Nga Edison Ypi

“Shkrim e Këndim” ka vetëm Gjuha Shqipe.

Të gjitha gjuhët e tjera kanë “Shkrim e Lexim”.

Shkrim e Këndim është një përparësi absolute që Shqipja e ka ndaj të gjitha gjuhëve të tjera.

“Shkrim e Këndim”, pra gjithçka që në Shqip shkruhet, nuk lexohet, vetëm këndohet.

Pra Gjuha Shqipe është e gjitha fjalë dhe këngë, tekst dhe muzikë, arsyetim dhe ndjenjë, përmbajtje dhe formë.

Të kesh një gjuhë që “Shkruhet dhe Këndohet”, është Fat i madh.

Të dish vetëm shkrim ose vetëm këndim, është fatkeqsi, është llaftari.

Të dish “Shkrim e Këndim” nuk mund të jesh i palumtur, i pafat, i pashëndetshëm.

Nëse di “Shkrim e Këndim”, asgjë nuk të është e largët, asgjë nuk të është e pamundur.

Të dish ti bësh të dyja, edhe të shkruash, edhe të këndosh, qiellin e kap.

S’ka rëndësi kush shkruan e kush këndon, çfarë shkruan e çfarë këndon.

Le të shkruajë kush të dojë, kush di dhe kush ja ka ngenë.

Le të këndojë kush të ketë qef, mumdësisht të gjithë.

Rëndësi ka që ajo që shkruhet, përveçse e lexueshme, të jetë edhe e këndueshme, të ketë brenda muzikë, jo domosdoshmërisht të zëshme.

Për arësye që autorët mediokër nuk mund t’i kuptojnë, dhe kurrë nuk kanë për t’i kuptuar, diçka që në Shqip shkruhet por nuk këndohet, nuk vlen. Shkrimi që nuk udhëton, pra shkrimi që nuk këndon, nuk është shkrim, është pellg me ekskrement rrjedhës që mbetet aty ku derdhet për shkak të paaftësisë rekreative të prostatës autoriale.

Këndim pa Shkrim ka. Zogu në degë, dallga që rreh bregun, përroi që ikën tatëpjetë etj. janë Këndim pa Shkrim.

Këndim pa Shkrim është edhe Letërsia gojore, legjendat, epet, që përcillen nga brezi në brez duke u ndryshuar e lëmuar pa u shkruajtur.

Këndimi pa shkrim, sado sugjestiv dhe marramendës, sado i latuar nëpër shekuj, nuk mahnit më. I ka kaluar koha. E ka mposhtur rrebeshi i informacionit global.

Ajo që ende shkruhet e këndohet dhe do shkruhet e këndohet përjetësisht, është vetëm Gjuha Shqipe.

Mëso “Shkrim e Këndim” Shqip, dhe vdis.

Shkrim e Këndim, pra fjalë që lexohen dhe njëkohësisht këndohen, jo aq të bukur sa Shqipja, natyra ka dhe ca të tjera;

Shkruan toka, këndon hëna.

Këndon bubullima, Shkruan rrufeja.

Shkruan shiu, këndon era.

Këndon Pranvera, shkruan dimri.

Shkruan qielli, këndon dielli.

Këndon Poezia, Shkruan Proza.

Shkruan pena, këndon mendja.

Këndon filani, shkruan fisteku.

Shkruan i patalentuari, këndon askushi.

Këndon njerzia, shkruan Lasgushi.

Bota kanë Libra Leximi.

Shqiptarët kanë Libra Këndimi

Bota lexon. Shqiptari këndon.

“Shkrim e Këndim”. Marramendje që na e kanë zili.

Si quhet vallë Rilindasi që këtë mrekulli e shpiku ?

Ku e ka varrin t’ja bëjmë prej floriri ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok