NGA NDUE DEDAJ

Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik shqiptar, mandati i tretë i një mazhorance (PS-së), po artikulohet prej vetë asaj, si një domosdoshmëri, dhe jo si një tjetër mundësi për të vijuar qeverisjen. Argumenti i vetëm i fushatës së të majtëve është se duam të përfundojmë projektet e nisura, a thua se rotacioni politik e ndalon në vend “makinën” e shtetit, për të mos lëvizur më. Nga blindimi i fushatës me retorikë jo pak autoritariste, i mëshohet idesë se me ardhjen e mundshme të opozitës në pushtet, çdo gjë do të shkojë mbrapsht, nuk do të bluajnë më mullinjtë grurë, bile nuk do të rrjedhin as lumenjtë!… Përtej kësaj batude fejtonike (meqë batudat e kryqeveritarit tonë janë kthyer në sindromë mediatike nëpër studiot televizive), asgjë dramatike, ndryshe nga herët e tjera, nuk ka situata e sotme në vend, që duhet të mbajë me patjetër PS-në në timon. E njëjta panoramë e “nxehtë” elektorale si katër, tetë, dymbëdhjetë a njëzet vite më parë. Dy parti të mëdha, një parti as e madhe e as e vogël dhe një tubëz partish thuajse të papërfillshme në elektorat, që garojnë me sigla, emra individësh të mbledhur andej e këndej, por pa votues të përhershëm. Për çudi, ashtu si gjithë këtë tranzicion, si të ishte një shaka e madhe kombëtare, qindra individë, për të mos thënë mijëra, nuk ngurrojnë ta vënë emrin e tyre në lista partish që figurojnë veç në letër, duke e copëzuar e thërmuar elektoratin e paktë shqiptar në një mijë “grimca” të panevojshme, a thua se do të votojnë milionat e shteteve të mëdha dhe jo një milionë e gjysmë vetë, në rastin më të mirë. Por duhet thënë se, dhe pse të krijuara në “orën” e fundit parazgjedhore, disa nga këto parti kanë futur në lista emra premtues për të ardhmen, si një pikënisje për t’u përfshirë në politikën aktive.

Ka një shpalim pupulist në maratonën e mazhorancës për llogari të mandatit të tretë, me ligjërime nganjëherë të pabesueshme dhe nga socialistët vetë. Këtë pranverë janë ngritur skela në çdo qytet e fshat, janë duke u suvatuar e lyer fasada ndërtesash, kanë nisur rrugë që nuk janë bërë për tetë vjet (por jo dhe ajo e Lurës), hapen gropa me fadroma e hidhen themele të reja pallatesh, shkollash, punohet dhe natën te sheshi “Shqiponja” në kryeqytet dhe në kantieret e rindërtimit në Durrës, Mamurras, Laç etj., që inspektohen dita-ditës nga kreu i qeverisë, por pak ose aspak hidhen themele fabrikash, punishtesh, fermash agroturistike, që prodhojnë “shqip” dhe punësojnë njerëz. Njerëzit ikin jo se nuk kanë pallate ku të banojnë, por se nuk kanë fabrika ku të punojnë. Duket sikur vendi ynë prodhon vetëm krom vdekjeprurës nëntokë dhe energji elektrike HEC-esh shkatërruese të lumenjve, mjedisit dhe ekologjisë. Keni dëgjuar ndonjë masterplan zhvillimi e kreditimi për bujqësinë në zonat malore, vreshtarinë, pyjet, agroturizmin etj? Fraza të përgjitshme, po. Strategji, jo!

Kryetari i fushatës së të majtëve, zotit Rama, nuk le rast pa fshikulluar kreun e opozitës, zotin Basha, pa u ndalur në etiketimet apo epitetet e papërshtashme që përdor, por nuk mund ta kuptosh refuzimin e tij për t’u përballur në studiot televizive me kundërshtarin e tij politik! Për një “nxënës” të Nolit e Konicës, kjo duket e papërligjur. Kryeministri, në këtë rast, i bie që tërhiqet nga arma e tij më e fortë, fjala! Votuesit kanë tjetër këndvështrim nga ai i mazhorancës për kinse epërsinë e saj, ata nuk mund të mos vënë re se janë larguar me hir apo me pahir disa emra të spikatur të së majtës, si Bushati i punëve të jashtme, Hysi, profesoresha parlamentare e reformës në drejtësi, Lelaj, kreu i bashkisë së Vlorës etj., ndërkohë që ftohen për imazh zgjedhor të PS-së figura publike pa ndonjë lidhje me politikën dhe sidomos jashtë moshës aktive për t’i shërbyer vendit përmes kësaj zeje, deri dje e huaj për ta. Kështu, spotet e fushatës elektorale të mazhorancës janë endur me zërin dhe figurën e aktorëve të mëdhenj, të cilëve u është prishur teatri me emrin kombëtar dhe nuk i janë hedhur ende themelet të riut!? Lëvizje të tilla në kutinë e shahut politik zor se krijojnë vota, aq më tepër që votuesit e sotëm nuk mund ta pranojnë që artistët apo intelektualët e tyre në zë, të papërfshirë në politikë gjithë jetën, befas, nga të të gjithëve, të bëhen të pjesës!? Edhe pse është e rëndë të thuhet, gjithësekush e kupton se kjo është përdorje e tyre nga politika, siç ka ndodhur rëndom në të shkuarën moniste, po ku nuk kanë munguar as intelektualë me integritet të lartë moral si Sejfulla Malëshova dhe një elitë e shquar e pas Luftës, paçka çmimit politik që u është dashur të paguajnë.

Flitet për reformën në drejtësi – dhe sigurisht ka ndryshim këto vitet e fundit – por qytetari i thjeshtë, i djathtë apo i majtë për nga bindjet politike, që nuk e di se çfarë janë organet e reja juridike të krijuara në sistemin e drejtësisë, tronditet nga lajmet me vrasje nga bandat e krimit të organizuar, njëherë në tre net, për më tepër në qytetet djepe te kulturës shqiptare, si Shkodra, Elbasani, Durrësi etj. Këtu e sheh ai sukesesin ose jo të kësaj reforme, në sigurinë e jetës së njeriut dhe një rend publik të konsoliduar.

Në njërin nga spotet e fundit televizive, kreu i qeverisë e kërkon mandatin e tretë për mundjen e armikut të padukshëm (pandemisë), përfundimin e aksionit të rindërtimit të banesave të shembura ngë tërmeti i 26 nëntorit 2019, përmbylljen e reformës në drejtësi, zhvillimin e ekonomisë dhe kaq! Domethënë, asgjë e re, asnjë vizion tjetër nga i sotmi. Asnjë projekt politik i ri. Po pse atëherë i kërkon votat për një mandat të tretë? Apo se… ne jemi më të mirët, nuk ka më të mirë se ne, ata përballë janë më të këqinj, nuk mund ta qeverisin vendin, i kemi parë! Ata janë kështu e ashtu… Nuk është Luli, po është Saliu, Iliri dhe Mona… Ne jemi me shqiptarët, ata janë në anën e përmbytjeve, tërmetit, virusit. Dhe kjo tiradë komike serviret për politikë, ta hajë kush ta hajë. Jo, or jo, arsyeton ai votusi i thjeshtë atje në majë të maleve, ti mor zotëri, para katër vitesh, më 2017, kërkove tepsinë dhe timonin, mos të të përziheshin (ngatërroheshin të tjerët), i more, çfarë kërkon prapë tani? Nëse ke një alternativë tjetër, na e thuaj! Të paktën na i rendit ato vepra që do të bëhen nga e para në “planin e tretë pesëvjeçar”, domethënë katërvjeçarin e ardhshëm! T’i vëmë në kandar premtimet me realizimet, dje, sot, nesër. Kjo është logjika e ballafaqimit politik të atij që ka qeverisur dy mandate dhe pretendon një të tretë, në radhë të parë ujdia me vetveten dhe jo trajtimi i ardhjes në pushtet të opozitës si një herezi, blasfemi!…

Dihet se në një përballje elektorale mazhoranca është njëra anë, apo palë, tjetra është opozita. Kjo e fundit mund të ketë plot mangësi në jetën e saj politike apo organizative në fushatë, por ka luksin e të mosqenit e përfshirë në korrupsionin dhe problematikat e tjera shqetësuese të qeverisjes së këtyre dy mandateve. Ajo e ka bërë katarsisin për kohën kur ka qenë vetë në qeverisje, ndaj sot ka të drejtën e kërkesës së llogarisë ndaj mazhorancës dhe jo e kundërta, siç po ndodh. Nuk është ajo “delja e zezë” e tufës, që duhet bërë kurban. As kësaj here dhe as kur opozitë është e majta. Përballja e mazhorancës me opozitën kërkon më e pakta etikë dhe fisnikëri. Askund në demokraci opozitës nuk i bëhet “gjyqi” si e tillë. Por ne ende kemi mendësinë e djeshme të partisë – shtet, që iu turrej e hakërrehej organizatave të masave, dhe pse ato nuk kishin asgjë në dorë. Duam t’ia presim kostumin opozitës sipas shijes së qeverisë.

Dhe dhe pse ndihet fryma e ndryshimit në radhët e opozitës, për mendimin tonë problem mbetet copëzimi elektoral. Ndryshimi politik, rotacioni i pushtetit, me kaq shumë sigla partish dhe kandidatë (sa nga inati partiak ndaj lidershipit të PD-së i të ikurve prej saj, sa nga mania e “fisit” të kamufluar politik) vështirësohet, por është i mundur. Elektorati i ashtuquajtur gri nuk është i përfshirë nga emocionet dhe interesat partiake, aq më tepër të rinjtë, ndaj ai vendos. Por dhe mësuesit, mjekët, policët, si profesionistë, në thelb nuk kanë parti. As administrata shtetërore nuk është peng i pushtetit e pushtetarëve të radhës, ajo ka treguar dhe në këto tridhjtë vjet se di ta “tradhtojë” qeverisjen vendore apo qendrore, kur është çështja për të shkuar përpara.

Dhe më e rëndësishmja, askujt nuk i duhet një pushtet monopartiak, siç është sot në Shqipëri, as vetë të majtës, pasi rrëshqitet në autokraci. Nuk është momenti tash për të analizuar se për shkak të kujt ndodhi që jemi në këtë situatë, por është koha për ta korrigjuar me votë këtë anomali, që ka krijuar një sistem të ngjashëm me atë para nëntëdhjetës. Nëse ne duam më të vërtetë që të jemi në Europë, na duhet të sillemi me votën si europianët, që rotacionin politik nuk e përjetojnë si një dramë apo “tërmet”, por si ngjarjen politike të radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok