Thaçi dhe viktimat e tij në Kosovë!

Nga Enver Bytyçi

Të mërkurën e kaluar pati kontrolle dhe arrestime të ish- eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari I parlamentit të vendit, Jakup Krasniqi, është arrestuar nga forcat e EULEX për llogari të Gjykatës Speciale në Hagë. Po kështu shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosja, Rexhep Selimi. Mediet bëjnë me dije se do të ketë arrestime të tjera. Ujrat janë turbulluar, dhe rrjedha e llavës mbërriti te presidenti Thaçi.

Në fakt është Hashim Thaçi strumbullari i gjithë kësaj rrëmuje të pa dëshirueshme. Askush nuk do të donte ta shihte Jakup Krasniqin para se të shihte Thaçin në pranga. Prangat janë për ata që u përgatisin varrin të tjerëve dhe jo për elementë deri diku idealistë, edhe pse nuk mendojnë si unë apo si dikush tjetër. Prangat e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë i përgatiti vetë zoti Thaçi, dikur kryeministër e deri sot president i Kosovës, madje me dëshirën, vullnetin dhe votën e serbëve.

Asokohe i thanë se këto pranga nuk janë për ty, Hashim! Janë për shokët tu? Madje i thanë se as shokët tu nuk duam t’i ndëshkojmë, por na lypet për të dënigruar luftën e UÇK-së dhe për të legjitimuar ndarjen e Kosovës. Me këtë logjikë të thënë ose të nënkuptuar qartazi, kryeministri apo presidenti Thaçi nisi betejën dhe sfidën e tij për të realizuar projektin serb në Kosovë, ndarjen e saj. I bindur se do t’i shpëtojë prangave që përgatiti për ish-miqtë e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës tashmë ish-presidenti u bë marionetë në duart e presidentit të Serbisë. Kumbar i kësaj kimie anti-shqiptare ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky i fundit, i çonte fjalë Hashimit, ku i thoshte “Hajde bashkëpunojmë me Vuçiçin për shkëmbimin e territoreve. Ndryshe, i thoshte, ti Hashim do të shkosh në Hagë. Dhe Thaçi nuk mundi ta kuptojë kurrë kurthin e Ramës. Nuk pati kapacitete të dallonte faktin se pikërisht projekti serb i ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve do ta çonte atë në Hagë. Sepse Haga nuk është gjykatë serbe, edhe pse është krijuar me këmbënguljen e Beogradit. Në atë gjykatë nuk punojnë gjykatës pro-serbë ose anti-shqiptarë. Ata janë gjykatës e prokurorë të pavarur! E bëjnë punën e tyre me profesionalizëm, pavarësisht dëshirave tona apo të Serbisë.

Por nëse do më pyeste dikush çfarë do të dëshiroja unë, atëherë do të thosha që Hashim Thaçi do të duhej të shkontë në qelitë e Hagës dhe të përgjigjej i vetëm për të gjitha bëmat dhe akuzat që ngrihen ndaj tij, ndërsa të gjithë të tjerët të përgjigjeshin, mbasi në procesin e gjyqit për Hashimin të provohej fajësia e tyre. Sepse jam i bindur se disa prej tyre që sot arrestohen, nesër do të jenë të pafajshëm.

Dje Hashim Thaçi nuk foli për t’i dalë në mbrojtje Jakup Krasniqit ose Rexhep Selimit. Nuk do të fliste edhe sikur njëmijë arrestime të tjera të bëhen në Kosovë. Sepse priste që sot të nisej për në Hagë. Dhe para nisjes deklaroi dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit. Megjithatë ai foli shumë kur iu lexua akt-akuza e Gjykatës Speciale. Foli dhe veproi me dinakëri e djallëzi, me qëllim që të mobilizonte veteranët e luftës kundër vendimit të kësaj gjykate për hetimin e tij. Deri këtu ishte misioni i presidentit. Fatin e tij ta lidhte me fatin e UÇK-së dhe jo me fatin e bashkëluftëtarëve të tij, të arrestuar ditën e djeshme. Ndërsa mori në qafë edhe disa drejtues të organizatës së veteranëve të luftës, të cilët gjenden sot në Hagë!

Të gjithë ata që po ikin drejt Hagës, por edhe ata që do të ikin në ditët ose javët në vazhdim, besojnë se janë viktimë e Serbisë. Në fakt janë viktimë e Hashim Thaçit! Janë viktimë e kompromiseve të tij me Beogradin. Janë viktimë e mendjelehtësisë dhe pengmarrjës së tij. Ai i përdori të gjithë për interesat e veta politike e personale. E ndërkohë ua punoi të gjithëve me pabesi dhe intriga. Çmimi që sot paguajnë bashkëpunëtorët ose ish-bashkëpunëtorët e ish-presidentit të Republikës së Kosovës është shumë i madh, sepse ai çmim ka vulën e bashkëpunimit të Thaçit me Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçic!

Ndërkaq dorëheqja e nga posti i presidentit të Republikës është ogur i mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Përfundimisht i hapet rruga reformimit të politikës në vend. Ky akt do të shënojë rritjen e shprësës për rininë dhe qytetarët e tjerë të vendit. Do të sjellë një dimensionim të ri të skenës politike. Epoka Thaçi mori fund për të mirën e vendit. Askush nuk duhet të trishtohet për atë që ndodh. Të pafajshmit do të fitojnë pafajësinë. Modelin e ka Kosova. Ramush Haradinaj ishte dy herë në Hagë dhe dy herë u rikthye në vendlindje me statusin e të pafajshmit. Nuk ka gjykatës në botë, aq më pak në Hagë, që dënon dikë të pafajshëm.

Por epoka Thaçi i jep fund edhe epokës Rama dhe epokës Vuçiç. Dorëheqja e tij dhe shkuarja në Hagë janë parathënia e largimit nga pushteti të këtyre dy liderëve të tjerë ballkanikë, sepse projekti rajonal I tyre ka dështuar tashmë. Nuk besoj se do të vazhdojë as projekti joshës për ndërkombëtarët i minishengenti ballkanik!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube