Ti që ikën

Nga Edison Ypi

Shqipëria është plot me shenjtëri manastiresh, magji’ kishash, legjenda shenjtorësh, shpella heremitësh. Ti që ikën dhe s’ke frikë se mallkimi i tyre do të ndjeki në fund të Botës, s’je shqiptar. Je stërkopil turku.

Nëpër katundet shqiptare ka njerëz të urtë që kanë zgjedhur të bëjnë jetët e tyre modeste në qetësi. Mbjellin, korrin, mbarsin gratë, rritin çiliminjtë, falen në Kishë ose në Xhami. Ti që ikën dhe jetën e përkorë të shqiptarëve shembullorë e përbuz, me siguri je stërnip greku.

Nëpër krahinat tona jetojnë dijetarë të veçuar që të mahnisin duke ta rrëfyer historinë fijepërpe. Jo si e tregojnë soc-historianët tanë burokratë rrogëtarë mercenarë të shitur, por si ka ardhur gojë më gojë nga lashtësia. Ti që ikën me të drejtë nuk beson se në Shqipëri ka dijetarë të heshtur. Sepse je stërlëng serbi.

Shqipëria ka peisazhe të magjishme që ja kanë ndezur shpirtin dhe fandaksur zemrën: Naimit, Nolit, Fishtës, Lasgushit, Kadaresë. Ti që ikën, atje ku vete, dridhesh e strukesh 24 orë me makthin e mbijetesës. Dhe nuk e di, e as kurrë nuk do ta dish, ku bie shpirti e fandaksja, aq më pak cilët janë Ata që ndizen e digjen si qiriu.

Shqipëria ka vende aq të bukura sa me të ik menia e kres’: Relieve danteske, dushknaja shekspiriane ku natën dalin magjistrica, katunde me ndërlikime dostojevskiane, zabele si ai ku bëri duel Pushkini, që kur i sheh të mbushen sytë me lotë. Kot lodhem. Ti që ikën, nga Bukuria e lotëve dhe lotët e Bukurisë s’ke asnjë ide.

Ti që ikën me siguri ke dëgjuar, për shembull, për piramidën e Keopsit që ka këto e ato të fshehta gjeometrike, matematike, inxhinierike, mahnitëse që kanë lidhje me pozicionet dhe këndet ndaj Diellit, hënës, yjve, yllësive. Ti që ikën, ikën, mes tjerash, edhe sepse nuk e di se Kishën e katundit tënd, apo Manastirin diku aty rrotull, nuk e kanë bërë budallenjtë si ty që ikën, por inxhinierë, matematicienë, astronomë, piktorë, nga më të mëdhenjtë e botës përmes kalkulimesh mahnitëse gjeometrike, historike, artistike, edhe më të sofistikuara se piramidat e Egjiptit.

Ka ca vjet në fshatrat tona mbajnë dhi’. Kopetë e dhive zënë rrugën duke kaluar tërthor. I them çobanit: Hej, mos u ngut, leri të ikin, me rregull, Ladies first. Kopeja e dhive e kuptojnë çfarë i them çobanit, dhe hap rrugën. Kopeja jote dhe e shokëve të tu që ikni drejt territ, s’keni tru as sa një dhi’.

Ka ca lugina dhe ca pllaja nëpër Shqipëri, ku aromën e mollëve, dardhave, kumbullave, rrushit, qershive, manaferrave, i nakatos era dhe bën parfumin më marramendës që se bën dot asnjë laborator, asnjë industri. Ti rrënjëshkuluri i pandjeshëm me shqisa të mangëta që ikën, nuk ke asnjë ide mbi atë parfum, ku ndodhen ato lugina e ato pllaja.

Të huajt që vinë atje prejnga ti ikën, shkallojnë nga trutë e kokës për ushqimet tona bio. Ti që ikën, s’bën asnjë dallim bio e stërbio. Ti që ikën do vetëm të ngopesh me produkte sa më të lira supermarketesh popullore me mish si kashtë, kos ai llastik, fruta të degjeneruara.

Ti që ikën edhe pa pasur asnjë difekt karakterial apo ndonjë problem tjetër, vetëm pse ikën, atje ku do shkosh do jesh një qytetar i dorës së dytë, një puthador, një hyzmeqar, prej të cilit, disa vjet rrjesht, askush nuk do presi ndonjë gjë tjetër përveç larjes së pjatave dhe pastrimit të haleve.

Ti që ikën, meqëse e konstaton shpejt sa e vështirë është të zësh rrënjë, nga inati, atje ku shkon, bën gjënë më të ligë mbi dhe’, shan Shqipërinë. Kësisoj je më i zi se serbi, më dinak se greku, më halldup se turku, je çun oficeri.

Ti që ikën dhe atje ku shkon, me kokën këndej, llap për politikë me gjuhën e Zërit të Popullit. Domethënë je një klysh kurvi që duhet me ta zhyt kokën te kazani i valuar ku lan pjatat e zbrazura nga ata që të shohin dhe të shfrytëzojnë si qënie e ulët, si bastard.

Ti që ikën, dhe atje ku shkon bërtet e çirresh se nuk duhet të presim afganë, je një zemërgur dhe shpirtkatran që s’e ke shokun në dynja.

Ti që ikën me idenë të kthehesh kur Shqipërinë ta kenë ndrequr ata që nuk ikin, je një skarcitet biologjik, një lapsus i Natyrës, një plehër.

Ti që ikën, dhe nga pasiguria se ku do shkosh e çfarë do bësh, ikjen e lidh me dërrdëllitje jopo kjo qeveri jopoajo qeveri, je thjesht dhe vetëm një ndyrësirë, një pisllëk i paevitueshëm, një ekskrement shoqëror.

Ti që ikën sot, mos kij asnjë dyshim se në Diktaturë nuk do ishe kurgjë tjetër veçse një spiun që do spiunoje ata që donin të iknin.

Ti që ikën, thua me vete: Iku Naimi, iku Noli, iku Kadarea, pse të mos iki dhe unë. Po e the këtë, nuk ke ikur nga Puka, nga Mirdita, Përmeti, Shkodra, Myzeqeja etj. Ke ikur nga ment’ e kokës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube