Të bashkëjetosh me armikun!

Nga Dr. Brunilda Zllami, Spitali Amerikan, Tiranë

Kur trokitëm gotat për të mirëpritur këtë vit, e fundit që mendonim ishte ky skenar. Si gjithmonë të mërzitur me vitin parardhës, kishim bërë plane, e kishim pritshmëri. Por pikërisht kur ne po trokisnim gotat e shijonim dritat me të cilat ishin veshur metropolet, kur uronim njëri- tjetrin dhe përqafoheshim, nuk e dinim se përqafimi në pak muaj do të zhdukej dhe ëndrrat do minimizoheshin në mbijetesë.

Mëngjeset do shndërroheshin në pritje, drekat në ndjekjen e buletineve, pasditet në numrat e njerëzve që iknin nga kjo botë, darkat me lexime të ethshme e emisione me dritare ku personazhet ndërrohen e prapë mbeten të njëjtët. Netëve luftuam me pagjumësinë, ankthin, mungesën e një shprese që nesër do ishte një ditë e re, ndryshe, një ditë nga ato që dikur na mërzisnin dhe i quanim monotone, por që kurrë s’do ia falnim vetes që s’e kishim vlerësuar.

Kur filloi gjithë kjo histori, reagimi i parë ishte i një mohimi me arrogancë, si një fëmijë që nuk pranon rregullat. Dëgjuam lloj-lloj shpikjesh për paprekshmërinë tonë. Që nga prejardhja, te mënyra e jetesës, e deri te qepët, hudhrat e rakia. Patetike dhe infantile me coronën që sillej mes nesh e ngrinte një gotë raki për shëndetin tonë.

Me pas ishte paniku. Një panik i paimagjinueshëm që mbylli dyert e gjithçkaje që kishim më përpara, duke na kufizuar që nga gjestet e përditshmërisë, deri në botëkuptimin filozofik për vetë jetën. Frika na kaploi në një mënyrë të tejskajshme. Bota virtuale ku ishim kredhur prej kohësh ishte e vetmja dritare ndaj botës, por tashmë ishte kthyer në torturuesin dhe gjeneruesin e manktheve. Pamjet e tmerrshme të vuajtjeve, vdekjeve, dhimbjes e lotëve u futën dhunshëm në mendjen tonë që tashmë ishte dorëzuar ndaj frikës. Çdo gjë që thuhet merrej e vërtetë, çdo kufizim sado iracional ishte i lejueshëm dhe pranueshëm në masë. Dorëzuam të drejtat tona për të cilat njerëzimi luftoi ndër shekuj t’i kishte dhe u krodhëm në ekranet që parashikonin fundin e botës. Virusi vdekjeprurës, ishte fjala që zëvëndësoi çdo fjalë të fjalorit tonë, ndërsa mendja jonë rrekej të kuptonte këtë virus që për hir të vërtetës dukej mjaft i hijshëm si pamje. U mësuam me termat mjekësore, epidemiologjinë, mënyrën si funksiononin spitalet, me respiratorët… Mjekët morën një dimension tjetër dhe filluan të quheshin heronj ( një term trazues sepse nëse do isha dakord me këtë term, atëherë çdo mjek ka qënë hero që kur ka veshur bluzën e bardhë, që kur ka shpëtuar pacientin e parë). Duartrokitjet dhe vrulli i parë i la vendin heshtjes dhe pritjes.

Pasoi një periudhë e shkurtër reflektimi, për të kuptuar se piku nuk do ishte as këtë javë, as tjetrën, madje nuk do kishte thjesht një pik dhe askush nuk e dinte përveç koronës që po shijonte e qetë rrugët e shkretuara pa zhurma, pa jetë. Në këtë periudhë ku filluam të bluajmë për shkaqet e gjithçkaje që nga arroganca e papërgjegjshmëria me të cilën kishim trajtuar planetin tonë deri te teoritë konspirative shqetësuese e të frikshme, filluam të mësohemi pak nga pak me praninë e coronës. Ditët ku dikush shijoi karantinën, u lidh me familjen, luajti me fëmijët, lexoi gjithë librat e bibliotekës ( ose vetëm disa, se të tjerët i kishte vetëm për foto në instagram…), gatoi të gjitha recetat e gjyshes ( apo disa se shumicën e porositi online), u bënë mbytëse. Dëshira për t’iu kthyer jetës së dikurshme, protagonizmit dhe fasadave me të cilat ishin mësuar dhe bërë lajtmotiv i jetës po dilnin mbi frikën e këtij virusi, që mbi të gjitha ishte i padukshëm.

E në këtë fazë adaptimi kuptuam gjithsesi që bota nuk do ishte më e njëjtë dhe që rregullat kishin ndryshuar ndoshta përgjithmonë. Spitalet u stigmatizuan dhe njerëzit u ndanë në covidë dhe jo covidë. Ajo që duhet të na bashkonte pa ditur po na ndante. Vendimet, trajtimet, protokollet, pritshmeritë, aksesi në shërbim ndërroheshin aq shpesh sa të hutonin. Vendime që duhet të merren shpejt, vendime me të cilat nuk jemi mësuar. Vendime në të cilat ata që luftojnë për jetën duhet të vendosin se kush duhet të jetojë e kush jo, ku duhet marrë shërbim si popullatë në një spital dhe kush në një tjetër. U ndamë pa e kuptuar, dhunshëm, pa dashur.

Bota po e kupton se nuk është më e njëjta dhe mbi të gjitha jo e politikanëve ( por fatkeqësisht ata janë aty, në pritje dhe pa mësuar asgjë nga kjo histori), por e profesionistëve ( ose kështu dua të mendoj). Dhe dalëngadalë po mësohemi me këtë jetë, po mësohemi me këngëtarët që këndojnë pa publik, me kishat e xhamitë e mbyllura, me mësimet online, me blerjet nga shtëpia, me kafet në ballkone dhe puthje virtuale. Po mësohemi me frikën dhe po gjejmë vetveten.

Po më pas?

Askush nuk e di sa do zgjasë. Një mrekulli do e çonte coronën me pushime në Maj, siç bëri me parardhësen e saj, një skenar tjetër do jetë që ajo do bëjë rregullat e veta dhe ditaret njerëzore për shumë kohë do quhen corona files.

Po çfarë do ndodhë më pas? Do rrimë të izoluar gjithmonë? Nuk besoj! Në këtë muaj me dhjetëra njerëz nuk kanë marrë kujdesin shëndetësor dhe ajo që tashmë po vihet re në të gjithë botën është se sëmundjet e tjera po vrasin më shumë se corona. Me mijëra njerëz kanë humbur punën dhe uria do vrasë më shumë se corona. Dëmi psikologjik që iu shkaktohet fëmijëve nga izolimi do jetë i dukshëm si një vragë në jetën e tyre të mëpasshme, pasiguria, kriza ekonomike, problemet sociale do bëhen lajtmotivi i lajmeve të së ardhmes.

Të bashkëjetosh me armikun!

Duket zgjidhja më pak e menduar kur fillon një luftë, por tashmë duket si e vetmja zgjidhje. Është sikur të jesh i rrethuar në një kështjellë dhe për pak kohë mund t’ia dalësh me rezervat, por më pas duhet të mendosh për mbijetesën. Ne duhet të mësohemi të mbijetojmë me coronën, të adaptohemi e të gjejmë zgjidhje derisa ajo të largohet. Duhet të  krijojmë teste që të zgjidhim nga burgu popullatën që e ka kaluar sëmundjen, të mbrojmë të brishtët, të jemi krijues për të gjetur mënyra mbijetese. Ne do mesohemi që askush s’mund të jetë krejtësisht i mbrojtur nga ajo, por mund të marrim masa që goditemi sa më pak në këtë luftë si asnjë tjetër që kemi hasur.

Ne do bashkëjetojmë me armikun për të fituar kohën që na duhet për të rilindur. E në këtë luftë si në çdo tjetër, ajo që nuk të vret të bën më të fortë. Dhe nesër kur të mbarojë gjithçka do dalim në rrugë, do shkojmë në plazhe, male, do fluturojmë bashkë me ëndrrat që u tjetërsuan këto kohë. Do mësohemi me armikun, do bashkëjetojmë me të për të ardhmen, për të ruajtur atë që është e jona. Për të gjetur të drejtat e lirinë si njerëz. Për të rigjetur ngrohtësinë, puthjet e përqafimet, për dashurinë e forcën, për të nesërmen, për njerëzimin!

Do bashkëjetojmë me armikun dhe do ngrihemi si feniksi, sepse askush nuk mund t’i vjedhë njerëzimit dashurinë!

-Për ZemraShqiptare, nga Tirana, Prill 2020-

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube