18/04/2024

Shqiponjat dhe delet

0

Nga Gani Mehmetaj

Shqiponjën e kemi totem, simbol kombëtar. Por nuk kemi ngjashmëri dhe as gjëra të përbashkëta me totemin tonë. Ne flamur e kemi vënë që t’ia kujtojmë vetës kush ishim dhe kush duhej të jemi, por kjo më shpesh na kthehet bumerang, sepse na e kujton gjendjen në të cilën kemi rënë, pra kush nuk duhej të ishim. Shqiponja e zotëron dhe e mbron hapësirën e vet, rrëmben e mbërthen, ndërsa ne nuk jemi zot të hapësirave tona, nuk mbrojtëm tokat tona. Dy të tretat e territorit kombëtar na i  pushtuan armiqtë. Rrallë jemi sjell sipas totemit tonë, megjithëse kishim periudha të lavdishme, kur shkëlqyem dhe e mrekulluam botën. Por kishim periudha kur u sollëm si dele, madje vrapuam si delet pas ujkut, edhe pse ai na shqyente. Shpëtimtarit ia kthyem shpinën, armikun e bëmë mik e vëlla, e futëm në shtëpi dhe ai po na çnderon.

Ta kujtosh kur ishe shqiponjë dhe të kuptosh se sillesh si dele, është dëshpëruese. Ta kujtosh Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe të ballafaqohesh çdo ditë me nga një bastard (kopil) të Ballaban Pashës, është të vajtosh grarishte. Të kujtosh gjithë ata burra të mençur dhe trima, që i kishim dikur, dhe të te udhëheqin një grusht horrash, të paditurish, frikacakësh e qyqarë, është kulmi i katandisje morale e kombëtare. Vetëm nën okupim ishim më keq, por nën okupim kishim shpresa se do të çliroheshim, tash shpresat na i kanë vra.

Haxhi Qamili ishte emër që paraqiste turpin kombëtar dhe tradhtinë ndaj atdheut. Sot Haxhi Qamilat na e kthyen ish pushtuesin, janë në kreun e shtetit e të partive politike dhe askujt nuk i bëjnë përshtypje. Të jesh Haxhi Qamil sot nuk është turp.

Sundimtarët bastardë na e zvetënuan kombin dhe atdheun, na e nxinë të ardhmen, nuk kemi shpresa as energji t’i kundërvihemi të keqes, dalëngadalë dhe në mënyrë të pahetueshme po misherohemi me të shëmtuarën, po e marrim model horrin, batakçiun, vrasësin, frikacakun e zhvatësin, po e imitojmë majmunin, po shkëputemi nga boshti ynë dhe po ikim nga kontinenti. Vlerat kombëtare e morali qytetar po zvetënohet. Nuk mburremi më që jemi shqiptarë, sikur po turpërohemi për përkatësinë kombëtare.

Kur silleshim sipas totemit tonë, shqiponjës, bota na çmonte, kur sillemi si dele, bota nuk na çmon, as nuk na ndihmon. Na trajton si dele që nuk meritojmë fat më të mirë.

Totemin tonë – shqiponjën e kemi harruar. Edhe ndonjë ditë flamurin kombëtar do të na e ndryshojnë, bustin e Gjergj Kastriotit e kanë hequr nga të gjitha institucionet shtetërore.

Totemi ynë shqiponja në Shqipëri e në Dardani është në rrezik zhdukje, shqiptarët po ashtu janë në rrezik shuarje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok