SHENJA E PËRJETSHME: FISHTA, TIRTEU DHE HOMERI SHQIPTAR

0

(Fletëza fishtiane: në 150-vjetorin e lindjes)

Nga Prend BUZHALA

Sot është 150-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës. A është ai, më parë se prift, shkrimtar apo publicist, fletorar apo politikan, drejtor shkollash apo polemist; përkthyes apo teolog, analist apo  komentues e kronikan ngjarjesh? I njohur edhe si veprimtar i lëvizjeve politike, deputet i parlamentit shqiptar, poliglot e intelektual me përkushtim të madh, pedagog e patriot i pashoq dhe kontribuues energjik i çështjes kombëtare, mendimtar dhe humanist ndër më të mëdhenjtë, etj. ai ka qenë edhe protagonist i shumë ngjarjeve dhe kthesave historike gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, si Kongresi i Manastirit (1908), Kryengritja e Përgjithshme për Pavarësi Kombëtare (1910-1912), Rrethimi i Shkodrës (1912-1913), Lufta e Parë Botërore (1914-1918), Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920), Parlamenti i Parë Shqiptar (1921-1924), Revolucioni Demokratik Borgjez (1924) etj. Gjergj Fishta e kishte një cilësi tepër të rrallë për kohën, siç ishin krijimi i lidhjeve të shumta bashkëpunimi me albanologë të njohur evropianë, duke organizuar debate, tryeza e forma të ndryshme bashkëpunimi për tema të ndryshme mbi Shqipërinë, mbi gjuhën shqipe, mbi visaret e kombit, mbi traditën shqiptare, mbi letërsinë shqipe dhe, ndër të tjera, edhe për krishterimin e hershëm shqiptar.

1.

Kështu, që në fillim të shkrimeve për veprën e Gjergj Fishtës, u bënë krahasime me Homerin. E quajtën Homeri shqiptar. Albanologu i njogur austriak Dr. Maximilian Lambertz, i cili së bashku me Fishtën, kishte nxjerrë gazetën ” Posta e Shypnisë” (1916), kishte bërë krahasime të “Ilidiaës” së Homerit me “Lahutën e Malcis” së Fishtës (përkthyes me mjeshtëri të lartë i “Lahutës…” në gjermanisht), duke e quajtur atë “Iliadë shqiptare”. “Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjerë, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zheninë poetike t’At Gjergj Fishtes”. Kështu shprehej albanologu i njohur e dijetari i “Austrisë së Vjetër”, Maximilian Lambertz (Vjenë 1882 – Lajpcig 1963), i cili kishte botuar më 1949 studimin monografik “Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís” (shih punimin e dr. Anton N. Berisha “Gjergj Fishta – Homeri shqiptar”, në “Bota e re”, tetor 1990, Prishtinë).

Do të vijnë, mandej, edhe studiues tjerë, të kohës kur jetoi Fishta, që do të bëjnë krahasime me Homerin, si Eqrem Çabej apo Aleksandër Xhuvani. Çabej te punimet “Poeti shqiptar Gjergj Fishta” dhe “Epika e Gjergj Fishtës”: “Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në të theksuar të vlerës së individit, si në ndërlikim të hyjnisë në jetën njerëzore”. Aleksandër Xhuvani e quan Homer dhe Tirteu i Shqipërisë, me rastin e vdekjes së tij: “Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të ‘Lahutës së Malcisë’ që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë.”

Edhe në punime tjera të asaj kohe, të autorëve Filip Ndocaj, Karl Gurakuqi, Franpçesk Erkole etj. Studiuesi i Homerit në shqip, Dr. Engëll Sedaj, në shkrimet e tij për Fishtën vlerëson: “Ai ishte i vetëdijshëm se kuptimësia, që del nga këngët popullore, si dhe tematika e pasur, stili epik dhe funksionaliteti, mund t’i gjente vetëm në Iliadën e Homerit.”

Te jo pak autorë të numrit përkujtimor “At Gjergj Fushta 1871 – 1940″, nën përkujdesjen e At Benedikt Demës, theksohet krahasimi me Homerin (kjo vepër u ribotua në Prishtinë më 2011, nën përkujdesjen e Abdullah Konushevcit).

2.

Ka zëra që theksojnë edhe sot, se krahasimi me Homerin dëshmon anakronizmin e veprës së tij! Ashtu sikundër ekziston realizmi i shekullit XIX si epokë letrare, në letërsi ekziston edhe realizmi i përjetshëm. Ekziston edhe një homerizëm i amshueshëm, sepse ekziston një etikë historike që vigjilon kohët. Diku theksohet: të jesh popullor dhe pranë popullit, është gjëja më e shenjtë në botë. Homeri ishte mjeshtër mbi tragjedinë njerëzore, më i madh se të gjithë tragjedianët tjerë. Ajo që sot quhet postmodernizëm (citatësia, ndërthurja e teksteve etj.), ka ekzistuar edhe në antikë si palimspest. Si tekst mitesh që thuren në një tragjedi apo tekst tjetër letrar. Asgjë të re nuk na sjellin as postmodernistët, në krahasim me antikën. Homeri thoshte: “Bëhu edhe folës i fjalëve edhe bërës i veprave” ose “Megjithatë, e mësuar nga koha, zemra ime ka mësuar të shkëlqejë për të mirën e tjetrit dhe të shkrihet në mjerimin e tjetrit.” Homeri)

E lexojmë Fishtën, sepse nuk mund të heqim dorë nga vetvetja, nga idealizmi kombëtar. As nga e bukura në art. Nuk heqim dorë, sepse një komb qëndron në vlerat e qytetërimit, kur i çmon të mëdhenjtë e vet gdhe gjenitë e vet e që na janë burim që nuk shteron asnjëherë. Patetike kjo? Paj, le të jetë edhe ashtu, kur Fishtën e kemi Shenjë të Përjetshme të artit, kulturës dhe historisë sonë, mitit tonë dhe letërsisë sonë gojore, lashtësisë dhe modernitetit. Ai kishe vetëdije të formuar estetike: “: “ Artisti –geni; vendi – ambjenti; koha – kultura. Geni sendergjon iden; ambjenti trajton shijen estetike; kultura përban teknikën ase stilin e veprës… Arti nuk ashtë imitacion i natyrës, mbasi ai lind në mendjen e artistit…:”.

U përpoqëm për pesëdhjetë vjet ta heqim atë shenjë, por aty ndërhyn përjetësia dhe e largon dorën tonë të krimit dhe të antiqytetërimit. Shenja u tregua e pamposhtur. Mësuesi i Madh  ligjëron në secilën kohë.

(23 tetor 2021)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok