SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË SOLIDARIZOHET ME AGRON TUFËN

Nga Frank Shkreli

Kanë kaluar pothuaj dy muaj nga koha që Agron Tufa, shkrimtar, poet, publicist dhe ish-Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, kërkoi strehim politik në një vend të Evropës, për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij, si rrjedhim i veprimtarisë së tij për denoncimin e krimeve të komunizmit – kërcënime këto ndaj sigurisë dhe jetës së tij dhe ndaj familjes së tij, gjë që ai ka denoncuar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.  Për rastin e Agron Tufës dhe familjes së tij, kam shkruar më heret, si një rast tragjik që tregon se Shqipëria e sotëme nuk dëshiron të ballafaqohet me të kaluarën e saj komuniste as të reflektojë për krimet e asaj periudhe.  E them këtë me –rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit nazist në Auschwitz, një shembull nga i cili mund të mësojmë po të duam –një rast ky që mbarë bota e kujtojë si një përvjetor reflektimi dhe betimi që ato krime të mos ndodhin kurrë më!  Deutsche Welle përmendi me këtë rast se si nipi i Rudolf Hess, komandanti të kampit të Auschwitz-it, Rainer Hess po përballet sot me të kaluarën e familjes së tij.  Rainer Hess rrëfen historinë e tmershme të familjes së tij dhe flet se si tani ai po angazhohet në edukimin e brezave të rinjë, me qëllim që ata të mësojnë nga  ajo e kaluar e tmershme dhe tragjike.

Vërtetë është tragjik fakti që në Shqipërinë e 30-vjet pas shëmbjes së komunizmit në Evropë, një shkrimtar i njohur, njëkohësisht edhe një zyrtar shteti, i cili kryesonte një ent shtetëror, i krijuar në bazë të një ligji të Kuvendit të Shqipërisë me mandatin që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit”.  Dhe për të gjitha këto me mandatain për të, “vërë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”.

Për kryerjen e detyrës së tij me përgjegjësi morale, politike dhe akademike, ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa dhe familja e tij kërcënohen fizikisht, madje edhe nga persona në detyra përfaqsuese të shtetit shqiptar – në një përpjekje që mund të quhet zyrtare, për ta hequr qafe dhe për t’i mbyllur gojën Agron Tufës, por edhe për të frikësuar të tjerët, nëqoftse përpiqen të prekin atje ku nuk duhet.

Analistët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e kanë shikuar rastin e Agron Tufës si një vendim të qartë se Shqipëria, jo vetëm nuk e ka në mend të ballafaqohet me të kaluarën komuniste, por vendimi i vështirë i Agron Tufës për të kërkuar azil politik në Evropë, pasqyron gjithashtu edhe gjëndjen e vështirë në të cilën gjëndet liria e fjalës dhe liria e shtypit, por edhe të drejtat e njeriut në përgjithësi, në Shqipëri.  Për këto dy fakte nuk është për tu çuditur, pasi në Shqipëri është treguar shumë pak entuziazëm për tu ballafaquar me të kaluarën dhe liria e shtypit ka qenë gjithmonë nën presion zyrtar, sidomos aktualisht gjëndet përball “paketës anti-shpifje”, ligjit të qeverisë Rama, i cili sipas analistëve të mbrendëshëm dhe të jashtëm, kufizon qartë lirinë e shtypit dhe fjalën e lirë dhe cenon rëndë të drejtat bazë të njeriut në Shqipëri.

Por gjëja që habit vërejtësit, ishte dhe vazhdon të jetë heshtja e autoriteteve shqiptare si dhe mungesa e reagimeve nga ente të tjera shqiptare, përfshirë edhe penat e njohura të botës shqiptare — se një shkrimtar i njohur si Agron Tufa detyrohet të largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i kërcënuar me jetë, është diçka që duhej të shqetësonte të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë, por edhe ata që çmojnë jetën e njeriut si të shënjtë dhe që duan lirinë për veten dhe për të tjerët.  Për ndryshe, në çfarë vlerash morale dhe të drejtash demokratike besojmë ne si komb, nëqoftse nuk solidarizohemi me fatin e Agron Tufës!?

Unë nuk e kuptoj këtë mungesë reagimi ndaj shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut, përfshir një pjesë të madhe të medias shqiptare, megjithëse kërcënimet ndaj Agron Tufës, si rrjedhim i denoncimit të tij i krimeve të komunizmit, është në të vërtetë një kërcënim dhe sulm serioz ndaj ushtrimit të fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit për të gjithë.

Jo se kanë munguar krejtësisht fjalët në mbështetje të Agron Tufës, por e vërteta është se nuk kanë qenë të mjaftueshme për të shprehur zemërimin e nevojshëm ndaj një mase të tillë ekstreme për një njeri të njohur të letrave. Largimin, detyrimisht, të Agron Tufës nga Shqipëria — si pasojë e kërcënimeve dhe frikësimeve nga njerëz në nivele të larta përgjegjësie—ma kujtojë një njoftim që më erdhi në postën elektronike nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, për një aktivitet që do të mbahet këtë fund jave, me 1 Shkurt, 2020 në Kolegjin Monroe në Nju Jork, në mbështetje të Agron Tufës.  Shoqata në fjalë e cilëson këtë veprimtari si një, “Akt mbështetjeje dhe solidariteti ndaj kolegut tonë, poetit dhe shkrimtarit të njohur, Z. Agron Tufa, i cili u detyrua të linte atdheun bashkë me familjen”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin për komunitetin shqiptar në Amerikë të lëshuar nga Kryesia e Shoqatës me Kryetar Mhill Velaj shprehet mbështetja e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë për Agron Tufën si dhe nevoja për të qenë afër Z. Tufa dhe familjes së tij në këtë kohë të vështirë për ta: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e shikon një akt të domosdoshëm për t’i qëndruar pranë, të paktën moralisht, cilitdo shkrimtar që përndiqet, përgjohet, kërcënohet dhe persekutohet për shkak të detyrës apo pikëpamjeve të tij politike”, thekësohet në njoftimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.  Në njoftim thuhet mëtej se, “Ky aktivitet solidariteti do të përqendrohet në diskutime, lexime tregimesh të shkurtra, si dhe recitime poezish të zgjedhura, të autorit A. Tufa.

Aktiviteti do të zhvillohet në adresën:

Monroe College 2501, Jerome Avenue,

Bronx, NY, 10458

Kryesia e Shoqates se Shkrimtareve

Kryetari

Mhill VELA

Duke vlerësuar aktivitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, që organizohet në fund të kësaj jave në Nju Jork, shqiptarët vullnet mirë kudo gjithnjë bëjnë pyetjen — edhe dy muaj pasi Agron Tufa u detyrua të kërkonte azil politik në Evropë për arsye të detyrës:  Ku është dhe pse heshtë Shteti?  Pse heshtë opozita? Pse heshtë media dhe organizatat jo-qeveritare, sidomos ato që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës, për një shkrimtar të njohur si Agron Tufa?  Kësaj liste mund t’i shtojmë edhe ndërkombëtarët: Ku jeni ju përfaqsues të Perëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni ndaj një fenomeni të tillë?  Ku janë akademikët shqiptarë dhe shkrimtarët e mëdhej, mbrenda dhe jashtë? Nesër mund tu vijë radhe ju që të detyroheni të kërkoni azik politik, nëqoftse në ushtrim të fjalës së lirë ofendoni ndonjë pushtetar!  Një papërgjegjësi kjo e tmershme morale dhe kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar!  Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet. Për më tepër, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror dhe familjes së tij.  Deri kur më kështu!

Megjithkëtë, unë jam i bindur se Agron Tufa nuk do të dorëzohet para kërcënimeve as frikësimeve, përkundrazi ai do të vazhdojë të dëshmojë edhe më shumë dhe më lirisht për krimet e komunizmit dhe për ata shërbetorë të atij regjimi që ende mbajnë detyra të larta në pushtet, madje që bëjnë edhe ligjet në Shqipërinë “demokratike” dhe në Shqipërinë anëtare të NATO-s, që aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian.  Por çka është edhe më e rëndësishme është pyetja nëse Agron Tufa dhe të tjerë si ai do të kenë mbështetjen tonë – sot dhe në të ardhmen — për guximin dhe vendosmërinë e tyre për të thënë të vërtetën për atë periudhë të errët të historisë kombëtare.  Urimet e mia Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë për këtë nismë sa humane aq edhe kulturore e kombëtare!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube