19/04/2024

Shkrimtari dhe gazetari  Albert Zholi nderohet me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”

0

Flasin Luftar Paja, Jorgo Papingji, Alida Hisku, Prof.dr. Bardhosh Gaçe, Prof.dr. Ago Nezha, Dr. Neki Dredha etj

Nga Albert Habazaj

Ditën e shtunë, në Bibliotekën e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, u zhvillua ceremonia e dekorimit të veprimtarit, shkrimtarit dhe publicistit Albert Zholi me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”. Në këtë takim mbresëlënës mirrnin pjesë anëtarë të Shoqatës “Labëria” – “Nderi i Kombit” dega Vlorë, shkrimtarë, artistë, poetë, intelektualë të të gjitha fushave. Dhe pse ishte një ditë kur njerëzit janë me pushime, interesimi për këtë aktivitet ishte i madh. Vlen për të përmendur se nga Tirana kishin ardhur  “Artisti i Popullit”  Luftar Paja, poeti i shquar Jorgo Papingji etj. Këngëtarja e madhe Alida Hisku erdhi enkas nga Gjermania dhe  solli një atmosferë ndryshe në këtë aktivitet specific nderimtarie.

Aktivitetin e hapi kryetari Shoqatës “Labëria” Vlorë z. Ahmet Demaj. Në fjalën e tij ai i bëri një përmbledhje veprimtarisë publicistike dhe letrare të shkrimtarit dhe publicistit Albert Zholi që në fillimet e tij. Demaj theksoi se, në mënyrë të veçantë, Albert Zholi ka spikatur në gazetën “Labëria” dhe gazetën “Telegraf”. Intervistat e shumta e kanë indetifikuar atë si një gazetar të veçantë. Ai vlerësoi punën e palodhur të Zholit si kryeredaktor për mëse 13 vjet i gazetës “Labëria” dhe autor i rreth 100 reportazheve, vëzhgimeve, intervistave me personalitete të këtij Qarku. Ai u ndal në veçanti tek vlerësimet që i janë bërë Zholit nga persoanlitete të artit dhe kulturës si Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Ismail dhe Helena Kadare, Margarita  Xhepa, Luftar Paja, Reshat Arbana, Tinka Kurti, etj.

Pas tij e mori fjalën Prof. Bardhosh Gaçe:

Veçoj intervistat e tij në “Telegraf”

Ai nënvizoi së pari  rolin e Zholit si gazetar dhe krijues në emigracion. Sipas Gaçes, të krijosh apo të jesh gazetar në emigracion është një sfidë, është një punë heroike. Alberti është jo vetëm një gazetar qëmtues por edhe një shkrimtar që ka sjellë figura të rralla të artit në monografi të ndryshme, theksoi ai. Më pas foli për rolin e tij si gazetar në gazetën “Labëria” dhe në shumë organe të tjera të shtypit, ku Zholi ka punuar me përgjegjësi dhe përkushtim. Shkrimet e tij në gazetën “Labëria” dhe “Telegraf” kanë lënë gjurmë te lexuesi. Dh pse salla ishte e mbushur në këtë aktivitet, vlen për të theksuar qetësia dhe dëgjueshmëria me vëmendje e diskutantëve. Për të sjellë më qartë atmosferën, po përcjellim shkurt për lexuesin disa nga diskutimet:

Luftar Paja “Artist i Popullit”

Albertin e kam njohur 26 vite më parë në Athinë, në emigracion. Duhet të dini se ai krijoi Shoqatën e parë shqiptare në Greqi Shoqatën “Vëllazërimi” ku ishte kryetar për disa vjet. Ishte miku i mirë i Aristidh Kolës, arvanitasit të shquar që na mbështeti në ato momente të vështira të emigracionit masiv. Si atje, në Athinë, edhe në Tiranë, Alberti ishte  dhe është në çdo aktivitet. Atje organizonte shqiptarët në mërgim, i ndihmonte, ishte zëri i tyre. Ngrinte zërin ndaj padrejtësive që u bësheshin emigrantëve. Edhe në Tiranë është kudo ku ka aktivitete kulturore-artistike, madje  shumë prej tyre i organizon dhe moderon vetë.  Unë i besova monografinë time që ai e realizoi me sukses dhe i jam mirënjohës. Alberti punon me shpirt, i ndihmon të gjithë dhe pa shpërblim. Për çdo aktivitet, ne thërrasim Bertin. Urime miku im!

Albert Habazaj, studiues, poet

Mund të flas shumë për veprimtarinë e mikut tonë, por sot do ndalem në disa specifika të krijimtarisë së tij. Së pari, unë do të veçoj skicat letrare të Bert Zholit. Skica plot musht. Të rrëqethin gjatë leximit, sepse autori zotëron magjinë e fjalës së bukur letrare për përshkrimin artistik të realitetit. Ai njeh dhe vlerëson ekonominë e fjalës, lakonizmin në të shkruar.  Ai ka botuar ca skica të veçanta si të Nonda Bulkës e ato kanë një ndërtim specifik që të rrëmbejnë. Njëherazi mund të them se Zholi është intervistuesi më i veçantë në gazetarinë shqiptare. Intervistat e tij në gazetën “Telegraf” me të gjithë, shkrimtarët, poetët, aktorët, regjisorët, akademikët, këngëtarët, kompozitorët, instrumentistët apo me intelektualë në shumë fusha e bëjnë atë të veçantë… Një rol të madh Berti ka dhe në gazetën “Labëria”,  që tashmë e ka bërë gazetën më të lexuar periodike dhe më tej, sepse është zëri i shkruar i Labërisë… Idealizmi i tij human është një virtyt model për bashkëkohësit dhe brezat që i ngrihen Shqipërisë.

Jorgo Papingji, poet

Dhe pse në këtë situatë të vështirë, nuk mund të mos vija për mikun tim Albert Zholi. E kam mik se është gazetar serioz, i  përpiktë, nuk luan apo tjetërson mendimin. Nuk bën lajme për bujë por mbi të vërtetën. I heshtur, korrekt gjithmonë takohemi dhe flasim për letërsinë dhe gazetarinë. Miqtë e mi e çmojnë për sinqeritetin dhe vërtetësinë e shkrimeve të tij. Sot po shoh një aktivitet ndryshe, një aktivitet shpirtëror, pa stisje, pa sforcime por me fjalë zemre. Shoh intelektualë që flasin me zemër për atë ç’kanë njohur te Berti. Ai flet pak me fjalë, por shumë me penë. Tek thjeshtësia gjen virtytin e tij më të lartë….

Dr. Neki Dredha, mjek, poet

Një vlerësim i tillë i takon Albert Zholit dhe ne ndihemi krenarë për punën e tij. E lexoj vazhdimisht në gazetat “Labëria” dhe “Telegraf” dhe aty gjej gjithë Shqipërinë time. Alberti është aktiv, i respektueshëm, korrekt, fjalëpak dhe shkruan me përgjegjësi. Puna e tij flet vetë dhe nuk duan koment. Urime!

Alida Hisku, këngëtare e mirënjohur

Erdha sot nga Gjermania për mikun tonë Albert Zholi. Kam rreth 24 vjet që e njoh gazetarin e mirë Albert Zholi dhe e them me plot gojën se ai është miku im më i mirë mes gazetarëve. Kurrë nuk deformon fjalën. Kurrë nuk flet për veten. Sa herë i kërkojmë ndihmë nuk përton. Në gazetari shpesh herë me ne, këngëtaret luhet me fjalën. Vihen tituj bombastik të shkëputura nga konteksti, por që nuk përbëjnë thelbin e fjalisë. Shumë herë titujt në gazeta nuk paraqesin fjalën tonë por dëshirën e gazetarit. Zholi nuk luan me fugurën e artistit por e ruan personalitetin e tij. Ndaj intervistat me të bëhen shumë të bukura dhe ne i besojmë verbërisht penës së tij. Tani dua të këndoj me të gjithë ju, në këtë ditë të shënuar të mikut tim këngën time “Vajzat e fshatit tim” (Ja merr këngës)

***Më pas folën shumë pjesëmarrës, ku një urim i veçantë erdhi nga përfaqësuesit e Shoqatës “Shqipëria” me qendër në Athinë. Në fund të takimit, kryetari i Shoqatës Kulturore Atdhetar “Labëria” – “Nderi i Kombit”  prof.dr.  Ago Nezha foli për rolin e Albert Zholit si kryeredaktor i gazetës “Labëria” që solli një frymë të re. Unë Bertin në një nga librat e mi e kam quajtur “Maratonomaku i letërsisë”. Por ai dhe në gazetari është po ashtu një maratonomak. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të lexoj motivacionin e dekorimit:

  1. Albert Z. ZHOLI

i jepet titulli:

“Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë”

Për kontribut të veçantë si publicist, shkrimtar, skenarist në pasqyrimin e jetës historike kulturore dhe artistike të Vlorës dhe Labërisë dhe figurave të Qarkut, në shtypin bashkëkohor shqiptar. Për promovim të letrarëve të rinj brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryetari Ervis Moçka.

Në fund të takimit kaq mbresëlënës Albert Zholi theksoi:

Falënderoj tre shoqatat propozuese të nderimit tim: shoqatën “Labëria”, shoqatën “Ismail Qemali” dhe shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” që vlerësuan punën time duke e adresuar te drejtuesit e Qarkut Vlorë. Vlerësimi im është dhe vlerësimi juaj, pasi asnjë punë nuk bëhet vetëm. Pa miq e shokë çdo gjë është shterpë. Falënderoj gjithë miqtë që ishin pjesëmarrës, të cilët lanë pushimet për të marrë pjesë në këtë veprimtari kaq të çmuar për mua dhe pse qarkullimi dhe temperatura nga zjarret në Vlorë është i madh. Falënderoj familjen time që më lë hapësirat për të kryer veprimtari në interes të Shoqatës apo personaliteteve të ndryshme. Falënderoj gazetën “Telegraf” që më ka dhënë hapësirat për  një aktivitet të gjerë publicistik si gazeta e vetme që ka hapësirën më të madhe për letërsinë. Falënderoj gjithë anëtarët e Shoqatës “Labëria” që ma kënë besuar gazetën “Labëria” për 13 vjet. Ju uroj të gjithëve, mbarësi dhe mirësi…

Botime nga Albert ZHOLI:

1- Ikja e madhe (Publicistikë)

2- Vite emigracioni – tregime

3- Endrrat e mërgimit – publicistikë

4- Kush e “vrau” Amerikën – publicistikë

5- Vajza misterioze – tregime

6- Yjet në Folk Univers – publicistiko – letrar

7- Iraku midis Babilonisë dhe qytetërimit – (publicistikë)

8- Hiret e një bjondine – tregime

9- I fundit i komunizmit utopik – publicistikë

10- Me zemër pranë Shqipërisë – publicistikë

11- Luftar Paja, aktor i madh komik (Monografi)

12- Sekretet e ish – gazetarëve të RTSH

13- Kush e vrau dashurinë – roman

14- Sekretet e ish – gazetarëve të RTSH – vëll II

15- Kiço Mustaqi Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve -monografi

16- Mesazhe dashurie (publicitiko – letrar)

17- Një ditë për dashurinë (publicistiko – letrar)

18- Puthje dashurie (publicistiko – letrar)

19- Hase Manaj, në udhët e jetës (Monografi)

20- Kujtim Gjonaj dhe magjia e filmit (Monografi)

21- Reshat Arbana “Artist i Popullit” – monografi

22- Anita Bitri – Nje meteor ne qiellin e kenges shqiptare – Monografi

Letër e Ismail dhe Helena Kadare dërguar  autorit nga Parisi, pas leximit  të  librit të  tij “Ikja e Madhe”

Paris, 7 shkurt 1998

I nderuari zoti Albert,

Lexova me  një frymë librin  tuaj “Ikja e madhe” dhe  dua t’ju uroj nga  zemra  për këtë punë  të  mrekullueshme që  keni bërë, lidhur  me  ikjen, jetën dhe  peripecitë e  panumërta  të emigrantëve tanë  në  Greqi. Bravo, me  të vërtetë  bravo!

Libri është  shkruar me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të  gjallë, me gjuhë  të rrjedhëshme  dhe mbi të  gjitha, me një  ndjeshmëri  të rrallë. Për  të  gjithë ne  shqiptarët, kudo që  gjendemi, ai është  një tabllo  tronditëse  e dramës së dhimbshme  të  shkuljes së shqiptarëve  nga  trojet e tyre, pas rënies së komunizmit.

Për të gjitha këto, libri juaj, të shkon drejt e në zemër. Ju keni ditur ta përshkruani çdo gjë duke  mbledhur një informacion të dendur, realist dhe tejet emocionues. Dhe ajo që është për t’u lavdëruar, është se ju, me këtë libër, keni dhënë një mesazh shprese  për të gjithë ata që kanë lënë atdheun  në kërkim një jete më të mirë, dhe që mendojnë seriozisht se një ditë  do të kthehen atje, e do të punojnë për ta ringritur  këtë atdhe të rënë në baltë.

Edhe njëherë urime

Ju përshëndesim

Ismail dhe Helena Kadare

***

Kanë thënë për Albert Zholin:

Albert Zholi është kudo ku ka aktivitete, ku ka aktorë, poetë, shkrimtarë, promovime, redaktime, përkujtime, regjisorë, art, kulturë dhe i pasqyron ato me nivel të lartë dhe pa asnjë shpërblim. I thjeshtë, i dashur komunikues, real në të shkruar dhe i saktë në komunikim.  Krenohemi që e kemi mik dhe i jemi mirënjohës.

Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”

Alberti është nga ata shkrimtarë dhe publicistë që mendohet shumë kur shkruan dhe lë gjurmë në shkrimet e tij. Mbi të gjitha ai është një krijues patriot i madh, aktivist i shkëlqyer ndër të rrallët në Shqipëri  që ka lartësuar emrin e emigrantëve në Greqi për mëse 7 vjet.

Luftar Paja, “Artist i Popullit”

Krijimtaria e Albertit është mbresëlënëse. Pena e tij është e kujdesshme. Figurat e personazheve në librat e tij i ka gdhendur me vërtetësi, thjeshtësi, realizëm dhe besueshmëri.

Reshat Arbana “Nderi Kombit”

-Albert Zholi edhe kur bën analiza edhe kur zhvillon intrevista, i bën në mënyrë poetike.

Xhevahir Spahiu

Albert Zholi shkruan me një penë të ëmbël dhe të qetë, sikur valëzon. Ai hyn në shpirtin e personazhit dhe e zbërthen atë duke na e prurë pranë të gjallë dhe të freskët.

Dritëro Agolli

Alberti shkruan me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë të rrjedhëshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë.

Helena Kadare

Krijimtaria juaj të ngërthen. Lexova një ngjarje prekëse nga jeta e emigrantëve shqiptarë në Greqi i cili shquhet si për realizëm, si për humanizëm të ndërsjelltë. Të tilla tregime rrëfejnë cilësitë e larta morale të njerëzve të thjeshtë. Suksese në rrugën e bukur e të vështirë të tregimit të shkurtër.

Naum Prifti

Përshëndetje të veçanta, i dashur Berti! I lexova menjëherë me kureshtje kolegu skicat dhe tregimet e tua, dhe përjetova kënaqësi të papritur. Nuk e tepëroj se s’më shkon në këtë moshë -duhet të jesh krenar për prozën tënde! Njëherësh më kujtuan skicat e Migjenit – parahyrje për tregimet e fuqishme dhe aq të hijshme të tij. Nëpër prozën tënde lëvizin dramat njerëzore të ditës, një pikëllim tragjik që është edhe më tronditës kur njerëzit e shprehin me sy pa e thënë plotësisht me gojë! Portretet njerëzore, kryesisht në mërgimin e arratisur janë ulërima njeriu në hall, të ngjashme me ujvarat që rrjedhin në fund humnere pa u dukur! Bota njerëzore e rënë përmbys që pena e hollë e ngrë më këmbë për ta shikuar të gjithë!…Megjithatë nuk mungon lirizmi që përballë mjerimit bën kontrastet e pikturave dritë – hije të Rembrandit!. Meriton fjalë të mira po ashtu për gjuhën e kursyer, disi fisnike në zgjedhjen e motiveve. Mbi të gjitha, tregimet – skica kanë në shumë prej tyre një frymë fisnike Shqipërie, shqetësim fisnik të një biri të saj me penë të hollë në dorë… Përgëzimet më të mira!

Agim Shehu

Vlerësime për Albert Zholin:

-Personalitet i Shquar i Shoqatës “Polifonia Shqiptare” – 2010;

-Personalitet i Shquar i Labërisë nga Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” – 2016;

– Titullin  “Ambasador i Paqes” – 2018;

-“Qytetar Nderi i Tepelenës” – 2019;

-Gazetari i vitit i Kulturës nga Instituti “Cinemania Mania e Kinemasë” – 2019;

– Nderi i Shoqatës “Përmeti” – 2020;

-Nderi i Shoqatës “Vëllezërit Frashëri” Përmet – 2020;

– Gazetari i vitit i Kulturës nga Shoqata “Jehona Shqiptare” – 2020;

-Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë – Gusht 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok