Shqipëria ‘‘ideale’’

Historia e njerëzimit është e mbushur me përpjekje të popujve për të krijuar shtetet e tyre etnike. Disa ia kanë dalur, të tjerët pjesërisht, ndërsa një numër edhe më i madh i tyre nuk ia ka arritur këtij qëllimi (të kujtojmë kurdët, palestinezët, romët, vllahët, etj). Si dhe ku qëndrojnë shqiptarët në këtë mes? Çfarë mund të kenë mësuar ata nga e kaluara dhe cili është vizioni i tyre për të ardhmen? Një opinion që nuk pretendon t’i vejë kapakun kësaj teme.

Nga Anton Marku

Po u kthyem në retrospektivë do të shohim se, pas themelimit të Shqipërisë, u nevojit pothuajse një shekull që të bëhet hapi i dytë drejt realizimit të ‘‘ëndrrës kombëtare’’, e që ishte krijimi i shtetit të Kosovës. Bashkimi i saj me Shqipërinë do të ishte hapi i tretë në këtë rrugëtim, i cili do të përcillej me shkëputjen e pjesës perëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe përngjitjen dhe të disa komunave të vogla në Mal të Zi dhe jug të Serbisë.
Aktualisht, në kohën kur si Shqipëria ashtu dhe Kosova po tkurren për sa i përket numrit të banorëve, nga që të dyja ato vijnë zëra për zgjerim të territoreve dhe atë deri tek ‘‘molla e kuqe’’, e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë, pos në këngë lahutash dhe fantazitë e ndonjë të përhumburi në legjendat kalorësiake. Sidoqoftë, edhe pse sot për sot më shumë peshon ajri se sa thirrjet e tyre, duhet theksuar se idhëtarët e këtyre aventurave, të cilët ngjajnë me ushtarë të vetmuar që bërtasin me zë të lartë, mbase janë të demobilizuar por jo dhe të demoralizuar. E preferueshme do të ishte që ata që duan të bëjnë gjumin të qetë të mos merren me gjëra që mund t’i lënë pa gjumë.
Në anën tjetër, këtij diskursi, me deklaratat dhe qëndrimet e tyre shpesh kontraverse, jo rrallë edhe duke demantuar vetveten, i kanë kontribuar dhe po e bëjnë ende, edhe dy kryeministrat aktualë, këndej dhe andej gurit, Rama dhe Kurti. I pari, për përdorim të jashtëm, trumbeton narrativin se ‘‘shqiptarët do të bashkohen një ditë në familjen e madhe evropiane’’, ndërsa për opinionin e brendshëm propozon ‘‘president të përbashkët’’, i cili mbase xhepat do t’i kishte plot harta të cilave nuk u dihet prejardhja. Në ndërkohë i dyti, i cili ngritjes së tij politike i falënderohet parullës ‘‘Vetëvendosje!’’ tani ka kuptuar, me të drejtë, se ndryshimi i kufijve të shtetit që qeverisë, së paku tani për tani, është më i komplikuar se sa supozohej, dhe atë jo vetëm për shkak të dispozitave kushtetuese por edhe të gjeostrategjive globale. Ai tani emblemën e dikurshme e ka kornizuar në paradigmën lehtë të kuptueshme: ‘‘Të ngutesh nuk do të thotë të nxitosh! Vonë është më mirë se kurrë!’’.

Çuditërisht apo jo, janë shqiptarët e Kosovës ajo forcë që përpiqet të imponojë bashkimin kombëtar, edhe pse tani e kanë shtetin e tyre, rrjedhimisht dhe vazhdojnë të kërkojnë njohje ndërkombëtare për të që nga shpallja e pavarësisë, këtu e trembëdhjetë vite më parë.

Në anën tjetër fitohet përshtypja se një pjesë e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë, së paku ekonomikisht dhe kulturalisht, më tepër janë të interesuar të bashkohen me Italinë apo Greqinë se sa me Kosovën. Kur këtij fakti t’i shtohet edhe argumenti se në zgjedhjet e fundit parlamentare të 24 prillit asnjëra nga lëvizjet apo partitë politike në Shqipëri që lidhet me bashkimin kombëtar nuk arriti të fitojë së paku një ulëse në kuvend, atëherë tabloja bëhet edhe më e qartë.

Modelet futuriste

Termi Shqipëri është përdorur për herë të parë në shekujt 13-15. Emërtimi ‘‘Shqipëri e madhe’’ është produkt i propagandës hegjemoniste që para kohërave të ‘‘Titosllavisë’’, më pas edhe të fashizmit, dhe nuk ka nevojë për një elaborat më të thukët. Koncepti ‘‘Shqipëria etnike’’ është jo gjithëpërfshirës pasi që përjashton grupet e vogla nacionale joshqiptare, përderisa ai artificial i ‘‘Shqipërisë natyrale’’ nuk është i precizuar aq sa duhet sepse paradigmë ka gjeografinë, pra zonat e Ballkanit të banuara me shumicë shqiptare, e të cilat nuk kanë qenë asnjëherë, e nuk janë as sot, statike por dinamike dhe lëvizin, rriten apo zvogëlohen, në njërin apo tjetrin drejtim. Në anën tjetër referenca ‘‘Shqipëria qytetare’’ që do të kishte për lajtmotiv lojalitetin e shtetasve ndaj institucioneve të zgjedhura përmes votës, mund të jetë projekt iluzionist dhe në stadin fillestar.

Ideja për ‘‘Shqipërinë ideale’’ mbështetet në idealizmin jo vetëm si ideologji, mbase dhe utopiste, por që përkufizohet si sistem pikëpamjesh dhe vlerash universale që rregullon raportet ndërnjerëzore pa i pyetur ata për botëkuptimet e tyre apo emra të përveçëm.

Në një utopi të tillë, larg tymnajave regjionale, jo vetëm shqiptarët por edhe të gjithë të tjerët që do të jetonin brenda dhe ngjitur me kufijtë e saj, do të ndiheshin të lirë, të barabartë para ligjit, të mbrojtur, të sigurt, të vlerësuar dhe fuqizuar si pjesëtarë aktiv të një shoqërie laike dhe demokratike, ku dallimet gjuhësore, fetare e krahinore konsiderohen vlerë e jo pengesë. Në të nuk do të kishte diskriminim të asnjë lloji. Një Shqipëri e tillë, fillimisht në thelb më tepër imagjinare, nuk është e thënë që domosdo të përfshinte të gjitha ‘‘territoret shqiptare’’, por që në mendjen e secilit do të zgjonte ndjenjën se ajo përkujdeset për ta dhe i mbështetë, kudo qoftë dhe kurdo qoftë, jo vetëm brenda vijave administrative.

Depolitizimi i politikës

Për ata që të ardhmen e shohin me syrin e pragmatistit dhe tentojnë që të gjejnë shtigje të reja për udhë të vjetra, nuk ka vetëm një përgjigje për të gjitha pyetjet, por diçka është më se e sigurt: Shqipëria bëhet duke ju ofruar shqiptarëve jetë të dinjitetshme. Asesi ndryshe.
Kjo do të ishte Shqipëria si e paramendoj unë. Shqipëria ime. Shqipëria jonë.
Vjenë, 22 maj 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube