Trieshjanët në  Australi, të lidhur me vendlindjen edhe pse i  ndanë largësia

Nga Gjekë Gjonaj

Trieshjanët në  Australi, të njohur edhe si shqiptaro-australian, janë pak   familje  të cilat mund të numërohen me   gishtat e të  dy duarve  me  më pak  se 40 anëtarë, sipas  pohimeve të tyre. Ata filluan të shpërngulen në Australi   nga fillimi i viteve 1960. Trieshjani i parë  i regjistruar, i  vendosur në Australi, ishte  Pjetër   Nikollaj, (  i njohur në komunitet  me emrin Tushi i Prëlë Nicit) nga fshati Muzheçk. Ai  me familjen e tij   u përcaktua të jetojë në qytetin Sidnej, ku edhe  qëndroi  përgjithmonë.   Fillimet e  këtij mërgimtari  në këtë vend të largët ishin  të vështira, sepse  atje ndjehej si një person i huaj.   Në rrafshin shoqëror ai e identifikonte veten me bashkësitë në vendlindjen e tij, familjen, fshatin, krahinën  dhe kombin, kurse në  rrafshin mendor  unin e vet e demonstronte si individ, i ndarë nga secili individ tjetër.   Këto ndjenja emocionale  dhe nevoja që t’u ndihmojë familjarëve në vendlindje të cilët  i kishte lënë në një varfëri të skajshme, pa kurrfarë perspektive për të ardhmen, e  motivuan atë   që t’i  tërheqë ata në Sidnej. Të përkujdeset për ta dhe t’u gjejë  punën.   Me shumicën e  anëtarëve  të kësaj familjeje të ndershme  në moshën e fëmijërisë    shoqëroheshim  shpesh. Dhe, pasi  ata u larguan nga  Muzheçku dhe u shpërngulën në Australi ,  e pyeta babin  se  ku është vendi ku ata shkuan. Ai më dha  këto  përgjigje : “ Në fund të botës”, “ Në  njërin prej vendeve më të mira të botës”  , ”  Si në përrallë”.   Më pas duke e ndihmuar njëri-tjetrin  mbërritën edhe emigrantë të tjerë . Në këtë mënyrë e prekën  tokën australiane  edhe   një numër i vogël trieshjanësh   nga vëllazëria Nikollaj, Gjokaj, Gjolaj, Cacaj dhe Dedivanaj. Të gjithë ata shkuan në Australi  si emigrantë ekonomikë, si punëtorë për të shfrytëzuar mundësitë më të mira për jetesë dhe punë.  Ata  në këtë vend  ushtruan profesione  që i përkasin kryesisht punës fizike, kurse numri i  atyre me arsimim të lartë  që ushtrojnë profesionet e  veta  është tepër i pakët, për të mos thënë mungon fare.

Sot  trieshjanët në  Australi janë integruar në  jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin status  juridik si të gjitha pakicat tjera etnike që jetojnë dhe punojnë atje. Nuk kanë heqë dorë nga shtetësia  e dyfishtë. Përmes integrimit në bashkësitë shoqërore  e ndiejnë veten “ australianë”, por  në asnjë moment si individ  nuk e kanë ndërprerë  e shkëputur  lidhjen me vendlindjen  e tyre. Gjithnjë  mbajnë lidhje simbolike, të pastër emocionale  për vendin e origjinës të baballarëve të  tyre.  Disa nga ata i kanë riparuar shtëpitë e  vjetra ku kanë lindur e  ca të tjerë kanë ndërtuar shtëpitë e  reja  në Tuz.

Nikollë Nikollaj  në  bisedë telefonike  më tha se  lidhjet e tyre emocionale me vendlindjen e tyre janë të forta. “ Prej se  më  ka shkelur këmba  në tokën e  Australisë  asnjëherë nuk e kam harruar fshatin tim të lindjes, Trieshin e Malësinë.  Të rralla kanë qenë netët që nuk e kam ëndërruar atë vend të bukur me ajër të pastër, me ato bukuri të mrekullueshme natyrore e me njerëz të mirë e fisnikë. Sa herë që vij atje zemra më ngopet, më bëhet mal,  e shpirti më kënaqet”, shprehet me shumë mall e emocion Nikolla.  Njëjtë  më rrëfeu në telefon  edhe bashkëfshatari i tij dhe ish-nxënësi im Zef Gjolaj. “ Shoku arsimtar, m’u drejtua sikur  më thoshte në shkollë, të falënderoj   nga zemra që të ka ra ndërmend për ne, sepse na ke gëzuar shumë , shumë…  Edhe pse jemi larg jush, ne jemi  të lidhur  ngushtë me vendlindjen.  Mundohemi të  ruajmë traditën, gjuhën, doket e zakonet tona. Në familjet tona flitet shqip. Të gjitha festat, Vitin e Ri, Pashkët, Krishtlindjet dhe Zojën e Trieshit  i kremtojnë njësoj apo ngjashëm  sikur kemi qenë në vendlindje.   Edhe ritet mortore, dasmat dhe ditëlindjet   mundohemi t’i  organizojmë  në pajtim me traditën tonë të lashtë, pohon me krenari Zefi.

Për fat  të mirë edhe brezi i tyre kryesisht është edukuar në  frymën e traditës së malësorëve.   Shembull konkret është Tomë Nikollaj, të cilin spontanisht  e njoha  para pak vitesh në hotelin “ Oazis” në Tuz.  E fliste   gjuhën shqipe  sikur të kishte lindur në Triesh, e jo në Australi. Përveç kësaj më tha se është këngëtar dhe u bie tri instrumenteve popullore : çiftelisë, lahutës dhe  fyellit. “ Unë si këngëtar dhe rapsod i ri kam kënduar  në  tubime të ndryshme të komunitetit tonë në Sidnej.  Në të gjitha ato vende ku kam kënduar, në ndeja, festa, ditëlindje, dasma,  kremte kombëtare  e kudo tjetër  jam munduar të këndoj me shpirt dhe të  përcjell tek  rinia dhe popullata jonë dashurinë ndaj  instrumenteve tona   popullore dhe ndaj  këngëve të bukura shqipe”, thekson  Toma.

Trieshjanët në Sidnej të Australisë , përveçse mundohen të ruajnë  vlerat  tona tradicionale  përmes aktiviteteve të ndryshme të herëpashershme kulturore , fetare e kombëtare   e kanë provuar veten edhe në fushën  sportit.  Ata në vitin 1981 themeluan me kontribute të veta financiare   Klubin e Futbollit ”   Besa”, të cilin  disa vite e drejtoi  me sukses Gjelosh Nikollaj.  “Në këtë skuadër të  vogël  sportive të ngjizur në Sidnej  përveç lojtarëve nga Trieshi ishin të përfshirë edhe futbollistë nga  komunitete të tjera etnike.  Organizimi i saj perfekt në të gjitha aspektet një vit u  finalizua me vendin e parë në ligën ku garoi”,  thotë  ish-futbollisti  i  këtij klubi”, Gjokë Gjolaj, shoku im i shkollës në Triesh.  i cili tani jeton në Detroit , nëSHBA.

Këta mërgimtarë trieshjanë në Australi,  përveç lidhjeve të gjakut dhe lidhjeve emocionale që kanë  për vendlindjen, i bashkon edhe dhimbja dhe respekti për njëri-tjetrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube