Sala të bën Selam

Nga Edison Ypi

S’ka rëndësi si e ke emrin, Hasan, Hysen, Skuth, Zgjebs, Surratmut apo Turiqen. Sala njësoj të shtyp. Sala njësoj të zhduk. Sala njësoj të bën Selam.

Mund të duket se Sala nuk të bëri Selam, por, ta zemë, Alekum, pra diçka të shenjtë. Gabohesh. Sala nuk të bën asgjë më tepër dhe asgjë më pak se Selam.

Po të bëri Sala Selam, ke marrë fund. Je bërë një Haxhi i zgjebosur. Duke u kthyer nga Meka ke ngecur në shkretëtirë. Je sëmurur mes rërave të budallallëkut të vetes. Po të bëjnë hyzmet ca beduinë të lodhur brenda ca çadrave të rreckosura me rrotull ca deve kockëdala.

Po të bëri Sala Selam, harroje se mund të bëhesh gjë tjetër, Selam je, Selam do ngordhësh.

Sala Selamllëkun e arkitekton në atë mënyrë që edhe vetë Salës po t’i kthehet mendja, nga selamllëku i Salës nuk shpëton dot.

Sala të bën Selam në mënyra nga më të ndryshmet.

Për shembull, Sala të ka mbajtur ca kohë pranë si vegël. Kur si veglës e Salës të rritet menia dhe nis e hedh ickla, në atë moment Sala nga veglën të bën Selam.

Ta zemë se Sala të ka bërë nëpunës të lartë, deputet, ministër. Por je i paaftë, je i ngathët, nuk ke rendiment, nuk ke produkt, nuk ke bilanc. Pasi të duron për pak kohë, një ditë të bukur Sala të bën Selam.

Sala nuk ta thotë kur të bën Selam. Të lë ta kuptosh vetë.

Nëse Selamllëkun e Salës e kupton, vuan pak. Po s’e kuptove, vuan deri sa të ngordhësh si qen.

Por edhe po e kuptove edhe po s’e kuptove, nga selamllëku i Salës nuk shpëton dot kurrën e kurrës.

Sala nuk është prift që të të pagëzojë, nun që të vërë emrin, apo magjistar që të mallkojë. Sala është Sala.

Kur Sala të bën Selam nuk duhet ta marrësh si nofkë, por si diçka më të thellë, diçka që nuk e kupton dot menjëherë, por vetëm gjatë dyshimit hamletian nëse të vrau apo të plagosi, të rrahu apo të bëri masazh.

Sala nuk ka nge’ të japi spjegime me të heq dyshimet nëse të ka bërë Selam apo kukurrec. Sala thjesht të Bën Selam.

Pasi Sala të ka bërë Selam, nuk do të thotë se të ka flakur, të ka hedhur tutje, të ka bërë Harram.

Përkundrazi, të bërët Selam është një e mirë e madhe që të vish në vete sa më parë, të zësh ment, të mos përsërisësh gabimet.

Ruju nga Selami Salës.

Sala të gjen dhe të bën Selam edhe në brim të satome po të jesh futur.

Pasi ta kuptosh se Sala të ka bërë Selam, bërtit e ulurit sa të pëllcasësh. Salës nuk do t’i vijë zëri. Sala është bërë shurdh. Ke mbetur vetëm në mes të udhës. Është natë. Makinat janë prishur. Qerret kanë ngecur. Trenat kanë ikur. Aeroplanët janë rrëxuar. Vaporrat janë mbytur. Furgonat janë zhdukur. Biçikletat janë çpuar. Bëji derman vetes. Mbathja nga të mundesh.

Pasi Sala të ka bërë Selam, pra pasi Sala të ka shtypur si morr, të ka hedh tutje si një mizë që e bezdis, edhe të tjerët Selam do të bëjnë. Dhe Selam pas Selami, harrim pas harrimi, pendim pas pendimi, dyshim pas dyshimi, Selam i Salës do mbetesh derisa të ngordhësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube