit të dosjeve nga ana e pronarëve. Kreu i qeverisë tha se ai vetë është dakord që Parlamenti të marrë këtë vendim për shtyrje, por, sipas tij, çdo shtyrje me afate të stërzgjatura është joproduktive dhe nuk i shërben procesit. "Ka një kërkesë në Parlament për çështjen e pronës. Unë nuk jam kundër, Parlamenti le të shqyrtojë, nuk kam ndonjë kundërshti që të zgjatet afati, por një gjë kam dhe po jua them, zgjatjet e tepruara janë absolutisht kundërproduktive". Kryeministri nënvizoi: "Unë si qeveri jam dakord me çdo zgjatje që ju të bëni si parlament. Caktoni afatin dhe ju them qëndron, vetëm një gjë që zgjatjet e mëdha nuk i shërbejnë procesit. Po të votojë parlamenti, qeveria është dakord". Partia Republikane, nëpërmjet kryetarit të Grupit të saj parlamentar, Arian Madhi, ka deklaruar dy ditë më parë që afati që vendoset nëpërmjet vendimit të qeverisë, 1 tetori, për dorëzimin e dokumentave nga pronarët është mjaft i shkurtër dhe në këtë kontekst, ai ka kërkuar shtyrjen e tij. "Për mjaft pronarë do të ishte e pamundur që të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar brenda datës 1 tetor 2007 dhe në bazë të ligjit aktual, ata do të humbasin të drejtën e pronësisë", tha Madhi. Ai theksoi se "pamundësia e pronarëve për të realizuar kërkesat brenda datës 1 tetor, në përputhje me ligjin aktual, do t'u hiqte mundësinë e gëzimit të së drejtës mbi atë pronë që ata mund ta kenë patur të trashëguar apo mund ta kenë patur pronë të tyre".

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube