THIRRJE KOMBIT SHQIPTAR

Nga Gjokë Dabaj

(Në kushtet kur në të gjithë botën sëmundja Kovid-19 e ka kufizuar e pothuaj paralizuar lëvizjen e njerëzvet, e pamë të mundshme vetëm këtë rrugë komunikimi, rrugën e quajtur online. Prandaj, ju lutemi, meqë s’po mund të takohemi e të flasim shtruar, lexojini dhe rilexojini këta rreshta me sa më shumë vëmendje!)

Duke i uruar Kombit Shqiptar, për vitin 2021, mbarësi dhe jetë më të mirë në të ardhshmen, Kryesia e Përkohshme e Përkujdesjes Gjithshqiptare e pa të nevojshme, madje të domosdoshme, sepse s’kemi kohë për të humbur, t’u drejtohet shqiptarëvet me një kërkesë krejt të posaçme. Pranimi dhe zbatimi i kësaj kërkese, pa dyshim, do t’i sillte Kombit tonë një epokë të re.

Thirrja dhe njëkohësisht lutja jonë, është kjo:

Ndërtoni fjalëmira të gjuhës shqipe kudo ku të keni mundësi!

Mbi qëllimin, rolin, funksionimin dhe çdo gjë tjetër lidhur me këto Fjalëmira të Gjuhës Shqipe, mund të lexoni në disa nga organet e rrjetevet tanë socialë, por veçanërisht dhe në mënyrë më të plotë, në më shumë se 600 faqe, te portali “pashtriku.org”, nën titujt “Strategjia e shqiptarëvet” dhe “Përkujdesja gjithshqiptare”. Fotografinë, si dhe dimensionet e një Fjalëmire, po i botojmë edhe këtu.

Fjalëmirat e gjuhës shqipe janë konceptuar si institucionet kulturorë vendorë, më të përshtatshmit për të vënë në jetë një strategji afatgjatë kombëtare, si dhe për të realizuar një përditshmëri në jetën konkrete të shqiptarëvet kudo që ata jetojnë.

Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe nuk janë thejshtë një gjë e mirë, nuk janë diçka që edhe mund të anashkalohen, por janë një domosdoshmëri, pa të cilat Kombi Shqiptar do të vazhdonte të rrudhej e të pakësohej, duke shkuar pandalshëm drejt asgjësimit.

Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe nuk drejtohen kundër asnjë kombi dhe kundër askujt tjetër në botë. Ato kanë të bëjnë thjeshtë dhe vetëm me mbarëvajtjen e gjuhës dhe të kulturës sonë.

Prandaj, kudo ku banojnë shqiptarë, brenda dhe jashtë Atdheut, qoftë në fshat apo në lagje qytetesh, ku mund të mblidhen njerëz të mençur, që e duan Kombin tonë, duhet të themelojnë degët e Përkujdesjes Gjithshqiptare.

Degët e themeluara të zgjedhin nga një kryesi prej 5 vetësh (një kryetar, një sekretar dhe tre anëtarë kryesie) dhe t’u paraqiten gjykatavet përkatëse për njohje ligjore, me statusin e shoqatavet jofitimprurëse.

Mbasi të jenë miratuar nga gjykatat përkatëse dhe, sigurisht, mbasi ato Kryesi Vendore të kenë kontaktuar me Kryesinë Qendrore, për të marrë udhëzimet e mëtejshëm, punët e para të tyre do të jenë: mbledhja e kontributevet monetarë, blerja e një trualli jo më të vogël se 300 metra katrorë dhe ndërtimi aty i një Fjalëmire të Gjuhës Shqipe, sipas projektit që po ju paraqesim dhe që do t’ia sqarojmë më imtësisht secilit më vete, pasi të kemi krijuar lidhje të drejtpërdrejtë.

Me këtë rast, u bëjmë thirrje edhe të gjitha shoqatavet atdhetare shqiptare kudo ku ato veprojnë, që të lidhen me ne dhe të merremi vesh, me qëllim që edhe ato të ngrejnë Fjalëmira të Gjuhësh Shqipe kudo ku kanë dëshirë dhe mundësi.

Të gjitha Fjalëmirat e Gjuhës shqipe, që do të ndërtohen, në Atdhe dhe në botë, duhet të kenë, hëpërhë, të njëjtën arkitekturë, të njëjtët dimensione, pra dhe të njëjtën pamje: 13x11x8 metra. Në qendër të ndërtesës do të jetë salla kryesore e ceremonivet, me përmasat 5 x 11 metra. Në krahun e djathtë të sallës kryesore (kur i kthejmë shpinën ballit të ndërtesës), do të jetë biblioteka, me përmasat 4×8. Me të njëjtat përmasa sa biblioteka, në krahun majtas, do të jetë arkivi i Fjalëmirës së Gjuhës Shqipe, një element që etnisë sonë dhe kombit tonë i ka munguar në të gjitha kohët para nesh.

Në ballë, sipër portës kryesore hyrëse, me lartësi 8 metra, do të ngrihet shtylla me pamjen e Flamurit tonë Kombëtar.

Fondet për ndërtimin e Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe duhet të sigurohen nga vetë banorët që do ta kenë në pronësi dhe në shfrytëzim atë Fjalëmirë. Kush jep 20% të krejt financimit, do ta ketë emrin të gdhendur në një pllakë mermeri pranë hyrjes kryesore, në krahun nga arkivi. Të gjithë të tjerët që do të japin më pak se 20%, do t’i kenë emrat të dizajnuar dhe të vendosur në një kornizë me xham brenda sallës së ceremonivet dhe ligjëratavet. Kështu, emrat e ndërtuesvet të cilësdo Fjalëmirë, në Atdhe apo kudo në botë, do të mbeten të paharrueshëm shekull pas shekulli.

Në krye të secilës Fjalëmirë të Gjuhës Shqipe, në marrëveshje me Kryesinë Vendore, do të emërohet një profesor a profesoreshë që të ketë diplomuar në degët: gjuhë dhe letërsi shqipe dhe histori të shqiptarëvet, sipas kriterevet që i ka përcaktuar Kryesia Qendrore e Përkujdesjes Gjithshqiptare. Këta do të jenë Misionarët e Kombit Shqiptar në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarë.

Është pak vështirë, sa të fillohet kjo punë. Por, mbasi dikush ta ketë marrë guximin dhe ta ketë ndërtuar diku një Fjalëmirë të këtillë, ne kemi bindjen që ato, shumë shpejt, do të shtohen me qindra.

Duke i ururar edhe njëherë krejt Kombit Shqiptar mbarësi në vitin 2021, mbetemi në pritje të lajmit të mirë: “U ndërtua Fjalëmira e parë e gjuhës shqipe!”

Me një të tillë lajm, fillon një histori tjetër e Kombit tonë, e ndritur si kurrë më parë!

Për Kryesinë e Përkohëshme të Përkujdesjes Gjithshqiptare,

Kryetari

GJOKË DABAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube