QIRIRI QË NUK SHUHET – NAIM FRASHËRI

120-vjetori i vajtjes në pavdekësi të apostullit të shqiptarizmit

Nga Xhelal Zejneli

Vëllezërit Frashëri, në fund të shekullit XIX, me veprën e tyre i dhanë frymëzim e forcë lëvizjes së Rilindjes Kombëtare. Ndihmesat e tyre qenë të larmishme nga njëra-tjetra: Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte politikan, Naim Frashëri – poet, ndërsa Sami Frashëri (1850-1904) qe ideolog dhe dijetar. Që të tre vëllezërit e fshatit Frashër të Shqipërisë së jugut patën një gjë të përbashkët: aspiratën e madhe dhe dëshirën e zjarrtë për vetëvendosjen e popullit shqiptar që vuante nën zgjedhën turke.

Këta janë bijë të prindërve Halid Frashërit (1797-1859) dhe të Emine Imrahorit (1814-1861). Pas vdekjes së prindërve, familje aristokrate Frashëri, në vitin 1865, nga fshati malor i Frashërit u shpërngul dhe u vendos në Janinë ku djemtë më të vegjël ndiqnin shkollën e mesme Zosimea në gjuhën greke.

Naim Frashëri (1846-1900) konsiderohet sot poet kombëtar i Shqipërisë. Është poet, mendimtar iluminist, veprimtar i arsimit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes Kombëtare. Lindi në Frashër të Dangëllisë më 25 maj 1846 në një familje bejlerësh të rrënuar. Mësimet e para i mori në vendlindje. Fëmijërinë e kaloi në fshatin Frashër, ku në teqenë bektashiane nisi të mësojë turqishten, persishten dhe arabishten. Në Janinë Naimi ndoqi gjimnazin Zosimea. Këtu mori bazat e shkollimit klasik sipas sistemeve perëndimore. Këtu ai studioi greqishten e vjetër e të re, frëngjishten, italishten. Përveç tyre, mësoi privatisht edhe gjuhët orientale. Me kalimin e viteve e ndjeu veten më të afruar e të lidhur me fenë e tij panteiste bektashiane, me poetët klasikë persianë si dhe me epokën e iluminizmit frëng. Shkollimi në Janinë e bëri atë shembull të dalluar të një intelektuali të fundit të shekullit XIX, të familjarizuar me të dyja kulturat, me atë perëndimore dhe me atë orientale.

Në vitin 1870 e kreu shkollën e mesme. Pas kësaj jetoi për ca kohë në Stamboll ku botoi librin “Gramatikë e persishtes me një metodë të re”, 1871. Për arsye shëndetësore u kthye në Shqipëri, me shpresë se klima malore do ta shpëtonte nga tuberkulozi nga i cili qe sëmurë në fëmijëri. Punoi si nëpunës, në fillim në Berat, kurse në vitet 1874-1877 si nëpunës dogane në Sarandë, përballë Korfuzit. Në këtë kohë bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, të paktën nga viti 1873, kur njohim të parën vjershë të shkruar në atë gjuhë e të përfshirë në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitin 1885.

Një kohë të caktuar Naimi ka kaluar edhe qendrën kurative austriake të Badenit për t’u shëruar nga reumatizmi. Gjatë një vizite në Vjenë pati rastin të shohë me sytë e vet e të adhurojë shpatën përkrenaren e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468), simbole këto të qëndresës kombëtare.

Në vitin 1881 apo 1882 Naimi u kthye në Stamboll. Pas arrestimit të vëllait Abdylit në Janinë në fund të muajit prill të vitit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip, që ishte themeluar në vitin 1879. Deri në këtë kohë Naimi nuk kishte botuar gjë me rëndësi në gjuhën shqipe. Megjithëkëtë, ai dhe i vëllai më i vogël Samiu shumë shpejt do të bëheshin qendra e lëvizjes kombëtare shqiptare në brigjet e Bosforit.

Naimi mori pjesë në ngjarjet e organizatës së parë politike dhe ushtarake me frymëzim patriotik – Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Ishte në krah të vëllait të madh, Abdylit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare, në Frashër, në vitin 1878. Ndikimi i fuqishëm i këtyre ngjarjeve dhe i veprimtarisë atdhetare e kulturore të Shoqërisë së Stambollit në krye të së cilës ishte Samiu, e përfshinë tërësisht në lëvizjen kombëtare. Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë kombëtare si dhe për ngritjen e shkollës shqipe dhe pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Në vitin 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi fillimisht si anëtar e më pas kryetar i Komisionit të botimeve pranë Ministrisë së Arsimit. ishte një ndër themeluesit kryesorë i revistë “Drita” që më pas u quajt “Dituria”. Aty i botoi krijimet e para të tij, poezi, proza diturore e vjersha për shkollat e para, si dhe shqipërime. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij atdhetare e kulturore, Naimi u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”. Vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe në vitin 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.

*   *   *

Për më pak se njëzet vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Është autor i gjithsej njëzet e dy veprave: katër në turqishte, një në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqip. Duke qenë se ishte në një post delikat si drejtor i këshillit të censurës në Ministrinë e Arsimit të Turqisë, me mundësi në disa raste për t’i bërë bisht ndalimit të librave dhe botimeve në gjuhën shqipe nga ana e Portës s Lartë, Naimi e pa të arsyeshme të mos e përdorte emrin dhe mbiemrin në shumë nga botimet e veta, por të shënonte vetë: “nga N.H”; “nga N.H.F.”; ose “nga N.F.”.

Ndër botimet në gjuhë të huaj që mbizotëruan në periudhën e parë të krijimtarisë e që mbetën pjesë përbërëse e veprës së tij gjatë gjithë jetës, janë “Shpikje dhe zbulime” A. H., Stamboll 1881/1882 – traktat shkollor në turqishte; “Katër stinët”, Stamboll 1883 – një përmbledhje prozash e vargjesh në turqisht sipas një vepre të letërsisë frënge; “Ëndërrime”, Stamboll 1884 – përmbledhje 200-faqesh me poezi persiane; “Iliada”, Stamboll 1886 – përkthim turqisht i librit të parë të “Iliadës” së poetit antik grek Homerit (shekulli VIII para K.); “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, Bukuresht 1886 – poemë në greqisht ku iu parashtruan qëllimet e lëvizjes kombëtare grekëve e sidomos shqiptarëve të jugut; “Dashuria”, – poemë lirike me tetë këngë, në greqisht, ku ai shprehte afrinë e tij me kulturën greke.

Supozohet se krijimtaria e Naimit në gjuhën shqipe ka filluar rreth vitit 1880, kur poema e tij atdhetare “Shqipëria” qarkulloi në dorëshkrim ndër nacionalistët shqiptarë jashtë vendit, sidomos në Rumani. Kjo vepër me 106 vargje tetërrokësh, u botua shumë më vonë, përkatësisht në vitin 1897, në vitet e fundit të jetës së poetit. Naimi këtu trajtoi shumë nga temat e tij të pëlqyera, ato që do të rishfaqeshin të trajtuara me një nivel më të lartë artistik në krijimet e mëvonshme: prejardhja e lashtë pellazge e shqiptarëve, heronjtë kombëtarë të së kaluarës, nevoja për shkolla në gjuhën shqipe për të kapërcyer prapambetjen, etj. Në poemën e sipërthënë Naimi i shpalli idetë poetike atdhetare që u bënë lajtmotiv i veprës së tij dhe i gjithë poezisë s Rilindjes.

Meqë Porta e Lartë nuk lejonte botimin e librave në gjuhën shqipe në Stamboll, veprat më të mirënjohura të Naimit nuk u botuan në qendrën e Perandorisë Osmane, por në Bukuresht, ku kishte një ngulim të rëndësishëm dhe të zhvilluar shqiptarësh dhe ku më 1886 ishte ngritur një shtypshkronjë shqiptare nga Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip.

Po kështu ai botoi një varg doracakësh në gjuhën shqipe për shkollat fillore, si p. sh. tekstin apo librin në dy pjesë me copa këndimi për mësonjëtoret “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, Bukuresht 1886; “Vjersha për mësonjëtoret e para”, Bukuresht 1886; dhe tekstet diturore “Istori e përgjithshme për mësonjëtoret të para”, Bukuresht 1886; “Istori e Shqipërisë” (1899) dhe “Gjithësia” (1895) me njohuri për historinë dhe për shkencat e natyrës si dhe librin me mësime morale “Mësime” (1894). Ai ushtroi gjithashtu gjithë ndikimin e vet për marrjen e autorizimit që lejonte hapjen e së parës shkollë fillore në gjuhën shqipe në Korçë më 1887.

Edhe përmbledhjet poetike më të njohura të Naimit u botuan në Bukuresht. “Bagëti e bujqësija”, Bukuresht 1886, është një poemë baritore me 450 vargje, që të kujton poetin romak   Virgjilin (Publius Vergilius Maro, 70-19 para K.) me plot shëmbëlltyra e tablo të atdheut të tij malor. Ajo u bë jashtëzakonisht popullore ndër bashkatdhetarët e poetit dhe u fut në Shqipëri fshehtas me karvanët e udhëtarëve. Në të poeti shpreh pakënaqësinë për jetën në qytet, pa dyshim nga përvoja e vet në brigjet zhurmëmëdha të Bosforit, si dhe idealizon fshatin e largët shqiptar për të cilin e ka zhuritur malli. Poema është një himn për natyrën në traditat e romantizmit evropian, por njëkohësisht me thelb realist e tokësor e ku, ashtu si poeti grek Hesiodi (në kapërcyell të shekullit VIII në VII para K.) në veprën “Punët dhe ditët”, Virgjili “Gjeorgjikët” (Për bujqësinë) apo poeti i madh lituanez i shekullit XVIII Kristijonas Donelaitis (1714-1780) në veprën e tij disi më pak idilike “Stinët”, Naimi u këndon tufave të dhenve e kopeve të bagëtisë, si dhe gëzimit dhe djersës së jetës fshatare.

Poema “Bagëtia e bujqësija” është një himn i dashurisë për atdhe, i mallit dhe i krenarisë për të. Me këtë vepër ai krijoi imazhin poetik të mëmëdheut të idealizuar në frymën e romantikës nacionale. Poema tingëllon si një thirrje për t’iu kthyer vlerave identitare të vendlindjes, për t’i ringjallur ato dhe bashkë me to për të ringjallur kombin. Bartës i këtij misioni, Naimi në vetëdijen e kombit u njëjtësua me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë e tij e të atdheut të robëruar.

Naimi ishte njeri i Rilindjes dhe vepra e tij bashkonte idealet politike të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Lirikat e tij të mendimit me një përmbajtje universale janë meditacione në frymën e panteizmit filozofik për thelbin e jetës njerëzore dhe të fshehtat e shpirtit e shpirtit njerëzor, për qenien dhe mosqenien, jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, perëndinë dhe gjithësinë. Mendimi i tij poetik herë ngrihet në qiejt e frymëzimit mistik dhe ngjitet në zonat e religjionit dhe të kozmogonisë, herë zbret në thellësitë e shpirtit njerëzor (“Luletë e verësë”, “Ëndërrime”), duke pohuar një botë të re ndjenjash dhe emocionesh.

Naimi themeloi stilin lirik në poezinë shqipe, i dha jetë të re fjalës shqipe dhe e ngriti atë në rrafshin e poezisë dhe të artit të vërtetë.

Krenaria e një populli që lufton për liri dhe dashuria për Shqipërinë, që e përshkojnë këtë poezi, shprehen përmbledhtazi në hyrje të poemës, vargjet e së cilës çdo fëmijë shkolle në Shqipëri dhe në mbarë trojet shqiptare i di ose duhet t’i dijë përmendësh:

“O malet e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!

Fushat e gjera me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!

………………………………………………………………………..

Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar

Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Në përmbledhjen me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” , Bukuresht 1890, Naimi u këndon bukurive të fshatit shqiptar në njëzet e tri poezi me kumbim të plotë. Këtu filozofia panteiste e edukatës bektashiane dhe ndikimi i klasikëve persianë harmonizohen bukur me idealizmin atdhetar – një krijimtari letrare kjo në shërbim të qëllimeve të identitetit kombëtar. Ndër poezi të tilla janë: Jeta, Koh’ e shkuare, Fyelli, Zëmëra, Të vdekuritë, Bilbili, Gjuha jonë dhe Perëndia. Tipike për prirjen e re filozofike të letërsisë shqiptare që solli Naimi është poezia e tij Shpreh:

“Kam shumë shpresë

Te Perëndia,

Që të mos jesë

Kshu Shqipëria,

Po të ndritohet

Të lulëzohet.

 

Përmbledhja poetike “Parajsa dhe fjala fluturake”, Bukuresht 1894, e botuar së bashku me shkrimet moralizuese “Mësime”, Bukuresht 1894, dëshmuan lidhjen e thellë shpirtërore me heronjtë e së kaluarës dhe me traditat e mistikëve persianë.

Dy vjet më vonë doli “Iliadë e Omirit”, Bukuresht 1896, përkthim shqip i librit të parë të “Iliadës” Homerit, të cilin Naimi e kishte botuar të përkthyer në turqisht dhjetë vjet më parë.

Krahas lirikës ai lëvroi edhe poemën epike me përmbajtje nacionale (!Istori e Skenderbeut” dhe poemën me përmbajtje fetare (Qerbelaja). “Istori’ e Skenderbeut”, Bukuresht 1898, është një poemë epike historike prej 11.500 vargjesh që Naimi duhet ta ketë shkruar rreth vitit 1895, në periudhën e fundit krijuese, e që shihte si kryeveprën e vet. Me këtë poemë Naimi i përgjigjej kërkesës së kohës për të pasur edhe shqiptarët, ashtu si popujt e tjerë, eposin e tyre historik. Poema, në vazhdën e traditës barletiane, evokon, me një patos të ngritur patriotik, qëndresën çerekshekullore të shqiptarëve kundër pushtimit osman dhe heroin e kësaj qëndrese, figurën e Skënderbeut. Figura e heroit kombëtar shqiptar, simboli dhe thelbi i qëndresës kundër sundimit të huaj, kishte një forcë tërheqëse të veçantë për intelektualët e periudhës së Rilindjes dhe për njerëzit e thjeshtë. Naimi nuk mund të gjente temë më të mirë për një poemë epike kombëtare se jeta e princit të merituar, që sprapsi shumë fushata ushtarake osmane njëra pas tjetrës në shekullin XV e që mbrojti pavarësinë e vendit të vet deri në fund të jetës. Për këto arsye ajo u bë vepra më e lexuar gjatë Rilindjes. Kjo biografi në rend kronologjik me njëzet e dy këngë e varg tetërrokësh, mbizotëruese në letërsinë gojore, u bë libri më i lexuar i letërsisë shqipe aso kohe. Ajo përbënte edhe testamentin politik të poetit. “Istori’ e Skenderbeut” ishte një vepër themelore e romantizmit kombëtar shqiptar të periudhës.

Një vepër tjetër me përmasa të tilla, e botuar në një vit me “Istorin’ e Skenderbeut” është “Qerbelaja”, Bukuresht 1898, një poemë epike fetare shiite me njëzetepesë këngë, që flet për betejën e Qerbelasë në Irak në vitin 680 të erës sonë, ku u vra Huseini, nip i profetit Muhamed. Me fjalë të tjera, te “Qerbelaja” Naimi tregon në vargje historinë e luftërave qytetare dhe fetare të arabëve pas vdekjes së profetit Muhamed, duke shprehur përmes saj përjetimet e tij religjioze dhe mistike dhe duke poetizuar mitin e sakrificës njerëzore.

Ndryshe nga “Istori’ e Skenderbeut”, “Qerbelaja” është një poemë narrative pa ndonjë hero apo personazh kryesor. Poema të ngjashme në gjuhën shqipe të dy poetëve të rrymës së bejtexhinjve, paraardhës të Naimit, janë “Myhtarnameja” (1868) e Shahin Frashërit (shek.. XIX) dhe “Hadikaja” (1842) e Dalip Frashërit (shek. XIX), të dyja të pabotuara. Për shkak të temës fetare, “Qerbelaja” kurr nuk gëzoi atë popullaritet që pati ndër lexuesit shqiptarë të shekullit XX “Istori’ e Skenderbeut”.

Panteist në bindjet e tij filozofike, e shihte Zotin të shkrirë me natyrën dhe njeriun. Në vitin1896 Naimi botoi në Bukuresht traktatin në vargje Fletore e Bektashinjet” nga ku mund të njohim sektin panteist bektashian. Fletorja përmban një paraqitje hyrëse të sektit bektashian dhe dhjetë poezi fetare që japin një tablo të rrallë për besimin e këtij sekti. Në këtë traktat Naimi paraqiti thelbin e moralit dhe të besimit bektashian si një fe që bashkonte elemente të budizmit, të krishterimit dhe të islamit, ndërsa i jepte përparësi ndjenjës së kombësisë përpara ndjenjës fetare. Koncepti tolerant i bektashizmit të Naimit e largonte këtë besim nga monoteizmi dogmatik që i shërbente centralizmit perandorak të Portës së Lartë. Me besim në rolin e dijes dhe të kulturës për zhvillimin kombëtar dhe shoqëror të shqiptarëve, admirues i iluministëve francezë – poetit, romancierit, dramaturgut, kritikut, publicistit, historianit, përfaqësuesit të shquar të filozofisë iluministe në Evropë Volterit (Voltaire, pseudonim i François-Marie Arouet, 1694-1778) dhe i romancierit, filozofit, teoricienit social-politik Rusoit (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778) si dhe i racionalizmit të filozofit dhe matematikanit francez, shpesh i mbiquajtur baba i filozofisë moderne Rene Dekart (René Descartes, 1596-1650), ai propagandoi idetë e tyre dhe përfshiu në librat e tij për shkollën, mendimin shkencor të kohës, darvinizmin dhe teorinë Kant-Laplasit. Ai kishte besim në arsye dhe në forcën e mendjes njerëzore për të njohur botën dhe për ta vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të gjithësisë. Poet i dritës së qiririt e dinte mirëfilli se “dritë e diturisë, përpara do na shpjerë”.

Bindjet bektashiane të Naimit kanë një ngjyrë të fortë kombëtare. Ai qe i pari që vuri në përdorim një numër termash shqip në vend të termave turqisht të përdorur tradicionalisht nga bektashinjtë shqiptarë: atë në vend të turqishtes baba, gjysh në vend të turqishtes dede me qëllim që t’i jepte orientimit bektashian karakter kombëtar.

Shënim: Pas ndalimit të të gjitha sekteve të dervishëve në Turqi në vjeshtë të vitit 1925, bektashinjtë e transferuan selinë e tyre qendrore në Tiranë dhe themeluan një bashkësi fetare të pavarur, që vazhdoi deri në vitet pesëdhjetë. Kjo bashkësi u shpërnda në vitin 1967, kur një dekret i pushtetit ndaloi të gjitha veprimtaritë fetare në Shqipëri. Pas heqjes së këtij ndalimi, më 27janar 1991 u krijua në Tiranë një komitet i përkohshëm për ringjalljen e bashkësisë bektashiane. Dy teqe bektashiane ishin ende në aktivitet në fund të periudhës moniste, ndonëse të dyja jashtë Shqipërisë: një në Gjakovë dhe një në Taylor afër Detroitit në Miçigan (ShBA).

*   *   *

mendimin politik, Naimi ishte përkrahës i një forme demokratike (“demokraci prej pleqet”) të qeverisjes së shtetit të ardhshëm shqiptar. Edhe mendimi pedagogjik i tij ishte nga më të përparuarit e kohës. Ai ishte për arsimimin e përgjithshëm të fëmijëve, për barazinë midis djemve dhe vajzave për të mësuar, për përfshirjen e lëndëve shkencore në programet shkollore, për një edukatë me parime të larta morale dhe për njësimin e mësimit me edukatën.

Rëndësia e Naimit si poet i Rilindjes dhe si poet kombëtar qëndron sidomos në mesazhet sociopolitike, filozofike që përcjell, të cilat synonin para së gjithash vetëdijen kombëtare dhe kapërcimin e ndarjeve fetare brenda vendit. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët shqiptarë të fillimit të shekullit XX ishte i jashtëzakonshëm. Që kur ishte gjallë, shumë nga vargjet e tij u kënduan si këngë popullore, kurse gjuhën shqipe ai e ngriti në shkallën e një gjuhe letrare të përpunuar bukur. Prandaj edhe poeti dhe dramaturgu Andon Zako Çajupi (1866-1930) e quajti bilbil i gjuhës sonë.

Poet romantik, Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të shqiptarëve, portretizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes, i këndoi mallit për atdhe dhe krenarisë kombëtare, u bë shprehës i romantikës qytetare dhe i idealit të çlirimit nga zgjedha e huaj. Ai krijoi poezinë e madhe të Atdheut dh me një gjuhë magjepsëse poetike shprehu ndjenja dhe përjetime atdhetare e njerëzore që poezia shqipe para tij s’kishte arritur t’i nyjëtonte me atë forcë artistike.

Poemat tregimtare të Naimit, me gjuhën e kulluar shqipe, dëshmuan mundësitë e saj për të shtjelluar në subjekte të shtrira një lëndë të gjerë historike dhe mitologjike dhe për të ndërtuar struktura narrative komplekse.

Naimi e lëvroi shqipen në rrafshin poetik dhe dituror, duke shfaqur një forcë të veçantë krijuese gjuhësore. Vepra e tij luajti një rol themelor për përpunimin e shqipes së re letrare, të cilën e shkroi të pastër, me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e gjallë dhe në gjedhen e ligjërimit popullor, e pasuroi atë sidomos me fjalë nga lëmi dituror dhe nga lëmi i kulturës, që i qëndruan kohës, duke i dhënë shqipes fytyrën e gjuhës moderne të kulturës moderne të shqiptarëve.

Vepra e Naimit u bë faktor aktiv për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për themelimin e kulturës kombëtare. Ajo kurorëzoi kapërcimin e kulturës shqiptare nga faza parakombëtare në fazën kombëtare të zhvillimit të saj. Kjo vepër ishte një faktor i rëndësishëm emancipues me ndikim të madh në botën shpirtërore dhe morale të kombit.

Vepra e Naimit themeloi një traditë të qëndrueshme dhe pati ndikim të madh, jo vetëm te shkrimtarët bashkëkohës me të, por edhe më pas. Ajo është botuar dhe vazhdon të ribotohet gjerësisht, është përfshirë në tekstet shkollore dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Emrin e Naimit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme në botën shqiptare si dhe urdhri i lartë që u jepet në Shqipëri njerëzve të shquar të kulturës, të artit dhe të shkencës.

Një prej botimeve të veprave të Naimit është ai i Tiranës në vitin 1980, përkatësisht 1985: Naim Frashëri, “Vepra të zgjedhura” 1-2, Akademia e Shkencave. Veprat e tij dolën edhe në Kosovë: Naim Frashëri, “Vepra” 1-8, Rilindja, Prishtinë 1986.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube