STAVRO THOMA FRASHËRI (1900-1965), PERSONALITET I RRALLË I KULTURËS SHQIPTARE

Nga Sinan GASHI

Edhe pse ishte përgatitur për inxhinier mekanik dhe elektrik, pastaj kishte studiuar edhe për shkencat juridike e ekonomike, Stavro Th. Frashërin e bëri të përjetshëm vetëm krijimtaria e tij letrare-shkencore.

Emri i tij nderohet edhe me punën në arsim dhe në gazetarinë shqiptare, kryesisht gjatë viteve ’30 të shekullit XX.

Ngase veçsa dolëm nga një sistem i përjetimeve të rënda shpirtërore dhe fizike, siç ishte ai i monizmit të tmerrshëm, shumë gjëra na ngelen të panjohura, të fshehura, të pa sistemuara, duke e varfëruar kështu dijen tonë dhe kulturën shqiptare në mungesën e tyre.

Ndër ato gjëra të rëndësishme, janë edhe fatet e krijuesve letrarë, përkatësisht mosnjohja e veprave të tyre, shumica të asgjësuara nga sistemi komunist, nëse kishin qenë të botuara më parë, dhe shumica të mbetura në dorëshkrim, që, si  relike ruhen me fanatizëm në arkivat familjare.

Ndër ata që përjetuan katrahura të një sistemi të vdekur tashmë, është edhe intelektuali, poligloti, shkrimtari, shkencëtare, inxhinieri dhe juristi Stavro Thoma Frashëri.

Ai, edhe pse fati e kishte shpënë të jetoi në shtete të ndryshme, po në shtete të ndryshme e kishte kryer edhe shkollimin, madje shkollim që aspak nuk i jepte dije profesionale të një letrari e as të një shkencëtari, të cilat i kreu më së miri si ’autodidakt’, por që nuk përsëriten më.

Ai edhe ushtroi profesionin e inxhinierit, edhe të pedagogut, edhe të zyrtarit e, krahas këtyre, me një vullnet shpirtëror atë të krijuesit letrar, të mbledhësit të pasionuar të folklorit dhe po ashtu të hartimit të veprave shkollore e shkencore.

Në fillim ishte njeriu

Stavro Thoma Frashëri është i lindur në vitin 1900, në Korçë, nga një familje me prejardhje  nga Përmeti i Frashërit. I ati, Thomai dhe e ëma Aleksandra, ishin gjithsej tre vëllezër dhe dy motra. Këtij tregtari të vogël iu deshtë, për nevojat eksiztenciale, të shpërngulet në Selanik të Greqisë, që aso kohe ishte një qendër me përplot shqiptarë dhe arbërorë  vendas. Kështu Stavri fëmijërinë e nisi rrugicave të këtij qyteti të lashtë. Aty mbaroi shkollën fillore e, për zgjerim njohurish, regjistroi gjimnazin e mirënjohur ”Zosimea” , ku kishim marrë dije shumë rilindës shqiptarë, ndër të cilët edhe të tre vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi dhe Samiu. Ky qytet madje ta përkujtonte edhe shqiptarësinë e  figurës së madhe të Ali pashë Tepelenës, ku e kishte selinë ai.

Në ’Zosimea’  mori dije të shumanshme dhe të thella nga letërsia greko-latine, teologjia, filozofia,  historia e njëkohësisht edhe nga shkencat klasike: kimia, matematika e fizika. Këtu  mësoi edhe katër gjuhë të huaja: greqishten, latinishten, frëngjishten dhe italishten, të cilat i dhanë mundësi të mëdha për hulumtim të diturisë në hapësira të paana.

Pas kësaj kohe, familja nga Selaniku më 1920 sërish iu kthye në Korçë, ngase iu kishte  kallë gjithë shtëpia dhe pasuria. Aty Stavri ia nisi punës në administratën e Bashkisë së qytetit të Korçës. Pas tre vjetësh punë, Fondacioni Amerikan ”Near Uast” i udhëhequr nga Laid Archer, ia ndau një bursë për të studiuar në Kolegjin Amerikan ”Robert College” të Stambollit. Këtu studioi nga viti 1923 e deri më 1927. aty mori titullin e inxhinierit mekanik. Përveç se ishte student i dalluar në mësime, ai ishte tepër aktiv edhe në veprimtaritë jashtëshkollore, për ç’arsye do të zgjidhet edhe kryetar i organizatave të ndryshme. Dëshmitë dokumentare na bindin se ai ishte zgjedhur katër herë nënkryetar i Këshillit të Studentëve, katër herë në postin e kryetarit të komitetit të Shërbimeve Sociale,  katër herë i Komitetit të Disiplinës, pastaj kryesues i Klasës së Debatit Eng. Debating Team) dhe i Klasës së Futbollit.

Pasi kthehet në atdhe, nis punën në Ndërmarrjen Elektrike të Korçës. Duke e parë aftësinë e tij dhe duke e ndjerë nevojën për profesionist, ai dërgohet për perfeksionim të profesionit në kompaninë angleze ”Ruston & Harnsby Limited” në Londër, ku u specializua për elektricitet. Atje ai e plotësoi interesin e tij edhe për dijet e tjera të një etnie dhe kulture tjetër. Kjo firmë, pastaj e njofton me një letër ndërmarrjen e Korëës për punën  dhe qëndrimin e tij atje.

”La Société Générale d’Electricité

KORYTZA

Monsieur, Stavro Frasheri chez nous:

Il a commence’le 15 Août de l’anneé 1927 dans les ateliers des moteurs horizantaux et verticaux. (…)

Aprés avoir terminé son caurs dans nous Usines de LINCOLN, le reste du temps jusqu’a son départ le 12 Avril 1928 il s’est occupé en visitant nos Usines de STOCKPORT et GRANTHAM.

(…)

RUSTON & HORNSBY LIMITED”

Për shkollën shqiptare që herët ishin interesuar asociacionet amerikane. Kështu në vitin 1920 Kryqi i Kuq  Amerikan, zyrtarisht i kishte shkruar shtetit shqiptar për lejimin e hapjes së Shkollës Teknike në Tiranë. Po ashtu ishte zhvilluar zyrtarisht aktiviteti për hapjen e një shkolle bujqësore. Në të vërtetë interesimin e kishin shprehur disa ministra amerikanë me insistimin e fortë të multimiliarderit Rockfeler. Shkresë zyrtare i kishte dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Ahmet Zogut, drejtori C. Telford Erokson, më 1923. Kështu edhe nis punën Shkolla Bujqësore Shqiptaro-Amerikane, me seli në Kavajë. Këtu drejtor ishte Joseph Ë. Beach. Kjo shkollë pastaj u shndërruar në Institut Shqiptaro-Amerikan për Bujqësi. Po në këtë shkollë caktohet të punoi edhe Stavri, që në vitin 1930. Ajo ishte shkollë për vajza dhe djem. Aty madje ishin ndërtuar edhe  konvikte për shkollarët.

Ishte martuar me Dhimirtra Mihallaq Bimbli nga Korca, e cila e kishte mbaruar Institutin e Kavajës. Me të cilën padi dy djem.

Duke mos u ndalur në ambiciet e tij, Frashëri e regjistron edhe  Universitetin e  Selanikut, për shkencat juridike dhe ekonomike, më 28 janar 1937, duke i mbaruar vetëm tri vite, ngase okupimi i Shqipërisë nga fashizmi italian, i çrregullon punët. Pastaj, ai kthehet në vendlindje, dhe emërohet mësimdhënës në Shkollën Qytetëse të Durrësit, nga viti 1939-’40.

Ai në konceptin e tij ideologjik e politik ishte antifashist, ishte simpatizant dhe përkrahës moral dhe material i Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare, dhe përkrahës i studentëve shqiptarë. Mu për këtë, në vitin 1944 ishte emëruar kryetar i Frontit Nacional Çlirimtar për lagjen “Kala” të Durrësit.

Stavri arrestohet më 20.VII.1947, ndërsa Gjykata Ushtarake e Tiranës e cila shpalli fajtor për krime kundra shtetit, me vendimin nr. 201, dt. 19.III.1948 dhe e dënoi më 20 vjet heqje lirie. Këtë formulim padie e kishin të gjithë ata mësues që kishin punuar në shkollën amerikane, si në atë të Tiranës, si në atë në Golem të Kavajës. Ata madje i kërkonin me çdo kusht të deklaronte se ishte agjent i amerikanëve. Ani pse ai nuk i përkiste asnjë organizate tradhtare, dhe mbajti qëndrim korrekt politik, duke u bazuar vetëm në vklerat kombëtare, ai mori dënimin, dhe cilësohet “armik”.

Nga këto vite, ai i mbajti vetëm pesë nga ato në burgun e Tiranës, në Beden (Kavajë) dhe në Maliq (Korçë), ndërsa vitet e tjera iu falen, pas kërkimfaljeve dhe rishqyrtimeve të gjykimit. Lirohet më datën 16.VI.1952.

Pas dënimit gjithçka iu sekuestrua, familja i dëbohet. Ai, sa hiqte vetë i mbyllur, po aq e kishte dhimbjen për bashkëshorten me fëmijën e vogël dhe pa përkrahje materiale. Letrat nga burgu janë me plot emocione dhe interesa për fatin e familjes. “Ditën e takimit e pres si ditë feste dhe po të mundeni më sillni nonjë sheqerkë që t’ua jap fëmijëve. Më vjen liksh të hikin me duar bosh. (…) Nuk është turp të kërkosh. Gjithashtu shkruaj Lefkodhesë të të dërgojë për mua ç’do muaj me anën e postës 100 lekë, të cilat më duhen për shpenzime banjoje dhe të qethuri. Duhan nuk pi. (…)”

Pas disa vitesh bredhjeje, ai caktohet të punojë në Ndërmarrjen Shtetërore  Riparim Makineri Ndërtimi në Shkozet  të Durrësit, deri sa vdiq, më 1965. duke mos ia pranuar datën e lindjes, me motivacion se nuk kanë shënime të hershme, ai nuk e gëzoi asnjë ditë të pensionimit.

Për personalitetin e tij, biografi S. Hidri, ndër të tjera shkruan: “Kishte një komunikim të menjëhershëm, aq sa ti si dëgjues kishe dëshirë të mos e ndalonte ligjërimin e tij.”

Pastaj vjen veprimtaria

Hapësirat e interesimeve intelektuale dhe krijuese të Stavri Thoma Frashërit janë të gjëra. Mu për atë, po i ndajmë në pjesë të veçanta, të cilat përcaktojnë më mirë secilën nga ato. Ai ishte dëshmuar si një gazetar i shkathët dhe i gjithanshëm, duke trajtuar tema të shumta, të lëmive po ashtu të ndryshme dhe të cilat i boton në periodikun e shumtë për kohën. Artikujt e tij trajtojnë tema nga futbolli në veçanti, pastaj janë firmosur nga ai skica humoristike, me personazhet e adhuruara Alo dhe Balo. Nga kjo lëmi relaksuese, ai trajton tema të problemeve shëndetësore, për sëmundjen e tuberkulozit vrasës, temat pastaj shtrirjen në lëmenjtë e edukimit të fëmijëve, shkrime që kanë aktualitetin e mos përdorimit të fjalëve të huaja, ngase i kemi plotëkuptimoret e gjuhës shqipe. Ai, duke qenë i përcaktuar për aktualizimin e të këqijave në shoqërinë e kohës, e shkruan në  një artikull çështjen  e fesë,  duke thënë se feja është një domosdoshmëri te çdo njeri, por kritikon punën e mbrapshtë të atyrte fetarëve sharlatanë që fusin përçarje ndërfetare përmes flamurit të fesë. Ai sulmon edhe propagandën luftënxitëse e cila bëhet në emër të ‘atdhetarizmit’ ai sheh vetëm kryetarë demagogë egoistë që bëjnë lufta pushtuese në emër të obligimit kombëtar.

Mbi të gjitha ai shihte si vlerë vetëm arsimimin, në mënyrë që përmes saj të shihej drejtë dhe të projektohej e ardhmja e vendit. “O burra shqipëtarë punoni të hithni lark cipën e padijes nga Shqipëria dhe përpiquni që të vijë drita e së vërtetës dhe së bashku me të do të vijë dhe lumturia!”, shkruan ai. Ai në një artikull e ngre edhe problemin e hapjes së shkollave edhe në viset e thella malore, të cilat mungonin aso kohe. Ai, madje, mendon të gjejë forma praktike, “se fretërit me ndërgjegje kombëtare edhe mësuesit shëtitës do t’ishin ata që do ç’duknin cipën e errësirës në këtë vënd plot etje për dijeni.”, si edhe problemet e tjera shoqërore, si indiferentizmin, djerrakohën, bixhozin, alkoolizmin i sheh plagë shoqërore.

Me një fjalë, me penën e tij ai nuk ndalon së kryeri detyrën e një intelektuali atdhetar në shoqërinë shqiptare të viteve ’30.

Studiuesi S. Hidri për të konstaton: “Ka pësuar në jetë, por me sa e njoha, nuk u tjetërsua. Mbeti njeriu i ndershëm, intelektual i përkorë, bashkëshort i respektuar, prind i devotshëm, shok e mik i fjalës.”.

Krijimtaria publicistike

Emri i Stavro Thoma Frashërit në periodik haset herë vetëm me iniciale S.F., S.Th. F., Stavro Frashëri, S. Frashëri, Stavro Th. Frashëri dhe Stavro Thoma Frashëri. Po thuaja në të gjitha atë përkohshmet e kohës është hasur emri i tij, duke trajtuar probleme ndër më të ndryshmet, të natyrës, sociale dhe profesionale, pedagogjike, shkencore, sportive. Ai botoi në “Tomori” (Nuk kemi problem gjuhe, 24-25 shtator 1940, Alpet shqiptare dhe alpet italiane, 2 prill 1941, etj.), “Besa” (Çfajqje teatrore, 14 maj 1935), “Vatra” (Bullgarët, gjermanët e Ballkanit, 22 shtator 1036),  në “Tomori i Vogël” (Folklori dhe kontributa e gruas, 15 prill 1942, O kjo jeta e jonë!, 1 shtator 1942, etj.), Gazeta e Korçës (Nga margaritarët e gjuhës sonë, 1 maj 1926, Skagajle-izmi dhe nesër-izmi, 24 dhjetor 1932, Folklor shqiptar, 29 dhjetor 1935, etj.), “Gazeta shqiptare” (Folklori shqiptar në një vepër të re voluminoze, 22 nëntor 1938, etj.), “Shqipëria e re” (Ndërmjet fjalim për mësimin e gjuhës, 28 janar, 4 nëntor, 18 shkurt 1923, Prapë gjuha, 11 prill 1926, Trimëria e Mirditës, 22 gusht 1930, Përmes Mirditës në dimër, 28 janar 1931, etj.), ”Vullneti i Popullit” (Në pragun e Mirditës, 1.prill 1931,etj.), “Fashizmi” (Një studim mbi Arbëreshët e Kalabrisë, 17-24 dhjetor 1939),”Drita” (Nevoja e një instituti të caktuem për të vegjëlit, 28 qershor 1938, etj.),  “Edukata e re” (Një udhëtim nëpër malet t’ona, Arsimi në Mirditë, 1930), “Telegraf “ (Rruga e drejtë e industrisë s’onë, 5 shtator 1928), e tjerë.

Nga këto bindemi ai ishte tejet aktiv në punën e tij të kësaj natyre, duke lënë dëshmi edhe të dijeve të lëmive të shumta. Të gjitha këto ai synonte t’i vinte në shërbim të së mirës kombëtare. Kah do që e shpie puna ai shikim e ka të orientuar te çështjet kryesore të jetës, të veprimit, të cilat i bënë tema të aktualitetit kohor dhe i publikon në periodik, për t’i dhënë vlerë të aktualitetit.

Nga publicistika, ai ka botuar librin “Këndej kaluan hordhitë gjermane, duke shënuar krimet gjermane në qytetin e Tiranës, duke menduar se aso forme do të bëhet e dijshme se liria ishte fituar me sakrifica të mëdha, dhe assesi si dhuratë nga ndonjë fuqi tjetër. Kujtimet për përjetimet e rënda këtu janë ndër më të ndryshmet, autentike dhe tepër tronditëse. Autori i kishte mbledhur nga përjetuesit e atyre mizorive, duke i shënuar edhe emrat e të vrarëve, moshën dhe vendlindjen. Kjo vepër ka një vlerë dokumentare.

Puna pedagogjike

Si pedagog në Institutin Bujqësor Shqiptaro-Amerikan të Kavajës Stavro Th. Frashëri është një edukator i shkëlqyer dhe një mësimdhënës i përkushtuar. Ai, jo vetëm që pati suksese në atë drejtim, por e nxiti kjo punë, së bashku me ambicien e tija, që të hartojë edhe libra të natyrës pedagogjike. Ndër ato tekste është “Mësimi i gjuhës angleze”. Ai ishte njeri që nuk ngopej me fitimin e diturisë, të cilën gjë e shikonte edhe tek brezat, duke bërë përpjekje për përparim në dije e jo gjithmonë të mbesim duke e përkujtuar një të kaluar, sado e vlershme qoftë. Në një artikull për shkollën bujqësorë në Kavajë, botuar në “Kalendari i botës”  më 1939, S. Frashëri ndër të tjera shkruan: “Populli shqiptar nuk mund të shprehjë mirënjohjen e tij kundrejt popullit bujar Amerikan më mirë se ç’e ka shprehur Naltmadhnija e Tij Mbreti Zog I, duke i drejtuar këto fjalë të ndjerit Herman Bernstain, ish ministrit Amerikan:

‘Ju çfaq kënaqësinë më të madhe për veprën e dobishme dhe njerëzore që po bën Fondata Near East në Kavajë. Përfundimet e çkëlqyera që janë dhënë deri tash Më përmetojnë që të kem shpresa të mëdha për kohën e arthme. Kombi Shqipëtar, i cili i ka çmuar gjithmonë inisiativat e Kombit Bujar Amerikan në Shqipëri, edhe këtë herë ka për të shkruar thellë ne zemrën e tij mirënjohje kundrejt Atdheut t’uej.” Ky ishte fjalimi  i fundit nga kjo shkollë, ngase ai largohet detyrimisht për në një shkollë në Durrës, për ndjenja antifashiste që kishte  S. Frashëri, pasi që drejtori tashti ishte italian..

Përveç librit në fjalë, fjalorit të kësaj gjuhe, ai kishte botuar librin tjetër pedagogjik “Metodë e lehtë për të mësuar inglishten”, të cilën e botoi në Tiranë, në vitin 1944, brenda së cilës ishte edhe një “Gramatikë fillimtare”.

Artikujt e tij të shumë, veprat e plota si dhe vetë puna pedagogjike, plotësojnë bindshëm mendimin se ishte një arsimdashës, i përgatitur dhe me një vizion të qartë për rëndësinë e shkollës në përparimin e një populli. Gjuhën angleze ai e kishte mësuar në  kolegjin amerikan, pastaj kur ishte për specializim në Londër. Ai kishte qenë edhe shoqërues i vazhdueshëm i një çifti amerikan, që kishin bërë një ekspeditë antropologjike ën Shqipëri. Ai, më 1952 kishte hapur edhe një kurs për mësimin e gjuhës angleze në Durrës. Po në anglishte kishte shkruar edhe librin “Anglia siç e pashë unë, bashkangjitur me një album fotografish. Po në këtë gjuhë ai kishte përgatitur një libër, “Idioma, proverba dhe fraza t’inglishtes”, që do u shërbente nxënësve dhe mësimdhënësve në përditshmërinë e tyre. Në dorëshkrim kishte lënë  “Fjalor anglisht” si dhe një “Fjalor katër gjuhësh: anglisht-frëngjisht-greqisht-shqip”. Nxitur nga këto vlera dhe dije  gjuhësore, ai kishte ritreguar në shqip madhështinë e veprave të Shekspirit. Vëllim që titullohet “Tregime nga Shekspiri”, të cilat nuk u botuan kurrë. Edhe kjo, sipas përmbajtjes, do radhitej një tekst për nevojat shkollore të nxënësve.

Krijimtaria letrare

Në krijimtarinë letrare, S. Th. Frashëri shpreh talentin e tij, qoftë në dramat, të cilat nuk iu botuan asnjëherë, qoftë edhe në tregimet e shkurtra, të cilat më shumë janë proza poetike. Në këso krijimesh manifestohet talenti i dyfishtë, në prozë dhe në poezi.

Si gjithherë, autori edhe në artin letrar nuk i, largohet aktualitetit, përkatësisht krijimit të një letërsia me ngjyrime edukative e madje edhe atdhetare.

Drama “Hakmarrja e Mrikës”  është një tragjedi në tre akte, tema e përafërt e veprës “Halili e Hajria”  e K. Jakovës, e cila tashmë si subjekt është e njohur nga historia dhe dramaturgjia. Është shfaqur në Durrës, më 13 maj 1935. Komedia njëaktëshe “Harmonia familjare”, të bën të qeshësh me përditshmërinë familjare. Është me katër personazhe: burri, gruaja, mjeku, plaka. “Mjeshtëria avokatore “ është një komedi një aktëshe, si dhe mjaft skica, fejtone dhe tregime të tjera.

  1. Frashëri kishte botuar edhe tregime në periodik, si “Vendosa të bëhem zengjin” (Tomori i Vogël, nr. 11, 1 qershor 1942), “O kjo jeta jonë!” ( po aty, nr. 17, 1 shtator 1942), e tjerë.

Ndërsa vëllimi i vogël prozaik,  “Lule dhe gjemba”, botuar në Tiranë më 1944, ka 40 faqe me 23 skica. Janë më sa duket frymëzime të çasteve, nga të ciklat gjithsesi reflekton edhe brengat shpirtërore të autorit. Në të gjitha këto krijime (Mos rri e venitur, përmendëzë, Të kam zili marimangë!, Shtërgu i plagosur, rrugica afër fshatit tim, Kalaja e shkretuar, Pikëza e shiut, Kthim’ i pullumbit të bardhë, etj.), sikur kanë krahasimin e vet jetës me të mira dhe të këqija, si një dialektikë pa të cilën nuk jetohet; pra përherë të bukurën e manushaqes që e rrethojën fije ferra, për ta penguar bukurinë e saj.

Ja një fragmente nga ato: “Nevojë është të rosh për vehte, moj Rezë, por madhështore është të bëhesh flij edhe për ata që vuajn.”, ose “Edhe me diellin kërkon të matesh për shkëlqimin e pakët që ke! Po nuk e di se edhe kjo e shkëlqyer e remë i detyrohet po atij Dielli që zotrote shëkon me kaq përbuzje? Mos, Flluskë mëndje-lehtë, mos e mba hundën kaq përpjetë se vetëm një re’ e tij e hollë mjafton që të të shujë nga faqja e dheut!” apo, “Pra, vrer u bëre kur skifteri plak e zemër-keq kurmin cop’ m’a bëri dhe pa frym’ përdhe më la! Por, Zot, shpirtin dot s’m’a vrau dhe prap’ afër teje ja tek jam!”.

Pasioni i këtij krijuesi ishte mbledhja e folklorit. Kahdo që shkoi ai s’u ndalua duke shënuar e grumbulluar, si blerta nektarin, ato krijime te të cilat ai shihte një shpirt të begatë filozofiko-artistik të popullit shqiptar. Ato, madje, i botoi në një vetëm voluminoze, më 397 faqe. Po ashtu kishte bërë mjaft fotografi të veshjeve shqiptare të krahinave të ndryshme, si Kruja, Mirëdita…

Libri “Në momente të qetë”, i vitit 1935, është me 108 aforizma, të radhitura sipas rendit alfabetik. Këto krijime që janë të momenteve  të meditimit të autorit, shprehin “disa gjëra të cilat shpirti i autorit i ka gjetur kur ka qenë larg zhurmës, dhe pas një reaksioni që ka patur nga zhgënjimet e përditshme të jetës s’onë.” Përndryshe sentencat kanë për interesim natyrën, njeriun, shkollën, kulturën, jetën, përdorimin e kohës dhe kombin.

E gjitha kjo krijimtari mbete është e mangët, po nuk i lexuam me kujdes edhe 11 fletoret me dorëshkrime, ku fshihen xhevahiret e rrallë të krijimtarisë letrare.

Si përkthyes ai kishte shqipëruar një vepër nga greqishtja “Dhiata e hekurt” nga shkrimtari P. Dhimitrakopullos.

Ja fati i krijuesit të përkushtuar!

Veprat shkencore

Edhe në lëmin e shkencave, S. Frashëri ishte treguar tepër pasionant, së pakut për kohën e vet. Për t’i arsyetuar mendimet e thëna, duhet përmendur fjalorët një dhe shumë gjuhësh, librat metodikë dhe gramatikën e vogël të anglishtes, pastaj librin “Folklori shqiptar”, “Përmes Mirditës në dimër” dhe “Udhëheqës i vogël për mbledhjen e thesarit folkloristik”, i vetmi tekst udhëzues i deritashëm. Kjo vepër e fundit ishte rezultat i dëshirës së tij që t’i sjell në gjuhën tonë vlerat specifike të punës shkencore në mbledhjen e folklorit shqiptar, e cila ishte një fushë pak e eksploruar. Në të vërtetë bazë e saj ishte vepra e  studiuesit grek Stiplon Qiriaqidis, profesor në Universitetin e Selanikut, për të cilin Stavro thotë: “pati mirësinë të më lejojë me kënaqësi për të përdorur lirisht veprën e tij. natyrisht këto sugjerime janë ndryshuar në një mënyrë të tillë që t’i përshtaten Folklorit tonë.” Përmes këtij udhëzuesi, në mënyrë të drejtë, mund të bëhej mënyra dhe teknika e mbledhjes edhe shënimit të krijimeve gojore nga terreni. Vepra ishte e ndarë në tri kaptina: Si duhet ta mbledhë lëndën, Si duhet regjistruar lënda dhe Ç’të mbledhë.

Ai me gjithë punën e tij, teorike dhe praktike, kishte qëllimin e formimit të shkollës folkloristike shqiptare.

Vepra “Përmes Mirditës në dimër” është rezultat nxitës gjatë ekspeditës së antropologëve amerikan Dr. Carelton S. Coon, përkthyes i të cilëve ishte ky. Në ata shëtitën viset e trimërisë shqiptare, si Pukën, Zadrimën, Matin, Selitën Lurën, Dibrën, Hasin, Malësinë e Gjakovës e Dukagjinin, nga të cilat ai përshkroi gjerësisht etnokulturën e këtyre hapësirave. I kishte bërë përshtypje këto zona, ngase “është më unik se krahinat tjera, ka një karakter të veçantë dhe sistemi i saj social është edhe primitiv.”

Ja disa fjali nga kjo vepër:

“Gruaja e Mirditës është trime me gjithë kuptimin  e fjalës.  Barra ë e madhe shtëpiake i bie asaj dhe duhet ta mbajë pa rënkim.

(…)

Mirditasi është i zgjuar – e rrëmben fjalën menjëherë – ka një fytyrë të qeshur, ndonëse rron një jetë të mjerë….

(…)

Mirditasi, si dhe malësori përgjithësisht, është trim, sepse syri i ka parë shumë gjëra që lypin kurajë dhe kështu nuk trembet aspak.

(…)

Në Mirditë nuk mjafton të zihesh vetëm dorë për dore kur përshëndetësh; me një solemnitet të madh duhen të preken edhe tëmthat e të dy palëve njëra pas tjetrës.

(…)

Bukuria e trimërisë shfaqet më mirë në këngët popullore, të cilat janë pasqyrë e shpirtit malësor.

(…)

Kur, atje qoftë, vdes ndonjë njeri në Mirditë, një njeri që quhet ‘thirrës morti’ lajmëron fisin sipas porosive të marra nga shtëpia e të vdekurit.”

Veç krijimeve, Stavro Frashëri mahnitet nga bukuria edhe e veglave muzikore dhe e veshjeve tradicionale, fotografi nga të cilat edhe i vë në vepër. Ja se si e përshkruan ai lahutën: “Kush mund ta mohojë shpirtin e artistit të këtij pionieri popullor e të panjohur? Shikojeni elegancën e bishtit, këqyrni formën dhe pa dyshim do të vërtetoni shpirtin malësor. Puna është e ashpër, po; mirëpo n’atë ashpërsi qëndron një bukuri e cila të bën t’admirosh”

Për këtë vepër ishin botuar dhjetëra recensione në periodik. Madje përgëzimin ia kishte bërë edhe Mbretëresha Gjeraldinë, e cila ndër tjera i shkruan: “…ju falënderojmë nga zemra për këtë dërgesë fisnike, e cila pa dyshin ka me Na shërbye për të njoftun gjuhën, jetën dhe shpirtin e popullit Tonë të dashtun.”

Vepra të botuara

Lule dhe gjemba, Tiranë 1944

Këndej kaluan hordhitë gjermane (krimet gjermane në Tiranë), Tiranë 1945

Folklor shqiptarë, Durrës, 1936

Në momente të qetë, Tiranë, 1933

Përmes Mirditës në dimër, Korçë  1930

(Kjo vepër pas 50 vjetësh ishte botuar në ShBA nga Columbia University Press, në Neë York, më 2002, përthyer në anglisht nga Peter R. Prifti)

Metodë e lehtë për të mësuar inglishten, Tiranë 1944

Udhëheqësi i vogël për të mbledhur folklorin

Vepra në dorëshkrim

Anglia siç e pashë unë-përshtypje udhëtimi,

Tregime shekspiriane, sipas subjekteve të veprave të autorit,

Harmonia shtëpiake-komedi një aktëshe, shkruar më 1924

Hakmarrja e Mrikës –tragjedi në tre akte, shkruar më 1935

Prenda- dramë

Fjalori anglisht-frëngjisht-greqisht-shqip,deri te

shkronja F,

Udhëheqësi i vogël për mbledhjen e thesarit folklorik

E bukura përmes gojës së popullit

11 fletore me skica dhe tregime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube