SHQIPTARËT NË  TEHUN FASHIST

0

9 Maji-Dita e Ngadhënjimit mbi Fashizmin 76 vjet më parë

Kush ka vuajtur nuk harron” – Ciceroni

Ngadhënjimi mbi fashizmin në Evropë nuk e ka çrrënjosur atë tërësisht deri në ditët tona. Gjenocidi serb kundër shqiptarëve në shekuj ishte mbi çdo krim tjetër ndaj tyre. Dëshmitë e fundit janë masakrat serbe dhe varret masive deri në Batajnicë si dhe dëbimi masiv i shqiptarëve

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Mat’huazen
Kampin e shfarosjes njerëzore Mat’hauzen,  e kisha lexuar si emër në një skaj flete historie. Më shumë do ishte e kapshme në ndijimin e thjeshtë kallëzimi për “përrallën” e Mat’hauzenit ku loja e vdekjes ishte përditshmëri. Çuditërisht vdekja i donte të gjithë, dhe ata e donin atë si shpëtim nga tortura e fyerja, përditshmëria e kënaqësisë sadiste e hijeve që zgërdhiheshin me kryqin e thyer në krah. Dhomat e gazit ushqeheshin me mish njeriu nën përcjelljen e flakës me tymin që rrokej qiellit bashkë me shpirtrat në amshim.

Ky ishte fillimi i mësimit një ditë maji nën pikat e shiut të ftohtë në rreshtin e gjatë kaladredhash të mbushur me flamuj gjithfarë ngjyrash. Delegacionet e vendeve nga e gjithë bota në çdo fillim maji nderojnë viktimat. Të rreshtuara sipas alfabetit, ato nisen qysh nga Shkallët e Vdekjes, dhe vazhdojnë deri tek Sheshi i Apelit (Appellplatz), ku vihen kurorat me radhë. Kosova ishte shteti më i ri në kontinent me flamurin që mbante delegacioni i Ambasadës së Republikës së Kosovës diku nga mesi, kurse Republika e Shqipërisë ndër vendet e para që i printe flamuri kuqezi.

Shqiptarët u gjendën bashkë me gjithë Frontin Antifashist në luftën e cila i shkaktoi dhembje të mëdha njerëzimit. U gjendën përkrah Shteteve të Bashkura të Amerikës, Anglisë dhe forcave të tjera antifashiste. Nga kjo luftë kundër një force e ideologjie antinjerëzore siç ishte fashizmi, duhet të mësojnë brezat e rinj në vazhdimësi si arma më e fuqishme mbrojtëse ndaj çmendurive mbytëse që mund të lindin. “Nie mehr faschismus”- (Kurrë më fashizëm) ishte porosia përcjellëse në kohë.

Hapësirë Emrash
Shqiptarët ishin pjesë e koalicionit antifashist i cili ngadhënjeu në fillim majin e vitit 1945 duke luftuar për lirinë e tyre dhe kombeve të tjera. Shumë prej shqiptarëve u kapën nga nazistët dhe u dërguan në kampe përqendrimi në Batajnicë, Srem dhe prej andej ata që shpëtuan, në Mat’hauzen dhe Aushvic. Sipas dokumenteve në arkivat e Komitetit të Mat’hauzenit, nuk dihet saktësisht numri i tyre, mungojnë shënimet e plota ose janë shënime jo të sakta të shkruara gabimisht në gjuhë të tjera të pushtuesve jugosllavë, maqedonas, malazezë, grekë apo italianë. Pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë më 2008, u bënë përpjekje për zbulimin dhe vërtetimin e saktë të të internuarve në kampin e Mat’hauzenit. Nga shënimet del se shumica e të internuarve janë pjesë e grupeve nga radhët e kombeve të tjera, por në fakt janë shqiptarë. Projekti i shpallur nga Komiteti i Mat’hauzenit me emrin “Raum der Namen” në vitin 2013, u dha mundësia e bashkëpunimit mes këtij Komuniteti dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës. Ky projekt kishte si qëllim kompletimin e mundshëm me të dhëna të sakta nga të internuarit e kombeve të ndryshme. Ambasada e  Republikës së Kosovës bashkëpunoi me Komitetin e  Mat’hauzenit në krijimin e rrethanave dhe mundësive, mbasi kjo i nevojitej Kosovës si shteti i ri, në kërkimet dhe hulumtimet e mundshme për të gjetur individë të internuar nga Kosova në Mat’hauzen me kampet e tjera përcjellëse: Ebensee, Melk, Gusen dhe dhjetëra të tjerë më pak të ditur.  Meqë kisha shkrime mbi Mat’hauzenin dhe të internuarit shqiptarë, Komiteti i Mat’hauzenit më shkroi duke shprehur nevojën që edhe për shqiptarët të kemi mundësi hulumtimi. Nga këto kontakte Ambasada e Republikës së Kosovës më dha autorizimin që ta përfaqësoj në projektin “Raum der Namen”(Hapësira e Emrave) projekt në të cilin punova me kënaqësi megjithëse nuk ishte një punë e lehtë.  Materialet nga Arkivi i Mat’hauzenit: regjistri, foto, CD dhe pjesë nga shtypi ishin të shumta dhe me paqartësi të mëdha. Mbi dhjetë mijë emra nga regjistri i të burgosurve të ish-Jugosllavisë ku kishte shqiptarë nga viset shqiptare të regjistruar me kombësi të tjera (kryesisht jugosllavë). Ishte një punë e mundimshme, por më dukej e ndershme dhe lavdishme. Çuditërisht u miqësova me emra shqiptarësh që kishin përfunduar në kampet e përqendrimit në Mat’hauzen dhe degët e tij.  Mbi pesëdhjetë emra shqiptarësh u korrigjuan duke u bazuar në faktet: gjuhësore, vendlindje, rregulla gramatikore të emrave, kontakteve direkte me pasardhësit e tyre, dokumenteve nga Këshilli Nacional Çlirimtar i Kosovës dhe fakte të tjera. Takimet me njërën nga drejtuesit e tyre, zonjën Vahide Hoxha (mësuese) ishin miqësore dhe me shumë vlerë. Dokumentet që mora nga ajo më ndihmuan posaçërisht në gjetjen e emrave të rinj të të internuarve, por edhe në korrigjimet e atyre që kisha nga regjistri i Mat’hauzenit. Një falënderim me respekt të veçantë shkon për Vahide Hoxhën dhe kryesinë e KNÇK.  Për ta bindur grupin shkencor të Komitetit të Mat’hauzenit duheshin argumente faktike të përkthyera në gjermanisht dhe shqip. Në gjithë këtë ndërmarrje timen më ndihmuan në çdo moment dhe fjali fëmijët e mi Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani, Mag. Qamile Mehmeti-Bufaj dhe Mag. Kreshnik Mehmeti.  Puna ime u pranua nga Komiteti dhe sot në Librat Përkujtues të emrave të viktimave janë të korrigjuar dhe me nacionalitetin që i takonin, atij shqiptar. Çdo vizitor i Kompleksit Memorial Përkujtues të Viktimave nga Fashizmi mund të gjejë emrat e secilit me shënime të shkurtra biografike. Kompletimi i shënimeve vazhdon gjithnjë. Këtë angazhim e ndihmojnë të gjithë familjarët, shokët apo të tjerët që kanë pasur lidhje me personat e zhdukur në Mat’hausen. Shqiptarët, sipas dëshmitarëve që e përjetuan Mat’hauzenin, ishin shumë herë në numër më të lartë se sa numri që dihej aktualisht.
Zbulimi dhe shënimet e sakta janë vlerësim i luftës sonë antifashiste krahas aleatëve amerikanë, anglezë dhe koalicionit të gjerë. Njerëzit tanë ishin të vuajtur vazhdimisht nën shënjestrën e pushtuesve, andaj e kemi detyrim respektin ndaj veprës së tyre. Ata që harrojnë historinë sot, marrëzisht ajo do përsëritet nesër. Ne e provuam shumë herë nëpër shekuj.
Sipas shënimeve nga Maut’hauzeni aty gjetën vdekjen 133 shqiptarë nga trevat shqiptare, në mes tyre edhe Xhevdet Doda e KozmaNushi, heroj të popullit. Në shenjë përkujtimi ndaj tyre do japim edhe emrat: Abaz Dine, Abaz Sullaj, Abdulla Tabaku, Adil Alushi, Ahmet Ramzoti, Alem Tafili, Ali Ashimi, Ali Biduli, Asti Gogoli, Azem Toska, Bedri Agalliu, Beg Nushi, Besim Liku, Buharedin Mitarja, Cane Çaçi, Cane Rapushi, Dalip Meminaj, Demir Bardhi, Dervish Hoxha, Dilaver Kamberi, Dhimitër Konduri, Dhimitër Kulla, Ejup Kondo, Emanuel Hasdurian, Enver Velja, Faik Haruni, Faslli Lelaj, Faslli Zoga, Feim Mustafaj, Fejzo Toska, Ferik Buzi, Fizo Spahiu, Gani Kokli, Gjysh Duraj, Hajdar Shameti, Hajredin Kerkova, HakimVeliu, Halil Shyri, Hamit Roseni, Hamit Xhyheri, Hamza Laperi, Hasan Doci, Hekuran Novruzi, Hysen Shtufi, Ibrahim Skendaj, Ibrahim Xhatufa, Ilo Çomi, Isa Rapushi, Ismail Zyma, Isuf Berberi, Isuf Ibershimi, Izet Mema, Jani Kosta, Jani Nathanaili, Jani Popa, Jano Maska, Jorgji Ziu, Koro Çoni, Kostandin Simaku, Late Bregu, Mehmet Dauti, Mehmet Sulo, Mihal Koçi, Mihal Pema, Minella Gogo, Muhamed Velaj, Muhamet Bino, Muhamet Dine, Muhamet Kabashi, Musa Gorishti, Mustafa Kotherja, Mustafa Zahaj, Myslym Nelaj, Mystehat Malaj, NaunThanasi, Neim Gjoni, Nexhip Hekurani, Nexhip Himçi, Novruz Abazi, Novruz Dine, Novruz Hajdini, Pandeli Dimo, Pavllo Papingji, Piro Papalilo, Qazim Çakerri, Ramadan Nebiu, Ramadan Ramo, Ramazan Myrto, Rapo Kapllani, Rapush Çarçani, Rasim Hamzaraj, Refat Ismajli, Rexhep Bani, Sabri Habibaj, Sadik Asnjoku, Sali Dibra, Sami Karriqi, Selim Çarçani, Senusi Nota, Sofokli Dhimitriadhi, Stavri Havale, Sulejman Cenoimeri, Sulejman Doko, Sulejman Rukja, Sulejman Zakja, Sulo Gorishti, Shefqet Leka, Shefqet Shyti, Sherif Nuredini, Shyqyri Buzi, Taqo Dino, Tefik Skilja, Telat Noga, Teme Alushi, Thimio Nathanaili, Thoma Kuqali, Vangjel Shkurti, Vangjel Vasili, Vangjel Xhani, Vasil Dushku, Vasil Gjata, Vasil Mojsiu, Vehbi Vrashtazi, Xhafer Kodra, Xhafer Skilja, Xhafer Zera, Xhemal Kasa, Xhemal Myhdari, Nuredin Memishaj, Xhemal Shasho, Hajrullah Ramë Hoxha, Abedin Abdula, Abdula Ramis, Ibush Idrizi. Katër të fundit janë vërtetuar si shqiptarë nga hulumtimet dhe e shtojnë numrin në regjistrin aktual në 137 persona.

Gjenocidi serb
Derisa vazhdonin deportimet  nga fashistët gjermanë drejtë Batajnicës, Sremit, Mat’hauzenit e Aushvicit, forcat çetnike-komuniste arrestonin të rinjtë shqiptarë në Kosovë dhe i dërgonin në veri drejtë Banatit e Sremit, kurse në perëndim drejtë Tivarit dhe Triestes, të cilët nuk u kthyen kurrë më. Ky “marshim i vdekjes” bëhej në emër të luftës për liri. Në këtë kohë lufte, shqiptarët u ndodhën mes dy zjarreve; atij fashist dhe atij çetniko-komunist serbo-jugosllav,  i cili  ishte më dinak dhe më shkatërrues për shqiptarët.  Nga forcat serbo-sllave u arrestuan në fund të Luftës së Dytë Botërore mijëra të rinj shqiptarë dhe i deportuan të etur dhe uritur drejt Tivarit. Buzë detit, aty ku ishte Metropoli i Duhanit, brenda një dite u ekzekutuan mbi tre mijë të rinj shqiptarë të rrëmbyer me qëllim ekzekutimi. Ishte kjo pjesë e programit nga memorandumet famëkeqe serbe në vazhdimin e gjenocidit për zhdukjen e shqiptarëve. Këto masakra si pjesë e gjenocidit serb mbeten akoma të pa ndriçuara dhe askush nuk mori përgjegjësi, bile as që u diskutua ndonjëherë seriozisht. Në Kosovën e robëruar nuk e lejonte pushteti i cili ishte autor i këtij krimi, të zbardhej e vërteta, megjithatë,  populli i ruante në shpirtin dhe kujtesën e tij dhe nuk i harroi kurrë. Ai i thurte këngë, tregime dhe përkujtime që nuk vdesin në krenarinë kombëtare. Në Shqipëri diktatura e ndërtuar mbi bazën ideologjike të serbo-sllavëve ishte bashkëfajtore dhe nuk kishte interes ideologjik dhe as fuqi morale. Në luftën e fundit kur shpërtheu egërsia serbe duke tentuar pastrimin etnik të Kosovës të ngjashëm me atë të shekullit nëntëmbëdhjetë e njëzetë kur nga viset shqiptare të Vranjes, Leskocit, Medvegjes, Bujanocit, Preshevës u dëbuan mbi 300 mijë shqiptarë dhe 150 mijë u masakruan. Kjo ndodhi para syve të botës, e njohur si Golgota Shqiptare të cilën e dokumentoi nga afër publicisti e diplomati austriak me rrënjë hebreje Leo Freundlich në veprën e tij “Albanischer Golgotha”. Për këtë vepër dhe aktivitetin e autorit akoma shqiptarët nuk nxorën dhe mësuan asgjë, as hartuan ndonjë dokument akuzë kundër Serbisë. Leo Freundlich  e përgatiti dhe parashtroi para mediave të kancelarive të fuqishme botërore dhe gjykatave të asaj kohe si dokument akuzues për gjenocid ndaj një etnie. 
Batajnica në Beograd  ku grumbulloheshin e masakroheshin shqiptarët dje, u ripërsërit para syve të Evropës edhe në ditët e sotme. Shteti i Kosovës dhe Evropa demokratike duhet të zbardhin përfundimisht në emër të popullit të Kosovës gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. Viktimat nuk pyesin për demokraci, ato akuzojnë dhe kërkojnë drejtësi. Varri masiv i 762 shqiptareve e shqiptarëve, prej të cilëve 74 fëmijë, në Batajnicë, akuzon dhe është argument i fuqishëm i cili vërteton gjenocidin serb, një nga faktet e shumta se Serbia duhet të denoncohet në gjyqet ndërkombëtare për gjenocid të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Shtetet demokratike duhet ta njohin pa vonuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok