THEMELOHET FONDI XHIM XHEMA PRANË UNIVERSITETIT KANSAS

0

NË NDER TË ISH-SENATORIT ROBERT DOLE

Nga Frank Shkreli

Në një njoftim të përhapur të enjten nga (Kansas University Endowment”), për mediat amerikane dhe shqiptare, thuhet se biznesmeni dhe mbrojtsi i çeshtjeve kombëtare, Z. Jim (Xhim) Xhema me origjinë shqiptare nga Greenwich i shtetit Konetikët në Shtetet e Bashkuara i dhuroi $500,000 (gjysëm million) dollarë Institutit Dole pranë Universitetit të shtetit Kansas.  Në njoftim thuhet se ky gjest i Z. Xhema është një vlerësim i punës së Senatorit Robert Dole due jepet në shenjë falënderimi për diplomacinë dhe mbështetjen ndaj çeshtjes së Kosovës gjatë dekadave dhe për miqësinë e tij të gjatë me Senatorin republikan Bob Dole.

Një lidhje politike që bashkoi akktivistin shqiptaro-amerikanin Jim Xhema dhe Senatorin e shtetit Kansas, Z. Bob Dole është kthyer në një miqësi midis këtyre dy burrave që ka zgjatur për më shumë se 30 vjet, theksohet në njoftimin e shpërndar për median.   Kjo miqësi, e lindur nga një fëmijëri me shumë gjëra të përbashkëta dhe bazuar në respektin e ndërsjelltë midis këtyre dy burrave, frymëzoi dhënjen e kësaj dhurate prej 500,000 dollarësh Institutit Dole, pranë Universitetit Kansas, thuhet në njoftimin e Universitetit Kansas.  Njoftohet se dhënja e kësaj dhurate ishte planifikuar të jepej njëkohësisht me ceremoninë e zbulimit të statujës së Senatorit Dole në Prishtinë, gushtin që kaloi, në kryeqytetin e Kosovës, në kujtim dhe në nderim të 30-vjetorit të vizitës së parë të Senatorit Dole, me gjashtë kolegët e tij senatorë të njohur amerikanë,  në Prishtinë.

Ishte kjo vizita e parë e Senatorit Robert Dole në Kosovë, vizitë e cila konsiderohet edhe sot si pikëkëthesa për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova. Senatori Dole dhe kolegët e tij, dëshmuan para botës dhe komunitetit ndërkombëtar abuzimet serbe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, por edhe për qendresën e tyre të fortë përball këtyre abuzimeve.  Sipas shumë vërejtësve, me vizitën e senatorëve amerikanë në Kosovë në vitin 1990 filloi edhe “ndërkombtarizimi i çeshtjes së Kosovës”, për të cilën fliste aq shpesh ish-Presidenti historik i Kosovës, i  ndjeri Dr. Ibrahim Rugova,  njëkohësisht edhe mik i ngusht i Z. Xhema dhe i Senatorit Robert Dole, si dhe krye-protagonisti i miqësisë së përhershme midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve — në një kohë — kur pak kush dinte gjë për Kosovën dhe për shqiptarët.

Në njoftimin për themelimin e Fondit Xhema thuhet se Jim Xhema është takuar për herë të parë me Senatorin Dole në vitin 1987, kur Z. Dole ishte udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan.  Z. Dole ishte ndër liderët e parë politikë Amerikanë që solli vëmendjen ndaj gjëndjes në Kosovë dhe popullsinë e saj, kryesisht, etnike shqiptare si dhe përpjekjeve të saj për liri nga sundimi serb gjatë viteve 1980 dhe ’90 – kur qeveria serbe kishte vendosur ligjin e shtet-rrethimit dhe sundimin diktatorial mbi popullsinë shqiptare.

Gjatë ceremonisë që u mbajt në Prishtinë gushtin që kaloi, për të nderuar Senatorin Dole, Z. Xhema tregoi se megjithse ata u rritën në dy botë të ndryshme, të dy u rritën në ferma bujqësore.  “Të dy e kuptuam se, në fëmini, ishim rritur në një mënyrë shumë të ngjashme me njëri tjetrin dhe se kemi shumë parime të njëjta,” është shprehur Z. Xhema, siç raporton gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria në Nju Jork.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se Senatori Dole falënderoi Z. Xhim Xhema, mikun e tij prej një kohe të gjatë, për dhuratën dhe për vizionin e tij për paqe dhe liri.  “Xhim Xhema ka qenë miku im i ngushtë për shumë dekada.  Ai është një njeri i shquar dhe i veçantë”, tha Robert Dole, njëri prej politikanëve më të njohur të Amerikës të shekullit të kaluar dhe më vonë.  “Besnikëria dhe miqësia e Xhimi-t gjatë viteve, kanë qenë gjithmonë shumë domethënëse për mua, në nivelin personal, ndërsa dhurata e tij e fundit për Institutin Politik Dole, është një dëshmi e vërtetë e bujarisë së tij të pakufishme dhe e angazhimit të tij të vendosur për ta bërë këtë botë më të mirë për brezat e ardhëshëm”, është shprehur ish-Senatori Dole.

Fondi i Mundësisë Jim Xhema (“Jim Xhema Opportunity Fund”) do të sigurojë mbështetje për Institutin e Politikës Robert J. Dole për programet dhe ekspozitat publike të Universitetit Kansas.  Për të respektuar dëshirën e Z. Xhema, ky fond do të përdoret për të sponsorizuar programe dhe ekspozita me tema dhe subjekte mbi Shqipërinë, Kosovën, Shqiptaro-Amerikanët ose rajonin e Ballkanit, në Evropën Juglindore. Ky fond mund të sigurojë gjithashtu mbështetje për studiues që do të merren me kërkime shkencore në kuadër Koleksioneve të posaçme dhe Arkivit Robert dhe Elizabeth Dole, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa Z. Bill Lacy, Drejtori i Institutit Politik Dole pranë Universitetit Kansas, i shprehu mirënjohjen e tij të thellë Z. Xhim Xhema për dhuratën duke thenë se Instituti Dole do të përfitojë shumë nga kjo dhuratë bujare.  “Ne të Institutit Dole jemi vërtetë të nderuar dhe mirënjohës ndaj Z. Xhema për këtë dhuratë bujare”, tha Lacy.  “Kontributi i tij do të ndihmojë që të sigurojmë — që ne të vazhdojmë të nderojmë trashëgiminë e Senatorëve Bob dhe Elizabeth Dole dhe të hapim mundësi të reja për të zgjëruar programimin dhe kërkimet shkencore në fusha të reja dhe për audienca të reja”, përfundon njoftimi për themelimin e Fondit Xhim Xhema pranë Universitetit Kansas, në nder të ish-Senatorit të Shteteve të Bashkuara, Z. Robert Dole.

Vizita e Senatorit Robert Dole në Prishtinë në vitin 1990, ishte si të thuash katalizatori që vuri në lëvizje ndërkombtarizimin e “Çeshtjes së Kosovës”.  Ishte paralajmërimi i parë për Washingtonin zyrtar dhe botën se në Kosovë punët ishin shumë keq për shqiptarët, madje pat parashikuar edhe fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ.

Pas “shtypjeve shokuese” që kishte parë në Kosovë ndaj shqiptarëve të asaj krahine nga ana e forcave policore serbe, ish-Senatori Dole ia nisi punës për të sensibilizuar Kongresin, por edhe popullin amerikan dhe botën për krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë kundër shqiptarëve autoktonë, nga forcat kriminale të Millosheviqit, duke e cilësuar atëherë situatën në Kosovë si të rrezikshme dhe të pa parashikueshme.  Kjo ishte, pikërisht, edhe periudha që njëherazi vuri në lëvizje edhe lobimin në Kongres dhe pranë qeverisë federale të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili megjithëse i vogël në numër, arrijti të siguronte një mbështetje të pa parë deri atëherë — në qarqet e politikës amerikane – në favor të të drejtave dhe kauzave të shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në ish-Jugosllavi dhe në rajonin e Ballkanit Perendimor, në përgjithësi.

Aftësia që e dalloi Z. Xhim Xhema dhe veprimtarinë e tij gjatë dekadave në Amerikë ishte se ai dijti të zgjidhte dhe të bënte miqë për shqiptarët në Washington, nga të dy partitë politike kryesore të këtij vendi – republikanë dhe demokratë — dhe ndër politikanët më të dalluar due më me influencë të këtij vendi demokratik, njerëz me vlera morale dhe politike, por edhe human si Robert Dole, që besonin në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë popujt, pa dallim.  Ishte fati ynë që komuniteti shqiptaro-amerikan kishte njerëz si Xhim Xhema i cili me veprimtarinë dhe me miqësinë e tij me politikanët më të njohur të këtij vendi – bëri që “çeshtja e Kosovës” dhe të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në përgjithësi, — gjatë një periudhe shumë kritike të historisë së shqiptarëve – interesat e tyre të ishin në krye të listës së politikës së jashtme amerikane, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimim shekullin XXI.  Njëri prej këtyre ishte edhe ish-Senatori Robert Dole, “Një mbështetës i pazevëndsueshëm i Kosovës, duke qëndruar pranë dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet e tija për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, siç e ka cilësuar Senatorin Dole, ambasadori aktual amerikan në Prishtinë, Z. Filip Kosnett.  Ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në vitin 2003 e kishte vlerësuar kontributin e Z. Xhema, gjatë viteve, me  medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirsimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Ndihma prej dekadash e Senatorit Bob Dole dhe e politikanëve të tjerë amerikanë, është vlerësuar dhe nuk besoj se do të harrohen kurrë nga Kosova dhe as nga Kombi shqiptar.  Dhurata bujare — e veprimtarit të njohur prej dekadash në komunitetin shqiptaro-amerikan, Z. Xhim Xhema — për Institutin Dole të Universitetit Kansas – është një vlerësim tjetër i lartë që do të përjetësojë kujtimin e punës së palodhëshme të këtij burri të madh amerikan në mbështetje të drejtave bazë të njeriut, lirisë së shqiptarëve, në përgjithësi dhe pavarësisë së Kosovës dhe të lidhjeve të përhershme midis dy popujve tanë, në veçanti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok