TRE ARKITEKTË GJENIALË SHQIPTARË TË PËRMASAVE BOTËRORE

Edhe në lëmin e arkitekturës, krijuesit shqiptarë kanë dëshmuar, me veprat e tyre nëpër botë, se janë personalitete gjeniale, duke mbetur veprat e tyre shëmbëllesë e jashtëzakonshme e aftësisë krijuese si dhe e vlerave estetike tejkohore.

Ndër të tillët do radhitur Arkitekt Sinanin, që jetoi e veproi në Perandorinë Osmane, arkitekt  Mehmet Isain, i cili veproi në Indi si dhe arkitekti  Karl Gega, i cili jetoi e veproi në Austri. Veprat e tyre janë ngrehina që edhe pas kaq vitesh e shekujsh, lënë gojëhapur vizitorët e rastit si dhe habisin për aftësitë krijuese të njëhershme studiuesit e ndryshëm të kësaj lloj arti.

Nga Sinan GASHI

ARKITEKTI MIMAR SINANI

Një nga ata artistë të mëdhenj të historisë së përbotshme, që u “shpërblyen” me sakatosje fizike për madhështinë artistike të materializuar, është edhe Mimar Sinan Atiq Aga,[1] emërtim ky në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, ku e shpuri fati.

Në të vërtetë arkitekt Sinani s’ka dyshim se ishte nga fara jonë shqiptare, dhe se kishte një  aftësi të jashtëzakonshme e dhunti krijuese në arkitekturë. Të dhënat e mirëfillta për jetën e tij i ka “ngrënë” koha, por shënimet e disa dëshmive si në enciklopeditë dhe veprat e udhëpërshkruesve të kohës, ndriçojnë diç.

Dihet se kishte origjinë nga Qesarati i Tepelenës. Poashtu dihet e dhëna se Sulltani kishte sjellë në kryeqytetin  e Perandorisë, në Stamboll, jeniçerë të rinj, nga të cilët pastaj dilnin personalitete të shquara, me aftësi të rralla, të cilët nuk ktheheshin më  asnjëherë në vendlindjen prej nga ishin grabitur. Ndër të tillët duhej të ishte edhe Sinani, që njihej fillimisht me emrin Kristodullo. Kjo pra ishte koha e Sulltan Mehmetit II. Për aftësitë e tij mjeshtërore Sinani vendoset në krye të grupit ndërtues-projektues i Perandorisë, për të lënë vepra të bukura, të domosdoshme për kohën, në të cilat derdhte një pasuri të shpirtit artistik, për të lënë monumente që nuk mund t’i skajojnë shekujt për nga vlerat artistike.

Ajo që i dha emër personalitetit e artistit të përjetësisë, është ndërtimi i një faltoreje xhamie, sipas kërkesave të sulltanit, madje mbi themelet e ish-kishës së apostujve, ku ishte varrosur edhe perandori bizantin Justinjani (525 – 565), që njihej si ligjvënës, i cili ishte me preiardhje nga Kosova.

Ajo në të vërtetë ishte xhamia e parë në Stamboll, nisur në vitin 1463 për të përfunduar ndërtimi vetëm tetë vjet më pas. Arkitekt Sinani ishte krymjeshtër, i cili jo vetëm që ndërtoi një bukuri për shikimin, por aty vargëzoi një kompleks të tërë me objekte ndihmëse, shkolla, banesa për studentë, spital, bujtinë, gjelltore, hamam e të tjera. Kjo vepër ishte e kompletuar edhe me tyrben (mauzoleun) për sullta – nin dhe të shoqen, që ishte edhe ai me preiardhje shqiptare, e cila kishte një organizim të shkëlqyer, që vizitorët e huaj e cilësonin veprën më të bukur të Stambollit, si do të shprehej edhe udhëpërshkruesi francez  Nicolas dë Nicolay më 1540. Këtë pasuri vlerash arkitekturale, si duket, Sinani e kishte sjellë nga një traditë ndërtimore e vendlindjes së tij, pasi që ata njiheshin edhe më herët si mjeshtër në zë. Nga një tërmet që pësoi vendi ky objekt ishte shkatërruar në masë, por mbeti modeli i rindërtimit të Xhamisë Blu, bërë po nga një arkitekt tjetër shqiptar nga Elbasani, Mehmet Sedefçari.

Por, ta themi tragjikën finale të jetës së këtij arkitekti të njëhershëm. Si edhe rasteve të tjera, si modë e kohës, Sulltani edhe këtij ia pret dy duart, për dy shtylla më të ulëta që i kishte lënë në xhami, përkatësisht që të mos jetë në gjendje të ndërtojë më këso vepre të bukur. Jeta e tij mbaroi me dhembje, i sakatosur, i burgosur dhe së fundi i vrarë.

Sa për përkatësinë shqiptare të tij dëshmojnë disa studiues të asaj kohe dhe për atë kohë, si Dhimitër Kantemiri nga Moldavia, edhe ky me prejardhje shqiptare, në veprën “Historia e Perandorisë Osmane”. Madje edhe studiuesit turq Syrja Bej si dhe Abdurrahman Sherif Bej, i pari me një punim botuar në Paris më 1919, kurse i dyti me një vepër publikuar në Bukuresht më 1976.

Vetëm ditëvdekja, përkatësisht ditëvrasja është e saktë, e shënuar në rrasën e varrit të tij, 1588.

Arkitekt Sinani kishte projektuar rreth 400 vepra, ndër të cilat 81 xhami, 50 mesxhide, 55 medrese, 26 biblioteka, 19 tyrbe, 15 imarete (internate), 3 spitale, 7 ujësjellës, 8 ura, 33 saraje (pallate), 33 hamame, e tjera.

Kësaj radhe do thënë se jo vetëm veprat monumentale, por edhe ato që ishin në shtrirje të gjerë hapësinore, ishin punuar nga duar shqiptare në Stamboll, të cilat ishin kushtëzim i viteve shfarosëse, kur robëtoheshin për zbukurimin e jetës së sundimtarëve të tyre. Kjo nuk manifestohej vetëm në një lloj arti, por edhe krijuesit letrarë, ata të muzikës, të pikturës etj., ishin në shërbimin e njëjtë. Te veprat e arkitekt Sinanit ishte të harmonizuara mjeshtria e formës së eksterierit dhe të enterierit, si dhe funksionaliteti i objekteve për shërbime publike. Mbi të gjitha ato vepra mbeten pasuri e kulturës botërore, shpesh për nuanca të patejkalueshme.

Enciklopeditë e shumta të botës japin të dhëna të ndryshme për këtë personalitet shqiptar, duke e cilësuar me kombësi turke, e me një herë jeta e tij merr formë legjende të rrëfimit, por fijet e së vërtetës hepohen nga ndriçimi i fakteve, të cilët duhet korrigjuar gjithkund.

  1. ARKITEKTI MEHMET ISAI

Edhe pse nga largësia kohore shpesh faktet mbulohen me pluhurin e legjendës, megjithatë është një fakt i pamohueshëm se arkitekti kryesor në realizimin e projektit dhe vetë projektimin e njërës nga shtatë mrekullive të botës, Taxh Mehallit në Agra të Indisë, është një shqiptar nga Opari i Shqipërisë, Mehmet Isai,[2] i njohur edhe me epitetet “usta” (mjeshtër) që përcakton profesionin e tij.

Ngjarja e shek. XV ishte ajo kur sundimtari shah Xhahani, pasi rrëzoi t’atin nga posti dhe mori vetë fronin në duar, sipas zakonit, ai kishte tubuar në oborrin e vet artistë profilesh të ndryshme. Një cilësi e tij ishte ajo se interesohej shumë për bukurinë arkitekturale. Por vepra që la nam ishte si rezultat i dhembjes së thellë që i shkaktoi humbja e së shoqes. Për përjetësimin e kujtimit për të, mendoi të ngrisë një dëshmi monumentale, për çka ftoi arkitektë në zë për kohën. Aty e solli ky interes edhe arkitektin tonë Mehmet Isanë, së bashku me mjeshtër të tjerë shqiptarë.

Pas konkurrimit me projekte të të shumtëve përzgjidhet ai i Mehmet Isait, i cili kishte ushtruar profesionin e mjeshtrit ndërtimtar edhe në Stamboll. Puna zgjati shumë kohë, afro 20 vjet me radhë, me punëtorë të shumtë (afro 20.000 veta), profilesh të ndryshme dhe me material të ndryshëm dhe të përzgjedhur.

Për bukurinë dhe madhështinë e kësaj vepre të rrallë arktekturale ja çfarë thotë studiuesi i përkushtuar prof. Ramadan Sokoli: “Kryemjeshtri gjenial i kësaj vepre ekletike ka ditur të ujdisë përvojat dhe stile të mjeshtërve të ndryshëm, bashkëpunëtorëve në një tërësi të harmonishme. E me të vërtetë duke soditur pamjen e Taxh Mahallit të pushton një mbresë harmonie dhe qetësie; ajo ndërtesë mermeri, që zbardhëllen midis qiparisave të lulishtes, ka diçka të mahnitshme, në përpjesëtimet sqimatare të vijave nga baza e saj deri te maja e kubesë qendrore… Vlerat artistike të Taxh Mahallit nuk qëndrojnë vetëm në drejtpeshimin e përmasave të harmonishme, apo në hijeshinë dhe begatinë e zbukurimeve, por qëndrojnë njëkohësisht në mjeshtërinë e përsosur të realizimit dhe në unitetin e mendimeve; aty janë shkrirë më së miri përvoja e lartë shkencore me prirjen artistike dhe me frymëzimin poetik”.

Sa për përkatësinë kombëtare të këtij arkitekti të rrallë, sado që dëshira e të shumtëve për përvetësimin kombëtar si njeri të njëhershëm me famë të atyre viteve, duke thënë se është herë indian, herë turk, herë persian ose italian e të tjerë, në një dokument zyrtar në arkivat e Stambollit jepet e dhëna e përkatësisë kombëtare e tij, pra shqiptare.

Taxh Mahalli, vepra që e përmendem, është e fundit ndër ato që ende nuk i dimë, ngase, si shpërblim për madhështinë e bërë, sundimtari katil ia kishte “dhuruar” burgun dhe verbimin, në mënyrë që të mos mund të ndërtojë objekt më të bukur askund, për të cilin gjë e shprehu mundësinë arkitekti i sinqertë në fatkeqësinë e fatit të vet.

Jo njëherë ndodh që “bukuria ta ketë të zezën e vet”, përkatësisht të dënohen në vend që të shpërblehen mendimtarët, artistët e njerëzit që krijojnë të bukurën dhe vijëzojnë ardhshmërinë e dëshiruar të njerëzimit, nga sundimtarët e udhëheqësit katilë.

Këto fate, zakonisht, i përjetojnë ata që modestinë e vënë përballë gjithçkahes, përkatësisht ata që jetën dhe krijimtarinë e kanë ideal, përditshmërinë e kanë me shikimin nga ardhshmëria; kjo është jeta reale e tyre dhe vetëm për atë frymojnë.

Ajo që është edhe më tragjikja, në rastin konkret, nuk është veç përmbyllja e dhimbshme e një jete, e një qenje – art, por ajo e fshehjes së autorësisë, ngase këtë vepër e vizitojnë me mija pelegrinë, kënaqen dhe habiten me rrezatimin himnizues artistik, pa emrin e autorit, që do duhej ta kishte të evidencuar, sikurse edhe shënimet tjera për të.

Sido që të jetë, veprat e mëdha, që i përkasin pastaj tërë njerëzimit, janë pronë e brezave, të cilat edhe në anonimitetin zyrtar e lakmojnë dhe e nderojnë.

Aq shumë vepra studimore që janë shkruar për këtë vepër arkitekturale, si edhe të gjitha encipeditë e botës e shënojnë  emrin e arkitektit, por të mangët dhe të shtrembëruar. Është koha që një herë e përgjithmonë të shënohet e vërteta për përkatësinë kombëtare dhe tragjizmin e përjetimit final të Mehmet Isait, arkitektit nga Opari.

  1. ARKITEKTI KARL GEGA

Ndër ato personalitete që i mbuloi pluhuri i historisë, edhe si vlera të jashtëzakonshme e edhe si përkatësi kombëtare shqiptare, është inxhineri – arkitekt i hekurudhave të Austrisë, Karl Bitër Gega.[3]

U lind më 10 janar 1802 (1800) në Venedik (Venecia) të Italisë, nga një familje shqiptare, mërguar që herët në Perast afër Kotorrit në Mal të Zi, nga Veriu i Shqipërisë, pas rënies së Shqipërisë nën sundimin turk, më 1479. Për aftësi intelektuale e shkathtësi profesionale, stërgjyshi dhe gjyshi i tij kishin shërbyer oficerë në marinën e Republikës së Venedikut, kurse më vonë, i ati kryente punë të një nëpunësi po në shërbimin e marinës luftarake.

Që kur ishte nxënës i fillores Karl Gega u dallua për mençuri, veçanërisht në vizatim dhe matematikë. Pastaj shkollimin e vazhdoi në kolegj për filozofi dhe matematikë, kurse studimet i regjistroi në moshën 15 -vjeçare në Universitetin e Padovës, kur do të diplomohet në degën e inxhinierisë. Në moshën 17 – vjeçare i është dhënë titulli doktor i matematikës. Edhe më pastaj ai nuk i shqitej studimit, tashti në lëmin e arkitekturës.

Ajo që e cilëson këtë personalitet të së ardhmes, veç tjerash, është edhe dhënia e gradës së doktorit në matematikë, që në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, përkatësisht më l8l9.

Punoi një kohë në ndërmarrjen e rrugëve në Venedik, krahinë kjo që për kohën ishte nën administrimin e Perandorisë Austriake. Pas dëshmi – mit me disa vepra që vlerësohen lart, transferohet në Trevizos, më 1824, e më pastaj emërohet inxhinier kryesor në Italinë e Veriut, që për kohën ishte Austri. Projekte të shumta kreu gjatë asaj kohe, si: ura, godina, disa rrugë, për çka merr lëvdata të shpeshta.

Kur më 1836 Austria do të nisë ndërtimin e një hekurudhe për herë të parë, inxhinierit Karl Gega iu besua hartimi i projektit. Ky mision i rëndësishëm ia mundësoi vizitat me karakter të përvojës profesio – nale në Gjermani, në Francë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Belgjikë dhe në Angli. Sa kthehet në Vjenë, qeveria e cakton përgjegjës për realizimin e hekurudhës Radenburg – Brun.

Ai në të gjitha punët e besuara tregon aftësi e saktësi realizimi. Tashti nis të merret me urat dhe rrugët malore në Tiroli. Për detyrat e rëndësishme që i besohen në vijimësi, ai dërgohet edhe në Amerikën Veriore, për përvojë në hekurudha.

Është kurioze të thuhet se në përurimin e linjës për Grac, në tetor të vitit 1844,  inxhinier Gega drejtoi vetë lokomotivën.

Kulminantja e punës së tij ishte projektimi e realizi – mi i hekurudhës së Zemmeringut, i cili realizim u zhagit për katër vjet. Domosdoshmëria e fillimit të punimeve ishte një kushtëzim edhe i natyrës politi – ke, ngase nga papunësia e madhe, nisën trazirat. Inxhinier Gega ishte kryeinspektor në këtë ndërtim, ku morën pjesë më se 20.000 punëtorë profilesh të ndryshme. Kjo ishte një vepër që për autorin e saj krijonte shqetësime kulminante, ngase kundërshton -te të arriturat e deriatëhershme në terrene të tilla të pjerrëta malore. Kështu, në terren tejet të vështirë, po kryhej një punë me mjete gjysëm primitive, që shkaktonte aksidente të shpeshta. Pavarësisht vështi-  rësitë dhe sakrificat, inxhinier Karl Gega vetëm shikonte përpara dhe nuk tërhiqej. Ai studionte pa ndërprerë, edhe në lëmenj të tjerë ndihmës, për realizimin me çdo kusht të kësaj vepre të rrallë. Mu për këtë kishte bërë me dhjetëra skica e madje kishte shkruar edhe një studim.

Në linjën hekurudhore në fjalë janë ndërtuar 16 viadukte (me gjatësi 1.502 metra), 15 tunele (me gjatësi 4.520 metra), em shtylla të larta deri në 45 metra, me harqe deri në 20 metra dhe me qindra ura të vogla e mure mbajtëse. Lartësia e viaduktit arrin deri në 45 metra, ndërsa hapej tuneli në gjatësi 1.430 metra.

Me lëvizjet politike që bëhen atje, çrregullohet edhe realizimi i veprës së Karl Gegës. Hekurudhat privati -zohen, kurse ky transferohet në viset e tjera, vetëm pak para përfundimit të kësaj vepre kapitale. Këtu kishte edhe elemente të xhelozisë së kolegëve smirëzinj profesionistë inxhiniero-arkitektë, të cilët edhe e proklamuan me zhurmëri si të pamundshëm realizimin e këtij projekti.

Pas gjashtë vjetësh pune përplot tensionime, Gega largohet nga atje në çastin final, me një përjetim tepër të rëndë.

Puna e pandërprerë intelektuale dhe sëmundjet e të gjitha llojeve që i ndodhën, u bënë shkaktar edhe i sëmundjes së mushkërive.

Duke qenë njeri me sedër të përgjegjësisë së thellë, kur i erdhi lajmi i rremë se tuneli është mënjanuar dhe nuk del i saktë realizimi i projektit, ai tensionohet tej mase, përjetoi krizë të thellë nervore, dhe vdes në Lugeck në Vjenë, më 14 mars 1860, kurse trupi i pushon në varrezat e Wahringer-it, në Vjenë. Kurse, me rastin e shpërnguljes së këtyre varrezave, sarkofagu me eshtrat e Ghegës u vendosën në panteonin e njerëve të mëdhenj që kishte Austria, të Mozartit, Bethovenit, Shubertit, Shtrausit, Brahmsit dhe Alois Negrellit (projektuesit të Kanalit të Suezit).

Me të madje u luajt edhe sa i përket përkatësisë kombëtare, duke e regjistruar herë si gjerman e herë si italian. Vetëm studiuesi gjerman Friedrich  Wallich, në “Neuland Albanian”, botuar në Shtudgard më 1931, sqaron: “Karl Gega, ndërtuesi gjenial i hekurudhës së Zemeringut, ka qenë me prejardhje shqiptare.“ Këtë përkatësi shqiptare të tij e dëshmon edhe biografi i fundit i Gheges, austriaku Wolfgang Straub, në monografinë ‘Carl Ritter von Chega’, botuar më 2004. Po ashtu në Vjenë ishte mbajtur një simpozium për këtë inxhinier gjenial ‘Carl Ritter von Chega – midis legjendës dhe realitetit’, ku u zbardh vetëm pas 136 vjetësh enigma për të. Edhe studiuesi Dr. Alvin Saraçi e ka dokumentuar gjenezën e gegëve dhe travajat e tyre jetësore, siapas dokumenteve të gjetura në biliotekën e Muzeut Correr të Venecias.

Kështu përfundoi jeta e gjeniut, modest e sakrifikues, që radhitet ndër 100 austriakët më të shquar nga gjithë historia, krahas Mocartit, Frojdit, Franc Jozefit, Franc Kafkës, Bethovenit, Shubertit, Shtrausit, etj., i cili s’e njohu as kënaqësinë e jetës familjare, duke u mishëruar vetëm me profesionin.

Nga ai njihen këto vepra të shkruara shkencore:

  1. Carl R. V. Ghega: “Ubersicht des Hauptfortachrifts des Faisenbahunesens in dem Jahrzentende” (1840-‘50),Wien 1852.
  2. Carl R. V. Ghega: ”Atlas zu der Ubersicht”, Wien, 1951.
  3. Carl R. V. Ghega: ”Malerischer Atlas der Eisebahu uberden semmering”,Wien, 1854.

[1] Dr. Muhamad Harb: al-Mi’mar Sinani al-Arabia, nr. 271, Kuvajt 1985, f.74; Nexhip P. Alpan-Nesip Kaçi: Shqiparët në perandorinë osmane, Tiranë, 1997, f….; Ramadan Sokoli: 16 shekuj, Tiranë, 1995, f. 101-1103; Shyqri Nimani: Arnavud – artistët shqiptarë në perandorinë osmane, Prishtinë, 2003, f. 56-65; Blerim Luzha: Arti i madh dhe origjina shqiptare e Mimar Sinanit, Koha për kulturë, Prishtinë, 1.XI.2001, f. IV; Sinan Gashi: Koxha Sinani, kryearkitekt i Perandorisë Osmane, Bota sot, Prishtinë, 14. VIII. 2001, f. 20.

[2] Shih. Chaghtai Muhamad Abdulla: Le Tadj Mahal d’Agra, Bruxelles, 1938; Hrsg. Henri Stierlin: Islamisches Indien, Germany, 1978; Ramadan Sokoli, 16 shekuj, Tiranë, 1995, f. 121-123; Sinan Gashi: Traseja e mendimit, Prishtinë, 2001, f. 99-101; Idem: Mehmet Isai autor i Taxh Mahallit në Indi, Bota sot, Prishtinë, 17 korrik 2002, f. 18; Shyqri Nimani: Arnavud, artistët shqiptarë të perandorisë osmane,  Prishtinë, 2003, f. 80-85.

[3] Shih. Friedrich wallisch neuland Albanian, stutgart, 1931; Ramadan Sokoli: 16 shekuj, Tiranë, 1995, f. 131-136; Sinan Gashi: Karl Gega arkitekt i hekurudhave në Austri, 30 qershor 2002, f. 20; Frrok Kristaj: Karl Gega – projektues I hekurudhës së pare me avull, Bota sot, Prishtinë, 1.XII.203, f. 26, Eqrem Zenelaj: Shqiptari dr. Karl Ritter Ghega (1802-1860) – gjeniu i hekurudhave të Austrisë, Lajm për kulturë, Prishtinë, 2 shkurt 2008, f.5.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube