RELIGJIONI DHE POLITIKA

Nga Nikë Gashaj

Shteti bashkëkohor duhet të jetë në pikëpamje të religjionit neutral. Ai u takon të gjithëve, ndërsa bashkësia e religjionit jo. Bindjet e besimit fetar të njerzëve nuk  mund t’u imponohet të gjithëve. Shteti nuk duhet të kujdeset për shpëtimin e shpirtit ( J. Lock ).

Natyrisht, ndarja e bashkësive fetare dhe shtetit nuk nënkupton një kundershtim të ndersjellët, por ajo ka të bëj me dallimin e lëmisë politike dhe asaj religjioze. Andaj, normat religjioze nuk mund të shënderrohen në norma politike. Bashkësia europiane nuk e ka mbart në nivelin e vet çështjen e rregullimit të raportit të shtetit dhe Bashkësive fetare, por ajo është në kompetencën e çdo shteti dhe të Bashkësive fetare gjegjëse. Mirëpo, Këshilli europian e ka kërkua nga të gjitha shtetet për t’ua mundësua të gjitha Bashkësive fetare që të zhvillohen në kushte të njëjta, apo të barabarta.

Bashkësitë fetare dhe politika janë dy realiteti të ndryshme. Prandaj, pushteti ndahet në atë shpirtëror dhe laik, dhe secili është, ose duhet të jetë  me kompetencë në fushën e vet.

Në qoftë se ndonjëra prej Bashkësive fetare u përkulet tendencave të ndryshme politike, respektivisht nuk është neutrale, por ka të bëj me instrumentalizimin e përbashkët të religjionit e politikës, atëherë ajo nuk prodhon kurrgjë të mirë në drejtim të lirisë dhe barazisë njerëzore.

Ndonjëra prej Bashkësive fetare shpeshherë e thekson se ka të drejtë të japi gjykime mbi orijentimet, përcaktimet dhe rrjedhat politike, sepse sipas saj nuk janë në pajtim me të mirat e përgjithshme njerëzore. Në lidhje me atë shtrohet pyetja: se i cili do të ishte kontributi i Bashkësisë fetare në zhvillimin shoqëror dhe material, nëse ajo kyçet në politik publike, meqenëse, Bashkësitë fetare kryesisht nga vetë natyra e tyre janë konservatore dhe një përcaktim i tillë nuk korrespodon me nevojat aktuale dhe me ardhëmërinë e qytetarëve. Çka do të thotë ajo, nëse Bashësitë fetare nuk e kalojnë oborrin e vetë dhe jashtë parmakëve të tyre nuk u intereson kurrgjë tjetër, ndersa më së paku u intereson Europa bashkëkohore dhe globalizmi si proces botëror dhe vlerat e tyre. Prandaj, Bashkësitë fetare nuk duhet të përzihen në vendimet ligjore, gjyqësore dhe politike, në qoftë se ato nuk prekin në të drejta të besimit fetar, ose për ato vendime, nuk i fton pushteti laik shtetëror për konsultime.

Bashkësitë fetare në hapësirën e ish –Jugosllavisë janë përpjekur që nga viti 1990 të arrijnë që politika të zhvillohet mbi themele fetare, në veçanti në atë drejtim ka veprua Kisha ortodokse serbe. Pikënisja e saj ka qenë se religjioni është baza e shoqërisë dhe burimi i tëra të mirave, andaj dhe të politikës. Mirëpo, njohjet nga sociologjia e religjionit tregojnë se tezat e tilla fetare në pikëpamje shkencore janë të pa qendrueshme, ndersa politikisht të pa pranueshme. Janë të pranishme dukuritë e tilla, që ithtarët e koncepcionit të politikës mbi baza të religjionit, në rrethana të caktuara, në religjione dhe nacionalitete të tjera shohin vetëm armiqë. Per  shembull, ajo ka ndollë në sulmin e forcave të armatosura të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe Serbisë dhe krimet e gjenodi i tyre luftarak mbi popullatën shqiptare në Kosovë, në vitet 1998-1999,  si dhe në sulmin e forcave serbe dhe  lufta 1991-1995 në Bosnje e Hercegovinë. Kisha ortodokse serbe  në ato luftëra ka qenë e politizuar. Ka pasë dhe ithtarë që parimet fetare i kanë inkorporuar në “fushën politike”, por ka pasë dhe asishë që parimet politike i kanë mbart në “fushën e religjionit”. Në atë rastë interesi i religjionit është bë i dorës së dytë, ndersa në anën tjetër ka mbisynuar interesi politik. Prandaj, Bashkësitë fetare nuk kanë mund ta refuzojnë apo të kundershtojnë sfidën e manipulimit me besim fetar dhe me Bashkësitë fetare për qellime politike.

Me të vërtetë, përdorimi apo keqëperdorimi i besimit dhe i ndjenjave fetare ka qenë i pranishëm për qellim të arritjes të mobilizimit të masave për luftë. “Nuk ka kurrfarë dyshimi”, shkruajnë autorët e Raportit për Ballkan, se politicientë nacionalistë e kanë keqëperdorë Kishën dhe simbolet fetare, si dhe një pjesë e klerikëve për qellime të luftës.

Gjithsesi, ndër të tjerat  dhe njohjet e tilla tërheqin vemendjen se Bashësitë fetare nuk do të guxoshin me u marr me politikë, por me religjion. Andaj, është e logjikshme që me politikë të merren, para së gjithash, përfaqësuesit e popullit të cilët kanë legjimitet juridiko-politikë, si dhe ekspertët për politikë, si disciplinë akademike. Në anën tjetër,  Bashksitë fetare nuk kanë mandat prej popullit, as në bazë të doktrinës fetare me u marr me politikë. Po ashtu nuk kanë as kompetenca profesionale politike.

Përfundim: edhe religjoziteti i politikës, dhe politizimi i religjionit do të shkoj në dëm të besimit fetar. Politizimi i religjionit shpeshherë dinë të kalojë në “kuazireligjion” sikurse dhe nacionalizmi. Në qoftë se ndonjë  Bashësi fetare, ndonjëherë i mbështetet politikës, apo kyçet në politikë direkt apo indirekt për qellim të privilegjave të ndryshme, atëherë parashtrohet pyetja: sa është e mirë një gjë e tillë, meqenëse në politikë më pak apo më shumë janë të pranishme dukuritë: korrupsioni, krimet  e organizuara, nepotizmi, padrejtësia, diskriminimi, si dhe dukuri tjera negative. Me lidhjen e tyre në projekte të ndryshme politike Bashkësitë fetare braktisin traditën e shenjtë e cila me atë bëhet e harruar, apo dhe e tradhtuar. Në një situatë të tillë është i mundshëm modeli: angazhimi politik mbi baza të  religjionit,  i cili mund të paraqes rrezik për vetë  besimin fetar, d.m.th. të shënderrohet në një ideologji politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube