Studentë eksellentë nga St. Francis College Brooklyn vlerësuan me pllakë mirënjohje Shkollën Shqipe “Alba Life”, NY

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Si çdo të shtunë në Shkollën Shqipe “ALBA Life” Ambasador i Kombit zhvillohet mësimi i Gjuhës Shqipe në lagjet e Nju Jorkut dhe për rrjedhojë dhe në Bronx.  Kjo shkollë i vazhdon mësimet në Qendrën “Illyria” dhuruar nga Zoti Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.  Mësimi në Online prej gati një vit e gjysmë për shkak të Panedemisë botërore kaloi në mësimin rregullisht qysh nga data 15 e muajit gusht.

E meqënse sot jemi në 150 Vjetorin e ditëlindjes së Gjergj Fishtës doemos që mësuesit, prindërit dhe nxënësit plotësojnë amanetin e Gjergj Fishtës Poetit tonë Kombëtar që s’tretet kurrë i cili na ka dhuruar vargjet lapidar për Gjuhën Shqipe si:

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,

qi këtë gjuhë të Perëndis’,

trashigim, që na la i pari,

trashigim s’ia len ai fmis…

Sot këtë shkollë e vizituan një grup studentësh eksellent shqiptarësh nga St.Francis College Brooklyn i krijuar që nga viti 1859.  Ky Isntitucion Universitar u themelua nga vëllezërit Françeskanë të Bruklinit, një urdhër françeskan, si Akademia e Shën Françeskut dhe ishte shkolla e parë private në Dioqezën Katolike Romake të Bruklinit.

Studentët u pritën përzemërsisht nga të gjithë nxënësit dhe mësuesit.

Studentët u prezantuan nga z.Qemal Zylo themelues  TV dhe drejtor i shkollës Shqipe

“Alba Life” i cili i falënderoi përzermërsisht dhe i uroi për rezultatet e shkëlqyera si dhe për aktivitetet e tyre me organizatën e mirënjohur “Rrënjët Shqiptare”.  Vlen për të theksuar se Shkolla Shqipe “Alba Life” është përkrahur vazhdimisht nga Rrënjët Shqiptare me president ish kandidatin për në Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut aktivistin e shquar z.Marko Kepi. Zoti Zylo iu tha se ndjehej tejet krenar me arritjet e tyre të shkëlqyera dhe tha se me punën e tyre dhe studimet nderojnë vehten, Kombin dhe bëhen një shembull i mirë për brezat që vijnë.

Ata prezantuan klubin e studentëve “Rrenjet Shqiptare” dhe afruan bashkëpunimin me Shkollën Shqipe “Alba Life”.  Ekipi i studentëve të Klubit Rrënjët Shqiptare i pyetën nxënësit në shqip duke bërë një quiz, ndërsa për ata që përgjigjeshin të parët dhanë dhurata simbolike.  Ekipi i studentëve dëgjuan dhe duartrokitën programin e nxënësve që po përgatiten për festën e shenjtë të Flamurit prej disa javësh nën drejtimin e artistes së njohur Valbona Peraj dhe mësuese Majlinda Tafaj në bashkëpunim me koordinatorët Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj, drejtuesin teknik dhe professional Elton Xhaferri si dhe mësueset Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Krasniqi Veselaj dhe Jetona Bacelli.

Në emër të ekipit të studentëve Albion Veliu, Adjola Rrashi, Kleid Saraci, Emiljan Bodini, Sarah Shurdha, Herta Hada, Xhessika Hasankolli dhe Alkida Koleci pllakën e mirënjohjes e dorëzoi zonjusha Megi Rama me motivacionin: “Certifikatë mirënjohje Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit për kontribut të jashtëzakonshëm në Komunitetin shqiptar në mësimin e Gjjuhës Shqipe, kulturës dhe traditave fëmijëve me origjinë shqiptare.”

Klubi Rrënjët Shqipetare në St.Francis College është një klub prej profesionistësh të rinj Shqiptarë që është i formuar prej 5 vitesh ku funksioni parësor është forcimi i komunitetit shqiptar duke integruar shqiptarët me njëri -tjetrin dhe vendet e tyre të adoptuara në të gjithë diasporën shqiptare si edhe të bëhen një pikë reference për t’u bashkuar si komunitet. Ata fokusohen në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare te brezat e rinj duke përmirësuar komunitetin në organizimin e ngjarjeve të tilla si ngjarje në rrjet, aktivitete argëtuese, punë në shkollë, ndihmë në karrierë, shfaqje arti dhe festivale. Pavarësisht se mund të jenë një komunitet i vogël, në raport me numrin e studentëve që universiteti ka, ata kanë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh në shkollë nga të gjitha krahinat dhe trevat. Në vitin e fundit mund të numërohen deri në 20 studentë shqiptarë të pajisur me dokumentin I-20, dhe mbi 26 të tjerë që janë me dy nënshtetësi ose të lindur në Amerikë, por me origjinë shqiptare. Komuniteti shqiptare është tepër i angazhuar në shumë departamente dhe fusha të shkollës, si për shembull, shqiptar të aktivizuar në ekipin e futbollit për meshkuj, ekipin e notit për meshkuj, ekipin e volejbollit për meshkuj, në klube të ndryshme, qeverisje të studentëve, ambasadorë, apo si edhe në konviktin e shkollës. Më duhet të theksoj se të gjithë studentët shqiptarë në St.Francis College kanë titullin ekselentë, gjë e cila na bën të ndihemi shumë krenarë si shqiptarë.

Çdo semestër si klub mundohen të promovojnë sa më shumë se sa të bashkuar janë dhe se sa shumë kanë dëshirë të kontribojmë në Diasporën tonë Shqiptaro Amerikane.

Në këtë të shtunë të dielltë, u bashkuan si simboli i shiqponjës nxënësit ambasadorë të Kombit të Shkollës Shqipe “Alba Life” me studentët eksellentë të St.Francis College në Brooklyn.

Ata janë shqiponjat e Diasporës dhe të Kombit!

23 tetor, 2021

Bronx, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok