Nga Enver Bytyçi

Të gjitha ekranet televizive janë zënë më figurën dhe fjalorin e Sajmir Tahirit. Qëllimi është që ato të përcjellin “të vërtetën e Sajmos”, se ai nuk qenka trafikant, nuk paska shpërdoruar detyrën dhe as ka bërë keq. Thjesht, sipas tij, është dhe mbetet heroi shqiptar në detyrën e ministrit të Brendshëm.

Përmes ekranit ai shau, akuzoi kundërshtarët, sulmoi opozitën, madje dhe ambasadën amerikane, megjithëse kjo e fundit e përkëdheli disi në deklaratën e saj. Kësisoj Sajmiri bëri heroin dhe viktimën njëkohësisht. Ia dha këtë shans “shefi i madh”, Edi Rama, sepse kryeministri urdhëroi gjykatësit e trembur prej vetingut që ta lirojnë nga akuzat dhe dënimi me burg të ish-ministrit të drogës!

Pa u zgjatur më tej, sepse gjithë shqiptarët e ndoqën komedinë tragjike të radhës të këtij vendi, që jetesën dhe mbijetesën e këmben me fatin e një trafikanti të dëshmuar, doja thjesht të përmendja dy-tre shembuj tjerë, të ndëshkuar rëndë për veprat e provuara penale që ka bërë Sajmir Tahiri.

Kronikat e gushtit na bënë me dije se disa dhjetëra sipërmarrës janë çuar në dyert e burgut, sepse kanë fshehur të ardhurat dhe nuk kanë paguar taksat. Po Sajmir Tahiri me mercedesin lluksoz a nuk bëri të njëjtën gjë?! Ai e shiti makinën e tij pa dokument, me qëllim që të mos paguhej taksa e shitjes. A është ky veprim i njëjtë me atë që kanë bërë sipërmarrësit e burgosur?! Po t’i shtojmë kësaj shitjen e makinës një trafikanti droge, përdorimin e saj për trafik narkotikësh në emër të ministrit, krijimin e kushteve të mosndëshkueshmërisë për veprën kriminale, pra mbrojtjen që ua ka dhënë ministri Habilajve, atëherë çfarë quhet kjo e vërtetë e Sajmir Tahirit, për të cilën ai nuk dëshiron të flasë?

Lexuesit duhet t’i kujtohet se Gani Dizdari, një ikonë e drejtësisë shqiptare, u ndëshkua nga vetingu, sepse kishte pirë kafe me nipin e tij, i akuzuar dikur për përdorim narkotikësh. Dizdari nuk kishte probleme me pasurinë, nuk e kishte favorizuar nipin e tij me asnjë formë, nuk kishte asnjë problem me aftësitë profesionale. Por zoti Dizdari u la jashtë gjyqësorit, sepse ishte ulur në tavolinë më djalin e motrës! Ej, djalin e motrës! Ndërsa Sajmir Tahiri u shet kushërinjve makinën, duke fshehur taksat e shtetit, udhëton me ta në Shqipëri e jashtë saj me të njëjtën makinë, udhëton me ta edhe me skaf dhe hiqet si i virgjër!

Me kë? Jo me djalin e motrës, por siç thotë ai, me disa kushërinj të largët. Çfarë e lidhi me këta kushërinj të largët përveç trafikut të drogës?! Me djalin e motrës, çfarëdo e kushdo të jetë ai, je i detyruar të rrish. Po me kushërinjtë e largët, për të cilët Sajmo thoshte se nuk i njihte, nuk je i detyruar të shoqërohesh! Megjithatë tepelenasi Sajmo po na shfaqet si hero e viktimë, ndërsa tropojani Dizdari u shpall armik i pushtetit!!!

Dhe për fund: Nëse gjykata vendosi që ish-ministri i Brendshëm të dënohet vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, kjo ndodhi për shkak të falsifikimit dhe fshehjes së provave nga prokuroria e kapur prej kryeministrit.

Por askush nuk beson se Sajmir Tahiri nuk ka marrë 5 milionë euro në muaj nga trafiku i Habilajve. Askush nuk e ve në dyshim se Sajmua nuk ka patur në dispozicion 20 milion euro në fushatën elektorale, të sponsorizuara nga mafia, me të cilën ka bashkëpunuar. Të gjithë e dinë se Edi dhe Sajmiri së bashku ideuan dhe realizuan projektin e kanabizimit të Shqipërisë, me qëllim financimin, blerjen e votave të shqiptarëve dhe përjetësimin e pushtetit!

Por sot Sajmo nuk pranoi asgjë nga këto. Ndërkohë që e vërteta është akoma më e hidhur. Sajmir Tahiri është projektuar shumë kohë para ardhjes së Rilindjes në pushtet për ministër i Brendshëm, me projekt të atëhershëm përdorimin e pushtetit për kriminalizimin e shoqërisë shqiptare. Rilindja ishte e kriminalizuar që në opozitë. Duhej të vinte në pushtet për ta kriminalizuar gjithë shoqërinë. Për ta fsheh këtë qëllim Rilindjes i duhej që të çonte në qeli gra e nëna me fëmijët 5 vjeç! Kjo është e vërteta e saktë, e Sajmos! Të vërtetat e tij, të cilat i shpalli sot, janë mashtrim i opinionit publik!

Tiranë, 21.09.2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok